| Mjeksia-Grup
| Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman | |
| | |
Autori | Mesazh |
---|
dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:02 am | |
| 3. ZONA E ÇIFLIGUT
Çifligjet në shek. XVI
Të dhënat e defterëve kadastralë të shek. XVI dëshmojnë për krijimin e dy kategorive çifligjesh në zotërim të feudalëve, të ngritura mbi tokat jorajatike dhe më vonë rajatike, të ngarkuara vetëm me detyrimet ndaj zotëruesit të tokës. Ngritja e tyre ndoqi rrugë të ndryshme. Njëra nga këto ishte shtënia në dorë e tokave djerrë të truallishteve, d.m.th., të fshatrave të braktisura. Zakonisht ato janë marrë në zotërim nga feudalë të mëdhenj, funksionarë si zaimë, sanxhakbejlerë deri në vezirë. Kështu, truallishta Pistul në nahijen e Tejbunës ishte në dorë të Vezirit të Madh, Sinan Pashës, kundrejt pagimit të taksës së tapisë arkës shtetërore në sasinë 500 akçe.
Më vonë truallishtet mund të hynin në procesin e shitblerjes në bazë të lejes së spahiut dhe vendimit të kadiut. Përveç truallishteve ata vunë dorë mbi tokat e hapura rishtazi nga pyjet, si dhe në parcelat që në defterët kadastralë cilësoheshin me emrin tokë (zemin) e arë (tarlla). Zotëruesit shlyenin vetëm të dhjetën. Kështu më 1582 truallishtja Kusheva në nahijen e Shkodrës ishte vend pyjesh dhe ishte marrë në zotërim nga ket’huda Mustafai që jepte 100 akçe si bedel i së dhjetës. Ato merreshin në zotërim me tapi nga i zoti i tokës dhe hynin në procesin e shitblerjes vetëm me vendim të kadiut.
Së treti, feudalët vunë dorë mbi kullotat verore (zemin-i yaylak). Kështu Mehmet Pasha, mirliva i Moresë, kishte në zotërim tokat e kullotës verore në fshatin Malçinova të Prizrenit. Me këto tri rrugë ata siguruan në zotërim personal tokën pa qenë të ngarkuar tërësisht me detyrimet e bashtinës së rajasë. Kjo i hapi rrugë grumbullimit të tyre dhe krijimit të çifligjeve. Për çifligun e Malkoçit, të birit të Aliut, të përfshirë në truallishten Ajalisi të timarit të Kurdit në fshatin Mesopotam të Delvinës thuhet: “ky kishte marrë me tapi truallishten Ajalisi dhe e kishte bërë çiflig; të dhjetën ia jep spahiut të Mesopotamit”.
Duke shtënë në dorë tokën, feudalët krijuan një numër të konsiderueshëm çifligjesh që kishin si detyrim të vetëm pagimin e së dhjetës. Në këtë kategori bënin pjesë edhe çifligjet e krijuara nga blerja e bashtinave të vojnukëve ose të ushtarakëve të tjerë, të çliruar nga detyrimet, gjatë periudhës kur u shthur ky organizim ushtarak. P.sh., në fshatin Leshnica të Bihorit në sanxhakun e Prizrenit, Jahjai i biri i Isait, zotëronte një çiflig të formuar nga vende të vojnukëve të suprimuar, i cili jepte si detyrim të dhjetën. Zakonisht këto çifligje punoheshin nga vetë pjesëtarët e familjes së feudalit, ose me punën angari të fshatarëve, ose jepeshin në gjysmatari, siç veprohej me hasa-çifligjet. Kështu, spahiu Hasan punonte e mbillte vetë çifligun e tij në fshatin Gjerbës të Tepelenës. Po ashtu vepronte komandanti i topçinjve të kështjellës së Shkodrës me tokat në truallishten Goden të fshatit Shendvraç të Shkodrës.
Një kategori tjetër çifligu u ngrit mbi tokat rreth qyteteve. Kështu, në fund të shek. XVI, në qytetin e Beratit kishte 146 çifligje, në atë të Elbasanit 83, në Peqin 83, në Novobërdë 39, në Gjirokastër 35 etj. Rreth 50% e tyre ishte në zotërim të funksionarëve të administratës shtetërore si sanxhakbejlerë, komandantë kështjellash, çeribashë etj. Një numër të vogël zotëronin zanatçinjtë. Në fillim të shek. XVI madhësia e këtyre çifligjeve ishte sa ajo e ngastrës që punohej me një pendë qe, kurse në fund të atij shekulli u ngrit deri në 6 pendë qe tokë. Krijimi në afërsi të qyteteve i një numri të madh çifligjesh shpjegohet, së pari, me faktin se si rrjedhim i zhvillimit të jetës urbane dhe i ushtrimit me gjerësisht të zejtarisë e të tregtisë, qytetarët braktisën gradualisht bujqësinë dhe u shisnin feudalëve të drejtat e zotërimit të bashtinave, pa pasur asnjë sanksion për braktisjen e tokës, siç ndodhte në tokën mirie.
Zhvillimi ekonomik-shoqëror më i hovshëm i qyteteve të Beratit dhe të Elbasanit nënkupton edhe zhvillimin më intensiv se gjetiu të procesit të shitblerjes të së drejtës së zotërimit të tokës për tokat në afërsi të tyre, i cili solli si rezultat krijimin e një numri më të madh çifligjesh. Së dyti, shpjegohet me rrethanën se shumica e çifligjeve ishte krijuar në sinoret me fshatrat, d.m.th. në vende ndërmjet kufijve me fshatrat, të cilat nuk ishin përfshirë në bashtina rajash. Të tilla ishin çifligjet në sinoret me fshatrat Lapardha, Vrion, Velabisht. Çifligjet rreth qytezës së Peqinit ishin krijuar në tokat e hapura dhe të punuara rishtaz. Çifligjet u krijuan edhe në tokat shtetërore me statusin rajatik dhe të ngarkuara me detyrimet karakteristike për fshatarin raja. Kjo ndodhi atëherë, kur në procesin e shitblerjes të së drejtës së zotërimit të tokës u bë një kapërcim cilësor, kur ai u zhvillua midis fshatarëve raja dhe feudalëve. Hyrja e feudalëve në këtë proces çoi në grumbullimin e tokave në duart e tyre dhe si rrjedhim, në formimin e çifligjeve. Kështu, midis rajasë dhe spahiut u fut një person i tretë, i ndërmjetëm, çifligari (çifligsahibiu), që merrte një pjesë të rentës së krijuar nga fshatari që kishte humbur tokën. Me blerjen e së drejtës së zotërimit të tokës nga çifligari, çifligjet e ruanin statusin si tokë shtetërore rajatike. Si rrjedhim ai ishte i detyruar të shlyente detyrimet e fshatarit prej të cilit i bleu ato.
E meta e çifligjeve të deriatëhershme ishte mungesa e krahëve të punës. Prandaj feudalët përpiqeshin të siguronin këtë element të rëndësishëm, krahas tokës, si dy premisat për lindjen e një kategorie më të lartë çifligu, si një ekonomi e madhe e destinuar për treg dhe e pakushtëzuar me ndonjë detyrim. Kjo u duk qartë në përçapjet e tyre për të shndërruar në çifligje truallishtet e populluara nga banorë të ardhur për shkaqe të ndryshme dhe të kthyera në vendbanime që nuk ekzistonin në regjistrimin e mëparshëm dhe që nuk kishin qenë tokë mirie në përdorim të rajave. Shembullin më tipik e paraqitnin çifligjet e krijuara në fshatin Çermë të Myzeqesë, ku çifçinjtë kishin ardhur nga fshatrat që nuk përfshiheshin në sanxhakun e Vlorës. Në defterët gjenden raste kur në një territor të përfshirë në një çiflig, pas regjistrimit ishte krijuar një vendbanim i ri, një fshat që mbante emrin e çifligarit. P.sh., në vitin 1583 gjejmë vendbanimin e quajtur Çifligu i Iskender Vojvodës me 16 çifçinj.
Me sigurimin e fuqisë së nevojshme punëtore, ekonomia personale e feudalit dilte nga kuadri i ngushtë i kufizuar i çifligut, të formuar nga tokat jorajatike dhe që shlyenin të dhjetën dhe salarien. Procesi i krijimit dhe i zgjerimit të çifligjeve në toka mirie varej nga një sërë faktorësh, nga zhvillimi i ekonomisë në tërësi, nga rritja e zgjerimi i marrëdhënieve mall-para dhe dobësimi i ekonomisë natyrore, nga zëvendësimi gradual i rentës në natyrë me rentën në të holla, nga pasurimi i klasës feudale. Në këtë drejtim një rol po aq të rëndësishëm, luante edhe procesi i thellimit të diferencimit shoqëror në fshat deri në shitjen e së drejtës së shfrytëzimit të tokës.
Në shek. XVI, kur këta faktorë ishin në fazën fillestare të zhvillimit, çifligjet e formuara me toka rajatike, ku ishin vendosur fshatarë të ikur, ishin të pakta në krahasim me çifligjet e formuara me toka mirie jashtë parcelave të fshatarëve raja. Krijimi i çifligjeve në tokat rajatike çante rrugë me vështirësi për arsye të statusit fiskal të tyre të rëndë dhe të moslejimit për ta ndryshuar atë, të kontrollit me rreptësi nga shteti mbi organizimin e prodhimit në bazë të ndarjes së tokës çdo shtëpie fshatare. Çifligjet e krijuara në tokat rajatike ishin ngarkuar veç së dhjetës e salaries edhe me detyrimet që lidheshin me personin e fshatarit, si ispenxha, xhizja, dhe taksat e jashtëzakonshme si avarizi, bedeli, nuzuli e sursati. Këto detyrime duhet t’i paguante çifligari, por në fakt i shlyente çifçiu. Fshatari që kishte humbur pronën private dhe tokën, mund ta punonte atë si çifçi, por në kushte shumë të rënda. Ai duhej të vazhdonte të shlyente taksën e pendës dhe detyrimet shtetërore.
Në fund të shek. XVI në tokat shqiptare ishin krijuar dy tipa kryesorë çifligjesh: çifligje të vogla që punoheshin kryesisht nga pjesëtarët e familjes dhe çifligje që punonin | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:02 am | |
| Shthurja e sistemit të timarit dhe lindja e çifligjeve
Që nga gjysma e dytë e shek. XVI sistemi i timarit hyri në fazën e shthurjes, e cila u forcua edhe më tepër gjatë dy shekujve (XVII-XVIII) dhe vazhdoi deri në reformat centralizuese tanzimatiste të viteve 30 të shek. XIX. Shthurja ndodhi për një varg faktorësh. Shteti në radhë të parë filloi të shkelë rregullat e shpërndarjes së tokës shtetërore, për të kënaqur funksionarët e lartë, mbështetjen kryesore, duke u dhënë atyre zotërime në formë dhurimi. Për më tepër ato u jepeshin njerëzve që nuk ishin të shpatës. Krahas haseve perandorake, të vezirëve e të qeveritarëve, në tokat shqiptare u vu re forma e veçantë e hasit e quajtur pashmakllëk i lirë (serbest). Këto hase u jepeshin nënave, grave, vajzave dhe shërbyesve të veçantë (hasekije) të sulltanëve. Në vitin 1681 në duart e hasekie Aishe sulltanes ndodhej hasi pashmakllëk i lirë i Krahasit, i përbërë prej 22 fshatrash në sanxhakun e Vlorës. Kjo ishte një shkelje e rëndë e parimeve të sistemit të timarit, mbasi përbënte një hap tjetër të madh drejt cenimit të pronësisë shtetërore.
Shteti e shtriu edhe më tej shkeljen e rregullave gjatë shpërndarjes së timareve. Sipas kanunameve osmane timaret ishin dy lloje: timare me teskere dhe timare pa teskere. Të parat jepeshin nga bejlerbeu dhe me dekret të sulltanit, kurse të dytat jepeshin pa dekret sulltanor. Në vitin 1716 sulltani me një ferman të veçantë, i njohu Ali Pashës, qeveritar i sanxhakut të Janinës, disa të drejta që deri tani i kishte vetë ai në lidhje me shpërndarjen e timareve dhe të ziameteve, të mbetura bosh nga ata që kishin vdekur pa lënë trashëgimtarë ose që kishin braktisur shërbimin. Këto duhej t’u jepeshin atyre që ishin gati të merrnin pjesë në fushatat ushtarake nën komandën e allajbeut të sanxhakut dhe që banonin në sanxhakun ku ndodhej zotërimi. Ky shembull tregon se vetë pushteti qendror u jepte mundësi nëpunësve që t’i shkelnin ato me të dyja këmbët. Kështu ky qeveritar për shkak të abuzimeve të kryera gjatë kësaj periudhe, u shkarkua nga detyra pak më vonë.
Shkelje bëheshin edhe nga poshtë, nga paria e krahinave për të siguruar të ardhura të mëdha. Sipas rregullit të moçëm zotërimet e lidhura me postet si komandant kështjelle, me vdekjen e zotëruesit, i kalonin një personi që propozohej prej parisë së vendit. Jo rrallë paria propozonte persona të paqenë dhe të ardhurat i merrte për vete. Kështu në vitin 1780 vdiq Sulejman Agai, komandant i kështjellës së Ulqinit. Detyra e komandantit iu dha një personi që nuk ekzistonte në realitet. Të ardhurat shkonin në favor të atyre që e kishin propozuar. Në vitin 1708-1709 propozohet që timaret e ruajtësve të kështjellës së Shkodrës t’u jepeshin anëtarëve të esnafëve. Këta shembuj tregojnë se këto zotërime ishin në duart e parisë së këtyre krahinave, e cila nuk respektonte rregullat e shtetit për dhënien e tyre. Me pretekste të ndryshme, si vdekje pa lënë trashëgimtar, mosparaqitje në detyrë, braktisje të saj, me propozimin e komandantit të forcave ushtarake, mjaft personave iu hiqej e drejta mbi zotërimet. Në vitin 1641, si rezultat i shpifjeve të ish-sanxhakbeut, Jusuf Bej i hiqet allajbeut ziameti prej 21 200 akçesh në fshatin Kratovë së bashku me disa fshatra të tjerë të nahijes së Beratit.
Nga shkelja e rregullave të shpërndarjes së timareve vihej re përqendrimi në një dorë të vetme i dy a më shumë timareve. Duke përfituar nga prirja e përgjithshme e braktisjes së shërbimit ushtarak, mjaft spahinj, me pretekste të ndryshme, si “vdekje pa lënë trashëgimtar”, ose “pse kishin kaluar 10-15 vjet që kishin qenë bosh”, me miratimin e organeve më të larta, përqendruan në duart e tyre dy deri pesë timare. Shtënia në dorë e mbi dy timareve ishte një shkelje e rregullave juridike mbi pronësinë. Ajo ishte në dëm të shtetit, mbasi numri i spahinjve zvogëlohej shumë. Në vitin 1702 Hysejni merr një timar prej 5 300 akçesh që më parë kishte qenë i ndarë në tri timare të vogla në nahijen e Përmetit dhe atë të Beratit, por që kishin mbetur bosh. Nga regjistrimi i përgjithshëm i vitit 1701-1702 del se në sanxhakun e Vlorës rreth 35 spahinj kishin në duart e tyre nga dy timare.
Timaret e ziametet i trashëgonin edhe fëmijët e mitur. Sipas kanunamesë së Sulejmanit, derisa djali të arrinte moshën madhore, shërbimin ushtarak do ta kryente kujdestari ose shërbëtori i tij. Në shek. XVII në vend të këtij shërbimi nga të tjerët për fëmijët e mitur dhe për spahinjtë e moshuar, merrej një taksë në të holla e quajtur bedel i kalorësve në madhësinë 5 000-6 000 akçe (1686-1760). Kërkesa e tij si nga fëmijët e mitur dhe nga spahinjtë e moshuar, është një dëshmi tjetër, ndofta nga më të rëndësishmet, që tregon se timari i kësaj periudhe ishte shumë larg timarit të shek. XV dhe i ishte afruar shumë pronës private të pakushtëzuar.
Një ndryshim vihet re edhe në mënyrat e administrimit të zotërimeve. Te haset, si metodë mbizotëruese, ishte marrja me qira për një vit e së drejtës së vjeljes së të ardhurave. Vjelja me anë të një përfaqësuesi kishte kaluar në plan të dytë. Administrimi me këto dy mënyra u shtri deri në timaret e ziametet, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Në fillim të shek. XIX sipërmarrja u shtri deri në ngastrën e fshatarit. Kjo ishte një shprehje tjetër e ndryshimeve që kishin ndodhur në sistemin e timarit. Të gjitha këto ndryshime dëshmojnë se sistemi i timarit kishte hyrë në fazën e shthurjes. Thelbi i shthurjes ka të bëjë me humbjen e karakterit ushtarak të pronës shtetërore dhe me prirjen për ta kthyer zotërimin e kushtëzuar në një pronë private.
Prekja e pronës shtetërore prej shtetit u bë kryesisht nën shtytjen e klasës feudale. Ajo synonte ta kthente zotërimin e kushtëzuar me shërbim në pronë private. Feudalët i kthyen sytë nga toka për të formuar çifligun, si një ekonomi e madhe bujqësore e paracaktuar kryesisht për treg. Ata hodhën sytë mbi ekonominë vetjake (hasa-çiflig). Meqenëse ajo ishte lidhur me zotërimin dhe zotëruesit nuk kishin kohë të merreshin me punimin e saj, ata ishin të interesuar që të kthehej në tokë rajatike dhe të merrnin çka u takonte nga legjislacioni osman. Në këto kushte shteti lejoi dhënien e ekonomive vetjake me tapi. Personat që i merrnin në përdorim ishin të detyruar t’i jepnin spahiut të dhjetën e salarien, siç veprohej në tokat mirie. Ata ishin çliruar nga detyrimet e rajallëkut, nga xhizja e avarizi. Duke ndjekur këtë rrugë, feudalët krijuan në vend të hasa-çifligut të mëparshëm, ekonomi të jetërsueshme, të trashëgueshme e të pakontrollueshme nga shteti dhe të pakushtëzuara nga shërbimi ushtarak. Marrja me tapi e tokave të ekonomisë vetjake (hasa-çifligjeve) ishte një nga rrugët që ndoqën feudalët për të siguruar toka në zotërim privat.
Pas ekonomisë vetjake feudalët vunë dorë mbi tokat rajatike. Për këtë u përdorën rrugë të ndryshme. 1. Shitblerja. Feudalët shfrytëzuan mundësitë e legjislacionit osman. Sipas këtij spahiu kishte të drejtë t’ia hiqte tokën fshatarit raja dhe t’ia jepte një tjetri, në rast se ai nuk plotësonte detyrimet që kërkonte ligji. Gjithashtu spahiu ia jepte tokën një tjetri, kur i zoti i saj vdiste pa lënë trashëgimtar. Ai kishte të drejtë t’ia jepte një tjetri edhe në rast se fshatari raja që e punonte tokën hiqte dorë nga e drejta e shfrytëzimit të saj kundrejt një shpërblimi ose vullnetarisht. Toka i kalonte në këtë mënyrë një pronari të ri të çifligarit. Kështu, midis spahiut e rajasë hyri një person i tretë, i ndërmjetëm, çifligari. Ai filloi të blejë tapitë e rajasë. Vetë spahiut i ndalohej të vinte dorë mbi tapitë e rajave të zotërimeve të veta. Çifligari ishte i detyruar t’i paguante spahiut të dhjetën, salarien, si dhe taksat e rajallëkut. Shitja e së drejtës së shfrytëzimit të tokës erdhi si pasojë e trysnisë që e detyronte fshatarësinë raja të hiqte dorë prej të drejtave të saj mbi të. Në regjistrat e sherieve të qyteteve tona gjen shembuj të shumtë të shitblerjes. Një shembull tipik është familja e Biçakçinjve të Elbasanit.
I pari i saj, Mehmet Agai (1621-1630) bleu një pasuri tokësore mjaft të madhe, duke i paguar të zotit të tokës taksën e tapisë. Pastaj e vazhduan fëmijët, motrat dhe nipërit. Rukije Hanëmi, e shoqja e Sulejman pashë Biçakçiut bleu toka mylke shtetërore në fshatrat e Mirakës, Pishkashit, Shën Bitrit, Skroskës etj. Çifligjet e kësaj familjeje shtriheshin në Elbasan, në Gramsh, në Myzeqe, në Peqin etj. Me anë të kësaj rruge u formuan dhe u zgjeruan edhe pronat e mëdha tokësore të institucioneve fetare myslimane e të krishtere. Kryepeshkopi i Durrësit, Gerardo Gallata, në një relacion të shek. XVII përshkruan kështu rritjen e pasurisë tokësore të kishës në dioqezën e tij: “pjesa më e madhe, - shkruan ai, - ka qenë blerë nga imzot Gjon Koleci, nga imzot Mark Skura, nga imzot Korpeni dhe nga unë që jam tani; të tjerat i janë lënë kësaj kishe nga njerëz të përshpirtshëm. Për më tepër, unë Gerardo Gallata kam marrë me tapi një të tretën e gjithë pyjeve, arave dhe fushave të Kryekuqit ... që bashkohen me pasuritë e kësaj kishe”.
2. Një rrugë tjetër ishte dhuna dhe arbitrariteti feudal. Ajo niste nga forma të maskuara dhe përfundonte në dhunën e hapur. Feudalë të fuqishëm merrnin nën “mbrojtje” individë ose fshatra të tëra nga bandat vjedhëse. Si shpërblim ata merrnin një dhuratë në masën 1/5 e prodhimit. Me kalimin e kohës dhurata u kthye në një detyrim të përvitshëm. Në rast se nuk shlyhej, vihej dorë mbi tokat e tyre. Feudalët që zotëronin të holla falsifikonin datat e lëshimit të tapive. Para kadiut nga pretenduesit për të njëjtën tokë, fitonte ai që kishte tapi më të vjetër. Në raste të veçanta spahinjtë vinin dorë mbi tapinë e atyre që s’linin trashëgimtarë. Që nga fundi i shek. XVII ndeshen raste të grabitjes së tokave fshatare nga ana e çifligarëve në rrethin e Beratit, në fshatrat Peshtan, Lapardha, Perondi, Poshnjë etj. Përveç blerjes, Mehmet aga Biçaku me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhunës, vuri dorë mbi kullotat malore e tokat e përbashkëta në fshatrat Gribë, Çermë, Belsh etj.
3. Borxhet. Për të shlyer detyrimet dhe për t’i bërë ballë jetës, fshatarësia merrte borxhe te feudalët, duke lënë peng tokën. Në rast se nuk shlyhej borxhi në afatin e caktuar, atëherë feudali vinte dorë mbi tokën. Që nga shek. XVII borxhet bëhen një dukuri e rëndomtë, jo vetëm për qytetin, por edhe për fshatrat. Kamata ishte e lartë 30% nga 12% që ishte zyrtarisht. Në të gjitha fshatrat e Zadrimës, madje dhe në një radhë fshatrash të malësisë mjaft fshatarë kishin rënë në borxhe, si në Barbullush, Bushat, Kukel, Sheldi, Juban, Dajç, Trush etj. Figura të fajdexhiut u bënë tregtari, zejtari i pasur, çifligari dhe kleri. Pukëvili shkruante: “Kur pronat mund të mbulojnë borxhet, të krishterët (edhe myslimanët), që vetëm dëshpërimi i shpie në revoltë, shesin atëherë tokat e tyre me titull çifligu dhe bëhen fermerë (çifçinj) të tokave të tyre”.
4. Hapja e tokave të reja. Jo vetëm fshatarët nxiteshin të hapnin tokë të re nga pyjet, kullotat, moçalishtet, por edhe feudalët nxitnin dhe detyronin fshatarët që të hapnin tokë të re. Kështu në vitin 1654 fshatarët e Zhazharit të Madh, me nxitjen e çifligarit hapën tokë në sinorin e fshatit fqinjë. Në fshatin Gurzë të bregut të Matit një sipërfaqe prej 9 000 ha, pronë e Bushatllinjve, të mbuluara me pyje, u kthyen në toka buke prej malësorëve mirditas e kthellas. Bejlerët e Rëmbecit në fushën e Korçës i detyronin fshatarët të hapnin toka të reja, ua linin prodhimet për dy-tre vjet, pastaj ato toka ua bashkonin çifligjeve të tyre. Si rrjedhojë e shpyllëzimit të pyjeve në këtë krahinë u krijuan çifligje të reja si Orman-Çiflig e Orman-Pojani (orman=pyll). Ky proces është fiksuar në toponiminë e mjaft vendeve të tjera në Myzeqe, Himarë, Kurvelesh, Gjirokastër, Kolonjë, Këlcyrë etj. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:03 am | |
| Përveç këtyre rrugëve kryesore, për formimin e çifligjeve u përdorën edhe mjete të tjera. Nga ato më kryesoret e më të përhapurat kanë qenë shitblerja dhe dhuna. Gjatë periudhës kur pushteti qendror kishte nën kontroll të gjitha provincat, rruga kryesore ishte ajo legale, shitblerja. Kjo kushtëzohej edhe nga kujdesi i vetë shtetit për të mos u pakësuar fshatarësia raja mbi të cilën ishte ngritur makina ushtarake osmane. Kjo rrugë vërtet ishte me më pak leverdi për çifligarin sesa dhuna, por ishte e sigurt dhe e legalizuar me një dokument nga kadiu. Që të përdorte rrugën e dhunës, feudali duhet të kishte edhe forca ushtarake me rrogë. Dhuna mori një përhapje më të madhe atëherë kur ra në mënyrë të dukshme roli i pushtetit qendror që nuk ishte në gjendje të shpëtonte fshatarësinë nga dhuna e tepruar.
Madhësia e çifligjeve niste nga një pendë qe ose 70-130 dynymë. Në fshatin Myshqeta kishte një çiflig në madhësinë e parcelës së fshatarit. Çifligje të tilla ndesheshin pothuaj në të gjitha krahinat e vendit. Në vitin 1738 në krahinën e Beratit numëroheshin 100 çifligje, prej të cilave 42% ishin të madhësisë që punoheshin nga 10 familje secili, 25% nga 30 familje dhe 6,5% nga 65 familje secili. Sipas një llogaritjeje të thjeshtë sipërfaqja e çifligut më të madh (65 familje) shkonte rreth 195 ha. Me fjalë të tjera, çifligjet në këtë krahinë tipike çifligare deri në mesin e shek. XVIII, ishin relativisht të vegjël.
Çifligu u formua dhe u zhvillua gjatë dy fazave. E para u shtri gjatë shek. XVI-XVII. Në këtë fazë bëhet kalimi i pronës private e shtetërore nga duart e fshatarëve në ato të feudalëve çifligarë që çoi në formimin e çifligjeve. Gjatë kësaj kohe karakteristike ishte formimi i çifligjeve të vogla. Faza e dytë zgjati nga shek. XVIII deri në vitet 30 të shek. XIX. Karakteristika kryesore e saj ishte formimi i pronës së madhe çifligare nëpërmjet zgjerimit të çifligjeve më të fuqishme ose të bashkimit të çifligjeve të vogla; por nuk përjashtohej edhe mundësia e formimit në këtë kohë e çifligjeve të vogla, mbasi shpronësimi nuk përfundoi në fazën e parë dhe as në të dytën. Çifligu u formua dhe u zhvillua si një fenomen i paligjshëm në gjirin e timarit, e breu atë nga brenda derisa fitoi të drejtën e qytetarisë me likuidimin e sistemit feudal-ushtarak në vitet 30-40 të shek. XIX. Kush kishte ruajtur tapinë e tokës njihej si pronar i saj. Si një dukuri e paligjshme nuk gjeti pasqyrim në regjistrat kadastralë. Për këtë arsye është e vështirë të jepet shtrirja e saktë e çifligut në krejt tokat shqiptare.
Deri tani është pohuar se çifligu në shek. XVIII kishte përfshirë zonat fushore dhe kodrinore, kurse timari në fushë mbeti në formë ishujsh. Në zonën malore ndodhte krejt e kundërta. Çifligu ishte përhapur kryesisht në tokat e ulëta bregdetare nga Tivari në Vlorë, në Plavë, në Guci, në Kosovë, në luginat e lumenjve, në Myzeqe, në trevat e Korçës, Gjirokastrës, Delvinës e të Janinës. Tani për tani të dhëna më të sakta për shtrirjen e çifligut ka vetëm për krahinën e Beratit, ku në vitin 1701 kishte 166 fshatra gjithsej, në 59 fshatra kishte çifligje, d.m.th. në 36% të fshatrave. Por, shkalla e vërtetë e shtrirjes duket në sasinë e të hollave që jepeshin si detyrime të jashtëzakonshme. Në vitin 1681 çifligjet jepnin 8,8% të shumës së përgjithshme të detyrimeve, kurse në vitin 1746, 18% të shumës së përgjithshme. Çifligu ishte shtrirë në 18% të krejt sipërfaqes së tokës së punueshme. Kjo shifër tregon vetëm shtrirjen e çifligjeve private dhe nuk përfshin çifligjet shtetërore dhe ato të institucioneve fetare.
Sipas orientimit çifligjet në Shqipëri ishin tri llojesh: bujqësor, blegtoral dhe të përzier. Çifligu bujqësor përbëhej nga prona private (mylk): kopshtet, vreshtat, ullishtet, lëmenjtë, kulla e çifligarit, shtëpitë e çifçinjve, veglat e punës, mullinj, dhe nga toka shtetërore: ara e livadhe. Çifligu blegtoral përbëhej nga prona private, si më lart, nga tufat e bagëtive dhe nga kullotat e veglat e përpunimit të produkteve blegtorale, kurse i përzieri kishte orientimin bujqësor e blegtoral. Mbizotërues ishte çifligu i përzier.
Sipas pronësisë çifligjet ishin private, të institucioneve fetare dhe shtetërore. Çifligjet private i zotëronin kategori të ndryshme të shoqërisë shqiptare, duke nisur nga shtresa feudale dhe duke përfunduar në tregtarët e zejtarët e pasur. Në vitin 1680 në krahinën e Beratit, nga 15 pronarë çifligjesh, 13 veta ishin bejlerë dhe bij bejlerësh, një vezir dhe një pashë. Nga gjysma e dytë e shek. XVIII, krahas bejlerëve si pronarë çifligjesh dalin tregtarë, veçanërisht në qytetin e Shkodrës. Përveç Bushatllinjve, familja e Gjyrezëve, Bianki, Çoba zotëronin toka buke, ullishte, kullota etj.
Në fund të shek. XVIII u dalluan familje të mëdha çifligare, si: Ali pashë Tepelena, Bushatllinjtë, Begollajt në Pejë, Rrotullarët në Prizren, Toptanët, Alltunët, Biçakçinjtë, Vërlacët e Vrionët në Shqipërinë e Mesme, Velabishtajt, Ngurzajt, Vlorajt, Delvinajt e Kokajt në jug. Mbi të gjithë dallohej Ali pashë Tepelena, i cili zotëronte mbi 900 çifligje në Shqipërinë e Jugut, në Maqedonie në Greqinë e Veriut.
Në shek. XVII-XVIII edhe pronat e institucioneve fetare myslimane e të krishtera morën formën e çifligjeve. Ato u zgjeruan në radhë të parë nga dhurimet e shtetit dhe të besimtarëve. Çifligjet e klerit mysliman qenë përqendruar kryesisht në toka pjellore të fushave të Shkodrës, Kosovës, Tiranës, Elbasanit, Myzeqesë, Korçës, Janinës, Artës etj. Në Shqipërinë Verilindore, në fushën e Kosovës, midis Vuçiternës dhe Prishtinës ishin zotërues çifligjesh teqetë. Elbasani kishte xhami dhe teqe të shumta që zotëronin pasuri, toka, ullishte, në Myzeqe numri më i madh i çifligjeve të klerit mysliman shtrihej midis Lushnjës dhe Fierit. Midis Beratit e Lushnjës kishte 6 çifligje me një sipërfaqe prej 3 000 ha, në fushën e Korçës teqetë kishin toka në fshatrat Melçan, Dvoran, Turan, Qatrom, Plasë etj. Me kalimin e kohës edhe kisha ortodokse i zgjeroi pronat e saj tokësore. Në fushën e Korçës kishte disa kisha e manastire, pronarë të mëdhenj tokash, si mitropolia e Korçës, e cila në fillim të shek. XIX kishte të ardhura vjetore 100 000 groshë, dy manastiret e Boboshticës, kisha e Ristozit dhe manastiri i Shën Ilisë në Mborje, si edhe manastiri i Shën Pjetrit në Vithkuq. Manastiri i Shën Naumit, buzë liqenit të Ohrit me të ardhurat nga toka mbante 60 murgjër, manastiri i Ardenicës zotëronte toka të shumta, ullishte dhe një mulli vaji. Në fushën e Dropullit kishte gjithashtu mjaft manastire; manastirin e Deçanit e shumë manastire të tjera i zotëronte Patrikana e Pejës.
Kisha katolike vinte pas asaj ortodokse, megjithatë edhe ajo i rriti pronat që shtriheshin nga zona fushore e ultësirës së Shkodrës dhe përfundonin në zonat malore të Mirditës, Dukagjinit, Pultit e të Kelmendit. Kleri katolik në Lezhë zotëronte prona të mëdha, në fushën e Zadrimës, në disa fshatra të Shkodrës e në qytetin e Shkodrës. Midis manastireve më të pasura në tokë përmendej ai i Shën Andout të Lezhës.
Edhe haset sulltanore në shek. XVII-XVIII morën formën e çifligjeve. Çifligjet shtetërore i përkisnin familjes sulltanore dhe shtetit. Familja sulltanore zotëronte 38 fshatra në fushën e Zadrimës, në kazatë e Manastirit, Ohrit, Follorinës, Starovës, Korçës, Kosturit, në sanxhakun e Janinës, në atë të Artës. Në sanxhakun e Shkodrës ajo zotëronte deri në 6 000 ha tokë; në Myzeqe kishte 128 çifligje me toka buke, 28 kullota. Çifligjet e arkës shtetërore në tokat shqiptare, në radhë të parë u formuan nga timaret dhe ziametet e braktisura. Me shembjen e pashallëqeve shqiptare dhe me dështimin e kryengritjeve të viteve 30 të shek. XIX, çifligjet e Ali pashë Tepelenës, të Bushatllinjve, të Alltunëve të Kavajës etj., u kthyen në çifligje shtetërore. Këto çifligje fillonin që nga fusha e Zadrimës, vazhdonin në Bregun e Matit, në Myzeqe, në fushën e Korçës, në Janinë etj. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:03 am | |
| Marrëdhëniet çifçi-çifligar
Në varësi të shkallës së shpronësimit të çifçiut, ndërmjet çifligarit dhe çifçiut u vendosën disa lloje marrëdhëniesh, si: sistemi i një të tretës, i gjysmatarisë, i një të katërtës dhe i qesimit. Ndarja e prodhimit sipas përpjesëtimit dy me një, që njihet me emrin e treta, u vendos midis çifligarit dhe çifçiut kur ky i fundit, përveç punës së vet, fuste në prodhim edhe qetë, veglat e punës dhe farën, që ishin pronë e tij vetjake. Kjo ndarje bëhej mbi mbetjen e prodhimit, pasi hiqej një e dhjeta që i jepej të zotit të tokës. Sistemi me të tretë ka qenë përhapur në shumicën dërrmuese të ekonomive çifligare të vendit tonë. E treta u njoh efektivisht edhe nga sulltani në çifligjet që në vitet 1821-1822 iu konfiskuan Ali pashë Tepelenës dhe më vonë në ato perandorake që u formuan në fushën e Myzeqesë. Pjesa më e madhe e fshatarësisë-raja, që u prek prej procesit të zhveshjes nga toka, u shpronësua vetëm pjesërisht, sepse ruajti ende mjetet e punës.
Ndarja e prodhimit përgjysmë u vu në jetë kryesisht në ato çifligje, ku krahu i punës u sigurua nga fshatarësia-raja e shpronësuar plotësisht. Duke i dhënë ngastrën e tokës, mjetet e punës dhe farën, çifligarët i imponuan kësaj kategorie fshatarësh një ndarje më të pafavorshme të prodhimit, gjysmatarinë. Edhe në disa çifligje feudale, si në disa nga ato të Ibrahim pashë Bushatlliut, në ato të Sulejman pashë Biçakçiut etj., ndonëse mjetet e punës dhe fara u përkisnin çifçinjve, nuk zbatohej e treta, por ndarja e prodhimit përgjysmë. Kjo ndarje ka qenë vendosur, siç del nga një pohim i kadiut të Elbasanit, për shkak të kushteve më të favorshme të këtyre tokave, e sidomos të afërsisë së tyre me qytetet.
Një sistem tjetër i rentës në çifligje ka qenë qesimi, ose dhënia në kryevjet, i një sasie të prerë prodhimi për çifligarin. Qesimi ishte i leverdisshëm për çifligarin, sepse interesat e tij nuk prekeshin nga vitet e këqinj bujqësorë. Por, ai qe i dëmshëm për prodhuesit e drejtpërdrejtë, një pjesë e të cilëve, duke mos mundur ta shlyenin sasinë e caktuar në vitet e prodhimeve të pakta, detyroheshin të futeshin në borxhe dhe kur nuk kishin tjetër rrugëdalje, braktisnin fshehurazi tokën. Për të vënë në vend humbjet nga këto braktisje, çifligarët e kërkonin qesimin nga bujqit e tjerë që mbeteshin në çiflig, duke u dhënë atyre ngastrat e braktisura. Mirëpo, me sa duket, as kjo masë nuk i shpëtoi nga degradimi çifligjet me qesim. Pasoja të tilla patën në Myzeqe të njëzet e pesë çifligjet e Ibrahim bej Kavajës. Sulltani, i cili i shtiu në dorë këto çifligje më 1836, urdhëroi që qesimi të zëvendësohej me të tretën me qëllim që bujqit të ktheheshin në ngastrat e tyre. Sistemi i së tretës dhe i gjysmës së prodhimit hyri edhe në blegtori. Pasi formuan tufa të mëdha dhensh e dhish, pronarët e tyre ua jepnin ato për kullotje barinjve pa bagëti ose me pak bagëti. Në rast se këta të fundit i përballonin vetë shpenzimet e kullotës etj., pronarët e tufave merrnin vetëm të tretën e shtimit të tufës, të leshit dhe të qumështit ose të nënprodukteve të këtij. Kur pronarët e barinjtë përballonin vetë gjysmën e shpenzimeve, ata ndanin përgjysmë shtesën e bagëtive, leshin dhe qumështin.
Edhe në prodhimin e kripës, që së bashku me ziftin përbënin dy produktet kryesore të industrisë nxjerrëse, në çifligjet u zbatua sistemi përgjysmë. Për prodhimin e kripës në Seman, sipërmarrësit caktonin nga bujqit e çifligjeve të sulltanit nga një ose dy veta për çdo shtëpi bashkë me qetë dhe karrot e tyre. Pasi i mbanin në punë për një kohë prej katër ose pesë muajsh, prodhimin e ndanin përgjysmë, por pjesën që u takonte bujqve ua jepnin në të holla e jo në natyrë. Në kohën e sundimit të Ali pashë Tepelenës, çdo bujk që punonte me qetë e karron e vet, nuk merrte më shumë se një grosh në ditë.
Në pronat e institucioneve fetare zbatoheshin pak a shumë po ato sisteme marrëdhëniesh si në çifligjet private, gjysmataria, e treta dhe qesimi. Në tokat e kishës ortodokse, si në manastirin e Shën Kollit të Boboshticës, punonin mëditës argatë të pajtuar për jetë. Kishte raste, si në Mirditë, ku malësorët punonin falas tokat e kishës ose bënin punë angari të paktën një ditë në javë. Tradita dëshmon se në sistemin e çifligjeve çifçinjtë kishin ndaj çifligarit edhe detyrime të paligjshme. Ata detyroheshin të bënin punë angari, në dobi të çifligarëve privatë apo të sipërmarrësve të çifligjeve të sulltanit për tokën e oborrit të tyre, për kullotjen e kafshëve të punës dhe për prerjen e druve e të qerestesë për nevojat e veta. Çifligarët privatë i detyronin çifçinjtë t’u punonin tokat apo t’u kositnin barin e livadheve etj.
Prodhimet që u takonin çifligarëve, çifçinjtë ishin të detyruar t’ua çonin jo vetëm nëpër hambarët, por edhe në treg apo në skelë ku ata kishin nevojë. Ndërsa sulltani si pronar çifligjesh, i detyronte bujqit-çifçinj të bënin punë angari për nevojat ushtarake. Sasia e punëve angari nuk ishte caktuar dhe çifçinjtë duhej t’i kryenin ato atëherë kur çifligari kishte nevojë, pavarësisht se duhej të linin në mes punët e veta bujqësore. Në disa çifligje çifçinjtë detyroheshin të çonin çdo vit nëpër shtëpitë e zotërinjve, kinse në formë dhuratash, prodhime nga të oborrit të tyre, si qengja, shpendë, mjaltë, bulmetra etj.
Gjatë gjithë periudhës së lindjes dhe zhvillimit të sistemit të çifligjeve në gjirin e sistemit të timareve, u mbajtën në fuqi normat e varësisë feudale të fshatarit raja edhe kur ky u shndërrua në çifçi. Por, ndonëse pa tokë, çifçinjtë mbetën për shtetin feudal osman fshatarë-raja. Si të tillë, ata nuk mundeshin të shkëputeshin nga varësia e spahiut ose e myteveliut, të cilët edhe nëpër çifligjet vazhdonin jo vetëm t’u merrnin detyrimet e rajasë, por edhe të mos i lejonin të braktisnin fshatin ose të merreshin me punë jo bujqësore. Krahas kësaj varësie, me lindjen e sistemit të çifligjeve lindi një varësi e dytë, ajo ndaj çifligarit, që u bë më e rëndë se e para.
Shthurja e sistemit të timareve dhe lindja e rritja e sistemit të çifligjeve shkaktuan ndryshime të rëndësishme në strukturën e dy forcave themelore shoqërore të fshatit shqiptar. Fshatarësia raja u nda në tri shtresa me tipare të veçanta nga njëra-tjetra. Ajo pjesë e saj, që mundi të ruante tapinë mbi tokën e vet mbeti në gjendjen e vjetër shoqërore dhe vazhdoi të punonte tokën e vet e të rriste bagëti si dhe më parë. Por edhe nga radhët e saj, kryesisht në zonat malore më të varfra, si në Dibër, Mat, Skrapar, Kolonjë, Dangëlli, Kurvelesh etj., ku kishte depërtuar sistemi i timarit, u shkëput një shtresë fshatarësh të varfër e cila, duke mos i plotësuar nevojat e veta me punën e bujkut e të blegtorit, filloi të mbështetej kryesisht në profesionin e ushtarit me pagesë. Kurse pjesa tjetër e fshatarësisë raja, që e humbi tesarrifin mbi tokën dhe që hyri nën sistemin e çifligjeve, formoi shtresën e fshatarëve çifçinj, mbi të cilën rënduan dy varësi, ajo e spahiut dhe ajo e çifligarit.
Shtresëzimi preku edhe klasën feudale. Para së gjithash numri i spahinjve u kufizua mjaft si pasojë e braktisjes së timareve nga një numër i konsiderueshëm feudalësh të vegjël dhe nga grumbullimi i dy e më shumë timareve në një dorë. Së dyti, nga radhët e tyre u veçuan pronarët e çifligjeve që formuan një shtresë më vete. Shtresa e çifligarëve bashkohej e bashkëvepronte me atë të spahinjve në përpjekjet për të ndaluar shpërnguljet e fshatarëve dhe për të siguruar tapitë e tokave që shtinin në dorë. Por ajo kishte kundërthënie me spahinjtë, sepse detyrohej t’u shlyente atyre detyrimet që u përkisnin si tapilëshues. Përveç dy shtresave kryesore, në gjirin e klasës feudale u krijua edhe një shtresë e tretë, ajo e çifligarëve që ishin në të njëjtën kohë edhe spahinj. Të tillë ishin para së gjithash feudalët funksionarë të shtetit. Këta shfrytëzonin jo vetëm çifligjet e veta me të drejtën e pronarit efektiv të tokës, por për hir të funksioneve të tyre zyrtare merrnin edhe sipërmarrjet e timareve vakante që u jepeshin në haset e sulltanit. Ky tip feudali ishte karakteristik për periudhën në të cilën gjendej procesi i shthurjes së sistemit të timareve dhe i përhapjes së çifligjeve.
