Prishtinë, 28 dhjetor – Ritmi i ngadaltë i rinumërimit të votave, si dhe festat e fundvitit kanë ndikuar që procesi i rinumërimit të mos përfundojë këtë vit. Arsye tjetër për këtë shtyrje është edhe mungesa e stafit të plotë që ishte angazhuar në këtë proces, i cili do të rifillojë sot (e martë). Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka paralajmëruar se rinumërimi i votave nuk pritet të përfundojë këtë vit, pasi që aktualisht në Qendrën e numërimit dhe të rezultateve të votave është duke punuar staf jo i plotë, sepse shumica e stafit ndërkombëtar, që është pjesë e këtij procesi, gjendet jashtë vendit. “Procesi do të rinisë sërish, mirëpo do të punohet vetëm në një ndërrim për shkak se shumica e stafit ndërkombëtar ka shkuar në pushim dhe kjo po bëhet për shkak të transparencës, pasi që edhe ndërkombëtarët janë angazhuar në procesin e rinumërimit. Dhe disa prej tyre që janë këtu së bashku me vendorët do të punojnë vetëm në një ndërrim dhe kjo është arsyeja që rinumërimi i votave nuk mund të përfundojë këtë vit”, ka treguar kryetarja Daka. Por, sipas saj, intensiteti i punës do të shtohet pas përfundimit të festave. “Posa të përfundojnë festat në QNR do të kthehet normaliteti i njëjtë i punës dhe do të punohet në tri ndërrime që procesi të përfundojë sa më shpejt që të mos na zërë rivotimi duke rinumëruar”, është shprehur Daka. Ajo ka bërë të ditur se deri tash janë numëruar votat e 380 vendvotimeve nga 760 sa duhet të rinumërohen gjithsej. Nga ana tjetër, burime të gazetës, brenda QNR-së kanë bërë me dije se procesi i rinumërimit pritet të përfundojë në javën e parë të janarit 2011. “Rinumërimi pritet që më së largu të përfundojë më katër janar, ky është afati i fundit kur duhet të përfundohet procesi”, ka thënë burimi i gazetës në QNR. Po i njëjti burim ka treguar se pas përfundimit të rinumërimit pritet të ketë anulim të votave në më së paku tri vendvotime. “Duke iu referuar procesit të deritashëm dhe parregullsive që janë gjetur nëpër fletëvotime është i pashmangshëm anulimi i votave në disa vend votime. Mund të jenë tri vendvotime që do të anulohen por mund të ketë edhe më shumë, por gjithçka do të dihet kur të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve që kanë mbetur pa u numëruar pasi që shumica e problemeve kanë të bëjnë me votat e kandidatëve”, ka thënë burimi i gazetës brenda QNR-së. Mirëpo, kryetarja Daka thotë se nuk mund të prejudikojë nëse do të ketë anulim të votave, sepse, siç shprehet Daka, duhet të pritet rekomandimi nga QNR-ja për të marrë vendime lidhur me vendvotimet ku gjenden parregullsi. Daka ka deklaruar se “gjithçka do të varet nga rekomandimet që vijnë nga QNR-ja dhe tash për tash është herët të thuhet nëse do të ketë anulim ose jo”. Daka ka bërë me dije se edhe pas përfundimit të votave nuk pritet të ketë rezultate përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme pasi që, sipas saj, duhet të pritet që të rivotohet në Skenderaj, Drenas, Deçan, si dhe në dy vendvotime në Malishevë e Lipjan. “Edhe kur të përfundojë rinumërimi nuk do të ketë rezultate përfundimtare, sepse duhet të pritet përfundimi i procesit të rivotimit në pesë komuna pastaj janë afatet ligjore dhe tek kur të përfundojnë edhe ankesat mund të sjellim rezultatet përfundimtare”, ka premtuar Daka. KQZ-ja kishte vendosur që të rivotohej në komunat e sipërpërmendura pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte vërtetuar parregullsi të shumta në këto komuna.