Tiranë, 14 janar - Axhenda e gjithë opozitës ka ndryshuar pas publikimit të videos Meta-Prifti. Krerët e opozitës së Bashkuar kanë vendosur t'i drejtohen qytetarëve për protesta masive deri në largimin e qeverisë, njofton nga Tirana BBC.
Në mbledhjen të premten të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste do të vendoset mbi qëndrimin politik të forcës më të madhe të opozitës.
Sipas udhëheqësit të saj Edi Rama do jetë një qëndrim i ashpër.
Ndërkaq kryeministri Sali Berisha thotë se rruga e shantazhit dhe protestave nuk e sjell dot opozitën ne pushtet.
Zëvendëskryeministri, Ilir Meta dhe ish ministri Energjitikës, Dritan Prifti kanë bërë të njohur versionet e tyre krejt të ndryshme për videon që vazhdon të komentohet gjerësisht në opinonin publik.
Regjistrimi i bisedës 'për afera korruptive' të zëvendëskryeministrit Ilir Meta ka ndezur debatet në skenën politike në Shqipëri.
Në debate të enjten u përfshi edhe presidenti Bamir Topi.
Ai tha se në këtë rast nevojiteshin 'më pak fjalë dhe më shumë veprim'.
Presidenti Topi ftoi prokurorinë që ta hetojë ngjarjen.
Edhe kryeministri Sali Berisha tha të enjten se duhet të nisin hetimet e organeve të drejtësisë.
“Jemi të vendosur të respektojmë institucionet e pavarura”, tha ai.
Kryeministri Berisha tha se videoja, ku zoti Meta në bashkëbisedim me ish-ministrin Dritan Prifti pretendohen se flasin për afera kurruptive, ishte e trukuar.
Ai e akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, si të përfshirë në këtë histori.
Një ditë më parë, zoti Rama e konsideroi videon si “fytyrë të qeverisë” dhe tha se “shqiptarët presin një reagim të fortë nga koalicioni opozitar”.
Kreu i opozitës tha se edhe kryeministri, edhe zëvendëskryeministri janë bashkë në këto afera.
Të mërkurën, vetëm disa orë pas shfaqjes së videos në njërin prej kanaleve televizive private të Tiranës, zoti Meta hoqi dorë vullnetarisht nga imuniteti i tij si deputet.
Zoti Meta, njëherësh Ministër i Ekonomisë dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tha se mori këtë vendim në dobi të transparencës ndaj çdo akuze për korrupsion dhe shkelje të ligjit.
Por, zoti Meta tha se nuk do të jepte dorëheqje nga postet politike dhe shtetërore, duke e cilësuar videon si “përgjim të neveritshëm".