Por në radhët e klasës feudale bënin pjesë edhe komandantët ushtarakë (bylykbashët), të cilët, ndryshe nga spahinjtë e çifligarët, i nxirrnin të ardhurat e tyre kryesore nga rekrutimi i ushtarëve me pagesë, pavarësisht se prej tyre, ata më të mëdhenjtë e më të fuqishmit kishin edhe çifligje. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:03 am | |
| 4. QYTETET SHQIPTARE (1506 - MESI I SHEK. XVIII)
Rritja e qyteteve dhe e prodhimit zejtar
Vendosja e sundimit osman u bë pas luftërave pushtuese, që kishin sjellë pakësimin e numrit të qyteteve. Disa, si Drishti, Deja, Shurdhahu, që ekzistonin si qendra prodhimi e shkëmbimi në gjysmën e parë të shek. XV, ishin shkatërruar e zhdukur krejtësisht, kurse Kruja, Shkodra, Lezha, Durrësi, Berati, të shpopulluar e të dëmtuar rëndë, kishin mbetur në madhësi fshatrash. Edhe qytetet e pushtuara më përpara, si Gjirokastra, Vlora, Prizreni, Peja, etj., ende nuk ishin rimëkëmbur. P.sh., Kruja e Gjirokastra, dikur qendra të rëndësishme administrative dhe ekonomike, nuk kishin më shumë se 150 shtëpi secila në fillim të shek. XVI. Në këtë kohë Berati nuk kishte arritur as në 600 shtëpi. Qytetet nuk kishin mundësi ekonomike të brendshme ose të jashtme për një rimëkëmbje të shpejtë. Vetëm qyteti i Vlorës, që numëronte mbi 1 200 shtëpi, duke përfshirë 427 familje çifute, të ardhura nga Spanja e Portugalia, mundi të luante një farë roli në tregtinë e jashtme.
Me të vendosur sundimin e tyre, osmanët e ndryshuan fizionominë e organizimit të jetës qytetare. Qytetet kryesore shqiptare ata i bënë qendra të ushtrisë e të administratës dhe i shndërruan në vatra të përhapjes së fesë dhe të kulturës islamike. Vlora, Elbasani, Shkodra, Prizreni, Vuçiterna, Peja, Shkupi, Manastiri, Ohri, Janina e Delvina, pavarësisht nga madhësia që kishin, u caktuan si qendra sanxhakësh. Përveç garnizoneve në to, u vendosën funksionarë të ndryshëm e në radhë të parë sanxhakbejlerët, kadilerët, subashët (funksionarë ushtarakë - administratorë të një vilajeti ose qyteti), dizdarët (komandantë kështjelle) etj. Qytetet të quajtura shehër u përfshinë në organizimin feudal, por me një status të veçantë, të dalluar nga ai i timareve në fshat. Prandaj banorët e tyre nuk u futën në kategorinë e rajave, por u quajtën shehërli, d.m.th. qytetarë. Pushimi i veprimeve luftarake, krijimi i qendrave ushtarake e administrative, që u shoqërua me rritjen e kërkesës për mallra dhe me nevojën e shtimit të prodhimit, bëri të mundshme që nëpër qytetet të tërhiqej një numër më i madh krahësh pune nga radhët e fshatarësisë, veçanërisht prej atyre që iknin nga timaret për t’i shpëtuar gjendjes së rëndë nën spahinjtë. Nga ana tjetër, tepricat, që u krijuan, si pasojë e përpjekjeve të fshatarësisë për të përmirësuar gjendjen e vet ekonomike, dhe detyrimet në natyrë, që grumbulloheshin nga spahinjtë, u derdhën gjithnjë e më shumë nëpër qytete. Kështu, popullsia e tyre filloi të shtohej dhe qarkullimi e prodhimi i mallrave të rritej. Banorët e rinj filluan të vendoseshin sidomos jashtë kështjellave. Lagjet e reja, të formuara prej tyre, u quajtën varoshe.
Hapa të rëndësishëm përpara drejt rritjes ekonomike dhe shtimit të popullsisë së qyteteve u bënë nga gjysma e dytë e shek. XVI. Tashmë ata i kishin kapërcyer pasojat negative të luftës dhe deri në një farë mase edhe veprimin frenues të faktorëve të rinj, që lindën me vendosjen e regjimit ushtarak osman dhe që ngadalësonin ritmet e zhvillimit. Por rigjallërimi i tyre u krye me ritme shumë të ngadalta dhe u arrit vetëm pas një periudhe të gjatë prej një shekulli. Në fund të shek. XVI numri i banorëve të qyteteve ishte rritur. Kështu, Prizreni arriti në 557 shtëpi, Prishtina 506 shtëpi, Trepça 447 shtëpi, Novobërda 366 shtëpi, Vuçiterna 286, Janieva 288 shtëpi.
Qyteti më i zhvilluar nga pikëpamja ekonomike në fund të shek. XVI ishte Berati, i cili kishte mbi 1 000 shtëpi dhe më shumë zejtarë e tregtarë se qytetet e tjera (638 zejtarë e 13 tregtarë). Sipas një udhëtari, duke qenë i vendosur në një vend pjellor dhe i lidhur me rrugë tregtare me Vlorën, Berati “ishte një qytet shumë i pasur me sende të ndryshme për nevoja të njeriut”. Qyteti tjetër i madh ishte Vlora. Në këtë skelë vinin prodhime të ndryshme nga vendet e Evropës, si pëlhura pambuku e mëndafshi, cohë leshi e kadifeje, stolira, prodhime lëkure etj., të cilat shpërndaheshin pastaj në qytetet e tjera. Nga Vlora eksportohej drithë, kripë dhe zift. Elbasani, i vendosur në mes të rrugëve tregtare që lidhnin Shqipërinë me krahinat e brendshme të Gadishullit Ballkanik, mori një zhvillim mjaft të shpejtë. Në fund të shek. XVI ai kishte rreth 900 shtëpi.
Në veri, qyteti i Shkodrës u bë shpejt qendra kryesore ekonomike e veriut me rreth 300 shtëpi. Shkodra kishte një pazar, ku përveç produkteve bujqësore tregtoheshin me shumicë mallra të tjera të konsumit të gjerë. Ai lidhej me Shirgjin, me Prizrenin e me qytete të tjera. Lezha, si skelë natyrore e Shkodrës, u bë qendër e rëndësishme e tregtisë tranzite në Shqipërinë e Veriut, veçanërisht për tregtinë e drithit. Duke grumbulluar, thuajse gjithë mallrat e krahinave veriore e verilindore që shkonin më pas në skelat e tjera të Adriatikut, Lezha pati nga tregtia të ardhura më të mëdha nga ato të Vlorës. Kjo skelë luajti një rol të madh për gjallërimin ekonomik të qytetit të Shkodrës.
Edhe Prizreni, që lidhej me rrugë tregtare me Shkodrën, mori një zhvillim të madh. Më 1538 ai kishte 117 dyqane dhe hane, kurse në fund të shek. XVI numëroheshin 246 zejtarë. Prizreni kishte tiparet e një qendre administrative me popullsi të madhe, ndofta nga më të mëdhatë në krahinën e Kosovës. Në fundin e shek. XVI, qytetet, si Kruja, Gjirokastra, Delvina, Podgorica, Peja, Vuçiterna etj., megjithëse numri i banorëve të tyre u dyfishua, nuk arritën të kishin më shumë se 200-350 shtëpi. Durrësi e humbi rëndësinë ekonomike të mëparshme dhe kryente funksionin e një kështjelle bregdetare, kurse funksionin e qytetit filloi ta luante Kavaja.
Ndonëse asnjë prej qyteteve shqiptare nuk u shkëput krejtësisht nga prodhimi bujqësor, baza ekonomike e tyre në shek. XVI ishte në radhë të parë zejtaria. Zejtaritë që morën hov të shpejtë ishin ato që lidheshin më tepër me përpunimin e produkteve bujqësore-blegtorale, siç ishin regjia e lëkurëve dhe përpunimi i leshit. Krahas tyre u rritën edhe zejtaritë e tjera, prodhimi i të cilave plotësonte nevojat e fshatarëve, qytetarëve dhe të ushtarëve. Por mbizotërimi i ekonomisë natyrore në fshat nuk lejoi zhvillimin e gjerë të këtyre zejtarive. Në dokumente bëhet fjalë për rreth 55 zeje të ndryshme në qytete e sidomos lëkurëregjës, këpucarë, shpataxhinj, kafshëmbathës, rrobaqepës, takijepunues, berberë, qëndistarë, leshpunues, samarxhinj, kasapë etj. Nuk mungonin edhe argjendarët, gëzoftarët etj., që prodhonin artikuj luksi.
Ndryshoi edhe pamja e jashtme e qyteteve. Në përgjithësi ato përbëheshin nga dy pjesë kryesore: nga kështjellat e rrethuara me mure të larta, ku, përveç garnizoneve ushtarake dhe administratës qeveritare osmane, ishin vendosur edhe banorë të sferave ekonomike dhe nga lagjet e jashtme (varoshet) të banuara nga zejtarët, bujqit etj. Brenda kështjellave ndodheshin kryesisht ndërtesat qeveritare. Por, meqenëse muret rrethuese nuk lejonin shtrirjen e banesave, rrugët brenda kështjellave bëheshin gjithnjë e më të ngushta dhe çatitë e shtëpive shpeshherë mbulonin edhe rrugët publike. Tregu ndodhej gjithmonë jashtë mureve të kështjellës, në varoshet. Në afërsi të këtyre u ndërtuan dyqane dhe magazina sipas llojeve të zejeve, që përbënin embrionet e para të rrugëve zejtare-tregtare të ardhshme.
Gjatë shek. XVII, fshatarët, zejtarët dhe bujqit shtuan numrin e banorëve të qyteteve. Në të njëjtën kohë qyteti tërhiqte nga fshati edhe një numër spahinjsh. Në radhët e këtyre spahinjve kishte edhe të tillë, të cilët, duke mos pasur asnjë nxitje e interes të shkonin më në luftë, filluan të merreshin me veprimtari ekonomike. Të dhënat e bashkëkohësve për numrin e banorëve të qyteteve shqiptare në shek. XVII, tregojnë qartë se qytetet e Shqipërisë, ndonjëri me ritëm më të shpejtë e ndonjë më të ngadaltë, u rritën pa ndërprerje, madje u krijuan edhe qytete të reja. Kështu, Elbasani kishte 28 lagje me rreth 4 000 shtëpi, Prizreni 3 620 shtëpi, Berati ishte me 30 lagje me 2 000 shtëpi, Shkodra me 15 lagje me 2 000 shtëpi, Prishtina, Vuçiterna dhe Gjirokastra me 2 000 shtëpi, Vlora me 1 300 shtëpi. Nga gjendja e fshatit ishin kthyer në qytete Pogradeci me 430 shtëpi, Tepelena me 300 shtëpi etj.
Ndërsa gjatë shek. XVI banorët e qyteteve ishin vendosur kryesisht në brendi të mureve të kështjellave ose në afërsi të tyre, në shek. XVII banorët e rinj vendoseshin sidomos në lagjet e jashtme. Shtëpi të thjeshta e përdhese, të ndërtuara me gurë dhe dërrasa e shpesh edhe me qerpiç, tregonin gjendjen e ulët ekonomike dhe kulturore të shumicës së banorëve të qyteteve tona. Por nuk mungonin shtëpi dykatëshe të rrethuara me kopshte, që u përkisnin funksionarëve myslimanë e shtresave të pasura, si edhe godina publike e fetare të mëdha e të hijshme, sidomos faltore myslimane - xhami e teqe. Që nga gjysma e dytë e shek. XVII, qendrat e qyteteve kryesore ishin pajisur me kulla të larta, në të cilat ishin vendosur nga një orë e madhe me kambanë. Në dy shekujt e mëvonshëm u pajisën me kulla të tilla (kulla sahati) edhe qytetet më të vogla, si Kavaja, Korça, Tirana etj.
Ashtu si në një varg qytetesh ballkanike, edhe në qytetet shqiptare shumica e banorëve kishin përqafuar në shek. XVII besimin mysliman. Në Prizren, në gjysmën e parë të shek. XVII, kishin mbetur vetëm njëzet e dy shtëpi të krishtera. Elbasani, Berati, Vlora etj., kishin në gjirin e tyre vetëm pakica banorësh të krishterë. Në Shkodër e Ulqin nuk lejoheshin të vendoseshin banorë të rinj, të besimit kristian, prandaj këto qytete u shndërruan në qytete kryesisht myslimane. Mirëpo ndryshe nga tokat e Shqipërisë Veriore, Verilindore dhe të Mesme, në tokat e Shqipërisë Jugore dhe pikërisht në kazanë e Korçës, që lidhej me sanxhakun e Manastirit, shumica e banorëve të qytetit të Korçës e ruajti besimin e krishterë. Në Voskopojë e Vithkuq banorët ishin krejtësisht të krishterë. Ritmin e islamizimit të qyteteve tona e shpejtonin edhe shpërnguljet e banorëve të islamizuar nga fshatrat të cilët, me sa duket, e kishin më lehtë të pranoheshin në qytete. Por midis qytetarëve myslimanë në shek. XVII kishte një përqindje të mirë kristianësh të fshehur (kriptokristianët), të cilët, megjithëse kishin ndërruar besimin, në të vërtetë vazhdonin të ndiqnin fshehurazi fenë e vjetër. Madje pjesëtarët e tjerë të familjes, e veçanërisht gratë, ende nuk ishin islamizuar. Me gjithë këto dallime, lidhjet ekonomike e shoqërore dhe besimi i sipërfaqshëm në fenë e re u bënë disa nga faktorët që nuk lejuan në përgjithësi veçimin e izolimin sipas feve të ndryshme të banorëve të qyteteve dhe të lidhjeve të tyre me fshatin e prejardhjes.
Megjithatë, për shkak të shkallës ende të ulët të zhvillimit ekonomik, ritmi i rritjes së qyteteve tona eci me hap relativisht të ngadalshëm. Një pjesë e forcave njerëzore, që shkëputeshin nga fshati, nuk mundi të vendosej në qytete, por mori rrugën e mërgimit. Zhvillimi i prodhimit dhe i qarkullimit e bënë të domosdoshëm bashkimin e prodhuesve të vegjël qytetarë në organizata të veçanta sipas profesioneve, me rregulla të detyrueshme për të gjithë ushtruesit e zejeve dhe të tregtisë. Edhe shteti osman ishte i interesuar për disiplinimin e prodhuesve të vegjël në organizata zejtare, por me kusht që ky organizim të bëhej sipas sistemit osman të esnafeve. Me anën e këtij sistemi, pushteti qendror i fuste këto forca dhe prodhimin e tyre nën kontrollin e vet, nxirrte prej tyre mjaft të ardhura dhe i organizonte zejtarët në reparte pune apo ushtarake. Propagandistë të sistemit të esnafeve u bënë misionarë të posaçëm sektesh të ndryshme fetare islamike, ndër të cilët, më aktivët u treguan shehlerët spahinj që erdhën nga Anadolli. Gjurmët më të hershme të organizimit esnafor i takojnë gjysmës së dytë të shek. XVI. Më 1580 në Elbasan ndeshen esnafet e tabakëve, terzinjve, leshpunuesve, takijexhinjve, shpataxhinjve, gëzoftarëve. Këto s’ishin gjë tjetër veçse ringjallja e korporatave të mëparshme në kushtet e sundimit osman, por të veshura me një vello fetare islame. Në shek. XVII-XVIII, sistemi esnafor u bë forma mbizotëruese e organizimit të jetës ekonomike-shoqërore të zejtarëve në mbarë vendin. Në Elbasan e në Shkodër 80 llojet e zejeve ishin përfshirë në 30 esnafe, në Berat kishte 22 esnafe, në Tiranë 17 esnafe, në Voskopojë 14 e në Korçë 20 etj. Inkuadrimi i zejtarëve në organizatat esnafore u siguronte atyre jo vetëm lirinë e veprimit, por edhe atë të vetadministrimit, si edhe mbrojtjen me ligj nga shteti osman.
Si forma të organizimit të zejtarisë, esnafet ishin bashkime zejtarësh të një zeje ose të disa zejeve të afërta. Ato ishin të ndara sipas besimeve fetare, ndërsa udhëheqja e tyre apo llonxha ishte përqendruar në duart e përfaqësuesve të shtresës sunduese osmane. Edhe në krye të esnafeve të krishtera zakonisht qëndronin njerëzit e kësaj shtrese. Të përbëra nga përfaqësues të kastës osmane dhe nga mjeshtër të pasur, anëtarët e llonxhës konsideroheshin të paprekshëm, sepse mbroheshin nga pushteti i sulltanit, që u kishte dhënë autonomi të plotë në çështjet e zejtarisë. Sipas pozitës shoqërore të secilit, këta anëtarë kryenin në esnafet e mëdha myslimane detyrat e qehajait (kryetarit të esnafit), ustabashit (kryemjeshtrit) që merrej me teknikën e prodhimit, myteveliut (kujdestarit) që administronte pasurinë, jigitbashit (kryetrimit) që kryente detyrat ushtarake etj. Drejtimin shpirtëror me esnafet myslimane e kishin klerikët. Në esnafin e vjetër dhe të rëndësishëm të tabakëve këtë drejtim e kryente shej, ahi, babaj, i cili kishte si mision kryesor predikimin fetar.
Vendimet e ndryshme të udhëheqjeve të esnafeve pasqyroheshin me shkrim nëpër regjistra të posaçëm, të cilët quheshin qytykë ose kodikë. Më të vjetrit që njihen deri tani si në Shqipëri, ashtu edhe në Gadishullin Ballkanik, janë kodiku i argjendarëve të Elbasanit (1622) dhe kodiku i gëzoftarëve të po këtij qyteti (1699). Në formën e vendimeve aty shkruheshin edhe rregullat për funksionimin e brendshëm të organizatës, që ktheheshin në ligje të detyrueshme për të gjithë anëtarët dhe njiheshin si të tilla edhe nga organet e pushtetit e nga ato gjyqësore. Kodikët përbëjnë në fakt statutet e esnafeve. Disa esnafe të rëndësishme arritën të kishin edhe statute të posaçme, të rregullta e të plota, siç ishte rasti i esnafit të tabakëve të Elbasanit, i cili qysh nga viti 1657 kishte statutin e vet të plotë që njihet si më i vjetri në Gadishullin Ballkanik. Edhe esnafi i bakejve të Voskopojës pati në vitin 1779 një statut të tillë të plotë. Krahas rregulloreve, esnafet kishin edhe ligjet e pashkruara (sulle), të mbështetura në traditën zakonore. Dallohen ato të 137 esnafeve të Pejës me emrin Sullet e Tabhanës.
Udhëheqja e esnafit shqyrtonte rregullisht gjendjen e pasurisë së përbashkët, e cila përbëhej nga shumat që mjeshtrat derdhnin në arkën e esnafit në formë taksash ose kuotash, nga taksat që derdhnin çirakët e kallfët me rastin e gradimit të tyre, nga gjobat, dhuratat etj. Por në këtë arkë hynin sidomos kamatat e shumave që u jepeshin në formë huaje, mjeshtrave të esnafit ose qytetarëve apo fshatarëve nevojtarë, me 20 për qind interes. Në këtë mënyrë arkat e esnafeve ishin kthyer në banka të vogla, të cilat jepnin ndihmesë për zhvillimin ekonomik dhe nxirrnin fitime të mëdha nga prodhuesit e vegjël. Një pjesë e produkteve përdorej si mjet për t’u siguruar të ardhura udhëheqësve të esnafit, shtetit dhe institucioneve fetare.
Të rinjtë mund të mësonin një zeje e të bëheshin mjeshtër, nëse punonin si çirak, pa pagesë, për një kohë trevjeçare, gjithsej 1 001 ditë. Në dokumentet e kohës çiraku cilësohej me emrat shegert, hyzmeqar, fiçor, djalë, adept etj. Pastaj çiraku shpallej kallfë. Mirëpo këtë shkallë në zeje ai nuk e fitonte pa derdhur në arkën e esnafit një taksë jo të vogël. Me t’u shpallur kallfë, ai fitonte të drejtën e pagesës (5-10 akçe në ditë). Kallfës së zakonshme nuk i duheshin më shumë se katër-pesë vjet kohë për të ngjeshur brezin e mjeshtrit. Por në shumë raste ata punonin edhe disa vite të tjera te mjeshtrat e tyre ose tek të tjerë, gjersa të mësonin “sekretet” e zanatit.
Një pengesë tjetër ishte taksa mjaft e rëndë që kandidati për mjeshtër duhej t’i paguante arkës së esnafit. Kështu, më 1622 nga 24 kallfë të argjendarëve të Elbasanit, 20 nuk ishin në gjendje ta paguanin atë. Afati i shlyerjes mund të zgjatej deri në një vit. Për kallfët e varfër një taksë e tillë bëhej shkak që ata të mos arrinin të merrnin titullin, aq të dëshiruar të mjeshtrit.
Një herë në vit, në një ditë të caktuar festash fetare, organizohej ceremonia e dhënies së brezit (testireve) ose të drejtës së mjeshtërisë. Brezi shoqërohej me pagimin e 150-500 akçeve. Pas ngjeshjes së brezit, mjeshtri i ri ndeshte në pengesa të reja; së pari, atij i dilte problemi i kapitalit për të hapur punishte më vete, pastaj për të gjetur ndonjë dyqan të lirë, sepse e drejta për të zënë një dyqan i përkiste më parë djalit e vëllait të mjeshtrit, që e kishte pasur e pastaj mjeshtrit të ri. Këto pengesa i detyronin një varg mjeshtrash të rinj të punonin me mëditje, të merrnin borxhe nga arka e esnafit ose nga mjeshtri dhe të mos ngrinin kokë edhe sikur të çelnin punishten e tyre. Krejt ndryshe ishte kjo rrugë për djemtë ose dhëndurët e mjeshtrave. Fryma e kastës u hapte këtyre rrugën që ua mbyllte të tjerëve.
Punonjësi çirak, kallfë apo mjeshtër mëditës detyrohej të punonte nga lindja e diellit gjer në perëndim të tij në ditët e gjata dhe në ditët e shkurtra para lindjes e pas perëndimit të diellit, domethënë rreth 13 orë kundrejt një pagese prej 5-10 akçesh në ditë, që vlente sa për t’u mbajtur gjallë. Punonjësi i pakënaqur ndëshkohej deri në rrahje në mes te pazarit, po të ngrinte zërin për çështje pagese e orari. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:04 am | |
| Esnafet në Shqipëri kryenin disa funksione të rëndësishme me karakter ekonomik, politik, ushtarak dhe fetar-arsimor. Esnafet interesoheshin për problemet e prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave. Me dispozita të veçanta caktohej numri i punishteve në kuadrin e një zeje, shpërndarja e lëndës së parë, ndarja e punës midis degëve të ndryshme të prodhimit etj. Për të ruajtur cilësinë esnafet ishin të rrepta kundër atyre që shkelnin normat e standardet në fuqi. Vend të rëndësishëm zinte lufta kundër konkurrencës së lirë. Brenda qarkut të një mjeshtërie, ajo realizohej me rregullimin e prodhimit, duke filluar nga sigurimi i lëndës së parë deri te shitja e produkteve të gatshme.
Esnafi blinte lëndën e parë, të cilën ua shpërndante në mënyrë të përpjesëtuar anëtarëve të vet. Anëtarëve u ndalohej shitja pa kriter e mallrave, tregtia ambulante, prodhimi jashtë nevojave të tregut, vendosja e çmimeve sipas dëshirës etj. Mjeshtrit duhet të ruanin me fanatizëm teknologjinë e prodhimit dhe çmimet e produkteve zejtare. Për disiplinimin e marrëdhënieve të përditshme ekonomike, esnafi rregullonte çështjet e njësive të matjes, të peshës, tarifat e transportit etj. Njësia më e madhe e peshës ishte barra ose ngarkesa e kalit. Në shek. XVI një barrë ishte e barabartë me 8 kille Stambolli ose me 4 kille Elbasani. Një kille Stambolli peshonte 20 okë, kurse ajo e Elbasanit 30 okë. Një okë ishte baraz me 400 derhem dhe një derhem baraz me 3,2 gr.
Esnafet kishin edhe funksione shoqërore. Duke edukuar të rinjtë me edukatën morale, me bindjen e përuljen ndaj më të mëdhenjve, të moshuarve e më të pasurve, për edukimin e një disipline të rreptë, ato zhvillonin një luftë të fortë kundër veseve, imoralitetit, vjedhjes, pirjes së alkoolit etj. Masat ndaj punonjësve nisnin me këshilla e vërejtje, vazhdonin me gjoba dhe përfundonin me largimin nga esnafi e nga qyteti.
Esnafet kryenin edhe veprime ndihme e solidariteti, duke i dhënë p.sh. nga arka e tyre lëmoshë familjes së ndonjë anëtari të vdekur, e cila mbetej keq nga ana ekonomike. Por esnafi nuk ngurronte të shiste shtëpinë dhe veglat e punës së të vdekurit, po qe se ai nuk e kishte larë borxhin. Edhe në rastet kur me emrin e esnafit ose të ndonjë vakëflënësi, ndërtohej ndonjë rrugë, çezmë apo diçka tjetër me karakter publik, shpenzimet për këto ndërtime përballoheshin nga fajdetë e grumbulluara prej shumave të dhëna hua te zejtarët ose tregtarët nevojtarë.
Esnafet kishin edhe funksione ushtarake e fetare në përputhje me rendin feudal ushtarak osman. Anëtarët e organizatave esnafore myslimane, që ishin të aftë për luftë, merrnin pjesë drejtpërdrejt në luftërat e perandorisë, qoftë si reparte me armë në dorë, qoftë si reparte pune. Anëtarët e tjerë, duke përfshirë edhe ata të esnafeve të krishtera, paguanin e pajisnin luftëtarët që i dërgonin në ushtrinë perandorake. Në përgjithësi këta luftëtarë zejtarë shërbenin për mbrojtjen e kështjellave të bregdetit shqiptar, meqenëse në shek. XVII-XVIII këto u përfshinë në zonat e kërcënuara nga ushtritë e flotat e huaja. Kështu, në vitin 1689 sulltani urdhëroi mobilizimin e esnafeve në luftën kundër Austrisë, duke kërkuar që të dërgonin ushtarë dhe sasi të mëdha rezervash ushqimore. Esnafet e Shkodrës kishin për detyrë të mbronin kështjellat e Ulqinit e të Tivarit, ato të Elbasanit, kështjellat e Durrësit e të Bashtovës, ato të Beratit, kështjellat e Vlorës e të Kaninës. Përveç mbrojtjes së kështjellave në kuadrin e funksionit ushtarak, esnafet kishin edhe detyrën e mbrojtjes së rendit publik në tregjet e qyteteve që rrezikoheshin nga vjedhjet, djegiet e nga grabitjet. Zakonisht këtë detyrë e zbatonin repartet e armatosura të të rinjve të pamartuar (beqarëve), që banonin në konakë të veçantë.
Lidhjet e forta të çdo esnafi me fenë shfaqeshin duke pasur çdo esnaf një profet ose shenjtor mbrojtës. Për nder të këtij, një herë në vit zejtarët ndalnin punën, përkujtonin anëtarët e vdekur dhe pastaj u jepnin testir çirakëve apo kallfëve. Në këto të kremte organizoheshin panaire lokale, nga të cilat institucionet fetare shtonin të ardhurat. Disa panaire të tilla, sikurse ai i manastirit të Ardenicës në Myzeqe, i manastirit të Shën Gjon Vladimirit në afërsi të qytetit të Elbasanit dhe ai i manastirit të Shën Naumit buzë liqenit të Ohrit etj., merrnin karakter ndërkrahinor meqenëse në to vinin zejtarë e tregtarë nga një varg qytetesh. Esnafet u jepnin përkrahje materiale, financiare e morale qoftë institucioneve fetare myslimane, qoftë atyre të krishtera. Ato i furnizonin me dyllë, me të holla për orendimin e zbukurimin e objekteve fetare, ndihmonin për ndërtimin e kishave e të xhamive. Në Voskopojë pjesa më e madhe e kishave ishte ndërtuar me shpenzime të esnafeve.
Mitropolia e Korçës (1725) në pjesën më të madhe u ndërtua me ndihmat e esnafeve të këtij qyteti. Në Berat, Gjirokastër e në Delvinë kishte mesxhide me emrin e esnafeve që i kishin ndërtuar. Esnafet kremtonin të premtet, të dielat, pashkët, krishtlindjet, ujët e bekuar, Ramazanin, Bajramin, Mevludin, ditën e Ashures, Nevruzin dhe Shëngjergjin. Veprimtaria esnafore përfshinte edhe ngritjen kulturore e arsimore të anëtarëve të tyre. Ato ndihmuan në ngritjen e disa shkollave. Kështu, në vitin 1763 të krishterët e Elbasanit dhanë 122 000 akçe për ngritjen e një shkolle. Ndërtesa e Akademisë së Voskopojës u ngrit me ndihmën financiare të esnafëve të qytetit. Në vitin 1756 banorët e Gjirokastrës dhuruan 317 000 akçe për rindërtimin e një shkolle.
Në shek. XVIII qytetet shqiptare patën një zhvillim edhe më të madh. Në krye të qyteteve doli Shkodra me 40 000 banorë. Udhëtarët e kanë vlerësuar si një qytet të madh zejtar-tregtar. Tashmë ishte rritur roli i saj si qendër tregtie tranziti. Pazari ishte mbushur me njerëz të ardhur nga të gjitha anët e Turqisë evropiane. Prizreni kishte 15 000 banorë, Peja, Gjakova, Ulqini kishin nga 10 000 banorë, Elbasani kishte 15 000-20 000 banorë, Gjirokastra 12 000-15 000 veta. Nga niveli i një fshati Voskopoja arriti në 5 700 banorë.
Prodhimi i vogël i mallrave në shek. XVIII, gjithnjë e më shumë udhëhiqej tashmë kryesisht nga kërkesat e tregut, - nga nevojat e të gjitha shtresave shoqërore qytetare, nga ato të fshatarësisë përreth si dhe nga kërkesat, sado të pakta, të tregtisë së jashtme. Prandaj tregjet e qyteteve kishin marrë fytyrën e tregjeve lokale, që kishin një rreze veprimi më të gjerë se kufijtë e qytetit.
Në shek. XVII-XVIII, me përjashtim të disa qyteteve që u bënë qendra të tregtisë tranzite, qytetet shqiptare u rritën me një ritëm në përgjithësi të ngadalshëm. Mbizotërimi i ekonomisë natyrore në fshat dhe fuqia blerëse e kufizuar e banorëve të qyteteve, u bënë shkaku themelor që nuk lejoi zhvillimin e shpejtë të prodhimit zejtar. Megjithatë, vihet re një ndarje e punës shoqërore. Në përputhje me zgjerimin e nevojave të konsumatorëve, disa zeje të veçanta u shkëputën nga zejet mëmë. Kështu, ndërsa në shek. XVII në qytetet shqiptare kishte rreth 55 lloje zejesh, në shek. XVIII këto arritën në rreth 80. Disa prej tyre ishin fespunues, lëkurëregjës, punues papuçesh, mëndafshpunues, përpunues lëkurësh, rrobaqepës, berberë, nallbanë, biçakçinj, argjendarë, farkëtarë, bukëpjekës, kafexhinj, muratorë, qiripunues, bojaxhinj, shajakpunues, bozaxhinj etj. Nga zejet më të zhvilluara ishin degët e përpunimit të lëkurës, e prodhimit të pëlhurave, e metaleve, e ushqimeve dhe e ndërtimeve.
Punimi i lëkurës zinte vendin e parë. Dega e zejeve të përpunimit të lëkurës, sidomos të regjjes dhe të ngjyrosjes, përveç kërkesave më të shumta të tregut të brendshëm dhe të ushtrisë, plotësonte edhe kërkesat e tregut të jashtëm. tabakët e Shkodrës, Prizrenit, Elbasanit etj., dalloheshin për mjeshtërinë e regjjes, të përpunimit dhe sidomos të ngjyrosjes së lëkurës. Zejtarët shqiptarë punonin lëkurë të çdo lloji, me ngjyra të kuqe, të verdha, punonin meshinin e hollë të bardhë, saftjanin e butë, kajserin. Prodhimi i lëkurëve “kordovane” tërhiqte një numër tregtarësh të huaj. Saraçët punonin artikuj të ndryshëm, si shala, rripa, pajisje të ndryshme për popullsinë dhe ushtrinë. Gëzoftarët punonin qyrke të bukura me lëkurë kafshësh të buta e të egra.
Shtimi i nevojave të popullsisë e të ushtrisë për prodhimet metalike, si edhe ekzistenca e minierave të hekurit, plumbit, arit e argjendit në Kosovë ndihmuan në zhvillimin e metalurgjisë. Zejtarët prodhonin mjete dhe vegla të ndryshme pune, orendi shtëpiake prej hekuri, gozhdë, potkonj e sidomos armë. Në Kosovë prej kohësh ishte krijuar një kategori zanatçinjsh (mademxhinj) që merreshin me përpunimin dhe rafinimin e disa metaleve, veçanërisht të argjendit, të hekurit, të arit, të plumbit e të bakrit. Zejet për prodhimin e armëve morën një zhvillim në shek. XVIII në Prizren, Tetovë, Shkodër e në Elbasan.
Edhe zejet artistike, sikurse rrobaqepësia e qëndistaria e kostumeve të bukura e të pasura shqiptare, argjendaria e zbukurimi i armëve, drugdhendja etj., u zhvilluan si pasojë e kërkesave të aristokracisë feudale dhe të shtresës së pasur të tregtarëve e të zejtarëve, si edhe të popullit të thjeshtë. Por meqenëse këto prodhime, veçanërisht ato me vlerë madhe, shkonin për një pakicë banorësh, dhe si rrjedhim patën një qarkullim të kufizuar, zejet artistike mbetën në përgjithësi të kufizuara brenda secilit rreth. Një kufizim i tillë ndodhte edhe për shkak se në çdo qytet prodhohej sipas shijeve e zakoneve të veçanta të qytetit dhe të krahinave përreth.
Në degën e zejeve të thurjes zuri vendin e parë prodhimi i shajakut, i njohur jashtë vendit tonë, me emrin shajaku shqiptar (arnaut kebesi). Rritja e konkurrencës së prodhimeve tekstile e të tregut të jashtëm, që nga viti në vit depërtuan edhe në qytetet shqiptare, bëri që edhe zejtarët e shajakut të mbeteshin në numër të kufizuar. Zejtarët shqiptarë zhvillonin veprimtarinë edhe jashtë tokave shqiptare. Në shek. XVIII në Selanik gjendeshin rreth 4 000 zejtarë shqiptarë. Ndërtuesit shqiptarë, sikurse ata të ujësjellësve, çezmave, shatërvanëve e kalldrëmeve, ushtruan veprimtarinë e tyre në Stamboll e në qytetet e tjera të mëdha të perandorisë, ku mjeshtrit shqiptarë dalloheshin për cilësinë e lartë të punimeve të tyre. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:04 am | |
| Tregtia e brendshme dhe e jashtme
Qytetet ishin njëherazi qendra tregtare dhe zejtare. Qysh në shek. XVI pazari i Elbasanit (çarshi), i Shkodrës, i Prizrenit dhe i Beratit kishin nga 900 dyqane secili, kurse Shkupi numëronte 2 150 dyqane. Këto të dhëna tregojnë se Shqipëria kishte tregjet më të zhvilluara të Ballkanit. Bukureshti nuk kishte atëherë më tepër se 1 000 dyqane, ndërsa Plovdivi (Bullgari) 880 dyqane. Dyqanet ishin përqendruar në një lagje të vetme, duke formuar rrugica të ndara sipas zejeve. Shkodra në shek. XVII kishte 27 rrugica të tilla, si ajo e kazanxhinjve, kujunxhinjve, dyfekxhinjve etj. Prizreni kishte 24 sokakë (rrugica), Elbasani 30. Përveç zejtarëve, tregtarëve, pronarëve të dyqaneve, në qytete ishin edhe selitë e pronarëve të mëdhenj. Kështu Hysen Pasha kishte në Berat 100 dyqane. Në disa qytete, si në Prizren, Shkup, Manastir dhe në Elbasan u ngritën edhe pazaret e mbyllura (bezistene) për shitjen e mallrave të kushtueshme. Në shek. XVII-XVIII të tilla bezistene kishte në Kavajë, në Berat, në Shkodër e në Janinë.
Përveç dyqaneve e bezisteneve, në qytetet shqiptare ishin ngritur edhe tregjet e hapura javore për shitblerjen e prodhimeve bujqësore, blegtorale e zejtare. Madje në disa qytete kishte edhe sheshe për drithin, kafshët etj. Një rol të rëndësishëm në gjallërimin e ekonomisë monetare luajtën panairet lokale e krahinore, të organizuara me rastin e festave fetare. Nga panairet më të përmendura në Elbasan ishin ai i Shën Gjon Vladimirit (22 maj), i Shën Ilisë (20 korrik), i Shën Mërisë (15 gusht). Këto panaire zgjasnin disa ditë. Këtu vinin nga krahinat e Dibrës, Durrësit, Tiranës, Strugës dhe të Beratit. Panaire organizoheshin edhe në Strugë, në Peshkëpi të Gjirokastrës, në Prizren, në Korçë etj. Përveç panaireve të vendit, tregtarët shqiptarë merrnin pjesë në panairet e Bullgarisë dhe të Maqedonisë, si në Plovdiv, Xhumapazar, Serez, në panairet e Italisë etj.
Zhvillimi i tregut lokal rreth një qyteti dhe organizimi i panaireve ndikuan në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërkrahinore. Në shek. XVIII, si rrjedhojë e zhvillimit të përgjithshëm të zejtarisë e të bujqësisë, u rrit dhe tregu shqiptar. Me zhvillimin e qyteteve, mbi bazën e tregjeve të vogla lokale u krijuan disa tregje të mëdha ndërkrahinore. Më i rëndësishmi ishte ai me qendër Shkodrën, që përfshinte veprimtarinë tregtare të Pashallëkut të Shkodrës, të Kosovës dhe të krahinave më në veriperëndim të Shkodrës. Ky treg përshkohej nga një rrugë kryesore karvanesh që lidhte bregdetin shqiptar me Evropën Perëndimore dhe me zonat e brendshme të Ballkanit. Në Shqipërinë e Mesme, u krijua një treg tjetër ndërkrahinor përreth qytetit të Elbasanit. I vendosur mbi rrugën Egnatia, Elbasani tërhoqi rreth vetes tregtinë e Shqipërisë së Mesme. Elbasani siguronte gjithashtu lidhjen e Durrësit me pjesën e brendshme të Ballkanit. Në Shqipërinë e Jugut, me themelimin e Pashallëkut të Janinës, u krijua një treg tjetër i madh ndërkrahinor, që kishte si qendër në fillim Beratin e më vonë Janinën. Ky treg ndërkrahinor përfshinte Shqipërinë e Jugut (Epirin) dhe pjesërisht Thesalinë. Tregu ndërkrahinor më i fuqishmi i Shkodrës, arriti të shtrinte ndikimin e tij në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Jugut. Lidhjet ndërmjet tregjeve ndërkrahinore ishin të dobëta. Megjithatë, brenda tyre zhvillohej një veprimtari e gjallë ekonomike. Formimi i tri tregjeve ndërkrahinore shënonte një hap përpara në krijimin e premisave për ngritjen e një tregu gjithëshqiptar.
Gjallërimi i tregtisë së jashtme u ndihmua edhe nga përfundimi i traktatit të paqes midis Perandorisë Osmane e Venedikut më 1502 dhe nga lidhja e marrëveshjeve tregtare me Francën, Holandën, Anglinë (1535), që garantonin lirinë e lundrimit dhe të tregtisë në tokat osmane. Këto marrëveshje të quajtura “kapitulacione” kishin fuqi edhe për tokat shqiptare, ku lidhjet e rregullta ekonomike me vendet perëndimore ishin dobësuar së tepërmi. Qëllimi kryesor i marrëdhënieve ekonomike me Perëndimin ishte shitja e tepricave të prodhimeve bujqësore e blegtorale, të cilat nuk konsumoheshin në vend dhe as përpunoheshin. Kundrejt tyre bliheshin artikuj industrialë për prodhim e konsum, ndër të cilët një vend me rëndësi zinin artikujt e luksit, që i blinte kryesisht aristokracia.
Qytetet bregdetare shqiptare si Vlora dhe Shkodra u shpallën “porte të hapura”. Në qytetet shqiptare filluan të dukeshin tregtarë venedikas, raguzanë etj., që shisnin mallra të huaja, si pëlhurë, cohë, lëkurë të përpunuara etj., dhe blinin drithë, kripë, zift, lesh, lëkurë, dyllë, lëndë druri etj. Në vitin 1553 në Dalmaci, Venedik, Ankonë e në Spanjë u eksportuan 150 000 stara drithë. Venediku blinte nga Gryka e Drinit deri në 50 000 stara drithë. Edhe prodhimet shqiptare tërhoqën vëmendjen e tregtarëve të huaj venedikas, raguzanë e fiorentinas. Në këtë mënyrë filluan të plotësoheshin më mirë një varg kërkesash të aristokracisë me artikuj luksi. Vëllimi më i madh i tregtisë dhe i tranzitit në shek. XVI kryhej në skelat e Vlorës, Durrësit dhe të Lezhës. Tregtarët e huaj ose edhe ata vendas, sillnin mallra që shkëmbeheshin me monedha ari e argjendi dhe me prodhime bujqësore e blegtorale shqiptare. Mirëpo ky vëllim i rritur i importimeve nuk mund të konsumohej në vend. Prandaj, qysh në shek. XVII, tregtarët shqiptarë u drejtuan në brendi të Gadishullit Ballkanik. Këtu ata shisnin tepricën e mallrave të importuara, kundrejt të cilave blinin prodhime bujqësore e blegtorale si dhe prodhime zejtare që i shisnin në tregun perëndimor.
Bashkë me tregtarët shqiptarë, këtë veprimtari filluan ta kryenin edhe tregtarë të tjerë ballkanas. Në mbarim të shek. XVII në skelën e Durrësit, që ndërkohë ishte bërë skela kryesore e vendit, vepronin rreth njëqind tregtarë shqiptarë nga Shkodra, Elbasani, Voskopoja e Janina si dhe tregtarë të viseve fqinje nga Selaniku etj. Të gjithë këta tregtonin kryesisht me Venedikun. Nga gjysma e dytë e shek. XVII u rrit edhe tregtia tranzite, në të cilën, përveç Shkodrës e Vlorës, një rëndësi të dorës së parë po merrte Durrësi. Në tregtinë tranzite Durrësi po konkurronte me sukses me Selanikun dhe, pas Raguzës, zinte vend të rëndësishëm në tregtinë e bregut lindor të Adriatikut. Tregtarët vendas e të huaj kishin në këtë port magazinat e tyre, ku grumbullonin mallrat nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria e nga Serbia, të cilat i dërgonin në Venedik, Mesinë, Ankonë dhe në qytete të tjera të Italisë, ku kishin përfaqësuesit e tyre. Gjatë vitit 1699 u eksportuan nga Durrësi për në Venedik ndër të tjera 3 000 kv dyllë, 15 000 kv lesh të cilësisë së parë, përveç sasive të mëdha të lëkurave.
