Në përmbyllje të 100-ditëshit të parë të punës, Qeveria e Kosovës është
përballur me kërkesën e deputetëve opozitarë për dorëheqje. Pasi që kanë
vlerësuar se nuk ka pasur asnjë punë, asnjë zhvillim, vetëm degradim të
qeverisjes dhe kulturës së punës, deputetët e opozitës në seancën
plenare të Kuvendit të Kosovës të premten kanë kërkuar nga kryeministri
dhe nga kabineti qeveritar që të japin dorëheqje dhe të lëshojnë rrugën
për një qeverisje më të mirë.
Një kërkesë e tillë ka ardhur nga shefi
i grupit parlamentar të partisë së tretë opozitare, Aleancës për
Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i cili, sipas raportit të RTV21 ka
thënë se Kosova po shkon drejt katastrofës.
“Prej këtu duhet t’i
themi kryeministri të Kosovës, mblidhi shokët dhe jep dorëheqje.
Tërhiqu, sepse Kosova po shkon drejt katastrofës. Kjo është kultura e
punës, por ju lutem nëse e doni pak Kosovën, jepni dorëheqje dhe lëshoni
rrugën”, ka thënë Gjini.
Sipas tij, edhe me rritjen e pagave të
punëtorëve, qytetarët vetëm sa janë varfëruar, për shkak se është rritur
edhe çmimi i artikujve. Gjini po ashtu ka folur edhe për liberalizimin e
vizave, duke e akuzuar Qeverinë e Kosovës, pse Kosova ende është vendi
më i izoluar në rajon.
Ndërkaq për autostradën Vërmicë-Merdare, ka
thënë se në vend se të shkojë ashtu siç ka vendosur Kuvendit, Qeveria e
ka ndërruar trasenë me një vendim të paligjshëm. Sipas Gjinit, të gjitha
rrugët e nisura tash e katër vjet nga Qeveria Thaçi, vazhdojnë të jenë
të papërfunduara.
Ai ka vënë në dukje edhe marrëveshjen me FMN-në,
duke thënë se në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, kjo qeveri ka thyer
marrëveshjen duke bërë premtime për rritje të pagave me qëllim të
blerjes së votave.
Ministri i Financave Bedri Hamza i është
kundërpërgjigjur deputetit Gjini duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për
prishje të marrëveshjes me FMN-në.
“U përmend çështja e marrëveshjes
me FMN. Ne kemi arritur një marrëveshje me FMN-në, është marrëveshje e
monitoruar nga stafi, që deri në fund të vitit 2011 do t’i ketë dy
vlerësime. Njërin në shtator, nëse është pozitiv atëherë derdhën mjetet,
nëse është negativ, hapet rruga për një marrëveshje të re. Këto nuk
janë donacione, janë kredi, të cilat qytetarët e Kosovës janë të
obliguar t’i kthejnë. Do të duhet të paguajmë kamata për to. Nëse
respektohen marrëveshjet, Kosova do të ketë qasje në donacione deri në
vitin 2012”, ka sqaruar Hamza.
Ligjvënësit gjatë seancës së sotme
kanë ngritur edhe çështje të tjera, sikur që është çështja e shqiptarëve
në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për të cilët deputeti i Vetëvendosjes,
Liburn Aliu ka thënë se po përballen me dhunë dhe terror nga pushteti
serb, si pasojë e të cilës dhunë po detyrohen të largohen.
“Të nderuar qeveritarë, derisa po vazhdoni negociatat, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci po zbrazen”, ka thënë Aliu.
Në
seancën e sotme, ligjvënësit kanë për shqyrtim Projektligjin për
sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palëve të treta,
Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verërat,
Projektligjin për akcizën në produktet e duhanit dhe Projektligjin për
përdorimin civil të eksplozivëve.
Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit për
funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të
Kosovës për vitin2010