Që nga viti 1999, Kosova është ballafaquar me një rritje të azilkërkuesve nga Azia dhe Afrika. Ata kanë destinacione të tjera në mendje, por përdorin Kosovën si pikë transiti dhe shpesh përfundojnë të arrestuar nga policia në kufi apo gjatë kalimeve ilegale. Kryesisht, vendet e tyre të origjinës janë Afganistani, Palestina, Pakistani dhe Nigeria.
Gjatë konferencës për shtyp në këtë verë, Islam Caka, kreu i Departamentit për Azil dhe Migrime në Ministrinë e punëve të Brendshme, ka thënë se Kosova nuk mund të përballë numrin e madh të azilkërkuesve, sidomos kur merret parasysh strehimi i papërshtatshëm.
"Jo të gjithë janë strehuar në kampin a azilkërkuesve. Për shkak të kapaciteteve të vogla, Qeveria duhet të paguajë hotelet për t’i strehuar ata. Por, shpejt Komisioni Evropian do të financojë një kamp të ri azili ku do të zgjidhen problemet e kapacitetit”, ka thënë Caka, transmeton “SETimes”.
Qeveria vlerëson se strehimi, ushqimi dhe shërbimet tjera për azilkërkues do të kushtojnë 39 euro në ditë për një person. Ekspertët thonë se duhet fokusuar në zhvillimin e strategjive për ta adresuar si duhet këtë çështje.
Meriton Veliu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Migrim dhe Azil ka thënë se deri tash zyrtarët nuk e kanë marrë seriozisht këtë çështje, kryesisht për shkak të ekonomisë së dobët. Sipas tij, pak vetë kanë menduar se Kosova do të jetë vend i azilit.
"Gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e tillë që të motivojë azilkërkuesit të vijnë këtu”, ka thënë Veliu. Kjo, thotë ai, e ka gjetur Qeverinë “të papërgatitur”.
Kosova ende nuk e ka imponuar regjimin e vizave, duke e bërë kështu të lehtë për të huajt hyrjen në vend, ndërsa procedurat janë të paqarta në lidhje me kohëzgjatjen e qëndrimit.
Refki Morina, drejtor për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës, ka konfirmuar për “SETimes” se që nga janari 109 vetë janë paditur për qëndrim ilegal në Kosovë, gjë që kryesisht do të thotë se kanë dështuar të aplikojnë për qëndrim.
“Tashti kemi filluar fushatën për të informuar të huajt për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në Kosovë", ka thënë Morina.
Arbër Kadriu, hulumtues në Institutin Ndërkombëtar të Drejtësisë ka thënë se pakoja legjislative e vendit për azilkërkuesit dhe migrimin është në përputhje me rregullat e BE-së dhe praktikat ndërkombëtare. Implementimi, sidoqoftë, është sfida kryesore, "se çfarë vendime do të merren për azilkërkuesit”.
Implementimi komplikohet edhe nga raportet e mediave në lidhje me incidentet racore të zyrtarëve të policisë. Sipas raportove, thotë Veliu, "zyrtarët kanë ofenduar të huajt për shkak të racës së tyre dhe unë pyes veten nëse vendimi nëse dikush mund të qëndroj ose jo është i pavarur dhe zbatohet profesionalisht. Në disa raste zyrtarët mund të ketë mendime raciste kur vijnë te vendimet e tilla”.
Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e vet vjetor mbi trafikimin njerëzor, ka arritur në përfundimin se Kosova është një nga vendet transitore për këtë. Ekspertët thonë se kufijtë e Kosovës nuk ruhen si duhet gjë që inkurajon trafikantët.
"Veçanërisht në veri", ka thënë Kadriu ", ku çdokush që do mund të futet, pa kontroll”. /Telegrafi/