Tregtia e brendshme tranzite kryhej me karvane, të cilat ndiqnin rrugët e vjetra Shkodër-Prizren, Vlorë-Berat-Korçë, Durrës-Elbasan-Ohër etj. Në kapërcyellin e shek. XVII-XVIII prodhimet shqiptare dhe ato tranzite tërhoqën mjaft shtete evropiane, si Francën, Anglinë, Holandën. Franca themeloi zyra konsullore në Durrës (1699), në Janinë e në Artë (1701-1702). Në Shkodër, në Durrës e në Vlorë, pas paqes së Pozharevacit (1718), u krijuan agjenci konsullore të Anglisë, Holandës, Venedikut, Raguzës e të Austrisë. Në fillim të shek. XVIII eksporti shqiptar drejtohej në pjesën më të madhe në Venedik. Pas tij vinin Ankona, Raguza e Franca. Tregtarët më të njohur shqiptarë kishin organizuar një rrjet agjencish tregtare, si ai i vendeve kapitaliste. Ky rrjet shtrihej jo vetëm gjatë brigjeve të Adriatikut, por deri në Francë, Vjenë e në Budapest. Artikujt kryesorë të tregtisë shqiptare ishin leshi, dylli, lëkura e mëndafshi. Leshi shqiptar shkonte deri në Evropën Qendrore. Në vitin 1744 u dërguan 500 000 okë lesh në Lajpcig e në Hungari. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII në krye të qarkullimit tregtar shqiptar qëndronte Shkodra. Tregtarët shkodranë blinin në trevat e brendshme të Ballkanit sasira të mëdha leshi, lëkurësh, pambuku e mëndafshi. Rreth 150 anije ulqinake furnizonin në vitin 1755 Dalmacinë me drithë. Veç borgjezisë tregtare me tregti merreshin edhe familjet e mëdha çifligare. Eksportues i madh drithi ishte Ali pashë Tepelena. Ndërsa Bushatllinjtë në vitin 1767 eksportuan 17 000 fuçi vaji. Raporti midis eksportit dhe importit të kësaj periudhe tregon se Shqipëria kishte atëherë një bilanc aktiv në tregtinë e jashtme.
Ashtu si zejtarët, edhe tregtarët ishin organizuar në korporata të njohura si gilda. Qysh në shek. XVI u ngritën organizatat e para tregtare. Tregtarët ishin të dy llojeve: ata që qenë lidhur me tregun e brendshëm (bakenj) dhe ata që vepronin jashtë këtij tregu, si ambulantë ndërmjetës apo tregtarë të mëdhenj (tuxhar). Në shek. XVII-XVIII gildat morën trajtën e plotë si esnafet e zejtarëve. Në shek. XVII Berati kishte dy gilda të tilla, në Shkodër një shekull më vonë kishte një gildë të madhe, që drejtohej nga një këshill i përbërë prej 16 anëtarësh. Po kështu kishte gilda në Voskopojë, Vlorë, Prizren etj. Ato mbikëqyrnin çështjet tregtare dhe mbronin interesat e anëtarëve. Në tregun e brendshëm detyra kryesore ishte caktimi i çmimeve të artikujve ushqimorë sipas stinëve, ndalimi i kontrabandës, si dhe frenimi me çdo mënyrë i konkurrencës.
Në përputhje me strukturën ekonomike ndodhën ndryshime edhe në strukturën shoqërore të qyteteve. Zejtarët e tregtarët formonin një grup më vete. Ata përbëheshin nga disa kategori, si çirak, kallfë e mjeshtër. Më lart nga këta qëndronin anëtarët e llonxhave dhe të këshillave të gildave qytetare. Në shek. XVII nga ky grup u shkëput një shtresë e borgjezisë zejtare-tregtare, e cila filloi të organizohej jo mbi baza feudale, por kapitaliste. Ajo ishte e lidhur kryesisht me tregun e brendshëm e të jashtëm. Si rrjedhim i zhvillimit të tregtisë tranzite në radhët e saj u dallua shtresa e borgjezisë tregtare (reshpere) që ishte lidhur me tregun e jashtëm. Në krye të borgjezisë tregtare qëndronte ajo e Shkodrës.
Një kategori më vete përbënin klerikët myslimanë e të krishterë. Kategoria e klerikëve myslimanë niste me nxënësit e medreseve (softët), vazhdonte me hoxhallarët, myftinjtë, kadilerët deri te dijetarët e fesë islame (ulemat). Kategoria e klerikëve të krishterë niste me priftërinjtë e shërbyesit e thjeshtë të kishave dhe vazhdonte me peshkopët e kryepeshkopët. Një kategori tjetër përbënin banorët e qytetit që merreshin me bujqësi. Një shtresë të veçantë formonin pronarët e mëdhenj e të mesëm, të cilët ndonëse zotërimet i kishin në fshat, rronin në qytete. Së fundi, në qytete kishte njerëz të papunë, endacakë, hamej.
Çdo grup e shtresë kishte detyrime ndaj shtetit. Kështu, ata që merreshin me bujqësi shlyenin të dhjetën, salarien, taksat shtetërore. Zejtarët e tregtarët i shlyenin shtetit detyrimet e zakonshme e të jashtëzakonshme. Në disa raste banorëve të qyteteve u qenë falur detyrimet e jashtëzakonshme, por qenë ngarkuar me detyrime të tjera. Kështu popullsia myslimane e qyteteve Berat, Gjirokastër dhe Përmet ishte e ngarkuar të mbronte me armë kështjellën e Vlorës, të merrte pjesë në shtypjen e çdo kryengritjeje në Kurvelesh, si dhe të vilte taksat e kësaj krahine. Po kështu popullsia myslimane e katër lagjeve të qytetit të Elbasanit ishte ngarkuar të mbronte kështjellat e Durrësit dhe të Bashtovës.
Për mirëmbajtjen e kështjellave të Shkodrës, Lezhës, Podgoricës, Zhabjakut e Medunit, u përdor një numër qytetarësh së bashku me fshatarët që banonin përreth tyre. Për mirëmbajtjen e urës së Bahçallëkut në Shkodër u caktuan një varg qytetarësh, ashtu siç ishin caktuar fshatarë për t’u kujdesur për urat e lumenjve Cem e Moraça.
Në dokumentacionin e kohës evidencohen edhe disa shfaqje të kundërthënieve shoqërore në qytete. Të tilla ishin: ankimet në gjyq të mëditësve kundër mjeshtërve lidhur me pagën; protestat e esnafëve kundër grabitjeve nga sipërmarrësit, të cilët bashkëpunonin e binin në ujdi për veprime të tilla me funksionarët e tjerë të pushtetit, e kryesisht me kadilerët; protestat e përfaqësuesve të shtresave të ndryshme të popullsisë qytetare dërguar Portës së Lartë, kundër veprimeve arbitrare të sundimtarëve vendor, të cilët synonin të nxirrnin fitime të paligjshme në kurriz të qytetarëve prodhues; manifestimet e vegjëlisë së uritur kundër sundimtarëve, që nxirrnin në treg bereqetin e hambarëve të tyre në muajt e dimrit ose të pranverës, kur prodhimet në treg pakësoheshin, dhe e shisnin atë me çmime të larta. Po në këto akte shoqërore bënte pjesë edhe veprimtaria e reparteve të të rinjve të organizatave esnafore, të cilët u kundërviheshin akteve arbitrare në qytete dhe në treg, që shpeshherë merrte formën e qëndresës me armë. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:04 am | |
| K R E U II
JETA POLITIKE NË TROJET SHQIPTARE. KRYENGRITJET E ARMATOSURA (SHEK. XVI - MESI I SHEK. XVIII)
1. KRYENGRITJET E ARMATOSURA TË SHEK. XVI
Kryengritja e Himarës
Gjatë shek. XVI vatër e kryengritjeve u bënë veçanërisht tri krahina: Labëria, Dukagjini dhe Malësia e Madhe. Labëria u përfshi në sistemin e timarit gjatë periudhës midis viteve 1492-1506, por banorët e kësaj treve të gjerë e vazhduan qëndresën e tyre kundër këtij sistemi. Më 1507 fshatrat Veliqot, Dragot, Vasiar, Tatzat, Kudhës, Dhërmi, Kallarat etj., vazhdonin të mos paguanin xhizjen dhe me armë në dorë u kundërshtonin spahinjve. Në vitin 1537 fshatarësia labe organizoi një kryengritje të madhe që shqetësoi edhe sulltanin për shkak se, ashtu si më 1492, kjo u bë pengesë për zbatimin e planeve që po përgatiste Sulejmani II për të pushtuar Italinë. Nënshtrimi i Labërisë do të shërbente si bazë operacionesh për të kaluar në bregdetin perëndimor. Mirëpo qeveritarët e sanxhakut të Vlorës, me forcat e tyre ushtarake, nuk qenë në gjendje ta shtypnin kryengritjen. Ashtu si Bajazidi II, edhe sulltan Sulejman Ligjvënësi vendosi të bënte me këtë rast një rrugë e dy punë, të nënshtronte Labërinë, për të nxjerrë të gjitha detyrimet e prapambetura që nuk u ishin paguar spahinjve dhe shtetit, dhe pastaj të hidhej me flotën e tij në bregun tjetër të detit Adriatik. Për këtë qëllim, në pranverën e atij viti ai u nis në drejtim të Shqipërisë dhe në muajin korrik 1537 e vendosi kampin ushtarak në afërsitë e Vlorës. Në të njëjtën kohë arriti para bregdetit të Himarës edhe flota osmane.
Ardhja e ushtrisë perandorake në Shqipërinë Jugore u bë shkak që tërë krahina e Labërisë të ngrihej në luftë. Filluan sulmet kundër kampeve ushtarake osmane dhe karvaneve ushqimore. Për të shtypur kryengritjen sulltani ngarkoi Vezirin e Madh, Ajaz Pashën, me prejardhje nga Himara, i cili i njihte shtigjet e këtyre krahinave. Por nuk e pati të lehtë t’i shtypte kryengritësit shqiptarë. Pasi u qëndruan me trimëri sulmeve armike, kryengritësit me shkathtësi të madhe kaluan në kundërsulme të shpeshta.
Luftimet vazhduan gjatë verës së vitit 1537, por pushtuesit nuk mundën ta shtypnin kryengritjen. Gjatë këtyre sulmeve, një himariot i quajtur Damian hyri në kampin perandorak për të vrarë sulltanin, por nuk ia arriti qëllimit, sepse u kap nga rojet. Gjersa iu pre kryet, Damiani u qëndroi torturave dhe nuk u tregoi armiqve pozitat e bashkëluftëtarëve.
Sukseset e kryengritësve shqiptarë të korrura në këto luftime të pabarabarta, i dhanë kohë mbretit të Napolit për të organizuar mbrojtjen e vendit nga inkursionet e flotës osmane. Nga ana tjetër, ato e detyruan sulltanin të ndërpriste sulmet në bregdetin perëndimor dhe të hiqte dorë nga zbarkimi në Pulje. Kontributi i madh i shqiptarëve për mbrojtjen e Italisë prej një shkatërrimi të mundshëm osman, pasqyrohet qartë në dëshmitë e një relatori bashkëkohës, i cili shkruante: “Kur çdo gjë ... ishte gati për të kaluar në Pulje, ... shqiptarët, kryesisht himariotët, u shkaktuan ushtarëve të sulltanit pengesa e trazira të mëdha... Këta ... u bënë shkaku kryesor që shpëtoi Pulja, dhe ajo mbretëri (e Napolit) nga një rrënim i madh dhe nga zjarri që u rrinin mbi kokë”. Me këtë rast sulltani, me qëllim që të forconte sundimin e vet në krahinat e bregdetit shqiptar, vendosi të pushtonte ishullin e Korfuzit, që ishte nën pushtetin venedikas.
Edhe për pushtimin e Korfuzit shqiptarët u shkaktuan trupave të sulltanit pengesa të mëdha. Për një muaj të tërë ata nuk i lejuan forcat osmane të kalonin nga Vlora gjatë bregdetit të Himarës. Këto forca u detyruan të ndërronin drejtim dhe të ndiqnin rrugën Tepelenë-Gjirokastër-Delvinë gjersa dolën në bregdet përballë ishullit të Korfuzit. Kampi perandorak u vendos në Butrint. Lufta e kryengritësve labë u dha mundësi venedikasve të përforconin ndërkohë mbrojtjen e ishullit, prandaj edhe sulmi osman kundër Korfuzit dështoi.
Megjithëkëtë, sulltani nuk u largua pa bërë edhe një përpjekje për të nënshtruar krahinën kryengritëse të Kurveleshit. Për këtë qëllim ai urdhëroi të ndërtohej kështjella e Cerjes (në Mesaplik). Por në shtator, duke hequr dorë nga pushtimet e ëndërruara drejt Italisë dhe pa arritur ta nënshtronte plotësisht Labërinë, pasi i vuri zjarrin Butrintit, sulltani u largua nga bregdeti jugor shqiptar për në Stamboll. Ndërkohë qeveritarët lokalë, me ndihmën e forcave të pushtetit qendror, më së fundi arritën t’i nënshtronin, qoftë dhe përkohësisht, krahinat kryengritëse të Kurveleshit dhe të Himarës, por duke u njohur privilegjin e vetëqeverisjes. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:04 am | |
| 3. PASHALLËKU I JANINËS NË VITET 1787-1812
Lufta për pushtet në Shqipërinë Jugore
Ashtu si në Shqipërinë Veriore, edhe në atë Jugore, anarkia nxiti veprimtarinë politike të familjeve të vjetra feudale, të cilat ishin nga më të fuqishmet. Në sanxhakun e Vlorës familjet rivale për pushtetin lokal ishin ajo e pashallarëve të Vlorës dhe dega e tyre, familja e Velabishtajve, që ishte vendosur në fshatin Velabisht, afër Beratit. Që të dyja përpiqeshin të shtinin në dorë jo vetëm pushtetin e sanxhakut të Vlorës, por edhe atë të sanxhakut të Delvinës. Në gjysmën e parë të shek. XVIII më shpesh sunduan pashallarët e Vlorës, por, me lidhjet që krijoi Mahmud pashë Velabishti me feudalët e vegjël të Tepelenës, të Përmetit, të Skraparit etj., edhe ky nuk mbeti pa e marrë pushtetin kohë mbas kohe. Që nga viti 1751 e gjer nga vjeshta e vitit 1759 sanxhakun e Vlorës dhe, shpeshherë, edhe atë të Delvinës, i qeverisi i biri i Mahmud pashë Velabishtit, Ismail Pasha, i cili përkrahej nga një shtëpi tjetër feudale, ajo e Ngurzajve, përfaqësuesit e së cilës ishin nga ajanët kryesorë në Myzeqe. Në vitin 1754 Porta i dha Ismail Pashës gradën e vezirit bashkë me qeverisjen e sanxhakut të Ohrit dhe me komandën e derbendëve. Ajo synonte që, duke bashkuar nën urdhrat e tij sa më shumë forca feudale vendase, të nënshtronte popullsinë e Shqipërisë Jugore, dhe kështu të mund të kryhej vjelja e taksave shtetërore, sepse banorët e disa zonave malore kishin vite të tëra pa paguar taksat.
Ismail Pasha, sikurse edhe i ati, përveç lidhjeve me feudalët beratas e myzeqarë, ruajti edhe lidhjet që vazhdimisht kishte pasur familja e tij me feudalët e vegjël të zonave malore, shumica e të cilëve komandonte reparte ushtarësh me rrogë, aq të nevojshëm për të ruajtur grykat dhe rrugët.
Më 1758 sulltani urdhëroi vezirin e Beratit të nisej vetë në krye të një ekspedite për të vjelë taksat në sanxhakët e Vlorës dhe të Delvinës dhe “për të nënshtruar rebelët, duke vendosur kështu rendin e qetësinë”, por në të njëjtën kohë, kinse për t’i lënë vezirit duart e lira, e shkarkoi atë nga komanda e derbendëve, që e bënte shumë të fuqishëm dhe të rrezikshëm. Meqë ky urdhër çonte në shkatërrimin e mbështetjes së vezirit të Beratit në zonat malore të dy sanxhakëve dhe u jepte dorë Vlorajve që të bënin për vete malësorët derbendxhinj, Ismail Pasha nuk iu bind atij. Valiu i Rumelisë, më 1759, dërgoi kundër tij zëvendësin e vet. Atëherë Ismail Pasha u arratis bashkë me tre besnikë, ndër të cilët ishte i kunati, Ahmet Kurt beu i Ngurzajve.
Meqenëse familja e Vlorajve e përfaqësuesit e Stambollit nuk gjenin mbështetje nga ajanët vendas, Porta e Lartë u detyrua ta falte Ismail Pashën në vjeshtën e vitit 1761 dhe t’i njihte atij privilegjet që gëzonte dy vjet më parë. Edhe ky, meqë nuk ishte në gjendje t’u imponohej feudalëve beratas e myzeqarë, e pranoi faljen. Por Ismail Pasha nuk e la pa shfrytëzuar këtë dobësi të pushtetit qendror për të nënshtruar krahinën e Vlorës bashkë me pinjollët e familjes së Vlorajve, që ishin të mitur dhe nën tutelën e nënës së tyre, të vesë së Kapllan pashë Vlorës, kushëririt të tij. Në fillim të gushtit, Ismail Pasha u nis nga Berati me forcat e veta dhe hyri në qytetin e Vlorës pa luftë. Për t’ia arritur qëllimit, kërkoi dorën e vejushës së të kushëririt. Kjo e la me shpresën se pranonte të martohej me të, por ndërkohë përgatiti kurthin për ta vrarë. Kështu Ismail Pasha u rrethua prej forcave të saj në shtëpinë ku u vendos dhe, në luftim e sipër, u vra.
Vezir Ismail pashë Velabishtin e zëvendësoi i kunati, Ahmet Kurt pasha, që qeverisi sanxhakun për njëzet vjet rresht. Duke ruajtur pushtetin e vet, ky feudal ndoqi në përgjithësi një politikë bindjeje ndaj Stambollit dhe një politikë paqësore me oxhakun e Vlorajve. Ahmet Kurt pasha si derbend-pashë mbrojti interesat e feudalëve çifligarë dhe ndoqi pa mëshirë feudalët e vegjël, si dhe lëvizjet e tyre rebele kundër qyteteve, mukatave dhe pronave të çifligarëve të mëdhenj. Një nga viktimat e sulmeve grabitqare të tyre, gjatë luftës ruso-turke të viteve 1768-1774, u bë qyteti tregtar i Voskopojës.
Edhe në sanxhakët e Delvinës e të Janinës u zhvillua një luftë e gjatë dhe e ashpër për pushtet midis familjeve të mëdha vendase, e cila e futi Shqipërinë Jugore në një anarki të rëndë me rrjedhoja shkatërrimtare, veçanërisht për zhvillimin ekonomik. Kjo gjendje u dha mundësi disa familjeve më të vogla feudale të përfitonin për t’u fuqizuar dhe, duke marrë pjesë në grupet rivale, të krijonin tarafet e veta dhe të pretendonin për marrjen e pushtetit krahinor në duart e tyre. Një nga këto familje u bë ajo e Hysove të Tepelenës, e cila i përkiste shtresës së komandantëve ushtarakë apo të bylykbashëve, d.m.th. shtresës së atyre shtëpive feudale të zonave malore që nuk kishin prona të shumta tokësore. Këto mbaheshin e pasuroheshin kryesisht duke pajtuar e drejtuar njerëz me rrogë në shërbim të forcave të armatosura perandorake dhe të qeveritarëve të sanxhakëve brenda apo jashtë Shqipërisë, ose duke marrë nën mbrojtje fshatra e krahina kundrejt shpërblimesh.
Ndryshe nga ç’pretendohet në disa gojëdhëna që i paraqisin me prejardhje anadollake, meqenëse i pari i tyre paska qenë një dervish i arratisur për krime nga rajoni i Anadollit, Hysot vinin nga një shtëpi e vjetër labe, të parët e së cilës kishin qenë të krishterë, por që u islamizuan pas pushtimit osman. Me rrënjë të vjetra në krahinën e Tepelenës, Hysot u dalluan si shtëpi bylykbashësh në fundin e shek. XVII, pikërisht kur Perandoria Osmane filloi të mbushte radhët e forcave të armatosura të saj me ushtarë me pagesë. Përfaqësuesi i saj në mbarim të shek. XVII deri në mesin e dhjetëvjetorit të dytë të shek. XVIII ishte Mustafa agë Hysoja ose Muço Hysoja. Në dokumentacionin e kohës ai përmendet herë si çaush jeniçerësh e herë si dizdar i kështjellës së Tepelenës, por kryesisht përmendet si një aga i pasur e i fuqishëm që ndiqej prej disa qindra trimash luftëtarë. Ai njihej gjithashtu si rebel dhe si një nga krerët e kryengritjes së Labërisë në vitet 1704-1714 për të mos paguar xhizjen, ndërsa djemtë e tij dalin si sipërmarrës të kësaj takse të rëndësishme shtetërore në krahinën e Myzeqesë dhe të Mallakastrës, të cilën mund ta vilnin, sidomos në periudhën e anarkisë feudale, vetëm feudalët më të fuqishëm. Muço Hysoja ishte një nga krerët labë më në zë dhe shtëpia e tij, njëra nga më të shquarat e Labërisë, që kishte filluar të ngjiste shkallët e hierarkisë së lartë administrative dhe të rivalizonte me oxhaqet kryesore të Shqipërisë Jugore në luftën për pushtetin politik.
Pjesëmarrja e Myftar bej Hysos si komandant ushtarak me rrogë në luftën veneto-osmane të viteve 1714-1718 dhe vrasja e tij në rrethimin e kështjellës së Korfuzit në vitin 1716 e rritën rolin e të birit, Veli Beut, si pretendent për kreun e sanxhakut të Delvinës. Ky pinjoll i Hysove, që kishte hyrë dhëndër në oxhakun e Mahmud pashë Konicës, arriti të ngrihej në radhët e mirmiranëve dhe në mesin e shek. XVIII u emërua qeveritar i sanxhakut të Delvinës me gradën pashë. Por grindjet për pushtet vijuan dhe u acaruan më tej, prandaj Veli pashë Hysoja nuk qëndroi gjatë në pushtet. Pas vdekjes së tij, rivalët mundën të kapnin edhe të venë e tij që e burgosën për disa muaj në qytetin e fortifikuar të Kardhiqit, për ta liruar pastaj kundrejt një shpërblimi e garancish të miqve të shtëpisë së Hysove. Sidoqoftë kjo shtëpi tashmë ishte në radhët e oxhaqeve shqiptare. Nën drejtimin e Ali Beut, djalit të Veli Pashës, ajo do të bëhej shtëpia më e fuqishme e Shqipërisë Jugore dhe e gjithë Shqipërisë.
Stërnipi i Muço Hysos dhe djali i Veli Pashës, Ali Beu, nuk e filloi karrierën e tij si hajdut rrugësh, sikurse mëtohet në gojëdhënat që janë pasqyruar në shumicën e literaturës së shkruar për jetën e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), e sidomos për dyzetë vitet e para të jetës së tij. Përkundrazi, ai u rrit e u edukua si të gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ali Beu u arsimua si një bir pashai dhe, duke u ndihmuar nga të afërmit dhe sidomos nga miqtë e shtëpisë së vet, që e kishin lidhur të ardhmen e tyre me atë të kësaj shtëpie të dëgjuar, u vu shpejt në krye të formacioneve ushtarake me pagesë të krahinës së vet aq të kërkuara nga qeveritarët e ndryshëm të sanxhakëve e sidomos nga valiu i Rumelisë. Si i tillë, ai u lidh me krushqi dyfishe me oxhakun feudal të Asllanpashallive të Gjirokastrës më 1768 dhe u bë një nga prijësit ushtarakë më të dëgjuar. Pa arritur moshën 40 vjeç, ai fitoi më 1784 gradën pashë në rreshtat e ushtrisë perandorake të Rumelisë. Po atë vit, për shkak se Selim pashë Koka kishte uzurpuar pushtetin e sanxhakut të Delvinës duke vrarë tre vjet më parë Mustafa Pashën e Delvinës, Porta e Lartë e emëroi mytesarif të këtij sanxhaku.
Me këtë rast ai u urdhërua nga sulltani që, pasi të shtinte në dorë pushtetin, të ndëshkonte me vdekje fermanliun Selim pashë Kokën e përkrahësit e tij kryesorë dhe të vilte me forcë xhizjen e papaguar nga krahinat malore. Në krye të një fuqie ushtarake të madhe, me luftë dhe aspak me pabesi, pashai i ri zbatoi urdhrat e Portës së Lartë dhe në fundin e vitit 1784 mori në dorë pushtetin e sanxhakut të Delvinës. Pas të atit ai u bë pashai i dytë i familjes së Hysove që qeverisi këtë sanxhak. Edhe Aliu, që i përkrahu djemtë e Selim Pashës, nuk lejoi t’u konfiskoheshin çifligjet dhe nuk i arrestoi e i burgosi ata, siç pretendojnë, pa asnjë bazë, gojëdhënat, nuk u kufizua vetëm me sundimin në këtë sanxhak. Të ardhurat e atij sanxhaku të vogël nuk mjaftonin për të përballuar shpenzimet e ushtrisë së tij mjaft të madhe, prandaj Aliu synonte të shtinte në dorë sanxhakët më të rëndësishëm. Qysh në fillim të vitit 1785 kërkoi qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës ose atë të Janinës. Më 1786 atij iu dha qeverisja e sanxhakut të Tërhallës dhe detyra e zëvendëskomandantit të derbendëve, kurse në mars të vitit 1787, kur vezir Ahmet Kurt pasha i Beratit vdiq i helmuar si aleat i Mahmud pashë Bushatlliut, atij iu besua detyra e komandantit të derbendëve.
As i biri i vezirit të helmuar, Mehmet Pasha i Ngurzajve, dhe as kunati i këtij, Ibrahim Pasha i Vlorajve, që hynë në grindje midis tyre për punën e trashëgimit të pushtetit në sanxhakun e Vlorës, nuk ishin në gjendje të kryenin atë detyrë. Por Ibrahim Pasha, i cili arriti të merrte pushtetin në Berat, nuk mungoi ta kërkonte postin e derbend-pashës dhe të rivalizonte me Ali Pashën për një kohë të gjatë.
Duke përfituar nga mungesa e mytesarifit të sanxhakut të Janinës, Alizoi Pashës, që ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte dërguar në frontin e luftës me Rusinë, pasi u mor vesh me Tahir Pashën e Asllanpashallive (që i kishte dhënë Aliut vajzën e vet për grua të dytë) dhe, duke pasur përkrahjen e shtresave të pasura të qytetit e të rrethit të Janinës që shihnin tek ai të vetmin qeveritar, që mund të vendoste e të ruante qetësinë, ashtu siç kishte bërë në Thesali, Ali Pasha i Tepelenës hyri në Janinë dhe vendosi sundimin e vet në fund të vitit 1787. Ai e vlerësonte drejt Janinën kur e quante “kyç të Shqipërisë”. Janina prej kohësh priste një qeveritar si ai për t’u bërë me të vërtetë kyç jo vetëm nga pikëpamja strategjike e administrative, por edhe nga ana ekonomike, duke u shndërruar në qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:05 am | |
| Janina, qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore
Qyteti i Janinës ishte vendosur në krye të një fushe pjellore, e përmendur si e tillë qysh në antikitet dhe anash një liqeni të pasur me peshk. E mbrojtur prapa e anash prej malesh të larta, në afërsi të detit Jon dhe duke qenë nyje e gjashtë rrugëve tregtare që e lidhnin jo vetëm me qytetet e tjera të Shqipërisë, por edhe me Maqedoninë e Greqinë, ajo i kishte të gjitha kushtet e duhura gjeografike dhe ekonomike për t’u bërë një qendër shumë e rëndësishme administrative dhe ekonomike.
Zejtaria dhe tregtia e Janinës, të ushqyera gjithnjë e më mirë me lëndë të para bujqësore e blegtorale nga tepricat e fshatarësisë si dhe nga të ardhurat e pronarëve çifligarë, u gjallëruan pa ndërprerje aq sa në gjysmën e dytë të shek. XVII udhëtarët evropianë e quajtën atë “qytet i pasur e tregtar”. Por në kushtet e anarkisë feudale që mbuloi gjithë Shqipërinë Jugore, sidomos gjatë shek. XVIII, ritmet e zhvillimit të qytetit të Janinës u ngadalësuan. Megjithëse me shumë vështirësi e pengesa, ekonomia e këtij qyteti i ruajti lidhjet e veta me tregjet e panairet e brendshme dhe të jashtme, prapëseprapë kapitali tregtar janinot nuk gjente kushte të merrte frymë lirisht për të luajtur rolin e një qendre tregtare ndërkrahinore, sikurse qyteti i Shkodrës në Shqipërinë Veriore. Ndryshe nga Shkodra, Janina nuk kishte një pushtet të fortë që t’i vinte fre anarkisë feudale dhe i mungonte bregdeti me qytete-skela për të forcuar e zgjeruar si lidhjet e brendshme, ashtu dhe ato të jashtme. Dalja në det me anë të skelës së Salahorës në Gjirin e Artës ishte krejt e pamjaftueshme. Zotërimet venedikase, ku gjendeshin portet e Vonicës, Prevezës, Pargës etj., dhe politika monopoliste tregtare e lundruese e sundimtarëve të tyre ishin me të vërtetë pengesa serioze që i zinin frymën. Mallrat, që tregtarët vendas grumbullonin sidomos në trevat e Janinës e të Artës si dhe tepricat e atyre që sillnin nga Thesalia ose krahinat e tjera të Rumelisë, nuk mund t’i shisnin drejtpërdrejt në ishullin e madh të Korfuzit e në ishujt e tjerë. Venedikasit nuk lejonin anije të huaja e, rrjedhimisht, edhe tregtarë të huaj të hynin në skelat e tyre të bregdetit Jon, me qëllim që të zbatonin deri në fund politikën e vartësisë ekonomike të këtyre ishujve nga tregtia e lundrimi venedikas. Kështu tregtarët janinotë ose të qyteteve të tjera detyroheshin që mallrat e tyre t’i shpinin e t’i shisnin në portet venedikase të bregdetit ku gjenin vetëm tregtarë e lundërtarë venedikas. Mallrat që grumbullonin në pazaret e panairet e sanxhakëve fqinjë, veçanërisht në atë të Magarës, të Larisës e të Mavronorosit, ata detyroheshin t’i shpinin në portin e Selanikut meqenëse aty, edhe pse kishin të bënin kryesisht me tregtarët e lundërtarët venedikas që luanin rolin kryesor në jetën ekonomike të portit, gjenin kushte më të favorshme për shitblerje e për transport, por edhe anije e tregtarë të tjerë të huaj. Edhe për të blerë mallra industriale, tregtarët vendas detyroheshin të plotësonin kërkesat e veta kryesisht në pjacën e Venedikut, megjithëse e dinin që aty këto mallra u shiteshin me çmime më të larta se në pjacat e tjera të Adriatikut. Prandaj janinotët e sidomos shtresat e pasura të tyre i kishin sytë nga bregdeti dhe prisnin që gjendja e tij të ndryshonte dhe të merrte fund politika e venedikasve.
Pengesë tjetër që rrezikonte jetën dhe kapitalin ose që kapërcehej me shpenzime të rënda ishte pasiguria e rrugëve të karvanëve, që vinin nga tregjet e sanxhakëve fqinjë dhe sidomos nga ata të Delvinës e të Vlorës. Çetat grabitqare të himariotëve dhe sidomos ato të feudalëve labë e çamë dëmtonin shpesh qarkullimin e mallrave dhe nuk lejonin forcimin e lidhjeve ekonomike të qytetit të Janinës me Gjirokastrën, Delvinën, Paramithinë, Margëllëçin etj. Por jo më pak dëm bënin edhe çetat grabitqare të suliotëve në rrugët e tjera tregtare që vinin nga Thesalia, Akarnania etj. Anarkia feudale që ishte bërë plagë e rëndë për të gjithë vendin, duhej frenuar si një nevojë e domosdoshme për zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor.
Ardhja e Ali pashë Tepelenës në krye të sanxhakut të Janinës (1787) shqetësoi jo vetëm feudalët e vegjël, të cilët ose iu nënshtruan ose u arratisën, por edhe qeveritarët fqinjë dhe kapedanët e malësive të vetëqeverisura. Këta shihnin tek ai njeriun e fortë dhe të etur për pasuri e pushtet, i cili, duke pasur funksionin e derbend-pashës, do të orvatej të shtrinte autoritetin e tij mbi sanxhakët e tyre dhe do t’u vinte fre veprimeve anarkiste, së pari në sanxhakun e Janinës e pastaj edhe në të tjerët. Edhe autoritetet venedikase nuk u shqetësuan më pak, duke parë tek ai mbrojtësin e interesave ekonomikë të vendit në dëm të tregtarëve e të lundërtarëve venedikas, sikurse kishin bërë e po bënin qeveritarët e fuqishëm të Shkodrës. Alarmin e parë tek ata e dhanë zënia prej tij e sipërmarrjes së të ardhurave të Artës e të doganës së Salagorës, si dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar fortifikime në këtë skelë që të mbroheshin anijet osmane kundër orvatjeve të vazhdueshme të atyre venedikase, të cilat vepronin lirisht në Gjirin e Artës. Duke mos dashur të kishin një sundimtar të fuqishëm, i cili pa ardhur mirë në fuqi i hodhi sytë drejt bregdetit, diplomatët venedikas u përpoqën ta luftonin si brenda vendit, duke nxitur kapedanët suliotë e feudalët çamë të vijonin veprimet e tyre grabitqare e kundërshtimet ndaj tij, si dhe besëlidhjet e qeveritarëve fqinjë kundër tij. Venedikasit ndërhynë gjithashtu pranë Portës së Lartë, duke e paraqitur veprimtarinë e Ali Pashës për të vendosur rregullin e qetësinë tepër të rrezikshme për pushtetin qendror të sulltanit. Përveç kësaj, me qëllim që të mënjanonin kërcënimin që mund t’u bënte Aliu nga toka, ata arritën të përfundonin me Portën e Lartë një marrëveshje, e cila ndalonte kalimin e anijeve luftarake në ngushticën e Korfuzit pa lejën e tyre si dhe ndërtimin e fortifikimeve ushtarake në afërsi të zotërimeve venedikase.
Vështirësitë që i krijuan Ali Pashës kundërshtarët vendas e të huaj të cilët u lidhën kundër tij, u kapërcyen pas përpjekjeve që vazhduan për një kohë mjaft të gjatë. Ali Pasha qysh në vitet e para vendosi autoritetin e vet në rrugët që lidhnin Janinën me Artën e Manastirin përveç atyre me Thesalinë; por atij iu deshën dhjetë vjet që të vendoste lidhjet me një pjesë të qyteteve të sanxhakut të Delvinës ose të shtinte në dorë bregdetin nga Butrinti në Prevezë, përveç qytetit të Pargës, që kaloi në duart e francezëve e pastaj të rusëve. Për të siguruar kalimin e qetë të karvaneve në zonën lindore e juglindore të sanxhakut të Janinës, ku vepronin çetat suliote, atij iu deshën plot gjashtëmbëdhjetë vjet luftë, kurse për të vendosur sundimin e plotë mbi sanxhakun e Delvinës e të Vlorës iu deshën rreth njëzet e pesë vjet. Sidoqoftë, me këmbënguljen e tij të jashtëzakonshme dhe duke përfituar me zgjuarsi nga rrethanat politike të brendshme e të jashtme, Ali Pasha mundi t’ia arrinte qëllimit të vet, t’i jepte thuajse fund anarkisë dhe të vendoste sundimin e tij mbi bregdetin shqiptar, nga gryka e Shkumbinit deri në Gjirin e Prevezës.
Në këtë mënyrë tregtisë së jashtme të Pashallëkut të Janinës iu krijuan mundësitë e nevojshme që të lidhej me skelat mesdhetare evropiane të Lindjes. Kështu drithërave, mishit, lëkurëve, leshit, serës e prodhimeve të tjera vendase dhe atyre të sjella nga sanxhakët fqinjë e nga pjesa e brendshme e Rumelisë, iu sigurua qarkullimi më i qetë nëpër rrugët tokësore, iu krijua mundësia të vinin në skelat bregdetare të pashallëkut; prej këtej ato niseshin me anije ulqinake e hidriote, si dhe me ato të flotës tregtare të Ali Pashës në drejtim të ishujve Jonianë, të Stambollit e të Aleksandrisë dhe sidomos në drejtim të Maltës, të Venedikut, të Ankonës, të Triestes, të Raguzës etj. Nga këto vende sillnin prodhime industriale e koloniale që mbërrinin në depot e tregtarëve janinjotë në Prevezë, Gumenicë, Salshorë e sidomos në Artë e Janinë, prej nga shpërndaheshin në qytetet e tjera të pashallëkut ose edhe të Rumelisë. Në tregun e Janinës dhe dy herë në vit në panairin e Bonilas, një milje larg saj, përveç shqiptarëve, vinin për shitblerje edhe tregtarë të kombësive të ndryshme, madje edhe ata që më parë frekuentonin Beratin e Manastirin. Kështu, duke u shndërruar në një qytet zejtar e sidomos tregtar të dorës së parë si dhe në një qendër administrative të një pashallëku të madh, Janina u bë qendra e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore, si edhe të krahinave fqinje. U rrit dhe u fuqizua borgjezia tregtare, veçanërisht në këtë qytet, si dhe në qytetet e tjera që përfshiheshin në radhë të parë në rrezet e kapitalit janinjot. Por, pjesa dërrmuese e kapitalit tregtar gjatë sundimit të Ali Pashës gjendej në duart e pronarëve të mëdhenj të tokës e të bagëtive; edhe mjetet kryesore të qarkullimit i përkisnin po shtresës feudale (një pjesë e së cilës merrte pjesë në veprimtarinë ekonomike me anë të kreditit e të ortakërisë). Në këto rrethana, borgjezia tregtare ishte në përgjithësi e varur ekonomikisht prej tyre. Vetëm ata janinjotë që u vendosën në Lajpcig, në Vjenë, në Bukuresht, në Moskë e gjetiu u shkëputën nga kjo vartësi.
Rrjedhojat e pasurimit të dy shtresave të pasura shoqërore u dukën në qytetin e Janinës si dhe në qytetet e tjera sidomos në ndërtimet publike me karakter urban dhe ekonomik, si dhe në ndërtimet private. Rrugët u mbushën me ura e hane që shprehnin gjallërinë e lidhjeve ekonomike me Janinën. Hani i Luros i gjerë, i lartë e i madh sa një pallat në rrugën Prevezë-Janinë u ndërtua nga Ali Pasha, i cili po në këtë rrugë ndërmori edhe gërmimin e kanalit lundrues të Strevinës që afroi tregtinë detare me Janinën. Në rrugën Tepelenë-Janinë ai ndërtoi edhe urën e madhe të Tepelenës mbi lumin Vjosë. Në qytetin e Gjirokastrës ndërtoi ujësjellësin, kurse në Janinë sarajet madhështore të tij e të bijve të tij, dhe në një varg qytetesh ose çifligjesh vila të bukura e komode ku pushonte sa herë largohej nga Janina. Por edhe përfaqësues të tjerë të shtresave të pasura, në një mënyrë ose në një tjetër, arritën të plotësonin nevojat komunale të qytetit të tyre, shtruan me kalldrëm copa rrugësh, ndërtuan çezma etj. Megjithëse Janina u bë qyteti, ku për herë të parë u zbatua vaksinimi, u luajtën aty-këtu pjesë teatrale dhe u organizuan biseda sallonesh me karakter kulturor, prapëseprapë ajo ruajti pamjen orientale në arkitekturën e ndërtimit dhe të urbanizimit. Sidoqoftë, Janina u bë një qytet i gjallë që gumëzhinte nga veprimtaria ekonomike dhe ajo administrative e aparatit të sundimtarit energjik të saj, nën qeverisjen e të cilit arriti kulmin e zhvillimit të vet edhe nga pikëpamja demografike.
Disa nga dëshmitarët e kohës e çonin numrin e banorëve të kryeqytetit të pashallëkut të Shqipërisë Jugore deri më 50 000 frymë, por të tjerë që përbënin shumicën, midis të cilëve edhe ata që jetuan aty disa vjet me radhë, pohonin se Janina nuk mund të kishte më shumë se 35-36 000 banorë, nga të cilët vetëm 25-28 000 ishin të qëndrueshëm. Nga këta 2/3 ishin të krishterë kurse 1/3 myslimanë. Të krishterët i përkisnin kombësisë shqiptare, vllahe, greke etj., kurse myslimanët thuajse të gjithë ishin shqiptarë. Midis banorëve të qëndrueshëm nja 400 familje ishin hebrenj. Banorët e përkohshëm të Janinës përbëheshin në radhë të parë nga ushtarët shqiptarë në shërbim të Ali Pashës, nga pengjet e ndryshme të krahinave, nga tregtarët klientë dhe nga të huajtë kalimtarë. Fakti që elementi shqiptar mbante pozitat drejtuese administrative dhe ushtarake dhe kishte epërsi si numër banorësh, të qëndrueshëm e të përkohshëm, i jepte Janinës më shumë pamjen e një qyteti shqiptar se sa të përzier. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:05 am | |
| Formimi i Pashallëkut të Janinës (1787)
Në mbarim të vitit 1787, kur Ali pashë Tepelena vuri në dorë sundimin e Janinës, në Shkodër kishte dështuar ekspedita e parë ndëshkimore kundër Kara Mahmud Pashës. Po në këtë kohë ose më saktë në fillim të vitit 1788 hyri në luftë kundër Perandorisë Osmane edhe Austria. E gjetur në luftë me Rusinë dhe me Austrinë, Porta e Lartë e miratoi shtrirjen e qeverisjes të Aliut në sanxhakun e Janinës, jo vetëm pse kishte nevojë të madhe për forcat e tij luftarake, por edhe pse me këtë veprim ajo synonte që të pengonte mundësinë e marrëveshjes së dy pashallarëve të fuqishëm shqiptarë, të cilët dy vjet më parë kishin qenë aleatë, dhe të ndalonte kalimin e tyre në anën e Fuqive të Mëdha.
Shtrirja e pushtetit të Ali pashë Tepelenës edhe në sanxhakun e Janinës, ose përqendrimi i qeverisjes së sanxhakëve të Tërhallës e të Janinës në një dorë të vetme, krijoi bërthamën e Pashallëkut të Janinës (1787). Ky përqendrim i dha dorë parisë feudale shqiptare të bëhej klasë sunduese edhe nga pikëpamja ekonomike, duke u shndërruar pronare e pjesës më të madhe e më të rëndësishme të kullotave, të pyjeve dhe të tokës së punueshme të këtyre dy sanxhakëve. Kështu u krijua baza nga e cila kjo pari, nën drejtimin e Ali Pashës, mundi të shtrinte pushtetin e vet mbi të gjitha trojet e Shqipërisë Jugore. Ndërsa pas nënshkrimit të traktatit të paqes së Kyçyk Kajnarxhisë, më 1774, besimi i çifligarëve shqiptarë te qëndrueshmëria e Perandorisë Osmane vetëm sa kishte filluar të tronditej, pas 15 vjetësh, kur ajo kishte hyrë në luftë kundër dy perandorive më të fuqishme evropiane, që synonin ta copëtonin, mosbesimi u rrit bashkë me theksimin e rrezikut të shembjes së saj të afërme.
Ashtu si pjesa kryesore e ajanëve shkodranë, përkrahës të vezirit Bushatlli, edhe shumica e ajanëve të Shqipërisë Jugore, mbi të cilët mbështetej Ali pashë Tepelena, kujtonin se lufta e Rusisë dhe e Austrisë kundër Perandorisë Osmane do të sillte ndryshime të rëndësishme politike në pjesën evropiane të kësaj perandorie të kalbur nga brenda. Duke menduar për të ardhmen e tyre, por në të njëjtën kohë edhe për fatin e vendit ku sundonin, krerët e parisë shqiptare synonin që, pas dëbimit të osmanëve, të ruanin pushtetin në atë pashallëk ku kishin pronat e tyre. Në përshtatje me këto interesa jetike u rrit në radhë të parë bashkimi i shtresës së çifligarëve rreth Aliut, i cili përcaktoi, sipas rrethanave, vijat e politikës së pashallëkut të ri.
