Në seancën komemorative të Kuvendit të Kosovës u vlerësua lartë
kontributi i deputetes së ndjerë Nekibe Kelmendi, e cila u tha se ka
krijuar një trashëgimi politike e humane që mbetet vlerë për vendin dhe
qytetarët.Në seancën komemorative, kryeparlamentari Jakup
Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës e ka humbur deputeten veterane të
këtij institucioni dhe personin që është angazhuar shumë për të drejtat e
njeriut dhe në proceset më të rëndësishme që ka kaluar vendi.
“Jetën e saj e përmbylli denjësisht si përfaqësuese e zgjedhur e
popullit dhe me guximin e qëndrimin e hekurt të saj”, u shpreh Krasniqi.
Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e LDK-së, Sabri
Hamiti tha se deputetja Kelmendi, themeluese dhe drejtuese e lartë e
LDK-së, si dhe deputete në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të
Republikës së Kosovës, i ka përmasat e personalitetit politik rugovian.
Kjo, sipas tij, nënkupton filozofinë nacionale, politike dhe humane.
“Nekibe Kelmendi punoi për pajtimet shqiptare, si kusht themelor për veprimin politik.
Nekibe Kelmendi filozofinë e të drejtave të njeriut, si filozofi
universale, punoi për ta bërë vepër në botën shqiptare te Kosovës.
Nekibe Kelmendi punoi për të ndërtuar institucione demokratike si
domosdo e mbrojtjes institucionale të barazisë së njerëzve.
Nekibe Kelmendi u bë avokate (mbrojtëse) e të drejtave njerëzore e
nacionale të shqiptarëve. Nekibe Kelmendi u zgjodh me vota të
drejtpërdrejta të qytetarëve si përfaqësuese në të gjitha
legjislaturat”, u shpreh Hamiti.
Ai më tej u shpreh se një çift i jashtëzakonshëm, bashkë me burrin e
vet, Bajram Kelmendin, denoncoi para vendit e para botës gjenocidin serb
mbi Kosovën dhe hartoi akuzën kundër Serbisë e Milloshevicit në Hagë.
“Ky ishte veprim që parashihte hakmarrjen e egër të kundërshtarit,
duke parakuptuar flijimin familjar. Burri dhe djemtë e Nekibes u
ekzekutuan dhe u flijuan për Kosovën. Kurse zonja Nekibe e Kosovës nuk
ra, po qëndroi për të fituar lirinë e vendit të saj...”, vlerësoi
Hamiti.
“Ne jemi edhe të privilegjuar, edhe krenarë që kemi pasur fatin e
rastin të bashkëpunojmë me këtë grua e personalitet deri në frymën e saj
të fundit, që e kishte dhe që e dha për Kosovën... Lavdi atyre që
jetojnë përgjithmonë! Nekibe Kelmendi do të jetojë përherë në Kosovë e
ndër shqiptarë”, u shpreh para deputetëve, Hamiti. /Telegrafi/