Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban-Bajramit. “Nesër më 16 nëntor 2010 është ditë feste, dita e parë e Kurban - Bajramit, ndaj më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, organeve dhe institucioneve të saja, dhe në emrin tim personal t’ju uroi për festen e Kurban Bajramit, me dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturin tuaj dhe të familjeve tuaja”, thuhet në urimin e Myftiu i Kosovës.
“Libri hyjnor i Islamit, Kurani mbështet konceptet e moralit, dashurisë, mëshirës, përkushtimit, ndihmës, solidaritetit, sakrificës. Ndaj njeriu në këtë ditë feste është edhe më afër Zotit, ngase mbretëron një atmosferë vëllazërore nëpërmjet të cilës besimtarët shprehin falënderimin ndaj Krijuesit Fuqiplotë, për të mirat e dhuruara në këtë jetë”.
“Ne të gjithë bashkërisht jemi përgjegjës para Zotit për veprat tona prandaj le të frymëzohemi edhe në këtë ditë feste të Kurban - Bajramit për punë të mira, nëpërmjet kryerjes së Haxhit një prej shtyllave të Islamit dhe prerjes së kurbanit në mënyrë që Zoti të jetë i kënaqur me veprat tona”.
“Allahu xh. sh. thotë: ‘Thuaj Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun…’. Ndaj në emër të këtij përkushtimi e sakrifice, ju ftoi që të shtrini dorën e ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë, ndaj jetimëve e skamnorëve, nëse dëshironi që mëshira, e begatit e Allahut të jenë mbi ju dhe familjet tuja. Ngase Allahu bleu prej besimtarëve që i besojnë me sinqeritet, shpirtrat dhe mallin e tyre, në shkëmbim të mirëqenies së përjetshme xhenetit. Andaj mos u bëni koprrac e dorështrënguar, ngase te besimtari nuk mund të gjenden dy veti, koprracia dhe morali i keq”.
“Sofra e Bajramit është simbol që bashkon dhe ofron familjet mes vete, shton respektin dhe nderin mes besimtarëve, kurrë mos lejoni që në mesin tonë të kemi sofra të zbrazura e njerëz të uritur, e fëmijë të përlotur. Sofra e Bajramit vjen kur besimtarët me devocion e përkushtim kryen edhe një nga urdhëratë e Zotit - Haxhin dhe prerjen e Kurbanit. E kjo begaton shpirtrat dhe mendjet tona, fisnikëron zemrat në raport me Krijuesin.
“...Në fund me lejoni që edhe njëherë tua uroi festen e Kurban - Bajramit të gjithë vëllezërve e motrave tanë si në Kosovë brenda trojeve tona etnike shqiptare, si dhe diasporës kudo që ata gjenden. E lus Allahun që t’i mëshiroi të gjithë ata që jetën e tyre ia falën Zotit për fenë dhe atdheun e tyre. Me fat ju qoftë festa e Kurban – Bajramit!”, thuhet ndër të tjera në urimin e Myftiut të Kosovës me rastin e Kurban Bajramit.