Korea e Veriut bëri befasi duke u futur si autsajdere në raundin final eliminator të zonës së Azisë. Në raundin final bëri befasi edhe më të madhe duke u renditur në katërshen e parë që siguruan biletat për në “Afrikë të Jugut 2010”. Korea e Veriut ka qenë befasia më e madhe e eliminatoreve në Azi. Ky vend gjendet për herë të parë në Botëror që nga viti 1966, ku arriti deri në çerekfinale. Pasi kaluan afro 30 vite në “shkretëtirë”, në dekadën e fundit nisi të këndellet përfaqësuesja e Koresë së Veriut. Skuadra ishte afër që të kualifikohej edhe në “Gjermani 2006”, mirëpo dështimin e përmirësoi katër vite më vonë, duke siguruar një biletë në Afrikë të Jugut.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Korea e Veriut pati një kampanjë të vështirë eliminatore, duke luajtur 20 muajë dhe plotë 16 ndeshje. Bën punë të lehtë kundër Mongolisë në raundin e parë eliminator, duke i fituar të dy ndeshjet me rezultat bindës. Me fitore bindësie Korea e Veriut e siguroi mundësinë që pa lojë të luajë në raundin e tretë kualifikues.
Në raundin e tretë kualifikues përfundoi e dyta në grup prapa rivalit Koresë së Jugut dhe nxorri vizën për të luajtur në raundin final. Korea e Veriut nisi në mënyrë fenomenale raundin vendimtar eliminator. Mposhti Emiratet e Bashkuara Arabe me rezultatin 2:1, para se të luante baras 1:1 kundër Koresë së Jugut. Humbi në Iran me rezultatin 2:1, mirëpo arriti të befasojë Arabinë Saudite duke e mposhtur 1:0. Edhe një humbje 1:0 nga Korea e Jugut nuk i dëmtoi shumë shanset e Koresë së Veriut. Ata nxorrën një barazim kundër Iranit dhe iu desh edhe një barazim tjetër në Arabi Saudite për të nxjerr biletën për në Afrikë të Jugut. Këtë arritën duke luajtur pa gola.
Yjet e skuadrës
Dy të tretat e skuadrës vijnë nga kampionati vendor, mirëpo kontigjenti i vogël i futbollistëve që luajnë jashtë janë vendimtar për sukseset e Koresë së Veriut. Lojtari i FC Rostov, Hong Yong-Jo, ka qenë në formë shkatërruese, duke shënuar katër gola në po aq ndeshje. Përkrah tij në sulm luan futbollisti që aktivizohet në kampionatin japonez Jong Tae-Se. Futbollisti që luan në kampionatin vendor mesfushori Mun In-Guk, është katalizator në mesfushë, ndërsa për portën kujdeset Ri Myong-Guk, që ka treguar aftësi të mëdha gjatë eliminatoreve.
Trajneri
Trajneri Kim Jong-Hun ishte vetëm dhjetë vjeçar kur Korea e Veriut bëri histori në Botërorin 1966 në Angli. Tash 43 vite më vonë, ai është njeriu që ka futur Korenë e Veriut në mesin e skuadrave më të mira të botës. Kim ka ndërtuar një skuadër me një mbrojtje mjaft stabile. Ndonëse skuadra nuk ka shumë përvojë, ppor atë e kompenzon me disiplinë dhe punë ekipore.
Botërorët e kaluar
Duke udhëtuar në “Angli 1966” si debutues, vendi nga Azia Lindore bëri befasi duke e mposhtur gjigantin Italinë me rezultatin 1:0 dhe duke e siguruar çekerfinalen në atë Botëror. Në atë çerekfinale që ende vlerësohet ndër ndeshjet më të bukura në një botëror, Korea e Veriut kaloi në epërsi prej tre golave kundër Portugalisë pas vetëm 25 minutave, mirëpo atë epërsi nuk arriti të mbaj kundër portugezëve të udhëhequr nga Eusebio. Në fund Korea e Veriut humbi me shifrat 5:3.
Rekordet
- Korea e Veriut për të parën dhe të fundit herë ishte kualifikuar në Botërorin 1966.
Deklarata
“Si rezultat i punës sonë të palodhshme ne do të kthehemi në Kampionat Botëror, 44 vite pasi kemi arritur në çerekfinale në Anglia 1966. Pritet sërish të takohemi kundër skuadrave evropiane në Afrikë të Jugut 2010 dhe shpresoj të arrijmë sukseset e paraardhësve tanë”, ka thënë trajneri Kim Jong-Hun.
(Marrë nga fifa.com)