Në politikën e brendshme Ali Pasha veproi me shkathtësi të madhe, për të mos i lejuar familjet e vjetra feudale, të cilat kishin qenë mbështetja kryesore e Portës së Lartë, të bashkoheshin kundër tij. Prandaj, ai i goditi me shpejtësi duke shkatërruar jo vetëm pushtetin e tyre politik, por edhe atë ekonomik. Për të krijuar një bazë sa më të gjerë e më të shëndoshë shoqërore, Ali Pasha siguroi mbështetjen e familjeve të vjetra kundërshtare që sundonin në sanxhakun e Janinës, duke u dhënë atyre jo vetëm ofiqe në administratë e në ushtri, por edhe prona e pasuri të konfiskuara të feudalëve të vrarë, të kapur apo të arratisur. Në këtë mënyrë, bashkëluftëtarët e vjetër dhe të rinj të pashait tepelenas, sikurse edhe vetë ai, e rritën pasurinë e tyre dhe nuk mbetën rrogëtarë apo shërbëtorë të tij, siç pretendohet në ndonjë studim pa asnjë mbështetje dokumentare. Për më tepër, kjo shtresë e re sunduese, e përbërë thuajse tërësisht nga shqiptarë, duke përdorur të gjitha format, e shpejtoi ritmin e procesit të çifligimit dhe e shtoi numrin e çifligjeve që kishte në zotërim. Vetë Ali Pasha u bë çifligari më i madh. Ndryshe nga ajanët me origjinë feudale-ushtarake të shtresave të larta dhe nga ata që më parë u pasuruan, e pastaj vunë në dorë pushtetin, paria sunduese e sanxhakëve të Janinës dhe të Tërhallës me Ali Pashën në krye e shumëfishoi pasurinë pasi mori pushtetin në duart e veta.
Mirëpo ekonomia çifligare lidhej ngushtë me ekonominë qytetare. Edhe Ali pashë Tepelena, ashtu si Mahmud pasha i Shkodrës, ishte i interesuar për një zhvillim të shpejtë të ekonomisë qytetare që përbënte një burim tjetër të madh pasurimi. Prandaj ai e përdori pushtetin politik në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit. Pasi zhduku një numër familjesh të mëdha feudale, ai shpartalloi, dëboi jashtë kufijve ose i nënshtroi duke i futur në shërbimin e tij thuajse të gjitha bandat, që mbillnin pasigurinë ndër banorët ose që pengonin me grabitjet e tyre qarkullimin e lirë të mallrave. Me përjashtim të viseve përreth malësisë së Sulit, ku kohë më kohë sulmonin çetat e suliotëve, thuajse kudo në pashallëk u vendos qetësia. Pa cenuar privilegjet e parisë sunduese vendase, por edhe pa i lejuar asaj të kryente veprime arbitrare, Ali Pasha tregoi kujdes të veçantë për mbrojtjen e jetës dhe të pronës së shtresës së pasur zejtare e tregtare, pa bërë dallim nëse i përkiste kombësisë shqiptare apo greke dhe nëse ishte myslimane, hebraike apo e krishterë. Kështu ai siguroi përkrahjen e kësaj shtrese.
Në të njëjtën kohë, për të tërhequr pas vetes popullsinë e besimeve të ndryshme të pashallëkut, Ali Pasha lejoi ushtrimin e lirë të veprimtarisë së institucioneve fetare të të gjitha llojeve dhe inkurajoi si arsimin fetar, ashtu edhe atë laik. Në këtë mënyrë sundimtari i ri mundi të afronte edhe klerin, e sidomos atë ortodoks. Duke qenë se shtylla kryesore e sundimit të vet ishte ushtria, Ali Pasha vëmendjen kryesore ia kushtoi asaj. Themelin e kësaj ushtrie e bënin ushtarët me rrogë, me prejardhje kryesisht nga malësitë e varfra të Shqipërisë Jugore. Këta ushtarë të varfër plotësonin nevojën e jetesës së familjeve të tyre me rrogat që merrnin dhe për këtë arsye interesat e tyre ishin të lidhura me ato të parisë feudale sunduese, së cilës i shërbenin.
Krahas ushtarëve shqiptarë, në forcat e armatosura të Pashallëkut të Janinës, veçanërisht për ruajtjen e grykave e të rrugëve, bënin pjesë gjithashtu me rrogë edhe reparte malësorësh vllahë e grekë, martallozët ose armatolët, të cilët dikur përbënin repartet e vetëmbrojtjes fshatare kundër arbitraritetit fedual. Tani këtë detyrë e kryenin forcat e derbendëve të Aliut. Në rast nevoje mobilizoheshin me detyrim edhe forcat e esnafeve qytetare, si dhe forcat fshatare nga çifligjet. Nuk munguan të pajtoheshin e të shërbenin në ushtrinë e Pashallëkut të Janinës edhe ushtarë me pagesë nga Shqipëria Veriore e Verilindore. Ushtria ndahej në reparte këmbësore, që përbënin forcën kryesore të saj, por në të filluan të dukeshin edhe bërthama kalorësie e artilerie.
Pashallëku u pajis edhe me një aparat administrativ e gjyqësor sipas organizimit osman, me ndryshimin e rëndësishëm se pranë çdo myteselimi ose qeveritari krahinor, u krijua një këshill i përbërë nga paria myslimane ose ajanët, të cilët ishin përfaqësuesit e krahinave myslimane, dhe nga paria e krishtere ose koxhabashët, të cilët ishin përfaqësuesit e krahinave të krishtere. Veç kësaj, vendimet gjyqësore apeloheshin në Janinë e jo në Stamboll dhe në krye të këtij aparati, përveç myslimanëve me përvojë, Ali Pasha tërhoqi një varg këshilltarësh dhe sekretarësh nga elementi i krishterë.
Në krye të aparatit të pashallëkut qëndronte vetë Aliu si një sundimtar absolut. Ai ndihmohej nga një këshill i lartë apo divan, që përbëhej nga djemtë e tij si dhe nga miqtë më të ngushtë e më besnikë, sikurse ishin Thanas Vaja, Jusuf Arapi, Tahir Abazi, Meço Bono, Veli Gega, Hysen Poda, Dalip Përmeti, Dervish Hasani, Ago Vasjari, Mehmet Myhyrdari etj. Përveç pushtetit ekzekutiv, Ali Pasha kishte kthyer në pronë private të tij edhe thesarin, i cili nën kujdesin e tij të veçantë, ishte gjithmonë në gjendje të përballonte shpenzimet.
I ndërtuar në këtë mënyrë, ky aparat i shërbente pushtetit tanimë autonom të shtresës sunduese të çifligarëve vendas, e cila ndonëse nuk ishte shkëputur plotësisht nga varësia politike e pushtetit qendror, qeveriste në mënyrë autonome, kurse me dëbimin e osmanëve, ajo synonte të krijonte shtetin e vet të pavarur. Udhëheqësi i saj mbajti lidhje të rregullta me pushtetin duke shlyer gjithë detyrimet financiare ndaj arkës perandorake, për të mënjanuar çdo konflikt të parakohshëm dhe për ta përdorur atë në dobi të përforcimit të mëtejshëm të pashallëkut e të shkëputjes së tij nga kjo vartësi e Stambollit.
Përforcimi i pushtetit brenda pashallëkut dhe shtrirja e tij kryesisht në troje shqiptare, për të arritur pastaj në shkëputjen nga varësia e Portës së Lartë, ndodhën në kushtet kur u shtrua mundësia e dëbimit të osmanllinjve nga Evropa, që përbënte njëherazi qëllimin kryesor të veprimtarisë së Ali Pashës në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XVIII. Në përputhje me këtë qëllim ai ndoqi një politikë të dyfishtë: synonte të shfrytëzonte në dobi të vet, sa të qe e mundur më shumë, konfliktin midis Perandorisë Osmane e fuqive armike të saj, si dhe konfliktet midis vetë Fuqive të Mëdha evropiane, që cenonin drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ekzistencën e shtetit osman dhe që lidheshin në një farë mase edhe me të ardhmen e Pashallëkut të Janinës dhe të të gjithë Shqipërisë. Pasi forcoi pozitat e veta duke marrë pjesë në luftë, në frontin e Danubit gjatë vitit 1788, Ali Pashës iu desh të ndeshej me një besëlidhje të kapedanëve suliotë dhe të qeveritarëve të sanxhakëve të Delvinës e të Vlorës, të cilën e përkrahën autoritetet osmane për të ruajtur anarkinë feudale në Shqipërinë Jugore. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:05 am | |
| Të shqetësuar prej ardhjes në fuqi të Ali Pashës në sanxhakun e Janinës, sunduesit osmanë mbajtën qëndrim armiqësor ndaj tij. Ata strehuan në zotërimet e tyre feudalët e ndjekur dhe të shpronësuar nga sundimtari i Janinës, nxitën dhe ndihmuan me armë, me municione e me ushqime suliotët e himariotët, u premtuan atyre ndihmë kundër Ali Pashës dhe ndërhynë që paria çame dhe pashallarët e Delvinës e të Beratit të lidheshin kundër tij.
Të inkurajuara në këtë mënyrë, të gjitha këto forca filluan të lëvizin. Sidomos suliotët dendësuan sulmet e tyre kundër trafikut të rrugës Janinë-Artë. Prania e malësisë së panënshtruar e të vetëqeverisur të Sulit dhe veprimtaria e banorëve të saj përbënin për pashallëkun një rrezik të brendshëm që duhej mënjanuar me çdo mënyrë. Këta malësorë trima e guximtarë, të vendosur në një vend strategjik, 50 km në jugperëndim të Janinës, jo vetëm shqetësonin rrugët e pronat feudale, por kishin arritur të dëbonin një varg feudalësh nga 60-70 fshatra përreth malësisë së tyre, të cilat i kishin vënë “nën mbrojtje” kundrejt një rente të rregullt në prodhime e në të holla. Për ta mënjanuar rrezikshmërinë e suliotëve, për Aliun kishte vetëm dy zgjidhje: ose t’i afronte që t’u shërbenin interesave të tij, të pashallëkut, ose t’i nënshtronte me forcë.
Duke i mbetur besnikë lidhjeve të tyre të vjetra me Republikën e Venedikut, suliotët nuk pranuan propozimet e Ali Pashës për marrëveshje. Kështu filloi lufta e gjatë dhe e vështirë që ndërmori Ali Pasha kundër anarkisë feudale brenda vendit. Kjo luftë u gërshetua edhe me orvatjet e tij për të nënshtruar sanxhakët e Shqipërisë Jugore nën një pushtet të vetëm politik, dhe për t’i dhënë fund anarkisë. Në shkurt të vitit 1789 ushtria e Janinës, që u nis kundër malësisë së panënshtruar të Sulit, u detyrua të tërhiqej për shkak të kundërsulmit të malësorëve trima, por edhe për shkak të komplotit të madh të mytesarifit të Janinës, që u përgatit nga feudalët kundërshtarë përreth pashallëkut. Ali Pasha përfundoi menjëherë paqen me suliotët, të cilëve u pagoi shuma të konsiderueshme dhe iu vu punës për të mënjanuar ngatërresat që ishin kurdisur prapa krahëve të tij.
Lufta e Ali Pashës kundër suliotëve e kishte favorizuar lidhjen e një marrëveshjeje midis agallarëve të Çamërisë dhe sundimtarëve të sanxhakëve të Delvinës dhe të Vlorës. Këta nuk e shihnin me sy të mirë ardhjen në fuqi të Ali pashë Tepelenës dhe përforcimin e pushtetit të tij për shkak të pasojave ekonomike e ushtarake që do të sillnin ato në sanxhakët e tyre. Nën ndikimin e një shqetësimi të tillë, Ibrahim pashë Vlora, rivali i Aliut për postin e derbend-pashës, mori nga valiu i Rumelisë për vitin 1789 sipërmarrjen e të ardhurave të krahinës së Korçës, që qeveritari i Janinës e kishte marrë një vit më parë. Mirëpo Ali Pasha nuk hoqi dorë dhe e mbajti sipërmarrjen me forcë, duke zhvilluar luftime në zonën Kostur-Bozhigrad-Korçë kundër rivalit dhe të besëlidhurve të tij, të cilët mundi t’i shpërndante. Gjatë këtyre luftimeve ndëshkoi fshatrat e Hormovës dhe të Leklit, që dikur kishin qenë nën “mbrojtjen” e shtëpisë së tij dhe që tani bënin pjesë në radhët e të besëlidhurve armiq të tij. Rivaliteti midis qeveritarëve të Janinës e të Beratit, i shkaktoi ngatërresa të mëdha Aliut: Porta e Lartë, për të mënjanuar sherrin midis dy rivalëve, ia hoqi Ali Pashës qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës si dhe detyrën e derbend-pashës dhe ia dha këtë dhëndrit të sulltanit, Beqir Pashës. Mirëpo ky nuk mundi të vendoste rregullin e qetësinë, sepse forcat ushtarake qenë lidhur me Aliun e i mbetën besnike atij. Valiu i Rumelisë kërkoi me ngut që ato detyra t’i ktheheshin Aliut, sepse vetëm ai ishte në gjendje të vendoste qetësinë dhe të rekrutonte ushtarë për në front.
Ndërkohë luftimet në frontin rus nuk shkuan mbarë për osmanët. Kjo e nxiti Ali Pashën për të krijuar pa humbur kohë lidhje me rusët. Duke iu bindur thirrjes së sulltanit për të shkuar në luftë, Aliu nuk ndenji atje veçse aq kohë sa iu desh që të hynte në letërkëmbim me princin Potjomkin. Ky i premtoi një marrëveshje të favorshme dhe e shtyti të vazhdonte të pengonte dërgimin e forcave ushtarake të pashallarëve shqiptarë në luftën kundër Rusisë.
Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime të reja me një diplomat rus, të cilit i deklaroi se ishte gati të merrte anën e Rusisë në qoftë se i jepeshin garanci se pas luftës do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të Pashallëkut të Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik. Ali Pasha premtoi të merrte pjesë në një kryengritje antiosmane të shqiptarëve dhe të grekëve. Për këtë qëndrim ai kërkoi sigurime për njohjen e tij si zot e sundues i pashallëkut, për njohjen e kufijve të territorit që do të zotëronte dhe për ushtrimin e lirë të fesë nga myslimanët. Nga ana e vet ai u zotua t’i trajtonte njëlloj si myslimanët, ashtu edhe të krishterët në administratë e në ushtri dhe pranonte që Rusia të kishte të drejtën e mbrojtjes së të krishterëve në shtetin e tij. Ali Pasha kërkoi gjithashtu që, në rast se kryengritja do të dështonte, Rusia ta merrte nën mbrojtjen e saj për t’i shpëtuar ndëshkimit të sulltanit. Më në fund, ai pranoi që, si garanci të dërgonte peng në Petërsburg njërin nga djemtë e vet, i cili të mësonte atje artin ushtarak rus. Mirëpo, për këtë çështje kaq të rëndësishme, atij iu tha se duhej të priste përgjigjen nga qeveria qendrore.
Propozimeve të lartpërmendura, që shprehnin dëshirën e Ali Pashës për të siguruar pas fitores mbi osmanët pozitën e vet si sundimtar i një shteti shqiptar, qeveria ruse nuk u dha përgjigje. Së pari, si qeveri e një populli të madh ortodoks, që i kishte vënë detyrë vetes të çlironte popujt e krishterë nga sundimi i gjysmëhënës dhe t’i fuste nën zotërimin e saj, Rusia nuk mund të pranonte sundimin e një princi mysliman mbi të krishterët shqiptarë e grekë dhe, së dyti, ishte koha kur lufta me Perandorinë Osmane po merrte fund. Në fillim të vitit 1792 u nënshkrua traktati i paqes në Jashi. Ndërsa qeveritari i Janinës zhvillonte bisedimet me diplomatët rusë dhe priste përgjigjen e oborrit rus, suliotët ia filluan një fushate plaçkitjesh që zgjati nga pranvera e vitit 1791 deri në mbarim të tij. Përveç fshatrave dhe rrugëve tregtare, ata sulmuan dhe plaçkitën krahinat e Paramithisë, Margëllëçit dhe Artës. Këto veprime i shtrinë deri në fshatrat e Pindit. Kështu ata ndezën zemërimin jo vetëm të çifligarëve, por edhe të fshatarësisë së dëmtuar rëndë dhe të zejtarëve e të tregtarëve të Janinës, të Artës, të Paramithisë, të Margëllëçit etj., dhe të qyteteve të lidhura ekonomikisht me to.
Në muajin korrik 1792 Ali Pasha, i lidhur me agallarët e bejlerët çamë si dhe me krerët e armatolëve të fshatrave të dëmtuara, sulmoi malësinë e Sulit për ta nënshtruar, meqenëse edhe këtë herë, krerët e saj kishin refuzuar çdo lloj marrëveshjeje. Por edhe këtë herë sulmi i pashës së Janinës dështoi, mbasi nën nxitjen e agjentit rus në Korfuz, L. Benaqi, u krijua një besëlidhje e re e feudalëve të sanxhakëve fqinjë dhe e kapedanëve suliotë. Ali Pasha mënjanoi më parë suliotët. Besëlidhja nuk arriti të hynte në veprim, sepse Aliut i erdhi në ndihmë edhe Porta e Lartë, e cila ndërhyri për t’i pajtuar, duke vendosur marrëdhënie krushqie midis qeveritarëve të Janinës dhe të Beratit. Gjatë viteve 1787-1797 Ali Pasha kishte mundur të shtrinte pushtetin e vet vetëm në një territor të ngushtë që kapte krahun e djathtë të lumit Vjosë deri në krahun perëndimor të vargmalit të Pindit, d.m.th. hapësirën Konicë-Këlcyrë-Korçë, si dhe krahinat e Artës. Por ky pushtet bazohej më shumë në sipërmarrjet e të ardhurave të tyre dhe në pëlqimin e valiut të Rumelisë e të Kapedan Pashës se sa në forcën e armëve të tij. Sidoqoftë, me këtë përfundoi faza e parë e përpjekjeve për forcimin e pashallëkut. Suksesin më të madh për shtrirjen drejt bregdetit dhe në Shqipërinë Jugore Ali Pasha e arriti në vitet e fundit të shek. XVIII, kur ndodhën ngjarje të mëdha politike në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kohë Republika Franceze kishte filluar luftërat pushtuese. Armata e Italisë, që komandohej nga gjeneral Napoleon Bonaparti, pasi nënshtroi një numër shtetesh italiane, nënshtroi edhe Republikën e Venedikut. Me nënshkrimin e traktatit të Kampo Formios midis Republikës Franceze dhe Perandorisë Austriake iu dha fund në vitin 1797 sundimit në këtë trevë të shtetit venedikas, zotërimet e të cilit në ishujt dhe në bregdetin Jonian u vunë nën sundimin francez. Kështu kufijtë e Francës u shtrinë deri në kufijtë e Pashallëkut të Janinës. Sukseset e forcave të armatosura në Itali, i dhanë dorë gjeneral Bonapartit që t’i paraqiste Direktoratit planin e sulmit kundër kolonive angleze, të cilat përbënin burimin kryesor të potencialit ekonomik të Anglisë. Ky plan do të fillonte me depërtimin e një armate franceze në Egjipt. Direktorati e miratoi planin edhe pse depërtimi me luftë në Egjipt do ta armiqësonte me Perandorinë Osmane. Për të lehtësuar ndërmarrjen ushtarake në Egjipt, Franca përkrahte fuqizimin e pashallarëve të Rumelisë dhe prirjet e tyre vetëqeverisëse në dëm të pushtetit qendror të sulltanit. Komandanti francez i Korfuzit u urdhërua ta përkrahte Ali pashë Tepelenën në forcimin e pushtetit të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. Përforcimi i këtij sundimtari shqiptar, theksonte Bonaparti, ishte në interes të Republikës.
Në sajë të kësaj përkrahjeje, që e shfrytëzoi në dobi të synimeve të tij, Ali Pasha ndërmori në gusht të vitit 1797 një sulm të befasishëm kundër bregdetit shqiptar të Himarës. Para kësaj, me lejen e francezëve, kishte futur flotiljen e tij në kanalin e Korfuzit. Si rrjedhim, ai shtiu në dorë pjesën kryesore të këtij bregdeti që nga Butrinti deri në Porto Palermo. Këto pushtime ishin një hap i rëndësishëm për shtrirjen e mëtejshme të pushtetit të Ali Pashës në Shqipërinë Jugore. Duke u njohur banorëve të këtyre trevave privilegjet e tyre dhe duke i trajtuar mirë, ai i ktheu ata në rezervën e vet ushtarake. Përparimin përtej Porto-Palermos nuk e ndalën aq forcat e bashkuara të Xhafer Pashës së Vlorës dhe Mustafa Pashës së Delvinës, sesa ndërhyrja e Ibrahim pashë Bushatlliut, që u dërgoi ushtri osmanëve, si dhe aleanca ruso-osmane që u krijua në këtë kohë kur Bonaparti filloi fushatën kundër Egjiptit. Tani sundimtarit të Janinës i erdhi rasti për t’u kthyer kundër Francës dhe për të shtënë në dorë ish-zotërimet venedikase në bregdet.
Napoleon Bonaparti dërgoi adjutantin e tij për t’i kërkuar Aliut të mbante anën e Francës kundrejt premtimit se do t’ia rriste shumë lavdinë e tij, ose të mbante të paktën neutralitetin nëse nuk mund të merrte pjesë aktive në kryengritjen e pashës së Vidinit, Pasvan Ogllusë, që i shkaktoi shqetësime Stambollit. Por Aliu, me të marrë vesh aleancën anglo-ruso-osmane kundër Francës, pa pritur të mbërrinte flota e bashkuar ruso-turke, që do t’i dëbonte francezët nga qytetet dhe ishujt jonianë, pushtoi Butrintin, të cilin francezët kishin refuzuar t’ia jepnin në formë miqësore, dhe pastaj Prevezën e Vonicën. Pargën nuk e mori dot, sepse ndërkohë mbërritën forcat ruse që e vunë nën kontrollin e tyre. Kështu u realizua më së fundi synimi për t’i siguruar pashallëkut një dalje të gjerë në bregdet dhe zotërimin e një vargu skelash me rëndësi tregtare.
Për ta shpërblyer për pjesëmarrjen e forcave të Pashallëkut të Janinës në luftën kundër francezëve, Porta e Lartë, në vitin 1799, i dha Ali Pashës gradën e vezirit. Por kjo gradë nuk ishte veçse një akt ngushëllimi, sepse, me këmbënguljen e rusëve, të cilët e shihnin Ali Pashën si një pengesë të synimeve të tyre sunduese në Gadishullin Ballkanik, qytetet bregdetare duhej t’i hiqeshin atij nga dora. Konventa ruso-osmane e muajit prill 1800 krijoi Republikën e Shtatë Ishujve dhe me këtë sanksionoi vendosjen e rusëve në ishujt jonianë. Duke i njohur ish-qytetet venedikase si prona të sulltanit, konventa sanksionoi shkëputjen e tyre nga sundimi i Ali Pashës. Mirëpo ky i fundit edhe pse i largoi garnizonet e veta ushtarake nga këto qytete, e ktheu në një vegël të vetën të dërguarin e sulltanit të caktuar për administrimin e tyre.
Ndërhyrja e rusëve në Pargë dhe në përpilimin e konventës i ashpërsoi aq shumë marrëdhëniet e vezirit të Janinës me përfaqësuesit diplomatikë rusë, sa këta filluan të ndiqnin politikën e venedikasve, duke nxitur e përkrahur suliotët si dhe bllokun feudal të Shqipërisë së Jugut kundër tij. Vendosja e rusëve në ishujt jonianë dhe qëndrimi i tyre armiqësor ndaj vezirit të Janinës, që nisi qysh më 1798, i dha zemër Mustafa pashë Delvinës të kërkonte ndihmë prej tyre dhe të ngrihej kundër Ali Pashës. Por në tetor 1799, Aliu e detyroi me forcën ushtarake Mustafa Pashën të nënshtrohej. Pastaj nën komandën e Jusuf Arapit, të cilin e dërgoi në Filipopoli, nënshtroi rebelin Kara Fejzi, komandant i kërxhallinjve. Por rusët, pasi e detyruan Portën e Lartë të nënshkruante traktatin e 21 prillit 1800, kërkuan që sundimin e sanxhakut të Delvinës t’ia jepnin agjentit të tyre, Mustafa Pashës. Kjo ngjarje, si dhe veprimtaria ruse kundër Ali Pashës, u dha siguri suliotëve që kishin gjetur tani një aleat të fuqishëm. Megjithëse kishin rënë në një farë marrëveshje me Ali Pashën dhe nuk e kishin trazuar për të mos provokuar sulme të tjera, suliotët e shkelën ujdinë dhe, të ndihmuar prej rusëve, arritën të grabisnin edhe kopetë e Aliut. Ai nga ana e vet vendosi tani t’i nënshtronte përfundimisht suliotët, duke i akuzuar si vegla të rusëve. Këta filluan të veprojnë ndaj tij dhe e paditën në Stamboll për përpjekje për pavarësi.
Në muajin qershor 1800, pasi siguroi përkrahjen e agallarëve kryesorë çamë, Aliu filloi ekspeditën kundër Sulit, por këtë herë duke përdorur një taktikë të re, atë të një rrethimi të fortifikuar që sa vinte e ngushtohej. Ndonëse rusët bënë përpjekje për të ndihmuar malësorët suliotë me armë e municion, duke organizuar një besëlidhje me feudalët kundërshtarë fqinjë, zgjuarsia e vezirit bëri që ato të mos kishin sukses. Pas luftimesh të dëshpëruara, më 25 dhjetor 1803, malësorët trima të Sulit nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli Pashës, i cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Por veziri, duke paraparë se suliotët do të vazhdonin luftën nga Parga e ishujt jonianë, nuk e miratoi marrëveshjen dhe urdhëroi që karvanët e suliotëve të ktheheshin e të vendoseshin në trojet e pashallëkut, ku ai do t’u krijonte kushte jetese, pune e shërbimi siç u kishte premtuar disa herë me radhë. Mirëpo suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe filluan luftimet kundër reparteve të vezirit. Në këto luftime ndodhi edhe heroizmi i grave suliote, të cilat u sakrifikuan bashkë me fëmijët e tyre duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Za-Llongut. Një pjesë e mirë e suliotëve duke pasur edhe armët në dorë kapërcyen kufijtë e pashallëkut dhe u strehuan në Pargë e në ishujt jonianë. Ata, ashtu siç kishte parashikuar Ali Pasha, vazhduan luftën e tyre kundër tij, sidomos inkursionet në vendbanimet bregdetare duke shkaktuar aty vrasje, djegie e grabitje të shpeshta gjatë dy dhjetëvjeçarësh. Këtë çështje të rëndë Aliu u përpoq ta mënjanonte, por nuk e zgjidhi, veçse në fund të vitit 1820, kur suliotët morën anën e tij kundër sulltanit.
Edhe pas kapitullimit të suliotëve, konti Mocenigo, përfaqësues rus në Korfuz, e vazhdoi qëndrimin armiqësor ndaj Ali Pashës. Ai nënshkroi me dy krerët e Çamërisë, Hasan Çaparin dhe Islam Pronjën, një marrëveshje për ndihmë kundër vezirit të Janinës. Ali Pasha, i cili mundi ta shtinte në dorë këtë akt, e denoncoi marrëveshjen e tyre pranë Portës së Lartë, si ndërhyrje të rusëve në punët e brendshme të Perandorisë Osmane. Ishte viti 1806 para se të fillonte lufta ruso-osmane e viteve 1806-1812. Në pragun e kësaj lufte sulltani mori anën e Aliut, i la atij dorë të lirë mbi qytetet bregdetare të Prevezës, Vonicës e Butrintit dhe urdhëroi agallarët çamë t’i nënshtroheshin autoritetit të tij.
Ndërsa veziri i Janinës kishte filluar tanimë luftën për të nënshtruar përfundimisht suliotët dhe po ndeshej dhëmb për dhëmb me veprimtarinë armiqësore të rusëve, në muajin prill të vitit 1802, Porta e Lartë e ngarkoi të vendoste qetësinë në Rumeli ku vlonte mosbindja e anarkia, gjendje kjo që u interesonte synimeve ruse në Ballkan, ashtu siç u interesonte edhe gjendja e krijuar dhe e nxitur prej tyre në Shqipërinë Jugore. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:05 am | |
| Shtrirja e mëtejshme e Pashallëkut të Janinës në Shqipërinë Jugore (1804-1812)
Postin e valiut të Rumelisë Ali Pasha e pranoi dhe u mundua ta shfrytëzonte për të luftuar rusët në një front më të gjerë dhe për të rritur autoritetin e vet në Rumeli e sidomos në Shqipëri, duke bërë për vete sa më shumë përkrahës. Meqenëse në këtë kohë, krahas suliotëve, kundër tij ishte formuar përsëri besëlidhja e qeveritarëve kufitarë të Delvinës dhe të Vlorës, të cilët kishin siguruar edhe përkrahjen e Ibrahim pashë Bushatlliut, Aliu e pranoi detyrën e re pasi vuri si kusht që Porta e Lartë të garantonte zotërimet e veta nga kërcënimi i tyre. Kësaj pune Porta e Lartë ia doli mbanë dhe besëlidhja këtë herë nuk arriti të vepronte kundër Aliut. Kështu ai, pa e pezulluar luftën kundër suliotëve, filloi me zell detyrën e re. Ushtria e madhe që grumbulloi për të vendosur qetësinë në Rumeli, e sidomos në Bullgari, sukseset e rrufeshme që pati kundër Osman Pashës së Silistrës, kundër çetave rebele dhe feudalëve të pabindur, si dhe pasuritë e armët që shtiu në dorë kudo që kaloi, shqetësuan kaq shumë qeveritarët osmanë, sa këta përhapën fjalën se tepelenasi po bëhej rrezik për fronin e sulltanit. Në muajin qershor 1803 Selimi III, i cili pati më shumë frikë sesa nevojë për të, e liroi nga ai post dhe në vend të tij emëroi si vali të Rumelisë vezir Ibrahim pashë Bushatlliun.
Edhe ky korri një varg suksesesh kundër feudalëve rebelë. Madje në muajin nëntor 1804 pashai Bushatlli përqendroi 30 000 ushtarë në Manastir. Ky përqendrim në afërsi të Pashallëkut të Janinës e shqetësoi Ali Pashën, i cili pati frikë se mos i iknin nga duart 14 kaza që kishte shkëputur nga sanxhaku i Manastirit. Prandaj u shpërngul në Tepelenë dhe bëri përgatitje për mbrojtje, duke hyrë në bashkëpunim me Ibrahim Pashën e Beratit, tashmë rival i Bushatlliut për sanxhakun e Elbasanit. Në maj të vitit 1805 Bushatlliu filloi operacione luftarake për pushtimin e sanxhakut të Elbasanit, që e qeveriste si shtesë Ibrahim Pasha i Beratit. Mirëpo u gjend para qëndresës së forcave ushtarake të dy sundimtarëve të fuqishëm të Shqipërisë Jugore, të cilët e detyruan të hiqte dorë nga synimi i vet.
Ndërkohë po zhvilloheshin ngjarje të rëndësishme politike në arenën ballkanike dhe në atë evropiane. Pas fushatës kundër Republikës Franceze, sulltan Selimi III, duke dashur të përforconte pushtetin qendror në perandori, filloi zbatimin e reformave. Mirëpo feudalët e mëdhenj provincialë në Gadishullin Ballkanik, si Ismail bej Serezi, Tersekli Ogllui dhe Pasvan Ogllui, u ngritën kundër reformave të sulltanit, e veçanërisht kundër reformës ushtarake, e cila parashihte organizimin e ushtrisë sipas mënyrës evropiane. Me këta u bashkua edhe Ali Pasha, jo vetëm pse dëshironte dobësimin e pushtetit qendror të sulltanit për t’u bërë sa më i pavarur, por edhe sepse me sistemin e rekrutimit sipas mënyrës evropiane do të goditej rëndë sistemi i rekrutimit të ushtarëve me rrogë e bashkë me të do të goditeshin edhe interesat e shtresës feudale që mbështeste pushtetin e tij. Me nxitjen edhe të Aliut, në korrik të vitit 1806, në Edrene u rebeluan jeniçerët. Kështu për pushtetin qendror u krijua një situatë shumë e rrezikshme, që sulltanit reformator ia veniti hovin për të vënë në jetë reformat.
Ndërkohë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Perandoria Osmane po afrohej me Francën dhe po ftohej me Rusinë e Anglinë. Lufta me këto dy shtete ishte bërë e pashmangshme. Si rrjedhim, edhe diplomacia e këtyre shteteve po merrte tjetër qëndrim ndaj vezirit të Janinës. Oborri i Petërsburgut kërkoi nga kont Mocenigo të ndiqte një politikë paqësore me të. Parisi i premtoi Aliut ta njihte si sundimtar të pavarur, në rast se trupat frënge do të pushtonin Gadishullin Ballkanik, dhe se do ta merrte nën mbrojtje kundër çdo ndëshkimi nga ana e sulltanit. Kur më 1806 Fransua Pukëvili (François Pouqueville), i emëruar konsull i përgjithshëm i Francës, mbërriti në Janinë në krye të detyrës, i solli Aliut edhe premtimin e Bonapartit se do ta ngarkonte me qeverisjen e Korfuzit, po qe se nuk do të kursente ndihmën e tij për dëbimin e rusëve që andej. Duke shpresuar se do të siguronte përkrahjen e Napoleonit për t’u bërë sovran i pavarur, Aliu u mundua të lidhej sa më ngushtë me Francën, aq më shumë kur rusët vazhdonin të nxisnin besëlidhjen e feudalëve kundërshtarë të tij. Me anë të Pukëvilit ai i paraqiti qeverisë franceze një plan bashkëpunimi ushtarak për dëbimin e rusëve nga ishujt jonianë. Sipas këtij plani, Ali Pasha do t’i luftonte rusët me forcat e veta gjatë bregdetit deri në Selanik, pastaj do të merrte pjesë në nënshtrimin e serbëve, lëvizja e të cilëve u shërbente rusëve. Qeveria franceze e vonoi përgjigjen me prapamendim për të mos i prerë hovin Ali Pashës, por edhe për të mos e prishur me Portën e Lartë që arriti ta bënte atë aleat të saj kundër Rusisë dhe Anglisë.
Në dhjetor të vitit 1806, Porta e Lartë i shpalli luftë Rusisë. Në janar 1807 Aliu arrestoi konsujt rusë në territorin e vet dhe, i armatosur me artileri nga francezët, u orvat të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë, kurse martallozët grekë i hodhën në një revoltë të fuqishme në Thesali. Aliu gjeti mënyrën se si të pajtohej me çamët, kurse kundër revoltës së martallozëve thesaliotë dërgoi Myftar Pashën, i cili e mbyti në gjak dhe e shtypi atë. Kurse Napoleoni, duke u nisur nga synimi që të siguronte aleancën e Portës së Lartë dhe futjen e saj në luftë me Rusinë e Anglinë, e këshilloi Ali Pashën që interesat e “vërteta të tij” t’i shihte të lidhura me ato të Perandorisë Osmane. Me fjalë të tjera, Franca nuk pranoi shkëputjen e vezirit të Janinës nga shteti osman. Edhe pse në këtë kohë Ali Pasha e trajtoi përfaqësuesin e Francës me përzemërsi, marrëdhëniet me këtë shtet nuk mbetën të përzemërta dhe veziri i Janinës kërkoi të gjente një mbështetje të jashtme që ta përkrahte në synimet e tij.
Kur në pranverën e vitit 1807 filluan në Tilsit bisedimet e paqes midis perandorëve të Rusisë dhe të Francës, Aliu dërgoi përfaqësuesin e vet për t’i kujtuar Napoleonit I premtimin lidhur me qeverisjen e Korfuzit. Mirëpo ky nuk e përfilli. Si rrjedhim, marrëdhëniet me forcat frënge, që u vendosën përsëri në ishujt jonianë, u ftohën shumë. Pashai i Janinës u bë pengesë e pakapërcyeshme për planet e Bonapartit për zotërimin e Butrintit dhe për ta kthyer këtë skelë në një bazë që do t’u shërbente forcave franceze për të mbrojtur më mirë kanalin e Korfuzit dhe si pikënisje për të depërtuar më vonë në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane.
Porta e Lartë e dha gojarisht pëlqimin për dorëzimin e Butrintit në duart e komandës franceze të Korfuzit, si dhe për kalimin e trupave franceze nga Dalmacia në këtë pikëmbështetje nëpërmjet tokave shqiptare. Mirëpo shqiptarët si në veri, ashtu edhe në jug, e kundërshtuan një veprim të tillë të Stambollit. Në këto rrethana, Ali pashë Tepelena, Ibrahim pashë Bushatlliu dhe pashallarët e tjerë shqiptarë, nuk i pranuan kërkesat franceze. Ata lanë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe u përgatitën për mbrojtjen e përbashkët. Në shkurt të vitit 1808 gjenerali Bertje kërkoi dorëzimin e Butrintit. Pasi u deklaroi diplomatëve dhe ushtarakëve francezë se “nuk do ta lëshojë Butrintin dhe asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare pa luftë ... e se francezët nuk do të kalonin në vendin e tij veçse mbi valë gjaku”, Ali Pasha e shpalli në popull ultimatumin francez dhe bëri thirrje për mbrojtje. Popullsia e përkrahu qëndrimin e vezirit të Janinës. Po kështu bëri edhe Porta e Lartë, e cila anuloi pëlqimin gojor që u kishte dhënë francezëve.
Për të mos i prishur marrëdhëniet me Stambollin që e ndryshoi qëndrimin e vet, Bonaparti largoi gjeneralin Bertje nga Korfuzi, ashtu siç largoi edhe ambasadorin Sebastian nga Stambolli. Por plani i tij dështoi. I armiqësuar tani si me Rusinë, ashtu edhe me Francën, Ali Pasha, për të mbrojtur qytetet bregdetare, u drejtua nga Anglia, me të cilën ishin vendosur kontaktet e para qysh më 1803. Përfaqësuesit anglezë në Stamboll e Patras i kishin dhënë pashait të Janinës informata rreth veprimeve të rusëve kundër tij dhe kishin nxitur popullsinë myslimane ta përkrahte atë. Më 22 prill 1806, në Janinë u vendos konsulli anglez J. P. Morier. Me këtë rast Ali Pasha u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet e tij me agallarët çamë të përkrahur nga rusët. Edhe Morieri ishte i mendimit se rusët do të kishin më shumë përfitime, nëse do ta kishin mik vezirin e Janinës sesa armik, prandaj i këshilloi të hynin në bisedime me të. Por edhe pse filluan, këto bisedime u ndërprenë sidomos nga fundi i vitit 1806, kur politika osmane mori drejtim profrëng dhe Stambolli i shpalli luftë Rusisë e pastaj, edhe aleates së saj, Anglisë.
Në nëntor të vitit 1807, kur i kishte prishur marrëdhëniet me Francën, Aliu i rifilloi bisedimet me anglezët për të siguruar të paktën mbështetjen e tyre. Më 1808 ai nisi për në Londër një përfaqësuesin e vet, Said Ahmetin, që të shfaqte gatishmërinë e vezirit të Janinës për të ndërmjetësuar në Stamboll rreth përfundimit të paqes midis Perandorisë Osmane e Mbretërisë Angleze dhe për të ndihmuar forcat detare të saj kundër francezëve.
Vrasja e sulltan Mustafait IV dhe sidomos vrasja e Mustafa pashë Bajraktarit bënë që politika profrënge të fashitej dhe të miratohej përfundimi i traktatit të paqes me Anglinë në fillim të muajit janar 1809. Ali Pasha, që kishte luajtur një rol me rëndësi në këto ngjarje, vazhdoi përpjekjet për zgjerimin e pashallëkut në drejtim të Shqipërisë Jugore. Pasi u arrit paqja midis Londrës e Stambollit, në shkurt të vitit 1809, qeveria angleze i dërgoi atij si dhuratë një pajisje të plotë artilerie me predha ndezëse, një nga prodhimet e fundit të armëve të kohës. Bashkë me këtë dhuratë, në Janinë erdhi dhe u vendos si përfaqësues diplomatik i qeverisë angleze V. M. Lik (William Martin Leake). Në këtë atmosferë, më 1809, e vizitoi Ali Pashën edhe Xhorxh Bajroni me Hobharzin. V. M. Lik nuk solli me vete përgjigjen ndaj propozimit të Ali Pashës për aleancën me Anglinë dhe për ta marrë atë në mbrojtjen e saj siç i kishte premtuar edhe në bisedimet e fshehta. Pasi siguruan aleancën me Portën e Lartë, anglezët s’kishin më nevojë për një aleancë me Aliun kundër francezëve. Madje Liku e këshilloi Aliun të mos ndërmerrte veprime luftarake kundër francezëve. Atëherë Aliu u përgatit të asgjësonte aleatët vendas të francezëve. Rasti i përshtatshëm iu paraqit atij me vdekjen e Ibrahim pashë Bushatlliut dhe me grindjet në Shkodër për punën e trashëgimisë së pushtetit.
Duke pasur një farë përkrahjeje nga ana e qeverisë angleze, duke bërë për vete grupimin e fortë të çifligarëve beratas që kryesonte Omer bej Vrioni dhe duke shfrytëzuar kohën kur Porta e Lartë gjendej në luftë me Rusinë dhe se telashet e saj me kryengritësit serbë u bënë me të vërtetë serioze, Ali Pasha iu vu pushtimit të plotë të sanxhakut të Vlorës dhe të Elbasanit. Nën drejtimin e të birit, Mustafa Pashës, ai i hyri pushtimit të sanxhakut të Vlorës duke filluar nga kryeqendra e tij, Berati. Aliu dërgoi drejt këtij qyteti një ushtri të fortë. Pas katër muaj luftimesh, Ibrahim Pasha i Beratit kërkoi paqe, duke i lënë Ali Pashës një pjesë të sanxhakut të vet dhe duke hequr dorë nga sanxhaku i Elbasanit. Këtë sanxhak sulltani ia njohu nipit të Aliut, Mehmet Pashës.
Për të shmangur zemërimin e sulltanit, Aliu nuk vonoi të dërgonte një pjesë të forcave të tij në front. Me pjesën tjetër të ushtrisë ai ndërmori në vjeshtë një sulm të dytë e të befasishëm kundër Beratit, të cilin këtë herë e pushtoi. Ibrahim Pasha u mbyll në kështjellë. Por përpara se t’i vinte ndihma nga aleatët e vet, nga feudalët çamë dhe nga Mustafa pashë Delvina dhe i braktisur nga ushtarët e vet, Ibrahim Pasha u detyrua në fillim të vitit 1810 të pranonte kushtet e kapitullimit dhe të tërhiqej në Vlorë. Përpjekjet e tij për të rifituar tokat e humbura patën një sukses kalimtar me ripushtimin e përkohshëm të Beratit. Por gjatë veprimeve luftarake të mëtejshme Ibrahim Pasha dështoi dhe flota e vezirit të Janinës e ndihmuar prej anglezëve e mbajti atë të bllokuar. Bashkë me Beratin mori fund edhe nënshtrimi i pjesës së papushtuar të Himarës, shumica e banorëve të lirë të së cilës ishin lidhur me francezët duke shërbyer në formacionet ushtarake të tyre. Ali Pasha e bllokoi krahinën nga deti dhe nga toka, zbarkoi së pari në Vuno e pastaj në Himarë, Piqeras e Dhërmi ku vendosi garnizone dhe mori pengje. Më 24 dhjetor 1810 krahina e Himarës u detyrua të nënshtrohej.
Pas nënshtrimit të Himarës, feudalët çamë, të gjendur përballë kundërshtimit të popullsisë çame, e cila e shihte pushtetin e vezirit të fuqishëm të Janinës si mbrojtës të vetëm të interesave të saj, pranuan njëri pas tjetrit të hynin nën kontrollin e tij. Në muajin qershor 1811 iu nështruan edhe njëzet e dy krerë të Dukatit (rrethi i Vlorës) që kishin qenë lidhur deri atëherë me Ibrahim Pashën. Për garanci të besnikërisë së tyre ata i dhanë pengje Ali Pashës. Kështu ra në duart e tij edhe Pashalimani.
