Liria e besimit në Kosovë garantohet nga Kushtetuta dhe respektohet nga Qeveria, është thelbi i raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi lirinë e religjioneve. Ndonëse situata, në përgjithësi është pozitive, praktikimi i besimit nuk është pa probleme në Kosovë. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, shqetësimi kryesor i të gjitha bashkësive është mungesa e mekanizmit për regjistrimin e grupeve fetare.
Disa komunitete fetare fillimisht janë regjistruar si organizata joqeveritare, por ligji, i cili ka hyrë në fuqi në qershor të 2009-ës, i ndalon organizatat fetare të regjistrohen si shoqata joqeveritare. Pamundësia për të marrë një status ligjor, ua ka vështirësuar bashkësive fetare të regjistrojnë prona, automjete, të hapin llogari bankare apo të paguajnë taksa për të punësuarit.
Në mesin e komuniteteve fetare, protestantët janë ata që kanë ankesat më të shumta. Ky grupim ankohet për diskriminim institucional nga autoritetet qendrore dhe lokale. Në mesin e mangësive, protestantët kosovarë përmendin mohimin që i është bërë kërkesës së tyre për të pasur varrezat e veta. Sipas përfaqësuesve të këtij grupimi, besimtarët protestantë varrosen në varrezat e myslimanëve dhe sipas riteve islame.
Ndonëse gjendja paraqitet më e mirë këtë vit për Kishën Ortodokse Serbe, raporti i Departamentit të Shtetit nënvizon se sërish ka pasur kërcënime apo sulme ndaj pronave dhe objekteve fetare të kësaj bashkësie. Policia vazhdon të hetojë rastet që kanë të bëjnë me dëmtimin e varrezave të komunitetit serb në Lipjan, apo dëmtimin e varrit dhe vjedhjen e disa stolive të një kufome serbe në Gjilan.
Bashkësia Islame e Kosovës është komuniteti fetar më i madh në vend, i cili sipas Raportit, sfidën kryesore gjatë vitit të fundit e ka pasur me grupet radikale islamike. Sipas BIK-ut, këto grupe veprojnë nëpër shtëpi private dhe drejtohen nga persona që nuk janë nga Kosova.
Raporti i Departamentit të Shtetit përmend dhe vendimin administrativ të Ministrisë së Arsimit që ndalon përdorimin e shamisë së kokës në shkollat publike. Raporti sjell disa raste kur nxënëse apo mësuese janë ndaluar të hyjnë në objektet shkollore, ndonëse thekson se vendimi zbatohet në mënyrë selektive nga drejtuesit e shkollave.
Raportet mes besimeve fetare, e në veçanti mes Bashkësisë Islame dhe asaj katolike, në Raport vlerësohen si përgjithësisht të mira. Kisha Katolike ka nënvizuar se kontaktet me Kishën Ortodokse Serbe janë të kufizuara.
Në Kosovë, aktualisht me rreth 1 milion dollarë nga Qeveria amerikane po zhvillohen shtatë projekte rindërtimi në qendra fetare, si pjesë e nismës për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe fetare të vendit.