Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, të premten, në ambientet e Presidencës, ka organizuar një ceremoni, me rastin e dekorimit të komandantit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimin, me “Medaljen e Art të Shqiponjës”.
Në këtë ceremoni u ndanë edhe dy medalje tjera për oficerë të FSK-së, “Medalja për Shërbime Ushtarake”, me motivacionin, për kontributin e dhënë, për të ndihmuar qytetarët e Shqipërisë, pas vërshimeve, në qytetin e Shkodrës, me rrethinë. Medaaljet i morën Kapiten Ejup Maqedonci dhe Tetar Valdrin Kelmendi.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.
“Është një nder i veçantë për mua personalisht, që në emër të popullit shqiptar, në emër edhe të atyre banorëve, në emër të institucioneve që kanë bërë propozimin, t’ju vlerësoj me këtë medalje të lartë, e cila nënkupton patjetër, jo vetëm veprën që duhet të vlerësohet, por mbi të gjitha, atë lloj angazhimi që Forcat e Sigurisë së Kosovës bënë në kuadrin e reformimit të saj, të reformimit të të gjitha institucioneve të Kosovës, që po bëhen jo vetëm sipas standardeve ndërkombëtare, por fatmirësisht po bëhen në një kohë shumë të shpejtë”, tha presidenti Topi.
“Me këtë veprimtari, e cila nuk dallon fare nga profesionalizmi i Forcave të vendeve të tjera që janë për një kohë të gjatë pjesëtarë të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë, na bën të ndjehemi krenarë, të jemi optimistë, që Kosova, institucionet e saj, juve, si përfaqësues të Forcave të Sigurisë së Kosovës, do të jeni në një të ardhme patjetër me të drejta të barabarta krahas forcave të NATO-s. Unë jam i bindur që ky progres që vjen ditë pas dite, patjetër ka edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, tha ndër të tjera presidenti i Shqipërisë. /Telegrafi/