Ndërkohë, krahas krahinave bregdetare vazhdoi edhe nënshtrimi i brendisë së vendit. Jashtë kontrollit mbetën ende Gjirokastra, Kardhiqi, Zhulati e Vlora, si dhe zonat fshatare të Nivicës, të Malëshovës e të Kuçit. Marrja e qytetit të Vlorës paraqiste vështirësi, sepse binte ndesh me këmbënguljen e Portës së Lartë për të mos e zhveshur nga pushteti Ibrahim Pashën, të cilin e përkrahte diplomacia franceze. Por nuk vonoi që edhe kjo nyje të zgjidhej. Ali Pasha mundi të shtinte në dorë faktet që zbuluan se Ibrahim Pasha ishte orvatur t’ua dorëzonte Vlorën francezëve. Kështu Porta e Lartë mori anën e Aliut dhe hodhi poshtë të gjitha akuzat franceze kundër vezirit të Janinës. Ajo nuk kundërshtoi pushtimin më 1 gusht 1811 të Vlorës nga Ali Pasha, me të cilin u bashkuan edhe krerët feudalë vlonjatë. Përkundrazi urdhëroi vrasjen e Ibrahim Pashës që u arratis në malet e Labërisë. Por Ali Pasha mundi ta shtinte në dorë dhe nuk e vrau, e strehoi në Konicë e pastaj në sarajet e veta në Janinë, duke e lënë atë dhe djalin e tij Sulejman Pashën, nën kujdesin e grave të Myftarit dhe Veliut, që ishin bijat e Ibrahimit.
Rënia e Vlorës dhe premtimi që emisari francez nga Stambolli u bëri krerëve të Shqipërisë së Jugut, për t’u siguruar përkrahjen e Portës së Lartë dhe të komandës franceze të Korfuzit, i vuri këta në lëvizje. Në fund të muajit gusht 1811, Mustafa pashë Delvina, i vëllai i Sali Beut, Demir Dosti i Kardhiqit, bejlerët e Gjirokastrës dhe agallarët e Zhulatit, u lidhën midis tyre në kuvendin e Palavlisë dhe vendosën t’i kundërviheshin me 10 000 ushtarë shtrirjes së mëtejshme të pushtetit të vezirit të Janinës. Prandaj më 9 tetor Aliu nisi 2 000 ushtarë kundër Gjirokastrës. Mustafa Pasha e i vëllai ngritën krye duke dëbuar njerëzit e vezirit. Atëherë kundër tyre Ali Pasha dërgoi një ushtri tjetër, e cila i detyroi të dy vëllezërit të braktisnin Delvinën e të shkonin në Kardhiq. I rrethuar prej dy ushtrive të Aliut, qyteti i Gjirokastrës, pas marrëveshjes që u arrit me bejlerët vendas, u dorëzua më 20 nëntor 1811. Nën presionin e banorëve dhe me ndërmjetësinë e motrës së vezirit Shanishasë, bejlerët vendas u detyruan t’i nënshtroheshin pasi artileria prishi ujësjellësin dhe mullinjtë e qytetit. Pas kësaj ngjarjeje agallarët e Zhulatit u tërhoqën nga beslidhja kundër Ali Pashës dhe iu nënshtruan atij pa luftë. Mbeti vetëm Kardhiqi, krerët e të cilit vendosën të luftonin.
Luftimet zgjatën nga muaji nëntor 1811 dhe deri nga fundi i muajit shkurt 1812. Forcave rrethuese të Aliut iu desh të bënin sakrifica të shumta për të përparuar duke shembur njërën pas tjetrës shtëpitë fortesa ku qëndronin mbrojtësit e qytezës. Luftimet do të zgjasnin edhe më, po të mos qe ndërhyrja e shtresave të ulta qytetare që i detyroi krerët të ndërprisnin luftën, e cila u bë e pashpresë sidomos pas ikjes fshehurazi të emisarit francez në Korfuz. Mustafa Pasha, Demir Dosti e të tjerë u dorëzuan dhe u dërguan në Janinë ku u burgosën. Aty mjaft prej tyre u pushkatuan me përjashtim të Mustafa Pashës, i cili vdiq më vonë në burg. Mirëpo Ali Pasha nuk la pa ndëshkuar qytezën dhe banorët e saj që i kundërshtuan me luftë. Ndryshe nga trajtimi i qyteteve të tjera, përveç djegies fund e majë të Kardhiqit, ai pushkatoi edhe shtatëqind meshkuj. Ky akt i rëndë hakmarrës për gjakun e derdhur gjatë luftimeve duket se u bë edhe si masë frikësimi politik për të shmangur kundërshtimet e tjera në rrugën e pushtimeve të mëtejshme drejt veriut të Shqipërisë.
Porta e Lartë pranoi kërkesën e vezirit të Janinës që Myftar Pasha të emërohej qeveritar i sanxhakut të Vlorës. Duke vënë nën pushtetin e vet Thesalinë, Morenë dhe Shqipërinë Jugore nga Preveza deri në Shkumbin, familja e Ali pashë Tepelenës arriti kulmin e fuqizimit të vet. Me shtrirjen e pushtetit të vezirit të Janinës në gjithë Shqipërinë e Jugut, u bë një hap i rëndësishëm përpara për bashkimin politik të trojeve shqiptare. Ky ishte një objektiv, drejt të cilit bashkoheshin synimet e feudalëve më të fuqishëm shqiptarë të çerekut të parë të shek. XIX. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:06 am | |
| 4. PASHALLËKU I SHKODRËS NË VITET 1797-1812
Pashallëku i Shkodrës nën qeverisjen e Ibrahim pashë Bushatlliut (1797-1809)
Ndërsa po fuqizohej e zgjerohej Pashallëku i Janinës dhe po theksoheshin prirjet e sundimtarit të tij për t’u shkëputur nga varësia e Portës, Pashallëku i Shkodrës, hyri në vitet e fundit të shek. XVIII, kur qeverisej nga Ibrahim pashë Bushatlliu, në rrugën e bindjes ndaj Stambollit. Këtë veprim e bëri me kusht që interesat e shtresës së tij dhe sidomos trashëgimia e pushtetit nga familja e tij të mos cenoheshin. Si përfaqësues i grupit më të fuqishëm feudal në Shkodër, ai u njoh prej sulltanit në maj ose në qershor 1797 si qeveritar i Pashallëkut të Shkodrës me gradën bejlerbej, kurse i nipi Mehmet Pasha u emërua qeveritar i sanxhakut të Elbasanit e, pak më vonë, edhe i atij të Ohrit. Por kjo njohje u arrit vetëm pasi ata pranuan shlyerjen e shumave të detyrimeve të prapambetura nga Kara Mahmudi, i cili i kishte përdorur ato për të financuar kryengritjen. Porta e Lartë u besoi atyre pushtetin si pjesëtarë të së vetmes familje që mund të ngrinte shqiptarët e Veriut për mbrojtjen e kufijve në një kohë kur armata franceze, e komanduar prej gjeneral Napoleon Bonapartit, po korrte fitore pas fitoresh, po i jepte fund Republikës së Venedikut dhe po u afrohej kufijve veriperëndimorë të Perandorisë Osmane.
Për ta përdorur në mbrojtjen e kufijve të perandorisë dhe kundër fuqizimit të Pashallëkut të Janinës, Porta e Lartë i dha Ibrahim Pashës gradën e vezirit më 1799, kur këtë gradë ia dha edhe Ali pashë Tepelenës, që kishte mbajtur qëndrim të vendosur kundër rrezikut francez. Ky rrezik, që e detyroi sulltanin të harronte të kaluarën e shtëpisë së Bushtallinjve, e detyroi edhe Ibrahim Pashën të ndiqte një politikë bindjeje ndaj Stambollit për të gjetur përkrahjen që i nevojitej. Veziri Bushatlli, ashtu si paraardhësit e tij, nuk e ndërpreu kursin e politikës së brendshme të ndjekur prej tyre dhe sidomos politikën e tolerancës fetare ndaj të krishterëve. Për rrjedhim, ai i ruajti marrëdhëniet e vjetra me Papatin, me oborrin e Spanjës dhe vazhdoi me Austrinë marrëdhëniet e mira ekonomike që kishte pasur me Venedikun. Ish zëvendëskonsulli venedikas, tani austriak, Jak Mark Suma, vazhdoi funksionin që kishte pasur deri në traktatin e Kampo Formios. Po kështu u soll Ibrahim Pasha edhe me Republikën e Raguzës.
Në sajë të kësaj politike të brendshme e të jashtme, Pashallëku i Shkodrës njohu për disa vjet një periudhë relativisht të qetë, që i dha mundësi zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së mëtejshme të autoritetit të Ibrahim Pashës në Shqipërinë Veriore. Ai u bë sundimtar i pavarur e zot absolut në vendin e tij. Më 1802 vdiq Mehmet Pasha dhe sanxhaku i Elbasanit kaloi në duart e Ali Pashës së Beratit. Megjithëse midis vezirit të Shkodrës e atij të Beratit filluan mosmarrëveshje për punë të këtij sanxhaku, sulltani duke parë te Bushatlliu një nga funksionarët e lartë më të bindur, në tetor 1803 ia besoi atij postin e valiut të Rumelisë, pasi ia hoqi atë Ali pashë Tepelenës. Detyrën që iu ngarkua në vitin 1804, për të shfarosur një varg krerësh separatistë në Rumeli, Ibrahim Pasha e përmbushi me sukses.
I kënaqur prej valiut shkodran, sulltani jo vetëm ia konfirmoi ofiqet dhe sipërmarrjet që kishte pasur, por i dha atij edhe të drejtën të emëronte në sanxhakun e Elbasanit dhe të Dukagjinit njerëzit që dëshironte vetë. Bushatlliu emëroi në Elbasan dhëndrin e vet Ahmet pashë Tiranën, kurse në Pejë ithtarin e vet Mustafa pashë Gjakovën. Kështu Pashallëku i Shkodrës arriti përpjesëtimet tokësore që kishte pasur në kulmin e sukseseve të vezirëve Bushatllinj paraardhës.
Mirëpo ky përforcim i pushtetit të Ibrahim Pashës së Shkodrës zgjoi shqetësimin e Ali pashë Tepelenës, i cili u tremb se mos valiu shkodran do të shtinte në dorë edhe 14 kazatë që ai kishte shkëputur nga sanxhaku i Manastirit, të cilat i përkisnin Bushatlliut si vali. Kjo e shtyu Alinë të pajtohej me vezirin e Beratit dhe të përgatitej për luftë kundër Bushatlliut. Ishte koha kur kishte shpërthyer kryengritja serbe dhe malazezët, të nxitur dhe prej rusëve, filluan trazira në kufi. Ibrahim pashë Bushatlliu ndërmori një ekspeditë kundër Malit të Zi, me anë të së cilës shkëputi prej tij krahinat e Kuçit, të Piprit dhe të Kelmendit, mirëpo nuk i eci puna mbarë ndaj dy vezirëve toskë që korrën fitore kundër trupave të tij në Ohër e në Elbasan. Kjo grindje mund të shndërrohej në një luftë të madhe po të mos ndërhynte Porta për fashitjen e saj.
Në dhjetor 1805 Selimi III e konfirmoi përsëri Bushtalliun në postin e valiut të Rumelisë edhe për vitin 1806. Një nga detyrat më me rëndësi që i ngarkoi Porta Bushatlliut ishte shtypja e kryengritjes serbe. Në korrik 1806 bashkë me vezirët e Bosnjës dhe të Vidinit ai ndërhyri me forcat e tij kundër kryengritjes në Serbi. Serbët kërkuan pezullimin e luftimeve. Porta e Lartë, që nuk deshi të hynte në luftë me Rusinë ku e shtynte Franca, pranoi. Ibrahim Pasha, i cili prishi marrëdhëniet e veta me mirditasit duke vrarë prijësin e tyre, u largua para kohe duke paraqitur pretekste të ndryshme, si mungesë furnizimi etj. Kronika shkodrane thotë se “kthej pa fare dobijet në Shkodër”. Porta e Lartë e shkarkoi nga detyra e valiut të Rumelisë, edhe nga ajo e kryekomandantit ushtarak të ekspeditës kundër Serbisë.
Ndërkohë francezët kishin pushtuar Dalmacinë dhe kishin mbërritur deri në kufijtë e Pashallëkut të Shkodrës. Qeveria franceze dërgoi në Shkodër, ashtu siç kishte dërguar në Janinë, përfaqësuesin e vet, konsullin Mark Bryer, me mision të lidhte e të forconte marrëdhëniet miqësore. Bushatlliu u druhej fqinjëve të rinj të fuqishëm, prandaj mbajti ndaj tyre qëndrim të rezervuar e korrekt dhe nuk pranoi të merrte anën e tyre as përpara dhe as gjatë luftës ruso-turke që filloi në mbarim të vitit 1806. Jo vetëm nuk pranoi të bashkëpunonte me gjeneralët francezë kundër Malit të Zi, por as të rekrutonte ushtarë me rrogë në pashallëkun e tij. Ai shfaqi dëshirën të vendoste marrëdhënie miqësore në interes të të dy palëve, gjë që e miratoi edhe qeveria franceze. Mirëpo këto marrëdhënie hasën në pengesa të shumta si nga korsarët francezë që kapnin anijet shkodrane, ashtu dhe nga aparati administrativ burokratik francez, drejtuesit e të cilit kërkonin të nxirrnin përfitime për veten e tyre.
Traktati i Tilsitit (më 1807) i dha fund konfliktit franko-rus dhe ngjalli shpresa se paqja do të krijonte kushte për zhvillimin më të mirë të marrëdhënieve tregtare me vendet e tjera. Ibrahim pashë Bushatlliu si çifligar i madh, si pjesëmarrës në veprimtarinë tregtare e lundrimore dhe si qeveritar i një qyteti të madh tregtar si Shkodra, shumica e banorëve të së cilës jetonin me tregti, i përmirësoi marrëdhëniet me konsullin Bryer dhe lejoi disa favore në dobi të fqinjëve lidhur me furnizimin me ushqime e me lëndë druri. Por mosbesimi që kishte ndaj francezëve mbeti. Duke përfituar nga përvoja e hidhur e miqësisë së Ali pashë Tepelenës me ta, ai filloi ta shihte miqësinë me Perandorinë Franceze si rrezik të afërt për pushtimin e Shqipërisë, aq më shumë kur edhe Porta e Lartë deklaronte se në Tilsit ishin marrë vendime sekrete kundër Perandorisë Osmane dhe se ndërmjetësimi i Francës për rivendosjen e paqes me Rusinë ishte i rremë.
Prandaj, edhe sipas udhëzimeve të Stambollit, ai filloi përgatitjen për mbrojtje dhe, në të njëjtën kohë, u afrua me vezirët e Beratit dhe të Janinës për lidhje ushtarake si e vetmja rrugë për mbrojtjen e pushtetit të tyre dhe të gjithë vendit. Ultimatumi që guvernatori francez i Korfuzit i dërgoi Ali pashë Tepelenës për t’i dorëzuar Butrintin se ndryshe do ta pushtonte me forcë, si dhe kërkesa e autoriteteve ushtarake franceze për të kaluar një divizion ushtarësh nëpër tokën shqiptare shkaktuan shqetësime në Shqipëri. Në këto rrethana edhe popullsia e Shqipërisë Veriore, sikurse ajo e pjesëve të tjera të Shqipërisë, bashkë me krerët e saj, shfaqi zemërim ndaj fqinjit të huaj dhe u rreshtua rreth vezirit të vet, e gatshme për të mbrojtur vendin. Konsulli Bryer shkruante në këtë kohë se “kokat e njerëzve ishin nxehur më shumë sesa kujtonte veziri i Shkodrës”. Bushatlliu, ndonëse nuk i reshti masat mbrojtëse dhe njoftoi edhe krerët e malësive të ishin gati për luftë, nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet diplomatike për të ruajtur marrëdhëniet paqësore me Francën. I ndërgjegjshëm për pasojat shumë të rënda që do të sillte një luftë me Francën, ai i deklaroi konsullit Bryer se në një rast të tillë, më shumë se kushdo tjetër ishte ai dhe vendi i tij që do të pësonin po të prisheshin marrëdhëniet paqësore, por, në qoftë se lufta do të bëhej e pashmangshme, ai do të kryente detyrën e vet.
Përpjekjet e Ibrahim Pashës për të mos provokuar konfliktin e armatosur dhe për të ruajtur gjendjen paqësore dështuan. Vrasja e katër ushtarakëve francezë në Tivar më 13 mars 1808, që erdhi si pasojë e sjelljes së tyre arrogante dhe e urrejtjes së tivarasve ndaj tyre, solli rrjedhime të rënda në marrëdhëniet fqinjësore. Megjithëse hetimet nxorën në dritë fajësinë e katër oficerëve francezë dhe me gjithë kujdesin e veçantë të vezirit të Shkodrës e të vartësve të tij, në Tivar për të mënjanuar incidentin, kryekomandanti i ushtrisë së Dalmacisë, gjenerali Marmon e akuzoi Ibrahim Pashën te perandori Napoleon si shkaktar të vrasjes së katër oficerëve dhe i kërkoi dënimin e komandantit të Tivarit e të personave të tjerë pjesëmarrës në këtë vrasje. Në të njëjtën kohë, gjenerali Marmon burgosi të dërguarin e vezirit të Shkodrës, që 11 ditë më parë i kishte shpënë dhurata në shenjë miqësie.
Napoleon Bonaparti kërkoi të ndëshkoheshin shkaktarët e vrasjes së oficerëve francezë në Tivar, urdhëroi që të kërkohej sadisfaksioni i plotë, ndryshe konsulli Bryer do të largohej nga Pashallëku i Shkodrës me gjithë shtetasit francezë që gjendeshin aty. Edhe ky urdhër kishte karakterin e një ultimatumi. Por, ashtu siç dështoi ultimatumi për pushtimin me forcë të Butrintit, dështoi edhe ky. Sa për sy e faqe Ibrahim Pasha, i përkrahur nga vezirët e Beratit e të Janinës, si dhe nga Porta e Lartë, e pushoi nga detyra komandantin e Tivarit dhe e goditi këtë qytet. Kurse francezët, që nuk kishin interes t’i prishnin marrëdhëniet diplomatike me Portën e Lartë dhe që kishin nevojë për furnizime me ushqime, nuk e zgjatën më tej çështjen e sadisfaksionit. Si përfundim, marrëdhëniet tregtare u normalizuan, por ngjarje të rëndësishme në pashallëk e zhvendosën vëmendjen e Ibrahim Pashës nga politika e jashtme në atë të brendshme.
Ndërsa filluan të normalizoheshin marrëdhëniet fqinjësore me francezët dhe të gjallëroheshin shkëmbimet tregtare, që përbënin një nga preokupimet kryesore të shkodranëve, në Tiranë lindi një konflikt i rëndësishëm brenda pashallëkut që solli rrjedhime serioze me karakter politik dhe ekonomik në Shqipërinë e Veriut dhe shënoi fillimin e procesit të shpërbërjes së Pashallëkut të Shkodrës. Vdekja e Ahmet pashë Tiranës që ndodhi në këtë kohë, shtroi për Ibrahim pashë Bushatlliun dy çështje me rëndësi: së pari, zëvendësimin e tij me një komandant besnik në krahinën e Tiranës, dhe së dyti, sigurimin e administrimit të pasurisë së dhëndrit të vdekur, e cila u përkiste vajzave të mitura që la pas. Për këtë ai shkoi vetë në Tiranë i shoqëruar nga një forcë e rëndësishme ushtarake. Për komandant vendosi Sulejman pashë Peqinin, megjithëse paria e Tiranës nuk e deshi, kurse për administrator caktoi të bijën, Humajun hanëmin, nënën e vajzave trashëgimtare.
Pas largimit të vezirit shkodran, paria e Tiranës ngriti krye më 19 nëntor 1808. E lidhur me Kapllan pashë Toptanin, ajo dëboi me forcë Sulejman Pashën, kurse Kapllan Pasha nisi për në Shkodër Humajun hanëmin dhe mori vetë në dorë administrimin e pasurisë së Ahmet Pashës së vdekur, duke u bërë kujdestari i vajzave të tij. Kështu filloi armiqësia e vjetër e Bushatllinjve me Toptanët, të cilët jo vetëm prenë rrugën me Shkodrën, por rrethuan edhe Durrësin, të cilit i mbetën hapur vetëm rrugët detare për të komunikuar me Shkodrën. Zgjidhja e këtij konflikti shumë të rëndësishëm nuk mund të arrihej veçse me forcën e armëve. Në muajin shkurt 1809, veziri Bushatlli dërgoi kundër Tiranës një pjesë të rëndësishme të ushtrisë, të përbërë kryesisht prej malësorësh, nën drejtimin e komandantit të gardës së vet, Abdyl agë Dervishit. Por zgjidhja që kërkoi të arrinte Ibrahim Pasha nuk u arrit, sepse pas një sëmundjeje prej pesë ditësh ai vdiq dhe ushtria u kthye në Shkodër për të vendosur rendin. Kështu krahinat e Tiranës dhe të Krujës mbetën të shkëputura nga Pashallëku i Shkodrës. Kjo shënoi fillimin e procesit të shthurjes së këtij pashallëku. Ibrahim Pasha la pas dy djem të rritur, Tahir Pashën dhe Dervish Beun. Porta e Lartë ia la pushtetin Tahir Pashës, por meqenëse ai ishte i mitur (nuk kishte mbushur as pesë vjeç) lindi grindja në gjirin e oborrit të Shkodrës për çështjen e qeverisjes, që hapi rrugë për një thellim të mëtejshëm të procesit të thërmimit të pashallëkut të Shqipërisë Veriore.
Megjithëse gjatë viteve 1796-1809 vezir Ibrahim pashë Bushatlliu u tregua më i bindur ndaj Portës së Lartë sesa paraardhësi i tij Kara Mahmudi, në të vërtetë ishte po aq i pabindur sa edhe i vëllai. Parimi i përparësisë së interesave të pashallëkut të vet ndaj atyre të perandorisë mbeti edhe për të princip udhëheqës i marrëdhënieve me pushtetin qendror. Ky qëndrim i dha atij mundësinë që jo vetëm të mbetej në radhën e parë të feudalëve të krahinave, që faktikisht ishin autonomë, por edhe të shtrinte pushtetin e familjes së vet në kufijtë maksimalë që kishte arritur Pashallëku i Shkodrës në periudhën më të lulëzuar të të atit dhe të vëllait të vet.
Kur konflikti i madh evropian mbërriti në kufijtë veriperëndimorë të Perandorisë Osmane dhe kur i gjithë vendi, e sidomos Shqipëria e Veriut u gjend në vijën e parë të rrezikut të pushtimit që sillte me vete ky konflikt, Pashallëku i Shkodrës mundi t’i përballonte pa pasoja të rënda politike dhe ekonomike synimet grabitqare të shteteve të fuqishme ruse e franceze. Për rrjedhim, veprimtaria ekonomike e brendshme dhe e jashtme ndoqi një ritëm thuajse normal. Ky ishte fryt i politikës së aleancës ushtarake midis vezirëve e pashallarëve vendas, të cilët, përpara kërcënimit që të humbisnin gjithçka, u detyruan të hiqnin dorë nga rivalitetet e tyre dhe ndihmuan njëri-tjetrin me mjete dhe ushtarë derisa u kapërcye rreziku me tërheqjen e fqinjëve agresorë francezë. Ky bashkëveprim, i mbështetur në ndjenjat patriotike të popullsisë shqiptare që ata qeverisnin, e detyroi edhe Portën e Lartë të hiqte dorë nga premtimet që u kishte dhënë francezëve për të shkelur dhe për të përdorur trojet shqiptare në dobi të luftës së tyre.
Ibrahim Pasha, ashtu sikurse Ali pashë Tepelena, mbajti kundrejt rrezikut të jashtëm një qëndrim të mençur e burrëror. Kurse në çështjen e bashkimit të Shqipërisë nën një pushtet të vetëm e të përqendruar politik dhe të shkëputjes së saj nga varësia politike e Portës së Lartë ose për t’u bërë një shtet autonom brenda suazës së Perandorisë Osmane, ai u tregua konservator. Megjithatë, Ibrahim Pasha, në kushtet e ndarjes së Shqipërisë në vezirate dhe pashallëqe, arriti të mbante të bashkuar pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut dhe krijoi kështu kushtet për zhvillimin ekonomik të vendit. Ky nivel ekonomik, shoqëror e kulturor, që u sigurua në Shqipëri, nxiste më shumë prirjen drejt bashkimit politik të vendit. Fillimi i procesit të shthurjes së Pashallëkut të Shkodrës me shkëputjen e krahinave të Tiranës dhe të Krujës nga varësia e vezirit të Shkodrës dhe afrimi e lidhja e tyre me vezirin e Janinës, si dhe kalimi i Shqipërisë së Jugut nën pushtetin e Ali pashë Tepelenës, që eci me ritme të shpejta, sidomos pas vdekjes së Ibrahim pashë Bushatlliut, ishin shprehje të qarta të prirjes së vendit drejt bashkimit politik | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:06 am | |
| Grindjet për pushtet në Pashallëkun e Shkodrës
Menjëherë mbas vdekjes së Ibrahim Pashës, u formua regjenca nën kryesinë e qehajait të vezirit, Sali bej Koplikut, Sulejman Beut të vogël dhe të Mehmet agë Tabakut, që ishin tre nga bashkëpunëtorët kryesorë të vezirit të vdekur. Regjenca mori pushtetin në emër të Tahir Pashës pesëvjeçar dhe u mundua të ruante rendin e qetësinë. Kjo ishte një masë e nevojshme veçanërisht kur doli në dritë rreziku i shpërbërjes së pashallëkut, që filloi me ngjarjet e Tiranës. Por, me kthimin e ushtrisë nga Tirana, doli si pretendent për të marrë pushtetin Xheladin Beu, kushëri i vezirit, i përkrahur nga vëllezërit Dervishaj, njëri komandant i gardës dhe tjetri hazinedar (përgjegjës i thesarit) i vezir Ibrahim Pashës. Këta pretendonin se detyra e myteselimit të Tahir Pashës i takonte Xheladin Beut, meqenëse ai ishte më i moshuari në farefisin e vezirit të vdekur dhe se vetë Ibrahim Pasha atë e linte si mëkëmbës sa herë që largohej nga Shkodra. Në të vërtetë Dervishajt synonin ta drejtonin vetë pashallëkun, meqë Xheladin Beu ishte njeri i pazotë. Por synimet e tyre ndeshnin në antipatinë e krerëve shkodranë dhe të popullsisë së qytetit të Shkodrës ndaj Xheladin Beut. Krahas këtij grupi doli një tjetër, i cili duke u mbështetur në pjesën më të madhe të shkodranëve, kërkonte t’i jepte pushtetin Mustafa Beut, djalit 13-14 vjeçar të Mehmet pashë Bushatlliut, kujtimi i mirë i të cilit si burrë i virtytshëm ruhej ende në Shkodër. Ky pinjoll Bushatlli përkrahej edhe nga veziri i Janinës, që kishte fejuar mbesën e vet me të. Ali Pasha i njoftoi krerët feudalë shkodranë se kishte ndërhyrë në favor të tij pranë Portës së Lartë. Ky interesim, që në dukje lidhej me krushqinë, nuk ishte i zhveshur nga interesa politike me bazë bashkimin politik, vullnetar e paqësor të Shqipërisë.
Më 7 mars 1809 në Shkodër plasi një zjarr i shkaktuar nga grindjet midis grupeve rivale. Ky zjarr u fashit pas djegies së një lagjeje të qytetit, dhe pas marrëveshjes së krerëve kryesorë për t’ia lënë qeverisjen e përkohshme Xheladin Beut. Mirëpo, duke pasur frikë se mos humbiste pushtetin dhe meqë Koplikajt, sipas tij, ishin nxitës të një komploti që synonte t’i jepte qeverisjen Mustafa Beut, Xheladin Beu vrau Sulejman Beun e vogël. Atëherë, për t’i dalë përpara përçarjes së mëtejshme dhe luftës civile, krerët e shkarkuan Xheladin Beun nga funksioni që i kishin besuar dhe ia kaluan atë Mustafa Beut, të bindur se vetëm autoriteti i derës së Bushatllinjve do të shpëtonte pashallëkun dhe do të mënjanonte luftën civile. Xheladin Beu megjithëse u ngrit me 300 pasuesit e tij kundër myteselimit të ri dhe luftoi i mbyllur në sarajet e veta, u detyrua të dorëzohej me kusht që të largohej nga qyteti pa iu prekur pasuria.
Ky sukses si dhe nënshtrimi i krahinës së Vasejoviqit, që në atë kohë kaloi në anën e Malit të Zi, e rriti autoritetin e Mustafa Beut dhe u duk sikur u vendos qetësia. Mirëpo intrigat në oborrin e Shkodrës nuk pushuan. Pas Xheladin Beut u revoltuan vëllezërit Dervishaj. I këshilluar edhe prej Ali pashë Tepelenës, Mustafa Beu i shkarkoi ata nga funksionet e larta që mbanin. Ata kundërshtuan dhe, më 21 dhjetor 1809, filluan qëndresën e armatosur në sarajet e tyre ku kishin futur edhe artileri. Më 18 dhjetor, edhe ata kapitulluan dhe u larguan nga Shkodra pasi siguruan paprekshmërinë e pasurisë së tyre. Fakti se Mustafa Beu ua detyronte pushtetin këshilltarëve e favoritëve që e përkrahnin, u dha mundësi disave prej tyre të fillonin të pasuroheshin në kurriz të popullit duke kryer veprime arbitrare.
Ky regjim arbitrar ndeshi në kundërshtimin e fortë të qytetarëve. Përfaqësuesit e esnafeve me çaushbashin në krye shkuan në kështjellë dhe protestuan te Mustafa Beu, duke kërkuar prej tij të ndëshkonte veprimin arbitrar të një oficeri të tij ndaj një tregtari. Mustafa Beu, sipas këshillave të favoritëve të tij, jo vetëm refuzoi ta ndëshkonte oficerin fajtor, por urdhëroi që çaushbashi të dëbohej nga Shkodra. Përfaqësia shkodrane kundërshtoi dhe kërkoi prej tij të dëbonte këshilltarët e këqinj. Shpërtheu kështu konflikti midis qytetarëve dhe qeveritarit. Qytetarët u bashkuan dhe bllokuan kështjellën. Me lagjet e tjera të Shkodrës u lidh edhe ajo e tabakëve që njihej si përkrahëse besnike e Bushatllinjve. Shumica e qytetarëve, zejtarë e tregtarë, ngjeshën armët, ngritën barrikada, siguruan mallrat më të vyera të tregut në vise ku nuk i kapte rrezja e qitjeve të artilerisë dhe e forcuan bllokadën e kështjellës. Në këto përgatitje nuk munguan të merrnin pjesë edhe gra shkodrane të armatosura.
Java e parë e rebelimit të popullit kundër qeveritarit Bushatlli e sidomos kundër favoritëve të tij, shkoi pa u zbrazur armë nga të dy palët, sepse të gjithë e dinin se Mustafa Beu ishte ende tepër i ri për ta ngarkuar me përgjegjësi të plotë. Edhe pas një muaji gjendja nuk ndryshoi. Kjo gjendje pritjeje filloi të shkaktonte çrregullime në qytet dhe të rrënonte shtresat e varfra qytetare për shkak të pezullimit të veprimtarisë së tregut. Ndërkohë, përfituan nga trazira dhe mbërritën në Shkodër Xheladin Beu dhe Dervishajt me qëllim që të merrnin pushtetin duke shfrytëzuar mosmarrëveshjen midis popullit dhe qeveritarit Bushatlli. Për t’ia arritur qëllimit të tyre, ata përgatitën një komplot të rrezikshëm. Ndërsa u lidhën me kapedanin e Mirditës, Preng Lleshin, dhe me komandantin e Lezhës, Sulejman Agën, të cilët i bindën të ngrinin krye, në Shkodër bënë për vete shumicën e krerëve të qytetit për ta rrëzuar Bushatlliun e ri nga pushteti i myteselimit. Mirëpo lagjja e tabakëve u shkëput nga lidhja qytetare, sepse krerët e saj nuk donin të vinte në fuqi Xheladin Beu dhe as të ndërronte karakteri i lëvizjes që ishte ndëshkimi e dëbimi i favoritëve të myteselimit të ri. Nga ana e tij, Mustafa Beu kërkoi ndihmën e malësive të Shkodrës. Më 2 mars 1810 u ndez lufta civile midis përkrahësve të Xheladin Beut dhe atyre të Mustafa Beut, kurse më 3 mars Zadrima ra në duart e mirditorëve dhe Sulejman Aga i Lezhës u bashkua me Xheladin Beun.
I përkrahur nga banorët e lagjes së tabakëve dhe nga malësitë, Mustafa Beu filloi më 9 mars kundërsulmin, duke përdorur të gjitha forcat dhe armët e veta, pa përjashtuar artilerinë. Dy ditë e dy net vazhduan luftimet dhe, megjithëse u vranë e u plagosën 300 veta nga të dyja palët, fitorja nuk u buzëqeshi as rrethuesve e as të rrethuarve. Për të varrosur të vrarët dhe për të filluar bisedimet për marrëveshje, Mustafa Beu dërgoi përfaqësuesin e vet në qytet. Të lodhur e të dëshpëruar nga konflikti që shkaktoi aq gjakderdhje e aq dëme materiale në qytet, e sidomos në treg dhe, meqë nuk prisnin asgjë të mirë nga ardhja në pushtet e Xheladin Beut, shkodranët e thjeshtë e pritën me dëshirë lajmin e dërgatës së Mustafa Beut. Bisedimet për marrëveshje filluan më 11 mars, por nuk nxorën në dritë asnjë përfundim. Kjo gjendje i mërziti shkodranët, prandaj, ata më nevojtarët filluan nga punët e veta. Shembullin e tyre e ndoqën edhe të tjerë, kështu lëvizja dalëngadalë u shua. Në këtë mënyrë, heshtazi Shkodra nuk pranoi që pushteti të kalonte në duart e Xheladin Beut, synimet e të cilit dështuan. Ndërkaq, nga Porta e Lartë mbërriti fermani që i dha gradën e pashës me dy tuja Mustafa Beut dhe miratoi qeverisjen e sanxhakut të Shkodrës nga ana e tij në emër të Tahir Pashës, derisa ky të arrinte moshën madhore. Pashës së ri i mbetej të zgjidhte problemin e Zadrimës dhe të Lezhës që rrezikonin t’i dilnin përfundimisht nga duart.
Meqenëse nuk ia arritën qëllimit me forcat e tyre në qytetin e Shkodrës, krerët kundërshtarë u lidhën me forca të jashtme sikurse ato të Kapllan pashë Toptanit dhe Numan pashë Begollit. Preng Lleshi e Sulejman Aga i dhanë pengje Kapllan Pashës, kurse Numan Pashës i premtuan bashkimin e krahinave të Lezhës, të Zadrimës e të Mirditës me sanxhakun e Dukagjinit. Kjo shkëputje që ishte dëshirë e vjetër e Begollajve, të cilët i kishin humbur ato krahina qysh më 1769, i interesonte edhe Kapllan Pashës, sepse kështu ai nuk do t’i kishte më në kufi Bushatllinjtë dhe do të siguronte sundimin e vet në krahinat e Krujës, të Tiranës, të Durrësit dhe të Ishmit deri në lumin Drin, që ishin vënë nga ajo kohë në “vartësi” të vezirëve shkodranë.
Fakti që krerët kundërshtarë nuk pranuan njohjen zyrtare të Mustafa Beut si myteselim e si pashë dhe veçanërisht përhapja e lajmit për mundësinë e shkëputjes së tri krahinave nga sanxhaku i Shkodrës, i afroi shkodranët dhe i lidhi me qeveritarin e tyre ligjor. Ky lajm i detyroi edhe pashallarët kosovarë të Prizrenit, të Prishtinës, të Shkupit dhe të Tetovës të afroheshin me Bushatlliun dhe t’i premtonin atij përkrahje ushtarake kundër Numan Pashës së Pejës me të cilin ishin në grindje. Shqetësimi i tyre lidhej në radhë të parë me ndryshimet që po ndodhnin në Shqipërinë Jugore në dobi të pushtetit të Ali Pashës dhe me rrezikun e shtrirjes së mëtejshme të sundimit të tij edhe në Shqipërinë Veriore, mbasi ndërkohë administrimi i sanxhakëve të Elbasanit dhe të Ohrit kishin kaluar në duart e tepelenasve.
I çliruar nga trazirat në qytetin e Shkodrës dhe i përkrahur nga pashallarët kosovarë, Bushatlliu e drejtoi ushtrinë e vet, të përforcuar me malësorë besnikë të Mbishkodrës, në Zadrimë e në Lezhë. Preng Lleshi dhe Sulejman Aga, të mbetur pa ndihmën e forcave të Numan Pashës, që nuk guxoi të ndërhynte, sepse u gozhdua nga forcat e pashallarëve kosovarë, pësuan disfatë. Kapidani i Mirditës, që u plagos vetë dhe humbi të vëllanë e një numër pasuesish, u tërhoq në krahinën e vet, kurse komandanti i Lezhës u kap i gjallë. Kjo fitore e rëndësishme i detyroi krerët kundërshtarë shkodranë, duke filluar nga më të moderuarit deri te Xheladin Beu e Dervishajt që kishin qenë koka e komplotit, por që u fshehën prapa aleatëve të tyre, të kërkonin pajtim me myteselimin zyrtar e fitimtar. Për t’u dhënë fund grindjeve, Bushatlliu pranoi t’i falte dhe të pajtohej me ta në muajin gusht 1810. Por pajtimi nuk zgjati shumë. Xheladin Beu e Dervishajt, të shqetësuar se mund të arrestoheshin, sikurse disa krerë përkrahës të tyre, u rebeluan përsëri më 27 mars 1811 dhe luftuan kundër forcave të Bushatlliut deri më 2 shkurt 1811, derisa pozicionet e tyre u shkatërruan nga artileria e tij. Pas kësaj ata u larguan fshehurazi nga Shkodra. Ky sukses i ri si dhe një fitore tjetër mbi malazezët, që kishin sulmuar në kufi, i dhanë fund përçarjes feudale në Shkodër dhe në sanxhak. Kjo u shpreh në bindjen e plotë të komandantëve të krahinave, të cilët njëri pas tjetrit iu nënshtruan pashës Bushatlli. Kështu u rivendos autoriteti i shtëpisë së Bushatllinjve dhe u rrit përqendrimi i pushtetit në duart e saj. Por trazirat e deritanishme thuajse e kishin reduktuar Pashallëkun e Shkodrës në kufijtë e sanxhakut të Shkodrës.
Nga Pashallëku i Shkodrës ishin shkëputur sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, që kishin kaluar nën sundimin e vezirit të Janinës, ndërsa, nga ana tjetër, kishte dalë në shesh armiqësia e Begollajve ndaj Bushatllinjve duke u asgjësuar kështu edhe lidhja që e bënte sanxhakun e Dukagjinit të konsiderohej si pjesë përbërëse e atij pashallëku. Më 1 gusht 1811, Ali pashë Tepelena pushtoi qytetin e Vlorës dhe bashkë me të, pjesën dërrmuese të sanxhakut të Vlorës. Kjo gjendje i detyroi krerët kryesorë të sanxhakut të Shkodrës si dhe ata të sanxhakëve të Kosovës të shtrëngonin lidhjet e tyre rreth Mustafa Pashës, me qëllim që të krijohej një ekuilibër i ri forcash në Shqipëri për të penguar shtrirjen e mëtejshme të sundimit të vezirit të Janinës drejt veriut. Ky afrim u bë sidomos kur Bushatlliu i ri filloi përgatitjet për martesën e vet me mbesën e Ali Pashës. Nën ndikimin e tyre, Mustafa Pasha i drejtoi Portës së Lartë një kërkesë, me anën e së cilës i lutej t’i besohej detyra e mytesarifit të sanxhakut të Shkodrës. Këtë kërkesë e motivoi me nevojën për t’i bërë ballë vezirit të Janinës, i cili duke strehuar Xheladin Beun, si dhe bejlerët e agallarët e tjerë të dëbuar nga Shkodra, kishte për qëllim të shtinte në dorë edhe sanxhakun e Shkodrës dhe pastaj të shpallej sundimtar i pavarur. Në fund të lutjes ai shtonte se e konsideronte Ali Pashën armik dhe, po ta lypte nevoja, ishte gati të jepte jetën e vet për sulltanin.
Kjo kërkesë u shoqërua nga një varg deklaratash të kadilerëve të krahinave të sanxhakut të Shkodrës, në të cilat thuhej se Mustafa Pasha ishte treguar i aftë të vendoste rendin e qetësinë dhe të mbronte kufijtë, prandaj kërkohej nga Porta e Lartë që ai të emërohej mytesarif i sanxhakut të Shkodrës. Në të vërtetë, Mustafa Pasha dhe ata që qëndronin pas tij kishin arsye t’i shihnin me dyshim synimet pushtuese të vezirit të Janinës, mbasi Numan Pasha i Pejës ishte një nga të përkrahurit e tij, kurse Kapllan Pasha i Krujës ishte vartës i drejtpërdrejtë i tij, meqenëse krahinat ku qeveriste ai i përkisnin sanxhakut të Ohrit. Xheladin Beu dhe Dervishajt jo vetëm ishin strehuar në trojet ku sundonte Kapllan Pasha, por kishin marrë edhe drejtimin e krahinës së Tiranës, kishin vrarë dy vëllezër të familjes së Jellajve, që nuk kishin dashur të shkëputnin lidhjet e tyre me Bushatllinjtë, dhe kishin detyruar Ahmet agë Jellën të braktiste sipërmarrjen e Durrësit e të arratisej. Në këto rrethana Mustafa Pasha filloi të kundërvepronte. Nga njëra anë, dërgoi forcat ushtarake deri 10 km larg Pejës për të nxitur e inkurajuar pejanët të ngriheshin kundër Numan Pashës, për të dëbuar e për të vendosur në vendin e tij Ethem Pashën; nga ana tjetër, filloi një fushatë të gjerë për pajtimin e gjaqeve dhe armiqësive në të gjithë sanxhakun e Shkodrës. Fushata të tilla bëheshin vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur i duhej bërë ballë ndonjë rreziku të madh.
Të gjitha këto ngjarje treguan ndarjen në dy fronte armiqësore të pashallarëve shqiptarë, që ishin njëri kundër bashkimit të vendit nën një pushtet të vetëm, kurse tjetri pro këtij bashkimi. Kjo përçarje u kristalizua pikërisht kur mendohej se lidhja e krushqive midis dy familjeve më të fuqishme të parisë shqiptare, mund të shpinte në marrëveshje midis tyre për t’u kryer kthesa e madhe politike e bashkimit të klasës feudale shqiptare dhe e shtetit të saj, pa të cilën nuk mund t’i jepej fund pushtimit shekullor osman. Mirëpo përçarja e krerëve shqiptarë ishte ende një plagë e thellë, që ushqehej në radhë të parë nga partikularizmi i theksuar i disa oxhaqeve kryesore feodale.
