Gazeta e përditshme bullgare Dnevnik dhe agjencia e lajmeve Novinite kanë botuar dy intervista ekskluzive me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në të cilat ai ka folur për zhvillimet e fundit në dhe rreth Kosovës, për progresin e shtetit në proceset e brendshme shtetndërtuese, forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar dhe për avancimin e proceseve integruese të Kosovës në mekanizmat euroatlantikë.
Lidhur me perspektivën integruese të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se së pari, Kosova duhet të marrë një udhërrëfyes për viza, në mënyrë që të fillojë plotësimi i kritereve për këtë proces. “Së dyti, është shumë e rëndësishme që të ketë një marrëdhënie kontraktuale me Komisionin Evropian, sepse në këtë mënyrë mund të marrim përkrahje për zhvillimin ekonomik dhe tregtar”, ka deklaruar ministri, duke shtuar se tashmë duhet të merren hapat e nevojshëm në përputhje me shtatë masat e propozuara nga KE në vitin 2009, në lidhje me të ardhmen evropiane të Kosovës.
Rreth procesit të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, ai është shprehur se Serbia duhet të fillojë të pranojë realitetin se Kosova është një vend i pavarur dhe të shmangen ofertat që vijnë nga Boris Tadic, në lidhje me ndarjen e territorit të Kosovës, “për të krijuar shtete mono-etnike më të mëdha të Serbisë dhe të Shqipërisë në rajon. Është e vërtetë e rëndësishme që kjo retorikë të jetë harruar”.
Duke iu referuar ideve të Beogradit për ndarjen e Kosovës, Hoxhaj ka thënë se Kosova është shteti i shtatë i pavarur i dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. “Kjo do të thotë që çështjet e kufijve, shteteve dhe territoreve në rajon janë një kapitull i mbyllur. Ne nuk do të pranojmë kurrë idetë për ndarje etnike dhe territoriale, sepse këto ide do të krijonin jostabilitet, do të prodhonin dhunë dhe i tërë rajoni do të kthehej prapa, aty ku ishte para 20 vjetësh”, ka shtuar ministri.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka theksuar se Kosova dhe Bullgaria në të ardhmen pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të cilat mund të përdoren për promovimin e marrëdhënieve të ngushta jo vetëm ndërmjet dy qeverive dhe dy shteteve, por edhe në raportet ndërmjet dy shoqërive dhe dy popujve tanë. /Telegrafi/