Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është pritur në Ottawa nga zëvendësministri i Jashtëm i Kanadasë, Morris Rosenberg, me të cilin bisedoi për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe dialogun teknik dhe marrëveshjet e para të arritura në Bruksel.
“Filozofia politike e qeverisë së Kosovës bazohet në qeverisjen e mirë dhe në politikat reformatore në interes të qytetarëve dhe të shtetit, dhe jemi fuqishëm të angazhuar në prioritetet tona për forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e mirëqenies së gjithë qytetarëve të vendit tonë”, ka theksuar Tahiri, duke shtuar se në politikën e jashtme është bërë progres me njohjet e fuqishme dhe se “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar legjitimitetin e pavarësisë dhe po punojmë për njohjen globale të Kosovës dhe anëtarësimin në institucione relevante ndërkombëtare”.
Siç transmeton RTV21, zëvendëskryeministrja ka thënë se Kosova është e përkushtuar për bashkëpunime rajonale dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet, dhe këtij synimi i shërben edhe pjesëmarrja e Kosovës në dialogun teknik ndërshtetëror me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Duke folur për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Kanadasë, Tahiri u angazhua për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat duke kërkuar mbështetje për njohjet e reja si dhe ftoi Kanadanë për investime ekonomike në Kosovë.
Nga ana e tij, Rosenberg siguroi përkrahjen e fuqishme të qeverisë kanadeze për Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejmë dhe ofroi mbështetje për perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe integrimin e plotë në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ai shprehu përkrahje për dialogun teknik dhe të arriturat konkrete si dhe interesimin e veçantë për bashkëpunimet ekonomike mes dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan përkushtimin e Kosovës për ti qëndruar besnike parimeve euroatlantike, në interes të Kosovës dhe rajonit duke riafirmuar se pavarësia e Kosovës u dëshmua si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. /Telegrafi/