Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e
Kosovës (AAK) si opozitë nuk presin që të arrihet ndonjë marrëveshje me
Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe për këtë fajësojnë Qeverinë. Kurse AKR
si partnerë në bashkëqeverisje, po ashtu, nuk pret ndonjë marrëveshje
por vetëm dakordim të përkohshëm me FMN. Përderisa zyrtarët
qeveritarë mbeten ende të mbyllur për sa i përket informatave në lidhje
me bisedimet me FMN-në, opozita në prononcimet për Blue Sky, e kritikon
Qeverinë, se vendin po e dërgon drejt një krize makro-ekonomike.
Burim Ramadani nga AAK nuk pret të arrihet ndonjë marrëveshje e
Qeverisë me FMN-në. “Sipas të gjitha informative, nuk ka asnjë shansë që
të arrihet marrëveshje për shkak se Qeveria e Kosovës i ka shkelur të
gjitha zotimet që i ka bërë ndaj FMN-së. Ky është një dëmtim i shtetit
të Kosovës, jo vetëm në humbjen e miliona eurove, por, po ashtu, edhe në
raport shtetëror me FMN duke e vendosur Kosovën në raport tepër të ulët
në raport me FMN”, tha Ramadani.
Ndërsa Ismet Beqiri nga LDK pret njoftim zyrtar nga FMN-ja, ai e
kritikon Qeverinë për gjendjen në të cilën e solli vendin. “Nuk do të
dëshironim të na del ajo që kemi qenë të bindur, se do të kemi telashe
të mëdha. Problemi më i madh ka qenë ngritja e pagave, LDK nuk ka qenë
asnjëherë kundër ngritjes, por ka qenë që kjo të bëhet në kuadër të
mundësive dhe rregullave financiare që janë gjithkund në botë”, ka thënë
Beqiri.
Kurse deputeti nga radhët e AKR-së, Muhamet Mustafa, jashtë
marrëveshjes, pret vetëm një dakordim me FMN-në, me çka do t’i viheshin
disa kushte Qeverisë. “Do të vëhen disa kushte me të cilat duhet të
hyjmë në një proces me të cilin mund të përmirësojmë menaxhimin
makroekonomik dhe fiskal dhe eventualisht kah vjeshta apo fundi i vitit
të diskutohen aranzhmanet e reja nëse plotësohen kushtet”, theksoi
Mustafa.
Përderisa Qeveria mbetet e heshtur, ish-shefi i Njësitit Ekonomik në
ICO në Kosovë, Andrea Capussela, ka publikuar në të përditshmen
britanike “The Guardian” një opinion në të cilën thuhet se pritet që FMN
ta deklarojë Kosovën jashtë programeve të saj. /Telegrafi/