Porta e Lartë nuk la pa e shfrytëzuar këtë gjendje. Ajo jo vetëm pranoi ta emëronte Mustafa Pashën mytesarif të sanxhakut të Shkodrës, por shqyrtoi edhe mundësinë për ta ngritur atë në shkallën e vezirit dhe për t’i krijuar kushtin e domosdoshëm që të grumbullonte rreth vetes të gjithë krerët, kundërshtarë të vijës së bashkimit të klasës feudale shqiptare nën një udhëheqje të vetme politike. Një vendim të tillë ajo e mori kur Mustafa Pasha dërgoi 800 krushq të vinin të merrnin nusen e tij në Janinë. Më 25 maj 1812, kur krushqit shkodranë po ktheheshin në Shkodër bashkë me nusen, mbërriti i dërguari i Portës së Lartë me fermanin në fjalë. Në atmosferën e gëzimit të dasmës, shpallja e fermanit që e emëronte Mustafa Pashën mytesarif të sanxhakut të Shkodrës e të njësive që vareshin prej tij dhe që e ngrinte atë në shkallën e vezirit, zhduku ato mundësi të pakta për afrimin e qeveritarëve të Shqipërisë Veriore e Verilindore me qeveritarin e Shqipërisë së Jugut, i hapi rrugën jo vetëm shembjes së afërt të dy pashallëqeve, por edhe asgjësimit ekonomik e politik madje dhe fizik të dy familjeve sunduese që nuk arritën të merreshin vesh e të bashkoheshin me njëra-tjetrën. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:06 am | |
| 5. SHEMBJA E PASHALLËKUT TË SHQIPËRISË JUGORE
Konflikti i vezirit të Janinës me Stambollin
Qysh në fund të vitit 1787 Ali Pasha kishte synuar, sikurse thuhej, “të shpallej një Mahmud Pasha i dytë sapo turqit të pësonin disfatën e parë”. Përforcimi i tij ekonomik, dobësimi i vazhdueshëm i pushtetit qendror dhe rrethanat politike ndërkombëtare ushqenin vazhdimisht shpresën e një pjese të krerëve shqiptarë që përfaqësoheshin nga Ali Pasha, për të mënjanuar sa më shumë vartësinë nga Porta e Lartë, për të mos e ndarë pushtetin dhe të ardhurat e vendit me pushtetin qendror osman. Një varg dëshmish tregojnë se Ali Pasha nuk hoqi dorë nga ideja e pavarësisë. Këtë çështje e kanë vënë në dukje sidomos personalitetet diplomatike me të cilat ai pati lidhje. Nënadmirali rus Ushakov theksonte më 1789 se Ali Pasha “përpiqet të jetë sundimtar i pavarur, madje kësaj mund t’ia arrijë së shpejti”. Uilljam Hamiltoni, sekretar i ambasadës angleze në Stamboll, që vizitoi Janinën më 1803, i raportoi qeverisë angleze të njëjtin mendim, madje ai vuri në dukje se Ali Pasha “në fakt është i pavarur nga qeveria turke”. Edhe personalitetet osmane kishin krijuar një bindje të tillë nga veprimtaria e Aliut. Kapedan Pasha shfaqi më 1804 mendimin se “Ali Pasha kërkon të pushtojë gjithë Shqipërinë dhe pastaj të shpallet i pavarur”.
Në korrespondencën që i drejtohej sulltanit, thuhej se Ali Pasha “nuk ka lidhje me fenë islame dhe ka për ta tradhtuar shtetin osman me të gjitha forcat e tij gjer në shkallën e fundit”. Por edhe sulltan Mahmudi II priste të vinte koha e përshtatshme për të larë llogaritë me mëkëmbësin e tij të fuqishëm e të pabindur, edhe pse në marrëdhëniet zyrtare me Portën, ai ishte nga më të rregulltit në shlyerjen e detyrimeve ushtarake e sidomos të atyre financiare.
Në vitin 1812, kur lidhi paqen me Rusinë dhe kur Fuqitë e Mëdha evropiane gjendeshin në pragun e fazës vendimtare të luftës midis tyre, sulltan Mahmudi II e drejtoi vëmendjen në problemet e brendshme të perandorisë. Pushteti qendror duhej forcuar, duke kufizuar dhe mënjanuar sundimtarët e fuqishëm të provincave. Vëmendja e tij u drejtua në radhë të parë mbi më të fuqishmin e më të rrezikshmin e tyre, Ali pashë Tepelenën, i cili jo vetëm kishte qenë kundër përfundimit të paqes së Bukureshtit të muajit maj 1812, por kishte ndezur në sanxhakun e Ohrit luftën me Jusuf Beun e Dibrës, vartësin e vet të pabindur dhe ithtarin e vezirit të Shkodrës. Mirëpo sulltani e njihte mirë fuqinë e këtij dhe nuk guxoi të merrte ndonjë vendim. I nxitur nga ambasadori frëng Andreosi, ai arriti të merrte një masë të ndërmjetme, me qëllim që ta kufizonte pushtetin e vezirit të Janinës. Prandaj urdhëroi që Veli Pasha të transferohej në sanxhakun e Tërhallës dhe funksionet që mbante vetë Aliu e Myftar Pasha të pezulloheshin deri në një urdhër tjetër. Ky qëndrim i sulltanit e shqetësoi Ali Pashën dhe e detyroi të merrte masa mbrojtjeje e të mbështetej kryesisht në forcat e veta. Nga ana tjetër, ai ruajti dhe i forcoi lidhjet me Anglinë, së cilës ndihma e tij i shërbente për dëbimin e francezëve nga ishujt jonianë si dhe për depërtimin e mallrave angleze në Evropë.
Në muajin prill 1813 u bë në Janinë takimi i vezirit me gjeneralin anglez Ejre, të cilit Ali Pasha i premtoi ndihmën e vet kundër francezëve për pushtimin e Korfuzit. Në emër të qeverisë angleze gjenerali premtoi t’i dorëzonte qytetin e Pargës dhe sipas shërbimeve që do të kryente, mund t’i dorëzohej edhe Lefkadha, Itaka dhe Meganisia. Ai i premtoi gjithashtu Aliut se, po të lindte nevoja, Anglia do ta mbronte atë dhe familjen e tij nga zemërimi i sulltanit duke e strehuar në ishujt jonianë pas vendosjes së protektoratit të saj mbi to. Afrimi me Anglinë si dhe ndërhyrja e vezirit të madh, Hurshid Pashës, pranë sulltanit, për të mos i acaruar më marrëdhëniet me vezirin e fuqishëm të Janinës në një kohë kur kryengritja serbe po zgjerohej, sollën një farë zbutjeje. Porta e Lartë nuk nguli këmbë që ai e Myftari të merrnin pjesë në shtypjen e kësaj kryengritjeje. Në muajin tetor 1813 detyra e derbend-pashës dhe ajo e qeverisjes së sanxhakut të Janinës iu konfirmuan përsëri Ali Pashës, kurse të bijve e të nipërve iu shpërndanë sanxhakët e Shqipërisë Jugore dhe grada pashallarësh. Rrethanat politike ende nuk e lejonin sulltanin të vazhdonte goditjet e papërgatitura kundër Ali Pashës, prandaj ky mundi të ruante pozitat kryesore ushtarake e financiare.
Por, duke parashikuar furtunën e ardhshme, ai vazhdoi të shtonte armatimet dhe të pajisej dhe me 200 topa zjarrhedhës të prodhimit të fundit anglez. Në mars të vitit 1814, kur francezët po largoheshin nga ishujt jonianë dhe forcat angleze nuk ia kishin më nevojën vezirit të Janinës, Londra i shkeli premtimet, ndër të cilat edhe dorëzimin e qytetit të Pargës, të cilin e mori vetë nën mbrojtje. Megjithëse Ali Pasha i kishte afruar shumë forcat e tij pranë këtij qyteti dhe ishte munduar t’ua merrte atë francezëve, duke u premtuar se nuk do të lejonte që ata të binin në duart e anglezëve, nuk ia arriti qëllimit. Francezët nuk i zunë besë Ali Pashës dhe parapëlqyen të kapitullonin para anglezëve. Por Aliu nuk hoqi dorë dhe priti rastin e duhur për të mos e lënë edhe atë pjesë të bregdetit shqiptar në duart e të huajve.
Qëndrimi i ri i Anglisë ndaj Ali Pashës ishte lidhur me situatën e re ndërkombëtare që u krijua në Evropë pas vitit 1815. Me shembjen e Perandorisë Franceze dhe me stabilizimin e gjendjes ndërkombëtare që u shpreh në formimin e “Lidhjes së Shenjtë”, Fuqitë e Mëdha u drejtuan kundër çdo lëvizjeje që rrezikonte fronet mbretërore. Me fjalë të tjera, Londra nuk mund të përkrahte synimet e pavarësisë së mikut të saj. Meqenëse pushtimi i Pargës solli me vete një farë ftohjeje me Portën e Lartë, anglezët, që deklaruan se pushtimi ishte i përkohshëm, e ndreqën punën kur përfunduan traktatin e Parisit. Ata pranuan me këtë rast t’i kthenin Perandorisë Osmane Pargën kundrejt njohjes së protektoratit anglez mbi ishujt jonianë. Dorëzimi i Pargës u arrit vetëm më 10 maj 1819 pasi Ali Pashai pagoi, siç rezulton nga regjistri i llogarive të tij, 612 000 realë për të shpërblyer pasurinë e braktisur të atyre parganjotëve që u shpërngulën në ishujt jonianë. Kështu, pas përpjekjesh shumëvjeçare, Ali Pasha i sheshoi kufijtë politikë që e veçonin këtë qytet nga bregdeti shqiptar dhe e bashkoi atë me mëmëdheun. Që prej kësaj kohe, i plotësuar me banorë të rinj, të ardhur nga brendia e vendit, Parga, nga një vatër grindjesh e lufte, u shndërrua në një qytet paqësor dhe në një skelë tregtare të rëndësishme.
Gjatë viteve 1815-1819, meqenëse kushtet ndërkombëtare dhe ato të brendshme nuk ndihmonin në realizimin e procesit të bashkimit të trojeve shqiptare, Ali Pasha u detyrua t’i përmirësonte marrëdhëniet e tij me Stambollin. Kështu, ai mundi të ruante të paprekur sundimin e familjes së tij në Thesali, në Shqipërinë Jugore, dhe në sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, ku u mundua të përforconte autoritetin e vet duke tërhequr nga ana e tij një varg feudalësh kryesorë, të cilëve u la në dorë postet drejtuese dhe sipërmarrjet. Në sanxhakun e Ohrit mbajti si myteselim Xheladin Beun, dajën e Mustafa pashë Bushatlliut, në Elbasan Abdulla pashë Taushanin, në sipërmarrjen e Durrësit Alltunët e Toptanët, në Dibër bëri për vete ajanin e Dibrës, Abaz Beun dhe në Mat bejlerët kryesorë vendas, duke rekrutuar atje ushtarë me rrogë etj. Si rrjedhim, ai arriti të kufizonte shtrirjen e ndikimit të Mustafa pashë Bushatlliut në Tiranë ku komandën e vendit e mori Molla Beu. Përveç kësaj, duke përkrahur qeveritarët e Prizrenit dhe të Shkupit, dy nga rivalët kryesorë të orvatjeve të vezirit Bushatlli për të vendosur pushtetin e tij të drejtpërdrejtë ose dhe të tërthortë në sanxhakun e Dukagjinit, Ali Pasha bëri që të dështonin këto orvatje në këtë sanxhak. Porta e Lartë vendosi këtu si qeveritar një njeriun e vet. Pra, mosmarrëveshjet ndërmjet vezirëve të Shkodrës e të Janinës, që filluan qysh në mesin e vitit 1812, nuk u ndërprenë. Të dyja palët u qëndruan besnike vijave të tyre politike.
Porta e Lartë, që kishte ndjekur me kujdes të veçantë veprimtarinë e dy vezirëve dhe sidomos atë të vezirit të Janinës, nuk priste veçse rastin të ndërhynte kundër tij. Më 1819 sulltani kishte arritur në përfundimin se “Ali pashë Tepelena ... ka ndërmend të shtjerë në dorë edhe Gegërinë” dhe “po shkuan punët kështu, në Shqipëri ka për të plasur kryengritja”. Mustafa pashë Bushatlliu, pushteti i të cilit gjatë viteve 1812-1819 mbeti i lëkundshëm si brenda, ashtu dhe jashtë kufijve, doli kundër synimeve të Ali Pashës. Ky mbështetej atëherë te Porta e Lartë edhe te pashallarët kosovarë. Në këto rrethana Mustafa Bushatlliu vazhdoi ta nxiste Portën kundër këtij rivali të fuqishëm. Bushatlliu shkruante se “qëllimi dhe ëndrra e Ali Pashës qëndronte në pushtimin e Gegërisë, ashtu siç ka pushtuar vendet e Toskërisë”. Por sulltan Mahmudi II nuk i besonte as Mustafa Pashës, sepse edhe te ky, si te të gjithë feudalët e mëdhenj, shihte një kundërshtar të reformave që synonin fuqizimin e pushtetit qendror.
Për sulltanin ishte e qartë se edhe pashai shkodran kishte “mendime rebelimi në kokën e tij”. Duke parë pozitën e dobët të Portës në Shqipëri, sulltani zbatoi politikën e thyerjes së feudalëve të mëdhenj njëri pas tjetrit, me anë të rivalëve të tyre. Mahmudi II u përpoq të përdorte Bushatlliun kundër vezirit të Janinës, sa pa u bërë ndonjë marrëveshje midis tyre, dhe filloi të merrte masa për të përgatitur shembjen e Pashallëkut të madh të Janinës. Në përputhje me këtë vijë, qysh në fillim të vitit 1820, sulltani urdhëroi që ndaj Mustafa pashë Bushatlliut të mbahej një qëndrim afrues, meqenëse, siç thuhej në urdhër, “mytesarifi i Shkodrës është penduar nga rruga që ka ndjekur”. Më pas ai vuri në zbatim fazën e parë të planit të vet, që parashihte kufizimin e pushtetit të Ali pashë Tepelenës. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:06 am | |
| Organizimi i brendshëm i pashallëkut
Në të vërtetë, pas një vargu veprimesh kryesisht të paligjshme, por të mbuluara me vellon e akteve të ligjshme, që kinse bëheshin për forcimin e pushtetit osman, Ali Pasha kishte vënë nën sundimin e vet, në fillim të vitit 1819, një territor mjaft të madh të banuar pjesërisht nga shqiptarë dhe pjesërisht nga popullsi greke, sllave, vllahe e hebraike, që së bashku arrinin në rreth 1,5 milionë frymë. Kufijtë e këtij territori fillonin nga lumenjtë Shkumbin e Vardar në Veri dhe mbaronin në gjirin e Korinthit në Jug, pasi i vinin rrotull një pjese të deteve Adriatik e Jon në Perëndim dhe një pjese të detit Egje në Lindje. Pashallëku i Janinës përfshinte sanxhakët e Tërhallës, Lepantit, Janinës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit dhe të Ohrit, 14 kaza të sanxhakut të Manastirit dhe 3 kaza të sanxhakut të Selanikut.
Për të qeverisur këtë territor të madh, veziri i Janinës kishte bërë përpjekje që ushtrinë e tij të viteve të para të sundimit ta zmadhonte, ta organizonte më mirë dhe ta armatoste edhe me mjete më të reja të kohës. Tashmë ai kishte ngritur dhe mbante në këmbë një ushtri të përhershme, repartet e së cilës shërbenin në të gjitha pjesët e pashallëkut nëpër grykat e urat e rrugëve, nëpër kullat e fortifikimet e shumta të kufijve dhe sidomos nëpër kështjellat gjatë bregdetit dhe brenda vendit. Efektivi i kësaj ushtrie në vitin 1819 arrinte deri në 15 000 veta. Në kohë lufte Ali Pasha mund të grumbullonte brenda dy-tri ditëve një ushtri prej 50 000 vetash dhe brenda dy-tri javësh këtë forcë ushtarake mund ta dyfishonte dhe ta mbante në këmbë për një kohë mjaft të gjatë me mjetet e veta financiare, me armatime dhe me kuadro komanduese të sprovuara.
Duke ndjekur sistemin e rekrutimit vullnetar me pagesë, që e bënte me anën e bylykbashëve, kapedanëve dhe të bajraktarëve, dhe duke qenë se këta ushtarë sidomos ata shqiptarë, ishin të stërvitur për punë armësh që në vogëli, Ali Pasha nuk e kishte problem të veçantë përgatitjen për luftë të forcave që i nevojiteshin. Përveç kësaj, këta ushtarë duke qenë qitës të mirë, marshues të shpejtë e të qëndrueshëm dhe në përgjithësi trima, mbaheshin si ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane. Përveç armës së këmbësorisë, në ushtrinë e tij bënin pjesë si reparte më vete kaloria dhe artileria.
Ali Pasha kishte edhe një numër më të madh anijesh luftarake. Për aftësimin dhe përdorimin sa më të mirë të armëve moderne, Aliu mori në shërbim instruktorë të aftë evropianë dhe ngriti në Bonila edhe një fonderi për prodhim armësh, sidomos topa e bombarda.
Në krye të këtyre forcave të armatosura qëndronte Këshilli i Lartë ushtarak. Komandant ushtarak ishte krijuesi dhe financuesi i tyre Ali Pasha. Anëtarë të këtij Këshilli ishin mëkëmbësit e tij nëpër sanxhakë, si Myftar Pasha, Veli Pasha, Xheladin bej Ohri, Abdullah pashë Taushani etj., dhe nga bashkëluftëtarët e vjetër që kishin mbetur, Meço Bono, Ago Vasjari, Thanas Vaja, Mehmet agë Muhyrdari, Tahir Abazi etj. Në të bënin pjesë edhe komandantë të rinj, si Omer bej Vrioni, Iljaz bej Poda, Elmas e Selfo Bono etj., por fjalën e fundit edhe në këtë forum e thoshte vetëm Aliu.
Mëkëmbësit e Ali Pashës kryenin në sanxhakët e pashallëkut, përveç funksioneve ushtarake, edhe funksione administrative; zëvendësit e tyre nëpër krahinat e sanxhakëve, myteselimët, ushtronin pushtetin e tyre duke u mbështetur, sikurse edhe më parë, te ajanët e koxhabashët.
Përveç këtij rrjeti administrativ që kishte ngritur e që përbënte themelin e administratës së tij, Ali Pasha kishte ruajtur e zgjeruar në Janinë edhe aparatin qendror. Ai solli aty zyrtarë të zgjuar e me përvojë, myslimanë e të krishterë, që i shërbenin si këshilltarë e sekretarë për çështjet e brendshme, për lidhjet me Portën dhe për marrëdhëniet me jashtë. Këta zyrtarë ishin zgjedhur nga gjiri i parisë së pashallëkut, sikurse Mehmet Efendiu, Said Ahmeti, Haxhi Shehriu, Hysen bej Konica, Sali Çami etj. Kurse Kosta Gramatikoi, Spiro Kolovoi, Mantho Konomi, Lluka Vaja etj., ishin zgjedhur nga borgjezia e pasur e krishtere me kombësi shqiptare, greke, vllahe etj. Për punë të veçanta me karakter ekonomik, fetar e politik, Ali Pasha shfrytëzonte edhe arkondët Stavro Capallano e Dhimitër Dhroso, peshkopët e Janinës e të Artës, profesorin Athanas Psalidha etj. Ndër këshilltarët më të afërt, që kryenin detyrën e sekretarëve, të cilët mbrojtën për një kohë të gjatë interesat e vezirit të Janinës pranë Portës së Lartë, ishte edhe Hysen bej Konica, një i afërt i tij nga e ëma.
Duke përqendruar gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e veta, Ali Pasha ushtroi më me kujdes edhe të drejtën e gjyqit të apelit, me të cilin ai kontrollonte veprimtarinë e gjykatave dhe titullarët e tyre, kadilerët. Ndryshe nga qeveritarët e tjerë të perandorisë, Ali Pasha krijoi ndërkohë një armë të re, atë të policisë. Kjo i shërbeu kryesisht për ta informuar lidhur me veprimtarinë sekrete të kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë pashallëkut, me planet e qeverisë qendrore në Stamboll dhe me pikëpamjet e qeverive evropiane lidhur me politikën ndërkombëtare.
Shpenzimet për ushtrinë dhe administratën, për ngritjen, pajisjen dhe për mbajtjen e pallateve e të vilave, si dhe rezervat e thesarit për ditët e vështira, Ali Pasha e djemtë e tij i siguruan në sajë të dy burimeve kryesore të ardhurash, prej pasurisë private të tyre dhe prej monopoleve. Pasuria private e familjes së Ali Pashës erdhi duke u rritur vazhdimisht nga konfiskimet e pronave të familjeve kundërshtare, nga “blerja” e tokave të një vargu fshatrash, nga tregtimi i prodhimeve bujqësore e blegtorale brenda e jashtë vendit, nga veprimtaria bankare etj. Prodhimi e tregtimi i kripës, i ziftit etj., që tradicionalisht kanë qenë monopole shtetërore, i sillnin arkës së Ali Pashës të ardhura të mëdha.
Megjithëse shpenzimet ushtarake e administrative ishin mjaft të mëdha në krahasim me ato të vezirëve të tjerë, sepse Aliu përgatitej që një ditë të mund të shpallej sundimtar i pavarur ose autonom, ai mundi të krijonte një thesar të konsiderueshëm, i cili në vitet 1819 vlerësohej në 250 milionë piastra. Në varësi të synimeve që Ali Pasha kërkonte të arrinte me anë të pushtetit të vet të fuqishëm e të organizuar, ai zbatoi edhe një politikë të tolerancës fetare. Nuk ishte i rastit fakti që një pjesë e klerit, sidomos bektashinjtë, propagandonin se ai ishte njeri me fat të madh, se ishte caktuar të themelonte dinastinë e mbretërisë shqiptare. Nuk ishte e rastit as edhe prirja e disa klerikëve për të futur në shërbesat kishtare edhe gjuhën shqipe. Më së fundi, nuk ishte e rastit as propaganda e një vargu oborrtarësh që e krahasonin atë me Pirron e Epirit. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:07 am | |
| Shembja e Pashallëkut të Janinës (1822)
Sulltan Mahmudi II, e kuptoi rrezikun e madh që i vinte Perandorisë Osmane nga ngritja dhe fuqizimi i pushtetit të Ali Pashës dhe sidomos nga përpjekjet e tij për të nënshtruar gjithë Shqipërinë e Veriut, prandaj kur pa qartë se veziri i Janinës nuk arriti të bëjë për vete pashallarët e kësaj treve, më 1819 vendosi të vinte në jetë planin e vet kundër tij, të ndërprerë më 1810. Atë e ndihmoi në këtë vepër edhe qëndrimi i vezirit të Shkodrës, i cili pranoi të vihej në shërbim të Portës së Lartë për të luftuar e shkatërruar Ali Pashën. Për rrjedhim, në fillim të vitit 1820 sulltani i dha goditjen e parë; e emëroi të birin e Aliut, Veli pashë Tepelenën qeveritar të sanxhakut të vogël të Lepantit, kurse sanxhakun e rëndësishëm të Tërhallës ia dha një besniku të perandorisë, Sulejman Pashës.
Pasi mësoi se ky qëndrim ishte rrjedhim edhe i këshillave të favoritit të sulltan Halit Efendiut, që ishte nxitur nga intrigat e Pasho Beut, një feudal janinjot i dëbuar prej tij, Ali Pasha vendosi që këtë ngatërrestar ta zhdukte. Por atentati që organizoi në muajin mars kundër tij në Stamboll dështoi, ndërsa njerëzit që u kapën treguan se ishin dërguar nga Janina prej Ali Pashës. Sulltan Mahmudi II e quajti atentatin një fyerje ndaj autoritetit të vet. Duke marrë shkas nga ky veprim, i hoqi vezirit të Janinës detyrën e derbend-pashës dhe dëboi nga Stambolli Hysen bej Konicën bashkë me vartësit e tij si mbështetës të atentatorëve. Po në këtë kohë iu dha urdhri valiut të Rumelisë, Hysen Pashës, të shpërngulej nga Sofja, të kalonte në Manastir, ku të vendoste pushtetin e vet dhe të shkatërronte ndikimin e Aliut në këtë zonë, duke i rimarrë 14 kazatë që tepelenasi i qeveriste në emër të tij. Edhe Veli Pashës, i akuzuar se ishte larguar nga Lepanti pa leje për të takuar Aliun në Prevezë, Porta e Lartë i hoqi gradën e vezirit dhe komandën e Lepantit, të cilën ia dha Pehlivan Ibrahim pashës. Ndërkohë sulltani nuk mori parasysh protestën e Ali Pashës lidhur me postin e derbend-pashës dhe nuk lejoi që komisioni i të krishterëve, i cili do t’i parashtronte lutjen për t’ia kthyer Aliut atë post, të hynte në Stamboll.
Meqenëse veziri i Janinës nuk kishte larguar forcat e veta nga derbendet, por përkundrazi kishte filluar të rekrutonte ushtarë, Porta e Lartë vendosi t’i hiqte sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, të cilat ia dha vezir Mustafa pashë Bushatlliut. Veziri i Madh i shkruante Aliut se sulltani e dënoi për fajet e tij dhe, duke pasur mëshirë për të e besim se do të largonte forcat ushtarake nga sanxhakët e kazatë që tashmë u përkisnin vezirëve të tjerë, po i linte atij sanxhakun e Janinës, Sali Pashës sanxhakun e Vlorës dhe Mehmet Pashës (nipit) sanxhakun e Delvinës.
Ali Pasha, që e kuptoi se masat e lartpërmendura do të pasoheshin nga të tjera, kërkoi nga Porta anulimin e tyre. Me këtë rast ai e njoftoi Stambollin se pranonte më mirë luftën se sa të hiqte dorë vullnetarisht nga pushteti, të cilin Porta po ia merrte nga duart gradualisht me metoda tinëzare. Ai kishte kohë që po përgatitej për një luftë të tillë dhe nuk i largoi forcat as nga derbendet, as nga sanxhakët. Përkundrazi, Ali Pasha urdhëroi shpejtimin e ritmit të rekrutimit ushtarak duke shpallur mobilizimin “një burrë për shtëpi”, si dhe duke marrë masa të tjera ushtarake. Në mesin e muajit maj 1820 ai thirri Muhtar Pashën e Veli Pashën për të biseduar e për të vendosur. Tri ditë zgjatën bisedimet e tyre në çifligun e Rapçishtës. Muhtar Pasha kërkoi që pajtimi me sulltanin të arrihej me çdo kusht. Por Aliu nuk ia pranoi një qëndrim të tillë kapitullues, duke menduar se po të tërhiqte forcat e të ngushtohej në tre sanxhakët e Shqipërisë Jugore, do të bëhej e pamundur mbrojtja e vendit dhe e pushtetit. Ky ishte edhe qëllimi që kërkonte të arrinte sulltani. Prandaj vendosi të mos i lëshonte këta sanxhakë e kaza pa luftë. Vetëm kjo rrugë do ta shpëtonte pushtetin e tij dhe vendin. Ai e lidhi kështu fatin e tij dhe të familjes së tij me fatin e vendit.
Në përputhje me këtë vendim, Aliu mblodhi në sarajet e veta, në Janinë, krerët e krahinave shqiptare e greke të pashallëkut dhe u kërkoi këtyre, si përfaqësues të popullsisë myslimane e të krishterë, që ta përkrahnin në luftën kundër sulltanit. Ai shpalli më 23 maj 1820 se, në rast fitoreje, do të krijonte një shtet monarkik konstitucional shqiptar, të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit do të vihej vetë. Greqia qendrore dhe Moreja mund të formonin një shtet grek autonom, i cili do të vihej nën protektoratin e tij. Grekëve, për t’i nxitur të fillonin luftën, u premtoi një milion e gjysmë piastra. Njëkohësisht Ali Pasha shpalli heqjen e disa taksave në Pashallëkun e Janinës për të bërë për vete shtresat popullore dhe filloi propagandën e luftës.
Mirëpo programi i shpallur nga Ali Pasha nuk kënaqte interesat e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje. Duke ruajtur në kufijtë e “shtetit konstitucional shqiptar” krahinën e pasur të Thesalisë dhe duke shpallur protektoratin e tij në shtetin grek që do të krijohej, Ali Pasha nuk kënaqte kërkesat e borgjezisë greke, e cila, me luftën nacionalçlirimtare që po përgatitej të shpërthente, synonte të vendoste pushtetin e vet të paktën mbi të gjithë territorin nacional grek. Në të njëjtën kohë, premtimi i Ali Pashës për një “shtet konstitucional shqiptar”, ndonëse nuk cenonte pasuritë e feudalëve shqiptarë, cenonte në një farë mase monopolin e pushtetit të tyre, prandaj nuk i nxiste as këta të hynin në luftë kundër Stambollit. Meqë masat e Portës së Lartë synonin të godisnin vetëm Ali Pashën dhe nuk preknin privilegjet e feudalëve vendas dhe, meqë nuk ekzistonte rreziku i shembjes së Perandorisë Osmane, tek e cila shihnin një garanci më të sigurt për interesat e tyre se sa te “shteti konstitucional”, feudalët shqiptarë u treguan pak të interesuar për ta mbështetur Aliun në kryengritjen e tij.
Edhe shtresat popullore, mbi të cilat rëndonte pesha e sistemit çifligar dhe e regjimit fiskal të vezirit të Janinës, nuk arriti t’i frymëzonte premtimi i “shtetit konstitucional” për të hyrë në luftë, edhe pse në programin e shpallur bëhej fjalë për heqjen e disa taksave. Kështu, mbështetja shoqërore e Ali Pashës në luftën kundër Stambollit ishte e kufizuar dhe përbëhej kryesisht nga fshatarësia malore e lidhur me të me anë të sistemit të rekrutimit me rrogë. Por edhe kjo mbështetje ishte e pasigurt, mbasi ajo varej nga qëndrimi i shtresës së feudalëve bylykbashë, që tashmë ishin bërë edhe pronarë tokash e tufash blegtorale dhe me të cilët kjo fshatarësi ishte lidhur drejtpërdrejt. Meqë nuk u përgjigjej interesave të shtresave të ndryshme shoqërore të Pashallëkut të Janinës, programi i 23 majit nuk luajti ndonjë rol me rëndësi në konfliktin e Janinës me Stambollin. Pa pasur tjetër rrugëdalje dhe duke u mbështetur në forcat ushtarake që dispononte e që ishin të mjaftueshme për t’i bërë ballë një ekspedite të Portës së Lartë, Ali Pasha nuk bëri hapa prapa dhe deklaroi se ushtria e tij e fuqishme nuk do të lejonte forcë tjetër të shkelte vendin. Por, tashmë, gjithçka varej nga qëndrimi që do të mbante kjo ushtri.
Me besim se do t’i bënte ballë rrethimit të vezirëve kundërshtarë, Ali Pasha filloi të zbatonte menjëherë edhe planin luftarak që vendosi në Rapçishtë bashkë me dy djemtë e tij. Veli Pashën e dërgoi në Prevezë, ku gjendej edhe flotilja prej 40 njësish luftarake, për të drejtuar qëndresën nga jugu e deti. Muhtar Pashën e nisi në Berat, që të mbronte kufijtë verilindorë, kurse vetë qëndroi në Janinë për të drejtuar qëndresën në drejtimet juglindore duke pasur nën komandë Omer bej Vrionin, të cilin e dërgoi në Tërhallë. Ai vuri gjithashtu në lëvizje njerëzit e vet të besuar në Mal të Zi, në Serbi e sidomos në Vllahi, për të nxitur e acaruar lëvizjen çlirimtare në ato vende. Plani luftarak i vezirit të Janinës i përshtatej gjendjes së krijuar dhe mbështetej në forcën e konsiderueshme ushtarake të pashallëkut. Por, edhe ky plan, në vend që të vihej në jetë me guxim, u minua nga vetë bijtë e Aliut, prandaj ishte i destinuar të dështonte.
Më 2 qershor 1820, edhe pse i druhej sulmit të malazezëve, Mustafa pashë Bushatlliu, i inkurajuar nga qëndrimi i favorshëm i Portës së Lartë kundrejt tij, u nis me një ushtri të madhe prej Shkodre drejt jugut. Duke mos ndeshur në ndonjë kundërshtim serioz nga ana e forcave të Muhtar Pashës, të cilat morën rrugën për në Berat, Bushatlliu shtiu në dorë sanxhakët e Elbasanit dhe të Ohrit. Muhtar Pasha, duke synuar që të pajtohej me çdo kusht me sulltanin, nuk ndërmori ndonjë veprim për ta penguar ose ndaluar Bushatlliun. Në fillim të muajit qershor valiu i Rumelisë u nis nga Sofja për në Manastir, ku mbërriti më 26 të atij muaji, duke mbledhur rrugës një forcë ushtarake mjaft të madhe. As ai nuk e pati të vështirë të vinte nën pushtetin e vet të 14 kazatë e sanxhakut të Manastirit që Ali Pasha ia kishte shkëputur. Krerët e këtyre kazave, me përjashtim të asaj të Kosturit, shkuan në Manastir dhe i kërkuan falje. I udhëzuar nga Stambolli, ai i fali që të gjithë. Me krerët që kërkuan falje prej tij u radhit në fundin e muajit qershor edhe Iljaz bej Poda, kur valiu vajti në Korçë. Kështu veproi edhe Pehlivan Ibrahim pasha, që mori në dorë, pa kundërshtim serioz, qeverisjen e sanxhakut të Lepantit, si edhe Siri Selim pasha i Selanikut, që futi nën pushtetin e vet tri kazatë e shkëputura nga sanxhaku i tij prej Ali Pashës.
Ndërkohë, meqenëse Sulejman Pasha i Tërhallës nuk pranoi të dëbonte forcat e Aliut nga Thesalia, dhe i dha mundësi atij të dërgonte atje Omer bej Vrionin me 2 000 veta, sulltani e shkarkoi nga të gjitha funksionet, duke e akuzuar për bashkëpunim me Ali Pashën dhe e zëvendësoi me armikun e betuar të tepelenasit, Mahmud Pashën e Dramës. Këtë qeveritar të ri e nisi menjëherë për në Tërhallë që të merrte pushtetin me ndihmën e ushtrisë, të cilën do ta grumbullonte, në rrugë e sipër, me ndihmën e vezirëve fqinjë.
Realizimi i kësaj faze të sulmit të sulltanit kundër Ali Pashës, që u arrit pa hasur kundërshtim serioz nga forcat vartëse të vezirit të Janinës, i dha dorë Stambollit që të përcaktonte orientimet e veta ndaj feudalëve shqiptarë, duke shpallur me solemnitet se nuk do t’u prekte pasurinë dhe privilegjet e tyre. Kjo propagandë bëri efektin që pritej dhe krijoi kushtet që sulltan Mahmudi II të urdhëronte zbatimin e fazës tjetër të planit të vet, asgjësimin e Pashallëkut të Janinës Në të njëjtën kohë sulltani nënshkroi fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës, të cilin nuk e shpalli menjëherë. Me këtë ferman iu dha Ismail Pasho beut qeverisja e sanxhakëve të Janinës e të Delvinës dhe grada e vezirit, si dhe kryekomanda e ekspeditës ushtarake të drejtuar kundër Ali Pashës, djemve dhe nipave të tij, po qe se këta nuk do t’i bindeshin urdhrit që i shkarkonte nga të gjitha funksionet e gradat zyrtare dhe nuk do të pranonin të shkonin në Tepelenë ku duhej të banonin këtej e tutje. Mirëpo nga frika se mos Ali Pasha kalonte në sulm pa u përgatitur ende ushtritë e Dramalliut dhe të Ismail Pasho beut, sulltan Mahmudi II nuk e shpalli këtë ferman, ndërsa Ismail Pasho beun e nisi, bashkë me vjehrrin e tij, Mahmud Pashën e Dramës, me detyrën e hazinedarit.
Në mesin e korrikut 1820, kur u duk se erdhi koha e përshtatshme, sulltani shpalli papritur fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës, i cili u lexua edhe në Janinë. Ali Pasha nuk iu bind urdhrit dhe deklaroi se do të mbrohej me luftë. Atëherë Porta e Lartë e shpalli “fermanlli”, jashtë ligjit, dhe Shejhylislami miratoi fetvanë e ndëshkimit të tij me vdekje. Filluan njëkohësisht veprimet luftarake të ushtrive qeveritare në tokë e në det dhe u shpallën premtimet e Stambollit, sipas të cilave, me përjashtim të Ali Pashës, të gjithë të afërmit dhe pasuesit e tij do të faleshin dhe nuk do t’u prekeshin privilegjet që gëzonin po t’i nënshtroheshin padishahut dhe të braktisnin Aliun. Kaq prisnin pasuesit e Ali Pashës, të cilët, duke filluar nga djemtë e nipat e tij, nga motra dhe deri te bashkëpunëtorët e tij më të vjetër, vendosën që në rastin më të parë ta braktisnin Aliun në fatin e vet. Kështu shtresa feudale vendase, duke u dhënë përparësi interesave të çastit, mori një rrugë që nuk u përgjigjej as synimeve të saj të ardhshme, as atyre të të gjithë vendit. Këtë veprim kaq të gabuar ajo do ta kuptonte me vonesë dhe do të përpiqej ta ndreqte pas vdekjes së Ali Pashës, por hapi i hedhur i kushtoi shumë shtrenjtë.
Gjatë muajit gusht filloi sulmi i ushtrive të vezirëve që ishin ngarkuar me ripushtimin e Shqipërisë Jugore dhe me asgjësimin e Pashallëkut të Janinës. Pas rënies së Tërhallës në duart e vezir Mahmud pashë Dramës dhe vezir Ismail Pashës, që ndodhi për shkak se forcat e Aliut, të nxitura nga krerët e lëkundur, u tërhoqën, i erdhi radha Beratit. Muhtar Pasha e Salih Pasha iu dorëzuan vezirit Mustafa pashë Bushatlliut, kur ky rrethoi kështjellën e Beratit. Në përputhje me fermanin sulltanor, Bushatlliu i dërgoi në Tepelenë të shoqëruar nga vëllai i Ismail pashë Plasës, i cili gjithashtu mori pjesë në rrethimin e kështjellës së Beratit në krye të një force ushtarake të nisur nga Korça. Ata qenë dërguar nga valiu i Rumelisë, i cili filloi veprimet luftarake për të mbërritur sa më parë në Janinë bashkë me vezirët e tjerë.
Pas rënies së Beratit, Mustafa Pasha u urdhërua të nënshtronte gjithë sanxhakun e Vlorës dhe të vendoste një myteselim derisa të mbërrinte aty vezir Nurullah Pasha, që ishte emëruar qeveritar. Në shtator 1820, kur ky vezir mbërriti në Vlorë, motra e Ali Pashës, Shanishaja, me djemtë e saj, Izet Beun e Maliq Beun, si dhe komandanti i kështjellës së Gjirokastrës, Ago Myhyrdari, kërkuan falje. Porta e Lartë miratoi faljen pa prekur pasuritë e tyre. Kështu vepruan edhe Veli Pasha me djemtë e tij, Mehmet Pashën e Selim Beun. Këta iu dorëzuan kapedan Ali Beut, duke i lëshuar pa luftë qytetet e bregdetit nga Vlora në Pargë. Më 1 shtator këta dorëzuan edhe Prevezën, të cilën kapedani mundi ta merrte me shumë sakrifica pasi kaloi një kohë e gjatë. Vetëm qyteti i Artës i rezistoi me luftë për 25 ditë forcave të vezirit të Lepantit.
Në muajin gusht gjithçka që përbënte Pashallëkun e Janinës, me përjashtim të kryeqytetit të tij, kishte rënë në duart e ushtrive të sulltanit. Veziri plak, megjithëse humbi pjesën kryesore të ushtrisë, të bashkëluftëtarëve më të ngushtë dhe thuajse të të gjithë territorit që sundonte, nuk e humbi shpresën për një përmbysje të kësaj gjendjeje tepër të dëshpëruar. Këtë shpresë ai e mbështeti në një varg faktorësh që ishin në dobi të tij: kishte dy kështjella të fuqishme me 250 gryka zjarri, me një garnizon ushtarak të fortë dhe me rezerva të shumta ushqimore e municione; ushtria osmane nuk u grumbullua me kohë dhe nuk ishte në gjendje të organizonte ndonjë sulm të përgjithshëm para se të vinte dimri; banorët e larguar nga qyteti i Janinës nuk do t’i shërbenin Turqisë, kurse shkatërrimi i pjesës më të madhe të ndërtesave të vendit e linte ushtrinë osmane pa strehë; ajo do ta kishte të vështirë të siguronte edhe furnizimet e domosdoshme, për shkak të luftës së organizuar të çetave shqiptaro-greke. Frytet, që Ali Pasha parashikonte të korrte, nuk vonuan. Mosmarrëveshjet në shtabin drejtues të forcave osmane morën hov aq sa i paralizuan veprimet e rëndësishme ushtarake. Pehlivan Ibrahim pasha një mëngjes të muajit tetor 1820 u gjend i vdekur në çadrën e tij, i helmuar si tradhtar, me urdhrin e kryekomandantit dhe me pëlqimin e Portës së Lartë, për shkak se kishte hyrë në lidhje me Ali Pashën dhe kërkonte të merrte kryekomandën.
Sulmi i parë i përgjithshëm, që mezi u organizua pas një kohe mjaft të gjatë grindjesh, u zmbraps me trimëri nga të rrethuarit dhe u shoqërua me një kundërsulm që e kryesoi vetë Ali Pasha. Ky sukses luftarak, dhuna e ushtarëve armiq e grabitjet e tyre në popull, mungesa e furnizimeve, mospagimi i rrogave dhe të ftohtët e dimrit shkaktuan dezertime të forta në radhët e trupave perandorake. Në të njëjtën kohë komanda osmane kishte filluar të trajtonte keq krerët shqiptarë, si Tahir Abazin, Iljaz Podën, Ago Vasjarin, Dervish Hasanin, Aleks Nuçe Marinogllun etj., të cilët e kishin braktisur Aliun dhe ishin bashkuar me osmanët. Në këto rrethana ata, të pakënaqur nga komanda osmane e veprimet e saj, vendosën të ktheheshin tek Aliu.
Për të shfrytëzuar pakënaqësinë e popullit që sa vinte e rritej, Ali Pasha i dërgoi këta krerë të penduar nëpër krahinat shqiptare që të grumbullonin ushtri dhe të sulmonin osmanët. Edhe suliotët, të cilët ishin bashkuar me ushtritë e Portës për t’u hakmarrë ndaj Ali Pashës dhe për të çliruar vendlindjen, të dëshpëruar nga vezir Ismail Pashoja, i cili jo vetëm nuk e mbajti fjalën për t’i kthyer në malësinë e tyre, por mendonte t’i shfaroste krejt, u morën vesh me Ali Pashën. Pasi u premtoi suliotëve t’i linte të lirë në malësinë e tyre dhe pasi u dha një shumë të hollash, Aliu ra në marrëveshje me ta për të sulmuar forcat armike, duke shkëmbyer më 12 dhjetor pengjet e rastit sikurse ishte zakoni. Në këtë mënyrë Ali Pasha filloi të shpresonte se lufta e tij kundër Stambollit jo vetëm nuk do të mbetej pa mbështetje, por edhe mund të sillte fitoren. Ndërkaq, Ismail Pashoja dhe shtabi i tij, të nxitur edhe nga një i dërguar i Portës së Lartë, u përgatitën të sulmonin e të pushtonin kështjellën e vogël të Litharicës. Në murin e saj ishte hapur një çarje e rëndësishme ku mund të hynin 30 veta njëherësh. Ali Pasha, që mësoi synimin e shtabit armik, nuk i la kohë atij ta vinte në jetë planin e vet. Në një natë me stuhi të 14 dhjetorit, Aliu doli me forcat e tij dhe sulmoi në befasi rrethuesit që u zmbrapsëm me humbje të mëdha dhe që braktisën jo vetëm pozicionet e përparuara, por edhe bateritë e topave që ishin më pranë kështjellës së Litharicës.
