Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk po arrin të jetë imune ndaj politikës ditore dhe presionit të pushtetit dhe, si e tillë, është vënë në mbrojtje të interesave të ngushta të politikës ditore. Kështu të paktën konsiderojnë disa nga ekspertët e çështjeve të drejtësive dhe disa nga ligjvënësit kosovarë.
Vendimi i fundit i kësaj gjykate, që ka të bëjë me imunitetin e deputetëve, nga deputetët shihet si përmbushje e agjendës së qeverisë dhe asaj të EULEX-it, megjithëse të paktë janë ata që marrin guximin ta thonë publikisht një gjë të tillë, shkruan Zëri.
Madje, shumica e të intervistuarve konsiderojnë se qeveria ka diktuar vendimin e Kushtetueses si pasojë e refleksioneve të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës, konkretisht ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-ministrit të Transporteve, Fatmir Limaj.
Deputetët, të cilët duke u thirrur në normat demokratike “nuk pranojnë të komentojnë veprimet e institucionit më të lartë në vend për interpretimin e Kushtetutës”, në biseda “of rekord” thonë se gjithçka është bërë ekskluzivisht për ta likuiduar Limajn nga skena politike. Ndër të parët që ka tërhequr vërejtjen për ndikimin e politikës në Gjykatën Kushtetuese është kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosjes” kanë qenë edhe më të prerë në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se kjo gjykatë i ka hapur rrugë realizimit ekstrem të pushtetit të kryeministrit Hashim Thaçi.
Nga ana tjetër, edhe analistët politikë mendojnë se vendimi i Kushtetueses për imunitetin nuk është krejtësisht “i pastër” nga ndikimet politike.
Analisti Avni Zogiani thotë se pavarësisht nga dëshira që në opinionin kosovar të krijohet një respekt për Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e saj mos të komentohen, klima politike në vend e ka krijuar përshtypjen se vendimi i fundit i kësaj gjykate kishte për qëllim ta mbante Limajn sa më larg nga politika dhe kështu t’i shërbente kryeministrit Hashim Thaçi, dhe njëkohësisht të krijonte përshtypjen në opinion se misioni EULEX është mjaft aktiv.
“Mendoj se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka qenë në vazhdimësi në njërin ose në tjetrin tabor politik. Ne e dimë që në vazhdimësi ai është emëruar në poste të rëndësishme politike, pothuajse nga secila qeveri. Ai ka qenë gjithmonë i afërt me partitë që kanë qenë në pushtet, pra me pushtetin dhe mendoj se kjo tregon që kreu i Kushtetueses ka afinitet për ta dëgjuar pushtetin”, shprehet ai, duke shtuar se për hir të institucioneve duhet të respektohen vendimet e tyre, dhe gjithashtu duhet të verifikohen pozicionet e krerëve të tyre.
Ndërsa juristi Korab Sejdiu thotë se Gjykata Kushtetuese e ka shkelur nenin 113 të Kushtetutës, përkatësisht pjesën që i përket pranueshmërisë së kërkesës. Ky veprim sipas tij, ka ardhur pikërisht nga presioni politik. “Natyrisht që presioni politik është ai (që ka ndikuar të shkelet neni 113), meqenëse Gjykata është institucion që vepron në Kosovë, ku institucionet vazhdimisht iu nënshtrohen presioneve politike”, thekson ai.
Ndërkaq, njëri nga njohësit e mirë të Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se Gjykata Kushtetuese është institucion që e ka karakterin si politik edhe juridik, prandaj sipas tij, është çështje e ndërgjegjes dhe përgjegjshmërisë së pjesëtarëve të saj se sa janë të ndikuar ose jo nga politika.
Rreth ndikimit të politikës në punën e Kushtetueses gazeta të martën ka bërë përpjekje që të marrë edhe qëndrimin e zyrtarëve të kësaj gjykate, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. /Telegraf