Gjatë vizitës në Prishtinë, ministri turk i Arsimit, Omer Dinçer, kërkoi heqjen e një pjese të teksteve të historisë që kanë të bëjnë me sundimin otoman në Kosovë. Përgjigja nga Prishtina ishte e shpejtë. Ministri i Arsimit, Ramë Buja, pohoi se është caktuar një komision i posaçëm për të bërë disa ndryshime në libra.
“Komisioni ka vizituar Turqinë dhe është duke vërtetuar faktet historike”, ka thënë Ministri. "Librat e rinj të historisë në Kosovë do të jenë në dispozicion vitin e ardhshëm shkollor".
Megjithatë, jo të gjithë janë dakord me ndryshimet.
Analisti Ndue Ukaj thotë faktet nuk mund të ndryshohen edhe nëse ministria turke dhe kosovare duan kështu. Ai paralajmëron se një veprim i tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet ndërfetare mes shqiptarëve.
"Të krishterët nuk do të pranojnë asnjë formë të ndryshimit të historisë”, ka thënë Ukaj për SETimes.com.
Ambasadorja turke në Kosovë, Songul Ozan, ka thënë për RTK-në se “me këtë marrëveshje synohet që brezat e ardhshëm të mësojnë pa paragjykime”. Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika të Ballkanit, Seb Bytyçi, thotë se rishikimi i historisë duhet të ndodhë për hir të shkencës.
"Është i dobishëm nëse kryhet për hir të nevojave akademike. Por, nëse kryhet për qëllime politike, do të krijojë një konflikt të ri dhe do të ndërlikojë marrëdhëniet shqiptaro-turke", ka thënë Bytyçi.
Olsi Jazexhiu, doktorant që studion nacionalizmin shqiptar thotë se shumë vende në rajon kanë ndryshuar ngjarjet e tyre historike.
"Pas rënies së komunizmit, librat ku Perëndimi shihej si armiqësor u ndryshuan. Librat shkollorë gjithashtu u rishikuan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kur bashkësia ndërkombëtare u kërkoi vendeve që të hiqnin ngjarjet urryese që nxitën konfliktet në Ballkan," shpjegon ai.
Jazexhiu thotë se rishikimi i historisë në Kosovë dhe Shqipëri është i nevojshëm për të pastruar librat nga ideologjia komuniste. Ndërsa, komentatori politik, Fatlum Sadiku, thotë se Kosova ka nevojë për historinë e saj, jo për historinë e shkruar në Tiranë apo Beograd. /Telegrafi/