Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës
së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen në të cilën ka aprovuar tri
projektligje, katër Rregullore të Punës që rregullojnë funksionimin e
segmenteve qeveritare dhe vendime tjera nga fusha e përgjegjësive të
saja kushtetuese dhe ligjore.Qeveria ka miratuar
Projektligjin për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së
Kosovës, me të cilën rregullon këtë fushë të mandatit dhe përgjegjësive
të presidentit dhe të gjithë atyre që do të nderohen me dekorata dhe
mirënjohje nga institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës. Kjo
fushë deri tani ka qenë e rregulluar me akte nënligjore, ndërsa ky
Projektligj do ta standardizojë këtë fushë të veprimit të Presidentit të
Republikës.
Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Projektligjin për Sistemin e
Adresave, i cili do të rregullojë funksionimin e sistemit të adresave
zyrtare të personave fizikë dhe juridikë në Republikën e Kosovës.
Projektligji për Qendrën Historike të Kosovës ka marrë sërish dritën e
gjelbër në Qeverinë e Kosovës dhe është përcjellë për aprovim në
Kuvendin e Kosovës. Ky projektligj e rregullon mbrojtjen e vlerës
historike dhe kulturore të Prizrenit, në nivelin lokal, kombëtar dhe
ndërkombëtar.
Katër rregullore që kanë të bëjnë me ushqimin, mirëqenien e kafshëve;
me higjienën e prodhimeve ushqimore dhe higjienën e ushqimit me
prejardhje shtazore si dhe rregullat specifike për kontrollin e ushqimit
me prejardhje shtazore të dedikuara për njerëzit, janë aprovuar sot nga
kabineti qeveritar. Këto rregullore do të funksionalizojnë edhe më tej
Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës.
Qeveria ka aprovuar vendimin për miratimin e Regjistrit të akteve
nënligjore, në fuqi, të miratuara nga Qeveria dhe ministritë, për të
rregulluar fusha të ndryshme të veprimit dhe përgjegjësive të
institucioneve në Kosovë.
Gjithashtu Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin e çmimit për
alokimin e brezit të frekuencave për operatorin e Postës dhe Telekomit
të Kosovës.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Strategjinë Nacionale
dhe Planin e Veprimit Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. /Telegrafi/