Gjatë vizitës në Itali, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dhënë një intervistë për Agjencinë Mesdhetare të Lajmeve, me seli në Romë, ANSAmed. Hoxhaj ka thënë se midis çështjeve të hapura, urgjente për Kosovën, është objektivi i heqjes së vizave për qytetarët e saj, në mënyrë që t’iu mundësohet lëvizja e lirë në zonën Shengen.
“Jemi një vend shumë i izoluar” citohet ministri, por duke shprehur besim në mundësinë e marrjes së shpejtë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, që do të bëjë të mundur arritjen e këtij objektivi në vitin 2012.
Në këtë aspekt, Hoxhaj ka shfaqur po ashtu bindjen e plotë në mbështetjen italiane më qëllim të avancimit të proceseve integruese evropiane të Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka thënë se në dhjetë vjetët e ardhshëm të gjitha vendet ballkanike duhet të bëhen anëtare të BE-së, me qëllim që edhe vetë projekti i BE-së të kompletohet, por “edhe sepse bëhet fjalë për kombe të reja, që mund të kontribuojnë shumë në ekonominë evropiane”.
Gjatë intervistës, Ministri i Jashtëm i Kosovës ka folur edhe për gjendjen në Kosovë, me theks të veçantë për ambientin e krijuar për investimet nga jashtë.
Në këtë kontekst, Hoxhaj ka thënë se Kosova ka një nga ambientet më të mira për të investuar, falë politikave fiskale, profesionalizmit të punëtorëve dhe mundësisë për hyrjen në tregjet e vendeve të tjera ballkanike.
“Në takimin me Frattinin do të përqendrohemi se si të përforcojmë marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike, por edhe se si të promovojmë projektet që kanë për qëllim afrimin e qytetarëve”, citohet ndër të tjera ministri Hoxhaj.
Vizita e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në Itali, është raportuar nga mediat dhe agjencitë e ndryshme italiane. Pas përfundimit të vizitës në Itali, të premten, Hoxhaj i është bashkuar kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Dubrovnik, në Samitin e Kroacisë, ku marrin pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe liderët shtetërorë të vendeve të rajonit. /Telegrafi/