Para mesnate Shqipëria ka përmbyllur procesin e votimit për zgjedhjet lokale të 8 majit, ndërkohë që ka filluar procesi i numërimit në një numër zonash. Situata është e qetë në të gjithë vendin dhe në selitë e dy partive të mëdha, priten rezultatet e numërimit të votave. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha pas mesnate se numërimi i votave mund të përfundojë brenda dy ose tre ditësh.
Në një pjesë të konsiderueshme të komisioneve komunale zgjedhore është vendosur që numërimi të nis të hënën në orën 7:00.
Tensionet e para në vendet e numërimit të votave janë regjistruar rreth orës 1:15, në KZAZ-në e Vlorës, ku përfaqësues të LSI-së në këtë qytet janë përplasur me ata të PS-së. Incidenti ka nisur kur Ndriçim Selami, një ndër krerët e LSI-së për Vlorën, ka tentuar të futet brenda platformës së numërimit, por është penguar nga përfaqësues të PS-së. Është dashur ndërhyrja e forcave të shumta të policisë për të qetësuar situatën.
Ndërkohë kanë filluar të jepen rezultate paraprake në disa bashki kryesore të vendit, ku në epërsi janë kandidatët socialistë.
Në Tiranë procesi i numërimit ka nisur në ora 4:20. KQZ bëri të ditur se për Bashkinë e kryeqytetit, numërimi do të fillojë nga kutitë ku janë hedhur votat për kryetarin e ardhshëm. Fillimisht ka nisur të numërohet në KZAZ numër 55 që përkon me zonën e Laprakës. Procesi ka filluar me ritme të ngadalta. Deri në orën 5. 40 minuta janë numëruar shtatë kuti votimi me 2850 vota, nga të cilat kandidati PS, Edi Rama ka 1482 vota, ndërsa kandidati PD, Lulzim Basha ka 1368.
Sipas raportimeve, në Elbasan, kur janë numëruar gjashtë kuti vihet re një diferencë prej 421 votash në favor të kryetarit aktual dhe kandidatit të Partisë Socialiste, Qazim Sejdini. Edhe në Fier vijon procesi i numërimit, ku sërish kandidati socialist, Baftjar Zeqaj ndodhet në avantazh kundrejt rivalit të tij, Ilir Bejle. Në Lushnjë kryetari aktual kryeson përballë ndaj rivalit Sanxhaku. Në Vlorë kur është numëruar vetëm kutia e parë, kandidati socialist Shpëtim Gjika kryeson me 415 vota kundrejt 310 të rivalit demokrat, Ardian Kollozi.
Në Korçë, kur janë numëruar katër kuti, kandidati i PS-së, Niko Peleshi ka marrë 956 vota, ndërsa rivali tij demokrat, Andrea Mano 851. Në Berat, kandidati demokrat udhëheq me 635 kundrejt rivalit socialist me 437. Numërimi ka nisur edhe në Lezhë, ku përpara ndodhet kandidati i LSI-së mbështetur nga “Aleanca për Qytetarin”.
Në Bashkinë e Himarës, sipas rezultateve paraprake që publikon KQZ, kur janë numëruar tri kuti me fletë votimit, kandidati i Partisë Socialiste, Jorgo Goro, udhëheq me 191 vota, i ndjekur nga ai i Partisë Demokratike me 115 vota për të ardhur më pas tek kryetar aktual dhe kandidati i PBDNJ-së për një tjetër mandat, Vasillaq Bollano me 110 vota. Vetëm katër vota ka marrë ishin për kandidatin e partisë MEGA.
Numërimi vijon edhe në Kamëz ku pas hapjes së katër kutive kandidati i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu udhëheq me 983 vota kundrejt 936 të kandidatit socialist, Rakip Suli, ndërsa në Sarandë Stefan Çipa i PS-së udhëheq ndaj rivalit demokrat, Edmond Gjoka. Në Kukës kandidati i PD-së, Hasan Halilaj, udhëheq me 1455 kundrejt 1000 të rivalit socialist, Alfred Cengu kur janë numëruar pesë kuti. /Telegrafi/