Pas 12 dhjetorit 1820, bashkë me Ali Pashën, edhe suliotët filluan luftën e çetave në rrugën Artë-Janinë kundër karvaneve që furnizonin ushtrinë osmane. Ali Pasha qysh më parë kishte vënë në krye të tyre kapedan Odhise Andrucon, duke e nxjerrë atë dhe trimat e tij jashtë nga kështjella. Kjo luftë u zgjerua nga fillimi i vitit 1821, kur me Aliun u bashkuan repartet e reja që krerët shqiptarë i kishin mobilizuar e përqendruar në krahina të ndryshme. Labëria, Myzeqeja dhe Çamëria, si edhe krahinat e Zagorit dhe Agrafës, u vunë në përkrahje të luftës së Ali Pashës. Kjo kthesë me rëndësi u konkretizua me përfundimin e një besëlidhjeje të krerëve dhe kapedanëve shqiptarë, si Iljaz Poda, Ago Vasjari, Tahir Abazi, Aleks Nuço, Marko Boçari, Noti Boçari, Kiço Xhavella etj. Këta udhëheqës të kryengritjes popullore u zotuan “se do të jenë vëllezër me trup e me shpirt dhe së bashku do të derdhin gjakun për të shpëtuar Ali Pashën”. Frytet e kësaj besëlidhjeje forcat osmane i ndien thellë jo vetëm me shkatërrimin e disa karvanëve, por edhe me rritjen e qëndresës popullore, që tashmë po organizohej e po drejtohej nga njerëzit e vezirit të Janinës.
Porta e Lartë u detyrua të dërgonte në krye të ushtrisë së saj në Janinë ish-Vezirin e Madh, Hurshid Pashën, të cilin e hoqi nga Moreja bashkë me trupat që komandonte. Ky veprim u dha mundësi udhëheqësve të lëvizjes nacionalçlirimtare greke të fillonin kryengritjen. Ndërsa në muajin mars 1821, Hurshid Pasha përpiqej të vinte rregull në ushtrinë që rrethonte Janinën dhe kërkoi përforcime të reja, Aleksandër Ipsilanti shpalosi në Moldavi flamurin e kryengritjes. Edhe në More shpërtheu kryengritja, e cila me të shpejtë, nën drejtimin e “Shoqërisë së Miqve” (“Filiqi Eteria”)?, shënoi fillimin e luftës për çlirimin kombëtar dhe formimin e shtetit grek.
Në kushtet e zgjerimit të kësaj lufte, Porta e Lartë mendoi të merrej vesh me Ali Pashën, por duke kërkuar kapitullimin e tij, ndërsa ai vuri si kusht kryesor largimin e forcave osmane nga Pashallëku i Janinës dhe shpalljen e tij si qeveritar i përjetshëm i këtij pashallëku. Porta e Lartë nuk pranoi, prandaj lufta filloi përsëri. Aliu ndërmori veprime luftarake me qëllim që Hurshid Pasha të mos organizonte një sulm të përgjithshëm kundër tij dhe të mos shkëpuste ndonjë pjesë të forcave, që dispononte për t’i dërguar kundër kryengritjes greke. Edhe para këtyre ngjarjeve Ali pashë Tepelena u kishte lënë dorë të lirë eteristëve të zhvillonin veprimtarinë e tyre propagandistike dhe organizative në pashallëkun e vet. Me këtë veprimtari Aliu ndihmoi grekët dhe lëvizjen e tyre çlirimtare. Ai hyri në bisedime me kryengritësit grekë duke shpresuar se ata mund të bëheshin aleatë në luftën kundër sulltanit dhe se me këtë rrugë do të siguronte ndihmën e Rusisë. Ndonëse ishte në dijeni të letrës që Aleksandër Ipsilanti u kishte dërguar krerëve të kryengritjes, ku i porosiste ta shfrytëzonin Ali Pashën duke i zhvatur të holla e armatime dhe ta linin në fatin e vet për të rënë mbi të goditja e ushtrive osmane, ai i dha udhëzime Aleks Nuços që të takohej me përfaqësuesin e “Shoqërisë së Miqve”, H. Porevos, dhe të fillonte bisedimet për marrëveshje. Këto bisedime filluan në qershor 1821 dhe iu kushtuan përgatitjes së një bashkëpunimi luftarak kundër armikut të përbashkët. Vetë Ali Pasha, me qëndresën e tij të patundur dhe me prirjen për bashkëpunim, krijoi besim te një pjesë e mirë e krerëve grekë, të cilët i njoftoi se kishte dërguar njerëz të nxitnin për kryengritje edhe popujt e tjerë ballkanikë. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:07 am | |
| Në vjeshtë të vitit 1821 Ali Pasha dërgoi në Misolongji, që ishte njëra nga qendrat kryesore të luftës greke, dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Tahir Abazin e Aleks Nuçon për të bashkërenduar veprimet me kryengritësit grekë. Por, megjithëse u arrit marrëveshja, kryetari i lëvizjes në Greqinë Perëndimore, A. Mavrokordato, ndryshe nga një varg krerësh të tjerë që ishin për bashkëpunim, nuk e respektoi atë dhe, duke vepruar në kundërshtim me interesat e të dy popujve fqinjë, bëri krime të shëmtuara ndaj popullsisë myslimane shqiptare. Duke parë këtë qëndrim, Tahir Abazi e krerët e tjerë shqiptarë e hoqën shpresën për bashkëpunim me kryengritësit grekë.
Krerët shqiptarë e vazhduan luftën. Pasi ra kështjella e Tepelenës në duart e kryengritësve shqiptarë, Iljaz Poda, që arriti të grumbullonte rreth 6 000 veta myslimanë e të krishterë nga krahinat e Myzeqesë, Tepelenës dhe Gjirokastrës, u nis në drejtim të Zagorit, ku në bashkëpunim me kryengritësit e rrethit të Janinës synonte të çante rrethimin e Ali Pashës. Më pas iu drejtuan rrethinave të Artës, ku vepronte pjesa tjetër e të besëlidhurve. Në kohën kur Arta ishte e rrethuar nga larg prej suliotëve dhe forcave të Tahir Abazit dhe Ago Vasjarit, njësitë e Iljaz Podës u hodhën drejt saj duke e ndarë ushtrinë në reparte të vogla, që u shkrinë me çetat suliote dhe ato të kleftëve. Çlirimi i Artës do ta bënte më të lehtë sulmin për çlirimin e Ali Pashës nga rrethimi. Ky, pasi kështjella e Litharicës pati rënë më 16 nëntor në duart e Hurshid Pashës, ishte përqendruar i vetëm në kështjellën e Kastros. Por gjendja e garnizonit osman në Artë ishte aq e vështirë, sa nuk mund të qëndronte gjatë. Përveç mungesës së ushqimeve ndikoi edhe qëndrimi i njërit prej komandantëve shqiptarë të ushtrisë osmane, Mehmet Beut, që ishte lidhur me forcat shqiptare, të cilat pas mbërritjes së Iljaz Podës, arritën në 10-12 000 veta. Gjendja e garnizonit osman u vështirësua më shumë, kur kjo forcë mjaft e madhe shqiptare iu afrua me luftë qytetit më 25 nëntor dhe më 28 në mëngjes u gjend në portat e tij.
Ndërsa pritej që të çlirohej Arta me urdhër të Mavrokordatos, mbërriti aty kapedan Makriu me 2 000 grekë, i ngarkuar që të mos lejonte që qyteti të binte në duart e forcave shqiptare. Pikërisht në këtë kohë suliotët shkelën zotimet e besëlidhjes, u bashkuan me lëvizjen greke dhe u vunë nën komandën e kapedan Makriut. Ndërkaq, në ndihmë të garnizonit të Artës mbërritën dy reparte të fuqishme osmane, njëri nga të cilët u doli nga prapa forcave shqiptare. Suliotët braktisën pozitat e tyre në Pesë Puset, ndërsa forcat shqiptare, që u rrezikuan të mbeteshin të gozhduara midis dy zjarresh, u detyruan të hiqnin dorë nga rrethimi i Artës dhe të kalonin në pozitat që kishin pasur para sulmit të 25 nëntorit. Por luftimet u ndërprenë nga të dyja palët, sepse komandantët kryengritës shqiptarë, duke parë se po dështonin synimet e tyre dhe duke ndjerë rrezikun që u kanosej trojeve shqiptare nga veprimet aneksuese greke, nuk ngurruan t’i dorëzoheshin Omer pashë Vrionit në Pesë Puset, të siguronin faljen nga Hurshid Pasha dhe të viheshin përsëri nën komandën e tij.
Kjo ngjarje shënoi afrimin e fundit të qëndresës së Ali Pashës. Pas kësaj, i ndodhur përballë forcave shqiptare të Mustafa pashë Bushatlliut, që dërgoi në Janinë një fuqi prej 3 000 vetash, të pashallarëve dhe krerëve të tjerë shqiptarë, edhe garnizoni i Kastros nuk vonoi të braktiste vezirin plak dhe të hapte dyert e kështjellës. Kështu më 23 janar 1822 trupat osmane e pushtuan kështjellën me përjashtim të një pjese të brendshme të saj, ku mbeti i rrethuar Ali Pasha me rreth 50 veta besnikë dhe me gruan e tij, Vasiliqinë. Në këto kushte Ali Pasha nuk mundi të qëndronte gjatë. I mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që ishin vënë në shërbim të Hurshid Pashës dhe që i premtuan se do të falej, Aliu ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e siguroi se sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk mund të zbatohej para se ai të tërhiqej në ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën e fundit, ku po vazhdonte qëndresën i vetmuar. Ali Pasha e priti me plumb të ngarkuarin e Hurshid Pashës, i cili, në vend të fjalës së premtuar, lexoi dënimin me vdekje. Më 5 shkurt 1822, Ali pashë Tepelena. u vra me armë në dorë në manastirin e Shën Pandelemonit, në ishullin e liqenit të Janinës. Koka e tij u ekspozua më pas në oborrin e sulltanit | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:07 am | |
| Karakteri i Pashallëkut të Janinës
Me vrasjen e Ali Pashës mori fund konflikti ndërmjet pushtetit qendror osman dhe sundimtarit të fuqishëm shqiptar të Pashallëkut të Janinës, i cili kishte për qëllim të arrinte shkëputjen e këtij pashallëku nga varësia e Stambollit dhe ta shndërronte atë në një shtet shqiptar të pavarur ose autonom.
Edhe ky vezir shqiptar, si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të shtresës së pronarëve të mëdhenj të tokës dhe të komandantëve të reparteve ushtarake, që shtinë në duart e tyre pushtetin politik e ushtarak krahinor në Shqipërinë Jugore, në sajë të pushtetit ekonomik synonte të siguronte vetëqeverisjen e vendit. Qysh në vitet e para të sundimit të vet, Ali pashë Tepelena formoi bindjen se Perandoria Osmane po shkonte drejt greminës. Për rrjedhim, ai dhe shtresa e çifligarëve që përfaqësonte, për të shpëtuar pasuritë dhe pushtetin e vet, ndoqi rrugën e shkëputjes së pashallëkut. E gjithë veprimtaria e Ali Pashës, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, tregoi se ai u përpoq “të jetë sundimtar i pavarur”. Duke ngritur në gjithë hapësirën nga Thesalia në Shkumbin një aparat administrativ e ushtarak të posaçëm, që vepronte brenda pashallëkut sipas vendimeve të tij, duke lidhur marrëveshje politike, ushtarake e ekonomike me shtete të huaja pa pëlqimin e dijeninë e Portës së Lartë dhe duke shtrirë pushtetin e vet në territore të qeverisura nga funksionarë të emëruar prej sulltanit, Ali Pasha qeverisi në mënyrë autonome. Prandaj Pashallëku i Janinës, ashtu si dhe ai i Shkodrës kishte nga pikëpamja organizative dhe nga pikëpamja e mënyrës së ushtrimit të pushtetit tiparet e një shteti në fakt autonom. Megjithëkëtë, edhe në Pashallëkun e Janinës, ashtu sikurse në atë të Shkodrës, pushteti ishte i deleguar nga sulltani sovran dhe ushtrohej në emër të tij. Prandaj edhe Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim autonom pa u kthyer ende në një shtet shqiptar.
Deri më 1812, edhe pse rreziku i copëtimit të Perandorisë Osmane ishte në rendin e ditës, Ali Pasha nuk u shpall dot sundimtar i pavarur, sepse mungonin për këtë akt kushtet e brendshme. Ai nuk kishte mundur të shtrinte e të konsolidonte pushtetin e vet mbi sanxhakët e tjerë të Shqipërisë Jugore, dhe nuk kishte mundur t’i jepte fund anarkisë feudale. Ndërsa pas vitit 1812, kur u pa qartë se rreziku i jashtëm po mënjanohej, Aliu nuk e hodhi hapin vendimtar, sepse gjendja e përgjithshme politike ndërkombëtare nuk e favorizonte. Në këto kushte, as feudalët shqiptarë, mbi të cilët mbështetej Aliu, nuk u treguan të gatshëm si më parë për t’u shkëputur nga Stambolli dhe parapëlqyen të ruanin gjendjen ekzistuese të pashallëkut. Ja përse deri në muajin prill të vitit 1820 Ali Pasha nuk guxoi të hidhej në kryengritje për t’u shpallur sundimtar i pavarur ose edhe vasal i sulltanit. Por kur sulltan Mahmudi II filloi zbatimin e reformave centraliste, me qëllim që të përqendronte pushtetin në duart e veta dhe ta ushtronte atë me funksionarë turq, Ali Pasha pa qartë se shtresa feudale shqiptare do të humbiste privilegjet politike dhe ekonomike që kishte mundur të fitonte, kurse vendi do të ndiente në kurrizin e tij gjithë peshën e pushtimit të ri osman. Prandaj, edhe pse të bijtë dhe bashkëluftëtarët më besnikë e këshilluan të pajtohej me Stambollin, ai nuk pranoi të nënshtrohej, por u ngrit mbi interesat e veta dhe luftoi deri në fund për një çështje më të madhe: për shkëputjen e vendit me luftë nga sunduesit shekullorë osmanë.
Me qartësinë e një politikani të shquar të kohës, Ali Pasha u përpoq ta bashkërendiste kryengritjen kundër Stambollit me lëvizjen çlirimtare të popujve ballkanikë duke e parë këtë si të vetmen rrugë drejt fitores. Ai u përpoq që të nxiste luftën e popujve në Mal të Zi, në Serbi e në Vllahi, ndihmoi drejtpërsëdrejti kryengritjen e popullit grek (1821) dhe kërkoi bashkëpunimin luftarak me udhëheqësit e saj, duke u mbështetur kryesisht tek ajo pjesë e krerëve grekë që e vlerësonin drejt faktorin shqiptar në luftën kundër Perandorisë Osmane. Veprimtaria e Ali Pashës për formimin e Pashallëkut të Janinës dhe lufta e tij për mbrojtjen dhe për shndërrimin e këtij pashallëku në një shtet të pavarur ose me statusin e vasalitetit, ishte një hap i madh përpara drejt bashkimit ekonomik e politik të vendit, ishte një kthesë me rëndësi në historinë e Shqipërisë. “Pushtimi i dytë i Shqipërisë”, që erdhi si pasojë e shembjes së Pashallëkut të Janinës, me pasojat e tij të rënda materiale e shpirtërore, vërtetoi se sa e drejtë kishte qenë përpjekja e Ali Pashës për një kryengritje të të gjitha forcave shoqërore të vendit. Ky pushtim, që nuk u mënjanua as nga lëvizja feudale e viteve 20 të shek. XIX, tregoi qartë se në Shqipëri ende nuk ishin pjekur kushtet ekonomike, shoqërore e politike për të hedhur poshtë robërinë shekullore osmane. Shembja e Pashallëkut të Janinës i hapi rrugën zbatimit të reformave centraliste në Shqipëri, por dhe një periudhë të re qëndrese ndaj sunduesit osman. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:07 am | |
| 6. LËVIZJA NË SHQIPËRINË JUGORE PËR VETËQEVERISJEN E VENDIT
Shqiptarët dhe kryengritja çlirimtare greke
Me shembjen e Pashallëkut të Janinës u duk sikur politika e reformave centralizuese u kufizua me asgjësimin e shtëpisë së fuqishme feudale të tepelenasve. Duke i dhënë Omer pashë Vrionit gradën e vezirit dhe qeverisjen e sanxhakëve të Janinës, të Delvinës dhe të Vlorës, Porta e Lartë synonte të provonte se po e vinte përsëri qeverisjen e Shqipërisë Jugore në duart e feudalëve vendas. Por kjo qe një dukuri e përkohshme, sepse sulltani pasi ia arriti qëllimit të tij të parë me asgjësimin e pushtetit krahinor të Ali Pashës, nuk hoqi dorë nga synimi i tij kryesor për të rrënjosur, jo vetëm në Shqipërinë Jugore, por në të gjithë Shqipërinë, sundimin e vet të tërëfuqishëm. Për këtë dëshmoi edhe fakti që nga fundi i vitit 1822 sulltani i hoqi Mustafa pashë Bushatlliut sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit.
Nevoja për të përdorur të gjithë potencialin ushtarak të Shqipërisë Jugore për të shtypur kryengritjen greke ishte shkaku që detyroi Mahmudin II të sillte në pushtet Omer pashë Vrionin dhe të mbante përkohësisht premtimet për të mos cenuar privilegjet e feudalëve toskë. Porta e Lartë kërkonte të grumbullonte rreth 40 000 ushtarë shqiptarë, kryesisht nga Shqipëria Jugore, që do të viheshin nën komandën e përgjithshme të Hurshid Pashës kundër kryengritjes nacionalçlirimtare greke. Për këtë, qysh në muajin mars 1822, u shpall në të gjithë Shqipërinë fermani për mobilizimin e një burri për shtëpi.
Mirëpo ky mobilizim ndeshi në dy pengesa të mëdha: së pari, popullsia e sanxhakëve të Shqipërisë Jugore ishte dëmtuar rëndë nga fatkeqësitë që i kishin rënë mbi shpatulla gjatë pushtimit osman. Si rrjedhim, e mërzitur nga lufta popullsia nuk donte të jepte ushtarë. Përveç kësaj, pa i vënë rëndësi të posaçme fesë, shqiptarët toskë, shumica e të cilëve ishin myslimanë, dëshironin të mbanin marrëdhënie miqësore me grekët, me vllahët etj., me të cilët i afronte bashkëjetesa paqësore shumëshekullore, njohja e ndërsjelltë dhe bashkëpunimi si fqinjë, si dhe mjaft zakone që i kishin të ngjashme e të përbashkëta, si popuj fqinjë e si ballkanas. Së dyti, bejlerët shqiptarë, të dëshpëruar nga humbja e pushtetit pas vrasjes së Ali Pashës (të cilin e varrosën me nderime të mëdha), nuk ia vunë veshin thirrjes për mobilizim, megjithëse Hurshid Pasha nuk ngurroi të ofronte paga të larta për çdo ushtar.
Ky qëndrim bëri që planet luftarake të Hurshid Pashës për të shtypur kryengritjen greke ende të dobët, të dështonin njëri pas tjetrit; edhe ata ushtarë shqiptarë, që detyroheshin të shkonin për të shërbyer, shpesh herë hynin në grindje me ushtarët e komandantët osmanë, duke hapur atë plagë të madhe që karakterizoi ushtritë osmane gjatë viteve të kryengritjes greke, dezertimin në masë. Si rrjedhim i qëndrimit të ftohtë e mospërfillës që shqiptarët shfaqën qysh në vitin 1822, Stambollit iu deshën të paktën 6 muaj që të grumbullonte një ushtri për fushatën ndëshkimore kundër kryengritjes greke. Por edhe kjo ushtri ishte shumë më e vogël nga sa pritej. Kjo vonesë në mobilizimin e ushtrisë ishte një ndihmë për kryengritjen greke, sepse u dha mundësi e kohë krerëve të saj të grumbullonin forca të mjaftueshme, madje të arrinin edhe epërsi numerike ndaj ushtrive osmane. Por kjo epërsi nuk solli rezultatet që priteshin, sepse midis udhëheqësve grekë filloi grindja, ndërsa synimet shoviniste të krerëve fanariotë ndaj Shqipërisë Jugore e paralizuan ndihmën e atyre forcave shqiptare, të cilat u bashkuan atëherë me suliotët dhe bënë që të dështonte plani i nënshtrimit të malësisë së Sulit nga divizioni osman, i komanduar nga Mehmet Reshit Pasha. Këto ngjarje i dhanë dorë Hurshid Pashës që të vinte theksin te rreziku grek për Shqipërinë, të shpallte faljen e dezertorëve dhe të grumbullonte forca të mjaftueshme për të ndërmarrë ekspeditën ndëshkimore të vitit 1822.
Në muajin shtator, ushtria e komanduar prej tij mundi të depërtonte në More ku ishte vatra e kryengritjes greke, kurse ai vetë me një ushtri tjetër, arriti suksesin e parë kundër mbrojtësve të Termopileve. Kjo i dha shpresë se do të mund të nënshtronte Morenë, ku gjendej e robëruar edhe familja e tij. Ky rrezik i detyroi krerët grekë të hidhnin prapa krahëve grindjen dhe t’u kushtoheshin luftimeve. Ata korrën suksese, sidomos duke bllokuar ushtritë osmane në More. Por një rol të dorës së parë luajtën edhe shqiptarët. Një pjesë e tyre, u morën vesh me kapedanët grekë për t’u hapur rrugën dhe dezertuan, ndërsa pjesa tjetër, që kishte mbetur në garnizonet e kështjellave të Moresë si dhe në ushtrinë e komanduar nga vetë Hurshid Pasha, u rebelua për shkak të pagave të prapambetura dhe paralizoi gjithçka. Kështu kryengritësit grekë mundën të ndërprisnin lidhjet midis kryekomandantit në Larisa dhe Omer pashë Vrionit e Mehmet Reshid pashës në Prevezë e në Artë, dhe e bënë të pamundur hyrjen e tyre në Akarnani. Mirëpo ky sukses nuk dha fryt, sepse kapedan Varuskioti tradhtoi e kaloi në anën e dy pashallarëve. Tradhtia e tij bëri të mundur sulmin e forcave të Omer Pashës e të Mehmet Reshid pashës drejt Akarnanisë e sidomos drejt qytetit të Misolongjit.
Më 3 nëntor 1822 artileria osmane filloi të godiste forcat greke të mbyllura në Misolongji. Por osmanët nuk ndërmorën atëherë sulmin e përgjithshëm, i cili filloi vetëm më 6 janar 1823. Ndërkaq të rrethuarve u erdhën ndihma nga deti, me të cilat u përgatitën për të përballuar sulmin e 6 janarit. Sulmi i përgjithshëm dështoi dhe pas një jave, më 12 janar filloi tërheqja. Gjatë largimit Mehmet Reshid pasha ndërmori një fushatë terrori duke grabitur fshatrat përgjatë rrugës. Por edhe grekët masakruan gjithë myslimanët që u ranë në dorë. Shqiptarët, të mërzitur nga këto veprime, dezertuan në masë dhe u morën vesh me kapedanët grekë që u hapën rrugët. Kështu nga 12 000 ushtarë që u nisën nga Preveza, mbetën në ushtri vetëm 1 500. Përgjegjësia e dështimit të ekspeditës iu ngarkua Hurshid Pashës, i cili u dënua me vdekje me helmim. Sulltani e ruajti Omer pashë Vrionin me shpresë se ai do të mund të grumbullonte forca të reja. Këto ngjarje treguan se përkrahja e kryengritjes greke nga shqiptarët qe një faktor i rëndësishëm në dështimin e ekspeditës së vitit 1822 kundër kryengritjes greke, që në atë kohë ishte ende e dobët.
Pa përfunduar mirë ekspeditën e parë, Porta vendosi të organizonte një të dytë, por këtë herë duke shpresuar në mobilizimin në masë të shqiptarëve me ndihmën e krerëve të tyre feudalë. Kjo detyrë iu ngarkua së pari Omer pashë Vrionit. Ky vezir u bëri thirrje shqiptarëve që në “emër të fesë dhe të sulltanit” të hynin me forcat e tyre në radhët e ushtrisë osmane për të nënshtruar Akarnaninë. Mirëpo krerët shqiptarë të mbledhur në kuvend vendosën të mos dërgonin forcat e tyre jashtë sanxhakëve shqiptarë dhe të rrëmbenin armët vetëm po qe se trojet e tyre do të sulmoheshin prej grekëve. Në fakt synime të tilla shoviniste ndaj trojeve shqiptare u shfaqën atëherë në udhëheqjen greke, të kryesuar nga princi Dh. Ipsilanti. Përveç kësaj në sanxhakun e Vlorës ziente lufta për pushtet midis shtëpisë së madhe feudale të Vlorajve, të kryesuar nga Ismail Beu, që kërkonte marrjen e pushtetit nga Sulejman Pasha, të birit të vezir Ibrahim Pashës, dhe shtëpisë së Vrionasve, partizanët e së cilës pretendonin që pushteti i sanxhakut të vihej në duart e Hasan Beut, vëllait të vezirit të tre sanxhakëve. Në janar 1823, para se të mbërrinte në Berat thirrja e Omer Pashës, Hasan Beun e dëbuan nga qyteti. Kjo tregoi se bejlerët shqiptarë nuk e përfillën autoritetin e vezirit dhe se mobilizimi nuk do të kishte sukses.
Meqenëse thirrja e Omer Pashës nuk dha rezultatet e pritura, sulltan Mahmudi II kërkoi nga krerët shqiptarë të paraqiteshin me forcat e tyre në Larisë, ku do të grumbullohej ushtria perandorake. Fermani iu drejtua Iljaz Podës, Ismail bej Vlorës, Shahin bej Delvinës, Haxhi Ismail Pronjës, Tahir e Mehmet Çaparit dhe Abdyl bej Kokës. Në mars të vitit 1823 sulltani, pasi ia kishte kthyer përsëri sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit vezir Mustafa pashë Bushatlliut, e urdhëroi edhe këtë të nisej me forcat e Gegërisë për të nënshtruar Akarnaninë. Me përjashtim të Iljaz Podës, që kishte dalë fitimtar në grindjen me Taho Podën, ungjin e vet, dhe që druhej nga ndëshkimi i Omer Pashës, deri në muajin maj asnjë feudal toskë, lab apo çam, nuk shkoi në Larisë. Disa prej tyre, duke përfituar nga fakti se Portës së Lartë i mungonin të hollat, vunë si kusht për pjesëmarrjen në ushtri akordimin e një paradhënieje për disa muaj dhe të një page mujore prej 100 piastrash për çdo ushtar. Sidoqoftë pas Iljaz Podës u paraqitën në Larisë disa bejlerë të tjerë toskë e gegë, por edhe pas kësaj në radhët e reparteve të ushtrisë që u grumbulluan në Larisë ndodhi diçka e paparë. Ushtarët, meqë nuk u paguan rrogat, ngritën krye, rrahën komandantët e tyre, kurse kryekomandanti Ahmet Pasha mezi shpëtoi kokën duke dalë nga dritarja prapa shtëpisë.
Pas përfundimit të paqes me Persinë, Porta e Lartë në mesin e vitit 1823 arriti të gjente fonde dhe të dërgonte edhe ushtarë turq. Kështu ajo formoi ushtrinë e vet në Larisë, që do të hynte në veprim menjëherë pas Bajramit. Por edhe në gjirin e saj, përveç mungesës së disiplinës, u shtua edhe urrejtja e ndërsjelltë midis shqiptarëve dhe turqve që shiheshin si të huaj e armiq. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:08 am | |
| Kur ushtria osmane e grumbulluar në Larisë, por përgatitej të fillonte veprimet luftarake, u nis nga Shkodra për në Akarnani edhe ushtria e vezirit të Shkodrës. Ndërkohë, në Prevezë u formua prej Jusuf Pashës së Patrasit edhe një ushtri tjetër mercenare prej 6 000 vetash, e cila pasi të bashkohej me atë të Mustafa pashë Bushatlliut, do të sulmonte Akarnaninë. Hyrjen e këtyre dy ushtrive në Akarnani ishin ngarkuar ta ndalnin kapedanët kryengritës grekë, që ishin caktuar të mbronin krahinën. Në të vërtetë, atë e ndalën shqiptarët e rekrutuar nën komandën e Jusuf Pashës. Pasi u morën vesh me kapedanët grekë, ata dezertuan në masë dhe u ndanë në dy pjesë nga 3 000 veta secila. Kështu kjo ushtri u shkri dhe komandanti i saj, i mbetur vetëm, u detyrua të hipte në një barkë e të strehohej në një anije të flotës osmane që të shpëtonte kokën dhe të mos binte në duart e grekëve. Ky dezertim, i paparë ndonjëherë, siç shkruante konsulli francez në Korfuz, dë Shantal, vërtetoi plotësisht “se shqiptarët myslimanë nuk deshën të luftonin kundër grekëve”. Kështu, shqiptarët ndihmuan edhe një herë kryengritjen greke.
Pas kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, forcat e kapedanëve grekë shkuan nga Akarnania në rrethin e Agrafës që të pengonin marshimin e forcave të vezirit të Shkodrës për në Akarnani. Por këto orvatje të kapedanëve grekë dështuan. Ushtria e vezirit shkodran, e cila me qëllim të paramenduar nuk u nxitua të arrinte në Akarnani dhe nuk përdori dhunën gjatë rrugës së vet derisa u sulmua në Karpenisi, mbërriti përpara Misolongjit pa ndonjë pengesë tjetër. Me këtë ushtri u bashkua edhe një forcë prej 3-4 mijë vetash që solli aty Omer pashë Vrioni. Por, këto reparte shqiptare të prirura për të mos luftuar kundër kryengritësve grekë, vazhduan të mbanin qëndrim pasiv, ashtu si edhe ushtria shkodrane dhe, pasi u plotësua afati gjashtëmujor i pajtimit të ushtarëve me pagë, filluan të tërhiqeshin dhe të ktheheshin në vendlindje. “Heqja e rrethimit të Misolongjit, - shkruante konsulli dë Shantal - nga pashai i Shkodrës së Shqipërisë, nuk është aspak rezultat i ndonjë luftimi ushtarak të grekëve. Kjo ngjarje është vetëm fryt i tërheqjes së trupave të pashait në fjalë, të cilat ... vendosën të kthehen secila në shtëpi të vet”.
Qëndrimi i forcave shqiptare që u endën rrugëve ose që nuk ndërmorën thuajse asnjë veprim serioz luftarak si gjatë marshimit, ashtu dhe gjatë “rrethimit” të Misolongjit, minoi ekspeditën e vitit 1823. Me dështim të plotë përfundoi edhe ekspedita e vitit 1824 kundër kryengritjes greke që iu ngarkua Dervish pashë Pejës, i cili sulmoi nga ana e Larisës, dhe Omer pashë Vrionit që u hodh në anën e Akarnanisë. Ajo dështoi në radhë të parë, ngaqë Mustafa pashë Bushatlliu dhe krerët kryesorë të Shqipërisë Jugore kundërshtuan të merrnin pjesë në të. Përveç kësaj, masakrimi i 300 shqiptarëve nga komanda osmane në Eube (Negropont), shkaktoi dezertimin e më shumë se 300 luftëtarëve shqiptarë të grumbulluar nga veziri Vrionas. Pas kësaj hemorragjie, ky vezir nuk paraqiste më ndonjë rrezik për forcat greke. Duke u përqendruar kundër Dervish Pashës, ato e thyen edhe atë. Kështu, për shkak të qëndrimit dashamirës të shqiptarëve ndaj kryengritjes greke, përfundoi me dështim edhe kjo fushatë ndëshkimore osmane.
Qëndrimi i shqiptarëve, që me të drejtë u konsiderua si shkaku kryesor, i cili bëri që “ushtritë e Rumelisë nuk kryen asnjë shërbim të frytshëm”, u kthye në një “problem shqiptar”, të cilin Porta e Lartë e shtroi për zgjidhje. Stambolli vendosi atëherë që Omer pashë Vrioni të hiqej si i paaftë nga posti që mbante në Shqipërinë Jugore dhe të transferohej në sanxhakun e Selanikut; qeverisja e sanxhakut të Vlorës ku kishte ndikim më të fortë shtëpia e vjetër e Vlorajve, t’i jepej Sulejman pashë Vlorës, kurse derbendët t’i jepeshin Iljaz bej Pashës. Sanxhakët e Janinës dhe të Delvinës si dhe posti i valiut të Rumelisë e kryekomanda e ekspeditave kundër Greqisë, t’i jepeshin Mehmet Reshid pashës. Me këto masa, që përbënin hapin e parë drejt rivendosjes së funksionarëve osmanë në Shqipërinë Jugore, u pajtuan shumica e krerëve të Shqipërisë. Kështu, Mehmed Reshid pasha, ngriti një ushtri prej 15 000 vetash, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Por, kur kjo ushtri hyri në Akarnani dhe rrethoi Misolongjin, shqiptarët u trajtuan keq prej kryekomandantit osman.
Në këto rrethana ata filluan përsëri të dezertonin dhe kundërshtuan të merrnin pjesë në sulmin e përgjithshëm që u ndërmor në shtator 1824. Atëherë Mehmet Reshid pasha, të cilit sulltani i kishte kërkuar ose Misolongjin ose kokën, dërgoi Haxhi bej Gegën, Veli bej Jaçen dhe Banush aga Sevranin të merreshin vesh me kapedanët suliotë për t’i bindur që të dorëzonin qytetin me të mirë, sa pa ardhur i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, i cili kishte zbarkuar në More. Mirëpo, në vend që t’u mbushnin mendjen mbrojtësve të Misolongjit për të dorëzuar qytetin, anëtarët e delegacionit u thanë kapedanëve suliotë të vazhdonin të qëndronin, pasi ashtu si Mehmet Reshid pasha, do të dështonte edhe Ibrahim pasha i Egjiptit. Atëherë kryekomandanti osman urdhëroi arrestimin e Haxhi bej Gegës. Me këtë masë e acaroi gjendjen dhe shpejtoi dezertimin. Ushtarët gegë u rebeluan, nxorën nga burgu komandantin e tyre dhe u larguan. Kështu bënë edhe të tjerët e sidomos Sulejman pashë Vlora, i cili mësoi se ndërkohë ishte shkarkuar nga qeverisja e sanxhakut, i cili i ishte dhënë Ismail pashë Plasës.
I mbetur me një ushtri të pakët në numër, Mehmet Reshid pasha e hoqi rrethimin e Misolongjit, u tërhoq në pozita të tjera dhe e njoftoi Mahmudin II për disfatën e ekspeditës, dhe se kishte vendosur të dimëronte aty dhe do të priste përforcime nga qendra.
Masat që u morën për likuidimin e “çështjes shqiptare” nuk dhanë rezultat. Feudalët shqiptarë, siç kishte thënë Sulejman pashë Vlora në komisionin që shqyrtoi këtë çështje vitin e kaluar, kërkonin ta qeverisnin vetë vendin e tyre si në kohën e Ali pashë Tepelenës. Veprimet e Stambollit u treguan atyre se sjellja në fuqi e Mehmet Reshid pashës në sanxhakët e Janinës dhe të Delvinës ishte një hap i madh kundër vetëqeverisjes së vendit nga shqiptarët. Por kjo u duk më qartë kur në qershor të vitit 1826 filloi reforma ushtarake, me asgjësimin e korpusit të jeniçerëve.
Porta e Lartë mbajti një qëndrim të veçantë ndaj shqiptarëve, të cilët treguan se ishin kundër sistemit të ri ushtarak të quajtur nizami xhedid (nizam-i cedid). Ajo e ndaloi Mehmet Reshid pashën të përdorte dhunën për të zbatuar reformën ushtarake në Shqipëri dhe urdhëroi ta shtynte atë për më vonë. Sulltani theksonte atëherë se “më parë duhej zgjidhur problemi grek, prandaj detyra kryesore ishte të nxirreshin sa më shumë trupa shqiptare për t’i hedhur në Greqi”. Pas pushtimit e shkatërrimit në prill 1826 të qytetit të Misolongjit nga trupat egjiptiane-osmane, Stambolli shtroi si synim të nënshtronte pjesën tjetër të Greqisë e në radhë të parë kështjellën e Akropolit të Athinës, për të hapur rrugën drejt Moresë. Në këto rrethana Mehmet Reshit pasha e ndryshoi qëndrimin ndaj feudalëve shqiptarë e sidomos ndaj Iljaz Podës, komandantit të derbendëve, të cilit filloi t’i paguante rregullisht rrogat e ushtarëve. Përveç kësaj, Porta e Lartë emëroi si myteselim të sanxhakut të Janinës Ismail bej Tepelenën, nipin e Ali Pashës. Qëllimi ishte që t’u krijohej përshtypje shqiptarëve se synimet e tyre për vetëqeverisjen e Shqipërisë Jugore po realizoheshin. Këtë bindje pati formuar edhe Iljaz Poda, i cili e festoi me gëzim të madh lajmin e emërimit të Ismail bej Tepelenës në Janinë.
Luftimet për pushtimin e kështjellës së Akropolit, që filluan në muajin gusht 1826, përfunduan në qershorin e vitit 1827. Nën komandën e gjeneralit anglez Kurç, mbrojtësit e jashtëm të kështjellës luftuan pa zell, bënë gabime të rënda dhe humbën betejën e 6 majit me dëme të shumta. Ndërkaq edhe ushtria e Mehmet Reshid pashës nga 18 000 ushtarë që kishte në fillim, tani ishte katandisur me 8 000 veta, për shkak të dezertimeve të shqiptarëve. Në pamundësi të vazhdonte mbrojtjen, garnizoni grek i kështjellës kapitulloi dhe ia dorëzoi atë Mehmet Reshid pashës.
Pas kësaj fitoreje ky ngriti zërin kundër silahdar Iljaz Podës, të cilin e akuzoi se nuk kishte zbrazur asnjë pushkë kundër kryengritësve grekë, madje, i kishte ndihmuar ata fshehurazi. Ai nuk i kishte shkuar në ndihmë as Ismail bej Tepelenës kur ky ishte rrethuar në Salona, dhe as Musa bej Qafëzezit në Rahovë të Livadhisë ku edhe u vra. Iljaz Poda kishte liruar pengjet e zonave të Agrafës e të Patërxhikut.
Krerët shqiptarë iu vunë punës për të diskredituar e hequr Mehmet Reshid pashën nga pushteti i Shqipërisë Jugore dhe për ta detyruar sulltanin që t’u linte atyre vetëqeverisjen e vendit. Këto veprime lehtësuan kryengritësit grekë. Qëndrimi i krerëve shqiptarë dhe dezertimet e ushtarëve e penguan kryekomandantin anadollak të vazhdonte marshimin për në More. Meqë i mbetën pak forca, ai ra moralisht deri në atë shkallë sa kërkoi dorëheqjen nga postet e tij.
Për të kapërcyer këtë gjendje të vështirë që u krijua në Shqipërinë e Jugut, Porta e Lartë i propozoi sulltanit, që Iljaz Poda të gradohej pashë dhe t’i jepej qeverisja e sanxhakut të Tërhallës, ndërsa Omer pashë Vrionit t’i jepej qeverisja e tre sanxhakëve të Shqipërisë Jugore, por me kusht që të dy të siguronin bashkimin e feudalëve të tre sanxhakëve shqiptarë rreth tyre për të sulmuar Greqinë dhe të zbatonin reformën ushtarake. Silahdar Iljaz Poda, si çdo feudal tjetër shqiptar, autoriteti i të cilit mbështetej në radhë të parë në forcat ushtarake me rrogë, nuk e pranoi detyrën e re. Ai propozoi që sanxhaku i Tërhallës t’i jepej Omer pashë Vrionit, kurse ai vetë do të shërbente nën urdhrat e tij. Nga ana tjetër, ai e njoftoi Portën e Lartë, me anë të përfaqësuesit të vet që dërgoi në Stamboll, se feudalët shqiptarë nuk mund të bashkoheshin për të shkuar kundër grekëve. Këtë nuk mund ta bënin jo vetëm pse ishin kundër zbatimit të reformës ushtarake, por edhe sepse ky bashkim konsiderohej thuajse i pamundur në kohën kur Fuqitë e Mëdha, me protokollin e 4 prillit 1827, kishin vendosur të përkrahnin çështjen greke. Ai i bëri të qartë Portës së Lartë se në këto kushte nuk duhej të shpresonte në pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën kundër Greqisë.
Ndërkaq, Fuqitë e Mëdha evropiane që kishin kërkuar pezullimin e veprimeve luftarake të Ibrahim Pashës së Egjiptit kundër Moresë dhe Hidrës, më 19 tetor 1827 shkatërruan flotën osmane në gjirin e Navarinit.
Porta e Lartë refuzoi kushtet e Fuqive të Mëdha për të njohur pavarësinë e popullit grek, dhe, duke shpresuar se do të gjente përkrahje nga shtetasit e vet myslimanë, nga kleri dhe feudalët, filloi përgatitjet për të kundërvepruar. Për të tërhequr feudalët shqiptarë, sulltani emëroi Omer pashë Vrionin në krye të sanxhakut të Tërhallës, mirëpo qeverisjen e Shqipërisë Jugore, duke përfshirë edhe sanxhakun e Vlorës, ia la përsëri Mehmet Reshid pashës. Ky vazhdoi të ngulte këmbë që Shqipëria Jugore të mos binte në duart e feudalëve vendas. Pas kësaj, shumica e krerëve shqiptarë nuk u bashkua me Portën. Pakënaqësinë e tyre ata e shfaqën hapur, veçanërisht gjatë luftës ruso-turke që u shpall më 14 mars 1828. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:08 am | |
| Kuvendi i Beratit (nëntor 1828)
Gjatë përgatitjeve që Porta e Lartë po bënte për të përballuar presionin e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes greke, sulltani, ashtu si gjithë myslimanëve të perandorisë, edhe myslimanëve shqiptarë u bëri thirrje të rrëmbenin armët për të mbrojtur “fenë e shtetin”.
Mehmet Reshid pasha urdhëroi krerët feudalë të Shqipërisë Jugore të paraqiteshin në Janinë bashkë me luftëtarët e tyre. Këtij urdhri nuk iu bind së pari Iljaz Poda, megjithëse veziri anadollak i kishte dërguar njoftime se e kishte falur për qëndrimet e kaluara. Për ta bindur Iljaz Podën, ndërhyri edhe Porta e Lartë, e cila, në të njëjtën kohë, e kërcënoi se do ta ndëshkonte po të mos bindej. Iljazi nuk iu bind as Portës dhe, bashkë me krerët e tjerë që ndoqën shembullin e tij, filloi punën për t’i dëbuar Mehmet Reshid pashën dhe funksionarët e tjerë nga Shqipëria Jugore.
Ndërkohë kryengritja greke, që ishte çoroditur nga goditjet e forta të ushtrive osmane-egjiptiane, me përkrahjen e Fuqive të Mëdha filloi të ringjallej. Meqë në këtë kohë dhe ushtritë e Portës ishin larguar nga Moreja, ndërsa forcat e tjera osmane duke përfshirë edhe ato të Omer pashë Vrionit e të Ismail pashë Plasës ishin përqendruar në luftën me rusët, Stambolli urdhëroi Valiun e Rumelisë të organizonte një ekspeditë të re kundër grekëve. Por edhe kjo ekspeditë mund të ndërmerrej vetëm me ndihmën e feudalëve shqiptarë.
Feudalët shqiptarë, jo vetëm pse ushqenin simpati për çështjen greke, por edhe sepse ishin të bindur se ajo do të triumfonte, dhe pse e quanin me rrezik për interesat e tyre dhe për vendin, pjesëmarrjen në ekspeditë, nuk pranuan të angazhohen në luftën kundër Greqisë. Ata e shihnin këtë veprim si një nga rrugët për të dëbuar Mehmet Pashën dhe funksionarët e tjerë osmanë nga Shqipëria Jugore. Iljaz Poda, Ismail bej Vlora dhe Shahin bej Delvina, vendosën që për këtë çështje të thirrej një kuvend i gjerë i përfaqësuesve të krerëve shqiptarë. Ndërkaq, para se të mblidhej kuvendi, ata hynë në bisedime me qeverinë greke për të përcaktuar qëndrimin që do të mbanin të dyja palët në konfliktin që kishte shpërthyer. Gjatë bisedimeve të dyja palët u zotuan të mos sulmonin trojet e njëri-tjetrit.
