Në prag të 100 ditëve të para të Qeverisë së Kosovës, forcat politike të koalicionit dhe ato opozitare të përfaqësuara në Kuvend kanë kontestuar njëra-tjetrën në vlerësimet lidhur me të arriturat e ekzekutivit. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, ka thënë se legjislativi i vendit duhet ta vlerësojë punën 100-ditëshe të ekzekutivit. Por, ai ka thënë se një gjë e tillë varet prej grupeve parlamentare nëse e kërkojnë një seancë të veçantë për punën e Qeverisë gjatë kësaj periudhë. Hamiti ka thënë se personalisht nuk ka ndonjë mendim për punën 100-ditëshe të Qeverisë së Kosovës, por ka thënë se është kulturë demokratike që Qeveria të tregojë për punën që ka bërë. “Varet prej grupeve parlamentare në Kuvend, të cilët mund të kërkojnë seancë të veçantë për këtë çështje, por në princip është kulturë demokratike që edhe Qeveria të dalë të tregojë çka ka bërë për 100 ditë dhe pastaj pozita dhe opozita e analizojnë këtë 100-ditësh”, ka thënë Hamiti.
Deputeti Visar Ymeri, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tha se dështimi më i madh Qeverisë është fillimi i negociatave me Serbinë.“Negociatat me Serbinë është gjëja e parë që ka nisur dhe ajo po i vazhdon, pavarësisht kundërshtimeve në publikun e Kosovës. Është më se e qartë që negociatat me Serbinë do të pengojnë procesin e njohjeve nga ato shtete të cilat kanë qenë në mëdyshje sa i përket pavarësisë, e që në fakt ka pasur mundësi që të fuqizohet pas vendimit të GJND-së. Tani, në njëfarë mënyre, Qeveria e Kosovës po e jep mundësinë që ta rimendojnë këtë qëndrim të tyre, për shkak se në negociata me Serbinë ata po e lexojnë këtë dhe po dërgojnë sinjale që ende çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është e ditur qind për qind dhe se për këtë paska nevojë ende të negociohet”, tha Ymeri. Një nga akuzat e tij ka të bëjë edhe me vazhdimin e privatizimit të pronës publike, që është në kundërshtim me Kuvendin, por edhe qytetarët e Kosovës.
Deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se do t’i diskutojnë dhe debatojnë edhe në Parlamentin e Kosovës 100 ditët e para të Qeverisë, që, siç tha, më tepër janë shpenzuar për konsolidim apo përmbushje të apetiteve të partnerëve të koalicionit sesa është punuar diçka konkrete.
Selimi: Kosova kaloi një situatë komplekse
Deputeti Behar Selimi, nga radhët e PDK-së, konsideron se Qeveria ka treguar sukses, marrë parasysh shumë procese komplekse politike që i kaloi Kosova, duke përmendur këtu çështjen e presidentit dhe vështirësitë me aprovimin e buxhetit. “Qeveria ka treguar sukses në fushën e stabilitetit politik, në fushën e rendit dhe sigurisë, pa të cilën nuk ka zhvillim dhe atë që e quaj agjendë për forcimin e shtetit. Pra, ka filluar zbatimi i shumë programeve të karakterit reformator, si sistemit ekonomik ashtu edhe politik. Këtu duhet përmendur edhe nisma për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kushtetues, gjë të cilat po bëhen me një qeverisje që është shumë stabile në vend”, tha Selimi. /Kosova Sot