Presidenti Barack Obama do të shkojë sot përsëri në bregdetin e shtetit të Luizianës për të parë nga afër përpjekjet për ndalimin e rrjedhjes katastrofike të naftës dhe parandalimin e përhapjes së dëmeve. Ky është udhëtimi i tretë i presidentit Obama në Gjirin e Meksikës që prej fillimit të katastrofës më 20 prill dhe udhëtimi i tij i dytë brenda një jave.
Ndërsa kompania e naftës BP vazhdon përpjekjet për të ndalur rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës, presidenti Obama viziton përsëri rajonin për të vlerësuar përpjekjet, që po bëhen atje.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs tha se presidenti do të takohet me admiralin e Rojës Bregdetare Thad Allen, i cili është në krye të përpjekjeve të qeverisë në rajon, si dhe me zyrtarë të tjerë.
"Presidenti do të bisedojë me individë dhe udhëheqës biznesesh, që janë prekur drejtpërdrejtë nga pasojat ekonomike të rrjedhjes së naftës si dhe do të marrë informacionet më të fundit nga Admirali Allen si për mbylljen e pusit edhe për parandalimin e përhapjes së ndotjes së mëtejshme nga rrjedhja e naftës".
Presidenti Obama është kritikuar për vizitën e tij në Luiziana javën e kaluar, gjatë së cilës ai u pa vetëm duke folur me zyrtarë qeveritarë dhe duke vizituar një plazh, që ishte pastruar para mbërritjes së tij atje.
Ai është kritikuar rëndë gjithashtu nga komentatorët, disa prej partisë së tij, të cilët thonë se presidenti nuk është solidarizuar me popullatën e prekur nga kjo katastrofë, madje duhet të reagojë me më shumë emocione ndaj saj.
Zëdhënësi Gibbs nuk u kushtoi rëndësi këtyre kritikave, duke thënë se përgjigja e presidentit ndaj rrjedhjes më të madhe të naftës në historinë e Shteteve të Bashkuara do të matet me rezultatet dhe jo emocionet. Gibbs tha se takimet e presidentit me guvernatorë, ligjvënës dhe zyrtarë lokalë do të provojnë se janë të dobishme në gjetjen e një zgjidhjeje për katastrofën.
"Presidenti beson se ishte një atmosferë produktive që të sigurohej se shqetësimet e të gjithëve dëgjoheshin dhe zgjidheshin".
Administrata Obama i dërgoi të enjteb kompanisë BP dhe palëve të tjera përgjegjëse një faturë prej 69 milion dollarësh për koston e katastrofës. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se fatura të tjera do të pasojnë.
Shefi ekzekutiv i kompanisë Toni Heward tha se BP do të pastrojë edhe pikën e fundit të naftës të derdhur në Gjirin e Meksikës dhe do ta kthejë bregdetin në gjendjen e mëparshme. /VoA/