Pas kësaj marrëveshjeje, në javën e parë të muajit nëntor 1828, u mblodh në Berat kuvendi i krerëve shqiptarë. Kuvendi i zhvilloi punimet e veta në mbledhje të fshehta, që zgjatën nga 6 deri më 8 të atij muaji dhe u mbajtën nën kryesinë e Ismail bej Vlorës, Iljaz Podës dhe Shahin bej Delvinës. Në kuvend u diskutua kryesisht për çështjen e qeverisjes dhe u theksua se funksionarët osmanë kishin përqendruar në duart e tyre të gjitha privilegjet, duke dëbuar vendasit. Prandaj u vendos që të thyhej autoriteti i vezirit nga Kytahijaja e Anadollit, ta largonin atë nga qeverisja e Shqipërisë dhe nëse ai do të zëvendësohej me të tjerë, edhe këta të dëboheshin duke u krijuar pengesa, derisa pushteti i vendit të përqendrohej në dorën e shqiptarëve. Mendohej që ky synim të arrihej para se Stambolli të zgjidhte mosmarrëveshjet e veta me Fuqitë e Mëdha, sepse kur Mehmet Reshid pashës t’i liroheshin duart, u tha në kuvend, ai do të hakmerrej ashpërsisht ndaj tyre dhe do ta nënshtronte vendin duke përdorur shqiptarët kundër shqiptarëve.
Më 9 nëntor, të dërguar nga Mehmet Reshid pasha, mbërritën në Berat, Sulejman bej Konica dhe Tahir aga Abazi, që kërkuan përgjigjen e shqiptarëve ndaj thirrjes së vezirit. Krerët e kuvendit i kthyen prapa duke u kumtuar se përgjigjen do t’ia jepnin vezirit me gojë në Zicë, ku do të paraqiteshin me forcat e tyre. Ata mendonin t’i njoftonin Mehmet Reshid pashës se pranonin të merrnin përsipër mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Jugore me forcat e tyre, por me kusht që, përveç sigurimit të ushqimit dhe municioneve, t’i jepej sanxhaku i Vlorës për qeverisje Ismail bej Vlorës, sanxhaku i Delvinës Shahin bej Delvinës dhe derbendët e sanxhaku i Tërhallës, Iljaz bej Podës. Ndërsa për trupat që do të nevojiteshin për t’u përdorur jashtë kufijve të Shqipërisë Jugore, kundër trupave franceze ose greke, kërkonin sigurimin e pagave të ushtarëve. Kërkesat e krerëve të kuvendit synonin në të vërtetë dëbimin e Mehmet Reshid pashës dhe të funksionarëve osmanë nga Shqipëria Jugore.
Mehmet Reshid pasha, që u informua mbi vendimet e kuvendit nga një agjent i tij i fshehur në radhët e pjesëmarrësve të kuvendit, nuk u paraqit në Zicë, por dërgoi tre përfaqësues të tij. Krerët e kuvendit të Beratit e kuptuan këtë shmangie të vezirit, ndaj u larguan dhe nuk morën pjesë në ekspeditë, që nuk u arrit të ndërmerrej. Sipas shembullit të tyre edhe feudalët çamë, që kishin pranuar në një farë mënyre të shkonin nën urdhrat e Mehmet Reshid pashës, jo vetëm hoqën dorë, por dëbuan forcat dhe përfaqësuesit e tij nga Paramithia. Ky veprim shënoi fillimin e lëvizjes feudale shqiptare për vetëqeverisjen e vendit si në kohën e Ali pashë Tepelenës.
I demoralizuar nga dështimi që pësoi dhe i shqetësuar se mos dëbohej me forcë, Mehmet Reshid pasha edhe këtë herë kërkoi të hiqej nga postet që mbante. Mirëpo Porta e Lartë nuk e pranoi këtë kërkesë dhe, meqenëse feudalët shqiptarë u mjaftuan vetëm me këto akte dhe nuk ndërmorën veprime për të pastruar sanxhakun e tyre nga funksionarët osmanë, Stambolli hartoi një plan tjetër, për të vrarë krerët kryesorë shqiptarë - Ismail bej Vlorën dhe Iljaz Podën, dhe të shpërndante kështu besëlidhjen e Beratit, ta shtypte atë ose ta detyronte t’u bindej urdhrave të pushtetit qendror. Për t’ia arritur këtij qëllimi, u përhap fjala se Mehmet Reshid pasha do të hiqej nga detyra e vet për shkak se u tregua i pazoti për ta bërë Besëlidhjen Shqiptare një mbështetje të perandorisë në periudhën e krizës së asaj kohe. Njëkohësisht iu dërguan Ismail bej Vlorës fermani i emërimit të tij si qeveritar i sanxhakut të Vlorës me gradën pashë me dy tuja dhe Iljaz bej Podës, fermani i emërimit të tij si komandant i përkohshëm i Janinës derisa të mbërrinte aty Ismail bej Tepelena.
Ismail bej Vlora ra në kurthin e kurdisur dhe shkoi në Janinë, ku më 5 janar 1829, kur po ngjiste shkallët e sarajit, u vra nga njerëzit e Mehmet Reshid pashës. Ndërsa Iljaz Poda shpëtoi, sepse nuk shkoi në Janinë. Por vrasja e Ismail bej Vlorës nuk i vërtetoi shpresat e Portës së Lartë për të nënshtruar shqiptarët. Përkundrazi, lëvizja mori karakterin e një revolte të vërtetë, që u shoqërua me dëbimin e funksionarëve osmanë dhe me vendosjen e pushtetit të parisë shqiptare në krahinat përreth Janinës, në Zagori, Konicë, Mecovë. Qëllimi ishte që Mehmet Reshid pasha të largohej. Ky i fundit, pasi i kumtoi Portës se për të nënshtruar shqiptarët duheshin përdorur forca të mëdha ushtarake, u përgatit të largohej nga Shqipëria. Ndërkohë, sulltani e ngarkoi me detyrën e Vezirit të Madh dhe të kryekomandantit të ushtrisë në luftën kundër Rusisë. Ky vendim u shpall në Janinë më 6 shkurt 1829. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:08 am | |
| Masakra e Manastirit (9 gusht 1830)
Me pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat ushtarëve, një varg komandantësh të tjerë shqiptarë u larguan nga shërbimi zyrtar. Ndërkohë, Besëlidhja e Beratit kishte mundur të tërhiqte në anën e vet edhe disa kapedanë grekë që qëndronin në krahinat e tyre për t’i mbrojtur nga dhuna osmane. Por radhët e saj u shtuan edhe me krerë të tjerë shqiptarë të pakënaqur nga Porta e Lartë. Në këto rrethana u krijua në sanxhakun e Janinës një gjendje e turbullt.
Megjithëse sulltani nuk ia hoqi menjëherë Mehmet Reshid pashës detyrat e valiut të Rumelisë dhe të vezirit të tre sanxhakëve të Shqipërisë Jugore, për të mos ia ulur autoritetin në sytë e shqiptarëve, pas largimit të tij për në front, e ngarkoi me detyrën e valiut të Rumelisë dhe të qeveritarit të sanxhakut të Tërhallës e të nazërit (mbikëqyrës, ministër - shën. i aut.), të derbendëve ish-Vezirin e Madh, Mehmet Selim pashën. Ndërsa në postin e qeveritarit të të tre sanxhakëve shqiptarë u emërua, me gradën e vezirit Mahmud Hamdi pasha, një nga vartësit e Mehmet Reshid pashës. Edhe pas dërgimit të tij në front, Mahmudi II ia besoi pushtetin në Shqipëri një funksionari osman.
Kjo tregonte edhe një herë se ai nuk donte të kënaqte kërkesën e krerëve feudalë shqiptarë për vetëqeverisje, sepse, siç shprehej ai, “shqiptarët do të vazhdonin turbullirat e nuk do të shërbenin si duhej, dhe se këtë do ta bënin kur mbi ta të ushtrohej një dhunë e fortë nga ana e shtetit”. Megjithatë, për të ulur hovin e lëvizjes në Shqipërinë Jugore dhe sidomos, për të nxitur më tej rivalitetin dhe armiqësitë midis krerëve kryesorë të kësaj lëvizjeje, sulltani kërkoi nga Mehmet Selim pasha që të thërriste Iljaz Podën në detyrën e myteselimit të sanxhakut të Tërhallës dhe të agait të derbendëve.
Pas këtyre emërimeve, në vargun e feudalëve të rebeluar u përfshi edhe Asllan bej Puçeja, ish-myteselim i sanxhakut të Tërhallës, një nga krerët më në zë të Shqipërisë Jugore, që mbeti pa ndonjë post zyrtar. I pakënaqur ishte edhe Ismail bej Qafëzezi i Kolonjës, të cilit Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar myteselimllëkun e Tërhallës. Po ashtu, në këtë grup u radhit edhe Myslim Beu, vëllai i Veli bej Jaçes, komandant i Prevezës e i Artës, i cili ishte një tjetër feudal shqiptar po aq i fuqishëm sa Iljaz Poda ose Asllan Beu. Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar Myslim Beut agallëkun e derbendëve, që nuk iu dha. Në këto kushte gjendja e turbullt u thellua në Shqipërinë Jugore dhe në të njëjtën kohë u shtuan armiqësitë dhe rivaliteti midis krerëve kryesorë.
I braktisur nga një pjesë e mirë e komandantëve shqiptarë, veziri Mahmud Hamdi pasha u detyrua të thërriste në Janinë Veli bej Jaçen. Me këtë veprim Veli bej Jaçja, që konsiderohej ndër feudalët e fuqishëm shqiptarë, përveç Prevezës dhe Artës, vuri nën komandën e vet edhe kështjellën e Janinës, ndërsa veziri osmanlli u gjend në mëshirën e tij. Në këtë kohë edhe Vlora e rrethi i saj kishin rënë në duart e Beqir bej Vlorës, vëllait të Ismail Beut, ish-kryetarit të Besëlidhjes së Beratit, ndërsa qyteti i Beratit kishte rënë në duart e Tafil Buzit. E njëjta gjendje ishte krijuar edhe në sanxhakun e Delvinës, ku Shahin bej Delvina, bejlerët e Gjirokastrës dhe ata të Çamërisë, vepronin me kokë të vet, pa pyetur për autoritetin e Mahmut Hamdi pashës.
Meqenëse ky vezir nuk solli ndonjë shërbim, Porta e Lartë e hoqi dhe e dërgoi në frontin rus, ku Mehmet Reshid pasha po pësonte disfata mbas disfatash. Detyrën e qeverisjes së Shqipërisë Jugore Porta ia ngarkoi valiut të Rumelisë. Ky, me qëllim që të shtinte në dorë komandën e kështjellës së Janinës, kërkoi ndihmën e njërit prej feudalëve shqiptarë, Latif Efendiut. Ndërkaq, i premtoi komandantit të saj, Veli bej Jaçes, se do t’i paguante rrogat e ushtarëve nëse ky i largonte trupat e tij nga Janina. Por këto orvatje nuk patën sukses. E gjithë Shqipëria Jugore si dhe Tërhalla e derbendët, ranë në fakt në duart e feudalëve shqiptarë. Pasi njohu pavarësinë e Greqisë (1830), Porta e Lartë u mor tërësisht me nënshtrimin e Shqipërisë, e cila për shkak të popullsisë së saj, që në shumicë ishte myslimane, bashkë me Bosnjën, konsideroheshin si dy mbështetjet e pushtetit osman në Rumeli. Detyrën e nënshtrimit të Shqipërisë së Jugut sulltani ia ngarkoi Vezirit të Madh, Mehmet Reshid pashës. Pas kësaj do të fillonte nënshtrimi i Shqipërisë Veriore dhe do të zbatoheshin në vend reformat centralizuese, sidomos ajo ushtarake.
Pa u larguar akoma nga Edreneja, Veziri i Madh emëroi të birin, Emin Pashën, si qeveritar të Janinës, Mahmud Hamdi pashën si qeveritar të Tërhallës dhe si komandant të derbendëve, Iljaz Podën. Sipas mendimit të sulltanit, ai duhet ta emëronte këtë të fundit myteselim të sanxhakut të Vlorës me titullin “Kapëxhëbash (kryeportier - shën. i aut.) i Oborrit”, por kjo nuk pati efekt, sepse Iljaz Poda ishte kundërshtari kryesor i qeverisjes së Shqipërisë Jugore nga osmanët.
Nga Edreneja Mehmed Reshid pasha mbërriti në Manastir, ku ftoi krerët shqiptarë e sidomos Iljaz Podën, Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen etj., të paraqiteshin në selinë e tij për të biseduar për çështje të organizimit të ushtrisë dhe të pagesave të prapambetura.
Asllan bej Puçja, që kishte qenë në luftë me forcat e Vezirit të Madh në Alasonjë, i ndërpreu luftimet dhe, pasi u takua me Veli bej Jaçen në Mecovë, vendosën të shkonin bashkërisht në Manastir të shoqëruar me kontingjente të forta ushtarësh, për të parandaluar ndonjë pabesi dhe për t’i shkëputur vezirit të drejtat që pretendonin.
Ndërsa Asllan Beu e Veli Beu shkuan në Manastir, Iljaz Poda, që nuk i zuri besë Vezirit të Madh, u tërhoq në zonën e Dangëllisë dhe filloi përgatitjet për t’u mbrojtur në malin e Melesinit në rast se sulmohej nga forcat qeveritare, që mund të vinin kundër tij nga Korça ose Janina.
Mehmed Reshid pasha nuk kishte aspak ndërmend të bisedonte me krerët shqiptarë që erdhën në Manastir, përkundrazi, ai kishte marrë masat për t’i likuiduar ata me pabesi. Pikërisht në këtë kohë ai i preu kokën në Berat Hasan bej Vrionit dhe vari në Manastir Shaban Gegën, që kishte zënë rob në Janinë. Ndërsa ndaj bejlerëve që mbërritën në Manastir, Mehmet Reshit pasha, pasi u bëri një pritje madhështore, organizoi më 9 gusht një masakër të paparë. Në këtë ditë ai i ftoi ata të merrnin pjesë në një stërvitje të reparteve të rregullta ushtarake që u bë jashtë qytetit. Këtu ata do të hanin edhe drekën në një kopsht të hapur.
Mirëpo sapo mbërritën në vendin e ceremonisë, dy të ftuarit e parë, Veli Jaçe beu dhe Asllan Puçe beu, ushtarët që stërviteshin i kthyen pushkët kundër tyre dhe hapën zjarr mbi ta. Kështu të qëlluar në befasi, dy bejlerët shqiptarë dhe shoqëruesit e tyre nuk mundën të bënin veçse një qëndresë të vogël. Veli Beu u vra në vend, kurse Asllan Beu, të cilit iu plagos kali, u godit dhe iu pre koka. Pas tyre, po atë ditë të 9 gushtit u vranë të masakruar po në vendin e ceremonisë edhe 800-1 000 shqiptarë kurse 400-500 të tjerë u zunë robër.
Një veprim i ngjashëm dhe i pabesë u krye edhe nga i biri i Vezirit të Madh, Emin Pasha, ndaj Myslim Beut e Kapllan Beut, i pari vëlla i Veli Beut, ndërsa i dyti i Asllan Beut. Kapllan Beu mundi të shpëtonte por, para se të largohej nga Janina, bëri një akt të pakuptimtë e barbar, dogji thuajse gjysmën e qytetit. Me masakrën e Manastirit dhe të Janinës Mehmet Reshid pasha synonte t’u jepte një mësim krerëve të tjerë shqiptarë dhe t’i bënte që të nënshtroheshin. Kjo masakër, që zhduku krerët më të rëndësishëm të lëvizjes shqiptare të Jugut, arrestimi i familjeve të luftëtarëve të garnizoneve të qyteteve të Shqipërisë Jugore, konfiskimi i pasurive të tyre si dhe presioni i vazhdueshëm i forcave qeveritare mbi popullsinë, bënë që feudalët shqiptarë të hiqnin dorë nga lëvizja. Megjithëse një pjesë e tyre u hodh në male për një farë kohe, lëvizja u topit, për t’u gjallëruar më pas, në mesin e muajit prill 1831, kur feudalët e jugut mbështetën luftën e Mustafa pashë Bushatlliut kundër reformave centraliste në Shqipërinë Veriore. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:08 am | |
| 7. LËVIZJA PËR VETËQEVERISJE NË SHQIPËRINË VERIORE. SHEMBJA E PASHALLËKUT TË SHKODRËS
Mustafa pashë Bushatlliu në luftën ruso-osmane të viteve 1828-1829
Porta e Lartë, që kërkonte me çdo kusht të shuante kryengritjen greke, në pranverën e vitit 1824 e urdhëroi vezirin Bushatlli, pa mbërritur mirë në Shkodër nga Akarnania, të nisej përsëri kundër lëvizjes greke. Por ky nuk pranoi jo vetëm pse kërkonte të ruante forcat e veta për t’u bërë ballë turbullirave brenda pashallëkut dhe për t’u mbrojtur nga rivali i tij, Dervish pashë Peja, që ishte emëruar vali i Rumelisë, por edhe sepse ushtarakët shkodranë e malësorët nuk dëshironin të ktheheshin në Greqi ku, krahas të tjerave, kishin shpërthyer edhe epidemitë.
Megjithatë, më 1825, si Bushatlliu, ashtu dhe pashallarët kosovarë u detyruan të dërgonin nën komandën e valiut të Rumelisë, Mehmet Reshid pashës, kontingjentet e tyre ushtarake, por kur panë trajtimin e keq të shqiptarëve nga kryekomandanti osman, që po i përdorte ata si mish për top, i tërhoqën forcat e tyre. Kjo shkaktoi zemërimin e valiut, që ra sidomos mbi Mustafa Pashën e Shkodrës.
Veziri Bushatlli, pushteti i të cilit ende nuk ishte konsoliduar si duhej, u mundua t’u shmangej sa më shumë detyrimeve ndaj pushtetit qendror. Kështu veproi atëherë edhe shumica e pashallarëve kosovarë. Mirëpo Mehmet Reshid pasha përsëri shkaktoi ngatërresa midis tyre. Me kryengritjen që nxiti në marsin e vitit 1826 në Prishtinë kundër Jashar Pashës, kunatit të Tahir pashë Bushatlliut, dhe me një komplot që organizoi në muajin maj të të njëjtit vit në Shkodër për të vrarë Mustafa Pashën e për të sjellë në fuqi Tahir Pashën, ai arriti të përçante pashallarët gegë. Përçarja u thellua më shumë me shpalljen e reformës ushtarake, pasojat e rënda të së cilës për pushtetin e tij, veziri shkodran, edhe pse me vonesë, i kuptoi dhe e kundërshtoi së bashku me krerët feudalë boshnjakë, të cilët u shpallën gjithashtu haptazi kundër saj. Mirëpo, edhe pse sistemi i ri ushtarak binte ndesh gjithashtu me interesat e pashallarëve kosovarë, këta jo vetëm nuk ndoqën veprimin e Bushatlliut, por iu kundërvunë atij duke ndihmuar përfaqësuesin e Portës së Lartë në Bosnjë, vezir Abdurrahman Pashën. Ky mundi ta paralizonte për një kohë lëvizjen boshnjake dhe pas kësaj filloi të vepronte kundër Mustafa Pashës duke bërë presion në kufijtë e pashallëkut të tij me anën e forcave të pashallarëve të Shkupit e të Prizrenit. Por edhe këto veprime u ndalën, pasi Bushatlliu dërgoi kundër këtyre dy pashallarëve shqiptarë një ushtri prej 14 000 vetash. Pas kësaj Porta e Lartë, u detyrua të ndërhynte për ndërprerjen e konfliktit.
Në vitin 1826 veziri Bushatlli kundërshtoi të dërgonte forca ushtarake në Greqi. Mirëpo Porta e Lartë, që po shkonte drejt një konflikti të madh me Fuqitë e Mëdha evropiane, të cilat filluan të ndërhynin hapur në favor të njohjes së Greqisë si shtet më vete, nuk hoqi dorë nga përpjekjet për ta tërhequr atë dhe për të përdorur me ndihmën e tij potencialin ushtarak të Gegërisë. Porta kërkoi prej Mustafa Pashës të ngrinte një ushtri prej rreth 40 000 vetash të përbërë prej ushtarësh shqiptarë gegë, duke i dërguar edhe listën e pashallarëve, të bejlerëve dhe të kapedanëve që do të hynin nën komandën e tij. Ai u porosit me këtë rast, që t’i trajtonte si kryengritës të gjithë ata krerë që nuk do t’i bindeshin.
Ky urdhër e joshi Bushatlliun, sepse do t’i shërbente para së gjithash, forcimit të autoritetit të tij në Gegëri. Por këtij urdhri kundërshtuan t’i bindeshin Abaz Pasha i Dibrës dhe Mehmet Pasha i Matit. Kapedani i Mirditës, që u ngarkua për t’i bindur këta të bashkëpunonin, tërhoqi pas Bushatlliut feudalin e Matit, kurse atë të Dibrës nuk arriti ta bindte. Në këto rrethana, në nëntor të vitit 1827, Mustafa Pasha nisi kundër tij 18 000 ushtarë. Ndërkaq edhe feudalët dibranë u përçanë. Kundër Abaz Pashës u ngritën malësorët dibranë. I shqetësuar se mund të vritej nga njerëzit e vet, Abaz Pasha u arratis. Kështu Mustafa Pasha mundi të konsolidonte pozitën e vet edhe në këto treva. Ndërkohë Porta e Lartë gradoi si mirmiran djalin e tij të madh, Mahmud Beun, dhe vazhdoi ta joshte këtë kundërshtar të reformave për aq kohë sa pati nevojë për mbrojtjen e kufijve tokësorë e detarë të perandorisë. Këto ishin rrethanat në të cilat u gjend Pashallëku i Shkodrës dhe përgjithësisht Shqipëria e Veriut dhe ajo e Verilindjes në prag të fillimit të luftës ruso-turke të vitit 1828-1829.
Fillimi i kësaj lufte solli pushtimin nga ushtria ruse të Vllahisë dhe të Moldavisë. Ushtria osmane në kushtet kur nuk i erdhi në ndihmë as kontingjenti i fortë ushtarak boshnjak që ishte paraparë të dërgonte veziri i Bosnjës, nuk e ndali dot vrullin e rusëve. Ndërkaq, më 8 qershor 1828 shpërtheu kryengritja e krerëve boshnjakë kundërshtarë të reformave. Kjo bëri që edhe kontingjenti ushtarak i Bosnjës që ishte në rrugë drejt frontit rus, të mos arrinte atje dhe të shkrihej krejtësisht.
Në këtë gjendje të vështirë Porta i drejtoi sytë në Shqipëri. Duke pasur si synim që forcat e Shqipërisë Veriore t’i përgatiste për frontin e Danubit, Porta dërgoi në Shkodër një funksionar të Lartë, i cili u ngarkua të formonte një ushtri të fortë dhe sipas sistemit të ri ushtarak. Por urdhri u anulua, kur Mustafa Pasha i deklaroi sulltanit se shqiptarët gegë e urrenin atë sistem, dhe për rrjedhojë ishte rrezik që të hidheshin në kryengritje sikurse ndodhi në Bosnjë. Atëherë Porta pranoi që përgatitja e ushtrisë të bëhej sipas sistemit të vjetër, por me kusht që pashai shkodran të nisej drejt Danubit për të zhbllokuar në radhë të parë Vidinin, që rrezikohej të rrethohej prej rusëve e të binte në duart e tyre.
Për të mënjanuar humbjet e mëdha që do të pësonin forcat e tij ushtarake në një luftë fundi i së cilës po dukej qartë, Mustafa Pasha bëri të gjitha përpjekjet për të vonuar nisjen e tyre në frontin e Danubit. Për këtë i dhanë dorë disa ngjarje jo të parëndësishme. E tillë ishte kërkesa që Mali i Zi i bëri carit rus për të dërguar kuadro e të holla për të gozhduar në vend pashallarët e zonave kufitare shqiptare dhe për t’i penguar të niseshin për në front. Një ngjarje tjetër e tillë ishte kryengritja e zonës së Peshterit, ku Bushatlliu dërgoi një forcë prej 4 000 vetash. Më në fund, ai përfitoi edhe nga fakti që as pajisjet dimërore dhe as fondet e të hollave e për pasojë, as forcat e vartësve të tij, nuk i mbërritën me kohë. Në këto rrethana, Bushatlliu kërkoi shtyrjen e kohës së nisjes së tij për në pranverën e vitit 1829, të cilën Porta u detyrua ta pranonte.
Sapo mori vesh se Mehmed Reshid pasha u emërua Vezir i Madh dhe kryekomandant, Mustafa Pasha me qëllim që të mos vihej nën vartësinë e tij të drejtpërdrejtë, kërkoi nga Porta e Lartë ta lejonte që me forcat e veta, me ato të pashallarëve kosovarë dhe me 20 000 ushtarë boshnjakë, të formonte një ushtri të madhe prej 60 000 vetash, që do të vepronte në sektorin e Vidinit. Sulltani e pranoi këtë propozim duke menduar se kjo, edhe pse mund të mos i sillte dobi ushtarake, do t’i sillte përfitime me karakter politik, do t’i duhej për bisedimet për paqe që kishte ndërmend t’i fillonte së shpejti. Në literaturën e huaj e sidomos në atë franceze është pohuar se fermani i sulltanit për të caktuar Bushatlliun si komandant të pavarur në sektorin e Vidinit, u nxor falë ndërmjetësisë që princi Milosh i Serbisë bëri pranë Portës. Ky pohim nuk qëndron, sepse në dokumentacionin osman nuk bëhet fjalë fare për një ndërmjetësim të tillë për këtë emërim. Edhe vonesa e nisjes së Bushatlliut për në front, në këtë literaturë lidhet me princ Miloshin, i cili e paska siguruar atë se rusët do ta ndihmonin të bëhej sundimtar i pavarur po qe se nuk do të merrte pjesë në luftën kundër tyre. Por, siç treguan ngjarjet e mëvonshme, edhe ky pohim është po aq i pabazuar sa edhe i pari.
Bushatlliu duhej të ishte nisur më 15 maj, por doli nga Shkodra vetëm më 6 qershor. Kjo ndodhi për shkak se në atë kohë banorët e Ljeshko Poljes, të Kuçit dhe të Piprit, jo vetëm nuk pranuan të dërgonin ushtarët, për të cilët kishin marrë edhe paradhëniet, por sulmuan kështjellën e Shpuzës dhe të Zhabjakut. Mustafa Pashës, para së gjithash, iu desh të sqaronte, se mos këto sulme i kishte organizuar Vladika dhe të dërgonte kundër tri krahinave rebele një forcë prej 5 000 vetash. Më 6 qershor, pasi la si zëvendës djalin e vet, Mahmud Pashën, dhe këshilltar të tij Xheladin Beun e Ohrit dhe, pasi mbylli në pallat kushërinjtë rivalë, Tahir Pashën e Dervish Beun, Bushatlliu u nis për në frontin e Danubit. Duke menduar se ndërkaq do të sheshoheshin mosmarrëveshjet ruso-turke, për të cilat kishin filluar bisedimet për paqe, ai i imponoi ushtrisë së tij prej 20-25 000 vetash (me të nuk u bashkuan as boshnjakët e as forcat e disa pashallarëve shqiptarë), një marshim të ngadalshëm dhe vetëm më 6 korrik mbërriti gjysmë ore afër Vidinit, ku vendosi kampin e vet.
Ndërsa ndërmjetësit e të dy perandorive ndërluftuese kishin filluar bisedimet për paqe, ushtritë osmane pësuan disfata të rënda. Pasi dogjën flotën osmane në Detin e Zi, pasi pushtuan kështjellën e Silistrës dhe e detyruan Mehmet Reshid pashën të futej në kështjellën e Shumlës, rusët kërkuan si kusht për përfundimin e paqes dorëzimin e një numri fortesash, ndër të cilat edhe atë të Shumlës. Në rast të kundërt, e kërcënuan ata Portën, paqja do të nënshkruhej në Stamboll. Këto fitore u dhanë mundësi rusëve të drejtoheshin në Edrene dhe prej aty drejt Stambollit, prandaj i ndërprenë bisedimet. Shthurja në ushtri dhe paniku që u përhap në perandori, e detyruan Portën e Lartë të shpejtonte përfundimin e paqes dhe të dërgonte të plotfuqishmit e saj në Radost, ku gjendej Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse. Por, meqenëse Mustafa Pasha arriti të detyronte ushtrinë ruse, që ndodhej 18 orë larg Vidinit, në qytetin Orahovë, ta braktiste këtë qytet të pushtuar qysh në maj, sulltani vendosi ta përdorte këtë fitore si mbështetje për dërgatën e tij diplomatike. Mustafa Pashën e emëroi kryekomandant të korparmatës së Rumelisë Qendrore, duke e urdhëruar që të vendosej midis Edrenesë e Stambollit për të mbrojtur kryeqytetin. Por, ndërsa Bushatlliu filloi marshimin nga Vidini për të zbatuar urdhrin e sulltanit, Edreneja ra më 22 gusht 1829 në duart e rusëve, të komanduar nga gjenerali Dibiç. Kjo ngjarje u dha rusëve mundësinë që të kërkonin zhvillimin e bisedimeve për paqe në këtë qytet.
Diplomatët osmanë, që ishin vënë në dijeni për lëvizjen e forcave të Mustafa Pashës, kërkuan prej tij t’i afrohej Edrenesë deri në vendin Haskëj, me qëllim që ta bënin më të efektshëm vringëllimën e armëve. Por gjenerali Dibiç protestoi, duke deklaruar se afrimi i tij do të sillte ndërprerjen e bisedimeve. Rusët ishin të shqetësuar, sepse, përveç 40 000 ushtarëve që solli me vete nga Vidini, Mustafa Pasha e shtoi potencialin ushtarak edhe me repartet e vezirëve të ndryshëm që u vunë nën komandën e tij. I bindur se as ushtria vullnetare, që u ngrit për mbrojtjen e Stambollit dhe as ajo e Mustafa Pashës nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë forcave ruse, sulltan Mahmudi II nxori vendimin e divanit për të nënshkruar paqen me çdo kusht. Sulltani, edhe pse Mustafa Pasha mund t’ua merrte përsëri Edrenenë rusëve, nuk pranoi zgjatjen e luftimeve për të mos pësuar ndonjë humbje më të rëndë dhe urdhëroi nënshkrimin e Traktatit të Paqes. Megjithëse e ndiente veten të fyer për shkak se përfundimin e traktatit të paqes dhe kushtet e tij i mësoi nga gazetat dhe jo nga kanalet zyrtare, Mustafa Pasha nuk diskutoi më tej dhe me të marrë pëlqimin e qeverisë, u kthye në vendlindje. Sulltani jo vetëm i dërgoi rrogat e prapambetura të ushtarëve, por i dha atij si dhuratë një shpatë të stolisur me xhevahire. Dhurata të ngjashme ai u dërgoi edhe pashallarëve kosovarë.
Gjatë luftës së Turqisë me Rusinë, të viteve 1828-1829, Bushatlliu, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të perandorisë, forcoi pozitën e vet në sy të shqiptarëve e krerëve të tyre, e shtriu pushtetin edhe në sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, dhe, duke mbetur kundërshtar i reformave centralizuese, u afrua me krerët boshnjakë dhe ata të Rumelisë, u bë një qeveritar krahinor i rrezikshëm për Portën e Lartë, një pengesë që ajo vendosi ta zhdukte sa më parë. Krahas fuqizimit të pushtetit të Bushatllinjve në Pashallëkun e Shkodrës, në fundin e shek. XVIII e sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XIX, u forcuan edhe mjaft familje feudale në Shqipërinë Verilindore (Kosovë) dhe në atë Lindore (trevat shqiptare në Maqedoninë e sotme). Disa prej këtyre familjeve të fuqishme ishin me origjinë të hershme feudale, ndërsa të tjerat u shfaqën rishtas si rezultat i fitores në rivalitetet e ashpra me familje të tjera kundërshtare. Kështu në Prizren u ngrit familja e Rrotullajve, të cilët, të paktën që nga viti 1794, kur mundën të mposhtin e të dëbojnë kundërshtarët e vet, Sali Pashitët, sunduan si të plotfuqishëm në këto anë, duke i dhënë sanxhakut të Prizrenit karakterin e një pashallëku të vogël. Më të njohurit e kësaj familjeje në dekadat e para të shek. XIX u bënë Rustem Pasha dhe Mahmud pashë Rrotulla, të cilët qeverisën këtë sanxhak përkatësisht gjatë viteve 1801-1806 dhe 1809-1836. Gjurmë të thella la në historinë e viseve veriore të Shqipërisë sidomos veprimtaria politike e familjes së fuqishme të Begollajve të Pejës. Pinjollë të shquar të saj që nga shek. XVII patën qeverisur në mënyrë periodike, jo vetëm rajonin e Pejës, por edhe sanxhakun e Shkodrës.
Ndikim të veçantë në zhvillimet politike të Kosovës gjatë kësaj kohe kishte edhe familja e Gjinollëve e vendosur në Prishtinë. Nga kjo familje u shquan sidomos Maliq Pasha dhe i nipi Jashar Pasha, të cilët gjatë këtyre viteve sunduan me dorë të hekurt në qytetin e Prishtinës dhe rrethinën e tij. U dalluan gjithashtu për nga fuqia e tyre politike dhe ekonomike familje të tjera në qytete të ndryshme shqiptare, si në Vuçiternë, Tetovë etj. Megjithatë, fuqizimi i familjeve shqiptare në viset verilindore dhe lindore nuk arriti atë shkallë ndikimi dhe atë pushtet që patën fituar Bushatllinjtë në Shqipërinë Veriore dhe Ali pashë Tepelena në atë Jugore. | |
| | | dr.FjoollaaH™ WebMaster
Postime : 9044
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman Wed Jun 16, 2010 7:09 am | |
| Shembja e Pashallëkut të Shkodrës (1831)
Vendosja e Mehmet Reshid pashës në Manastir dhe sidomos masakrimi i njëkohshëm në këtë qytet dhe në Janinë i krerëve kryesorë të Shqipërisë së Jugut, si dhe futja e saj në binarët e sistemit të reformave centralizuese, u treguan krerëve të Shqipërisë së Veriut se, me vezirin Bushatlli në krye, pushteti politik dhe ekonomik i tyre si dhe vetë jeta e tyre ishin vënë në rrezik. Tashmë, nuk kishte dobi qëndrimi i lëkundur që kishin mbajtur deri atëherë. Duhej zgjedhur një nga dy rrugët: ose të pranonin zbatimin e reformave me gjithë pasojat e tyre, ose të ngrinin krye me armë në dorë kundër reformave për të mbrojtur sistemin vetëqeverisës, pushtetin e tyre krahinor. Pa kaluar më shumë se një vit, më 4 janar 1831, mbërriti në Shkodër fermani i sulltanit që e kufizonte pushtetin e vezirit Bushatlli vetëm në sanxhakun e Shkodrës. Qeverisja e sanxhakut të Ohrit, të Dukagjinit dhe të Elbasanit iu dha Mehmet Reshid pashës, i cili e kishte kërkuar si kusht për të shtrirë reformat në krahinat e Gegërisë. Përveç kësaj, ky ferman e detyronte Mustafa Pashën të pranonte në sanxhakun e tij, vendosjen e garnizoneve ushtarake të rregullta dhe çarmatosjen e banorëve.
Këtij urdhri të sulltanit nuk pranuan t’i bindeshin paria feudale, tregtarët e pasur, krerët e esnafeve, bajraktarët e malësive dhe klerikët kryesorë myslimanë të sanxhakut të Shkodrës. Ata e shihnin atë si një masë që do të çonte në zhdukjen e vetëqeverisjes krahinore, ose e asaj gjysmë lirie që kishin fituar në rrjedhën e kohës, dhe, njëherazi në një nënshtrim të plotë ndaj sundimit osman. Në të vërtetë urdhri i sulltanit i vitit 1831 ishte një pushtim i ri i vendit, i cili ndonëse po realizohej pa luftë, do të sillte më pas konfliktin e armatosur, sepse populli nuk do të pranonte as vendosjen në vend të garnizoneve osmane, e as të çarmatosej. Prandaj përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, vendosën që, në rast se do të përdorej dhuna nga Porta e Lartë për zbatimin e reformave në vendin e tyre, të rrëmbenin armët. Hapi i parë i kundërshtimit ndaj vullnetit të sulltanit u bë kur ata veshën përsëri kostumet kombëtare dhe zhveshën rrobat e hoqën festet që u ishin imponuar nga Stambolli para tre vjetëve. Në të njëjtën kohë krerët e sanxhakut të Shkodrës i shprehën vezirit Bushatlli mirënjohjen dhe bindjen e tyre.
Pasi siguroi mbështetjen e tyre dhe pasi bëri për vete pashallarët kosovarë, që nuk e miratuan fermanin e 4 janarit 1831, Bushatlliu hodhi një hap të dytë, urdhëroi zëvendësit e vet në tre sanxhakët që i hiqeshin, të mos ua dorëzonin pushtetin përfaqësuesve të Vezirit të Madh. Por Mehmet Reshid pasha, që e kishte parashikuar një qëndresë të tillë, i doli përpara kësaj dhe i dërgoi zëvendësit e vet para se Bushatlliu të mund të fillonte të kundërshtonte. Për rrjedhim, ata jo vetëm morën në duart e tyre pushtetin duke i dëbuar përfaqësuesit e vezirit të Shkodrës, por konfiskuan dhe pasuritë e këtyre. Përveç kësaj, në Ohër u bastis e u plaçkit saraji i Xheladin bej Ohrit dhe familja e tij u nxor jashtë. Kurse në Dibër të njëjtin fat pësoi motra e vezirit Bushatlli. Vetëm në Pejë zëvendësi i Vezirit të Madh Abdurrezak Pasha, hasi në kundërshtimin e banorëve të qytetit dhe e mori pushtetin me shumë vështirësi, pasi i la Sefedin pashë Gjakovës qeverisjen e Gjakovës dhe Alltun-Ilisë.
Mustafa Pashës, kundër të cilit u organizua edhe një atentat për ta vrarë, i dolën nga duart tre sanxhakët dhe me këtë akt pashallëku i Shqipërisë Veriore pësoi një goditje të rëndë. Në këto kushte Bushatlliu arriti në përfundimin se rruga e vetme për rimëkëmbjen e pashallëkut, për mbrojtjen e pushtetit dhe të vetes së tij, ishte organizimi i kryengritjes së armatosur kundër pushtetit qendror, duke i dhënë asaj karakterin e një lëvizjeje të gjerë kundër reformave, e cila do t’i siguronte aleatë më të shumtë. Kështu do të mund të dëboheshin nga Shqipëria Mehmet Reshid pasha e njerëzit e tij dhe pushtuesit osmanë në përgjithësi. Ky ishte qëllimi i vërtetë i kryengritjes. Ndonëse në dukje kryengritja, për të tërhequr në të dhe në ndihmë të shqiptarëve edhe kombësitë e tjera të Rumelisë, paraqitej si antireformiste, në të vërtetë kishte për qëllim mënjanimin e pushtimit osman, pra kishte karakter çlirimtar. Shqiptarët nuk pranonin t’u nënshtroheshin më tej sundimtarëve osmanë, që i mbanin të robëruar prej disa shekujsh. Mustafa Pasha hyri në rrugën e kryengritjeve pasi nuk u mor parasysh ankesa që i drejtoi sulltanit kundër Mehmet Reshid pashës, të cilin krahas të tjerave e akuzoi edhe për atentat kundër tij. Pas këtyre orvatjeve Bushatlliu u hodh në rrugën e luftës. Porta e Lartë, duke këmbëngulur në zbatimin e reformave centralizuese, jo vetëm nuk e mori parasysh ankesën e tij, por edhe përligji si të drejtë e në dobi të përforcimit të pushtetit qendror dhënien e tre sanxhakëve Vezirit të Madh. Bushatlliut i kërkohej të sakrifikonte pushtetin e vet në vendin e vet, ndërsa shqiptarëve të pranonin pa kundërshtim rivendosjen e sundimit të ushtrisë dhe të funksionarëve të sulltanit osman.
Në muajin shkurt, Mustafa Pashës, nëpërmjet qehajait Dervish bej Koplikut, i erdhi përgjigjja e feudalëve boshnjakë, kundërshtarë të reformave, që i kumtuan se do të bashkëpunonin me të në kryengritjen e armatosur dhe do t’i vinin në ndihmë me ushtritë e tyre. Përgjigje me të njëjtën përmbajtje mori Mustafa Pasha edhe nga mjaft feudalë të Rumelisë, ku ziente pakënaqësia ndaj reformave. Por, që të mund të ngrinte në këmbë një ushtri të madhe, me të cilën do të sulmonte forcat osmane të Vezirit të Madh në Manastir apo në Janinë, Mustafa Pasha kishte nevojë edhe për mjete financiare. Ai gjeti mbështetje te Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, që u tregua i gatshëm ta ndihmonte me mjete financiare dhe fshehurazi, edhe me ushtri. Por pashallarët kosovarë refuzuan ndihmën e pashait të Egjiptit, jo vetëm pse repartet ushtarake egjiptiane ishin organizuar sipas modelit evropian, por edhe sepse e quanin të rrezikshme praninë e një ushtrie të valiut të Egjiptit në Shqipëri, i cili po të vinte këmbë në një vend, vështirë se largohej me vullnetin e vet. Mehmet Ali Pasha i siguroi se merrte përsipër shpenzimet e një ushtrie prej 40 000 vetash. Ai ishte i interesuar për shpërthimin e një lëvizjeje të gjerë në Rumeli, sepse në këtë mënyrë do të fitonte mundësinë të forconte më tej pushtetin e tij të pavarur dhe të sulmonte e të pushtonte Sirinë.
Edhe Milosh Obrenoviqi, princi i Serbisë, premtoi t’i jepte Bushatlliut 500 000 groshë duke shpresuar se, në rast fitoreje, veziri shkodran do t’i kthente krahinat që i ishin shkëputur Serbisë, të cilat sulltani ia kishte premtuar, por nuk po ia dorëzonte. Mirëpo ky princ u tregua dhe i pabesë. Duke pasur si qëllim të vetëm të aneksonte treva të Kosovës, ai synonte ta arrinte këtë pavarësisht se kush do ta fitonte luftën, ndaj i ofroi edhe Portës së Lartë ndihmën e tij ushtarake kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve që u bashkuan me ta. Ndërkaq, Mustafa Pasha siguroi asnjanësinë e Malit të Zi në këtë konflikt me Stambollin. Kështu u krijuan kushtet që Bushatlliu të fillonte veprimet ushtarake të kryengritjes. Por, derisa u plotësuan kushtet për t’u hedhur në sulm kundër Vezirit të Madh në Manastir, Bushatlliu humbi një kohë mjaft të çmuar. Më 27 mars 1831, pasi la në Shkodër si zëvendës të birin, dhe pasi dërgoi në kështjellën e Lezhës municione për të përballuar ndonjë zbarkim detar të forcave qeveritare, Mahmud Pasha doli nga qyteti. Meqë më 31 mars kishte parashikuar të ndodhej në Prizren, u dërgoi fjalë boshnjakëve të arrinin gjatë kësaj kohe në Prishtinë për t’u bashkuar me të. Ata nuk e respektuan afatin, por kjo nuk e pengoi Bushatlliun ta çonte përpara kryengritjen. Çdo lëkundje a vonesë do të sillte dështimin e kryengritjes.
Po në këtë kohë Bushatlliu shpërndau një thirrje, në të cilën grishte popullsinë për kryengritje. Thirrja u prit me miratim kudo. Për të pasur përkrahjen e shtresave të gjera popullore, në thirrje, ndër të tjera, kërkohej që të mos prekej rajaja, që nevojat e ushtrisë të plotësoheshin duke blerë sendet e domosdoshme dhe jo duke vënë dorë mbi pronat shtetërore. Për të mos shkaktuar zemërimin e qeverive evropiane, ai deklaroi se edhe posta evropiane nuk do të cenohej. Me Bushatlliun u bashkua popullsia e Nishit, ndërsa ajo e Sofjes, Filipopolit e Pazarxhikut, sipas lajmeve që vinin prej andej, priste mbërritjen e vezirit për t’u bashkuar me të. | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman | |
| |
| | | | Mesjeta shqiptare dhe periudha e pushtimit osman | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |
|