Kur në Parlamentin e Kosovës u krye procedura e zgjedhjes së Atifete Jahjagës presidente e vendit, në një fshat të vogël në lindje të Gjakovës ishte ngritur dolli nën përcjelljen e ritmit të fuqishëm të daulleve. Qindra veta kishin dalë të enjten në mbrëmje për të festuar në Rashkoc, në vendlindjen e kryetares së re të Kosovës. Kur ishte bërë publike se një bashkëqytetare e tyre ishte shpallur njeriu i parë i vendit, festa nuk ishte ndalur deri në orët e mëngjesit.
Një ditë më pas, Smajl Syla, një 84-vjeçar, që po ashtu kishte marrë pjesë në festë, thotë se është krenar që një bijë e tyre do të udhëheqë shtetin më të ri në botë.
“Promë m’u ka bo zemra mal”, ka theksuar ai të premten, i ulur në një karrige në oborrin e shtëpisë së tij, raporton Koha Ditore.
Familja Syla është e afërt me familjen Jahjaga, e cila ka shumë vjet që është larguar nga fshati në lindje të Gjakovës.
Mirëpo, Smajl Syla thekson se kjo afërsi dhe lidhjet po vazhdojnë edhe tash, edhe pse janë larg nga njëra-tjera. Sipas tij, gjatë shkollimit të Atifetes në Amerikë, ajo ka qëndruar te djemtë e tij. Për këtë ai thotë se ndihet krenar.
Por Smajl Syla të premten thoshte se akoma ruan kujtimet, të kohës sa familja e presidentes ka qenë pjesë e fshatit.
“Ata kanë qenë një familje e persekutuar ndër breza, nga regjimet e ndryshme që kanë sunduar vendin. Por kanë qenë edhe pleqnarë të mirë”, tregon ai, tek fshin lotët.
Megjithatë, banorët e Rashkocit thonë se asnjëherë nuk u kishte shkuar në mendje se një vajzë e dalë nga kjo trevë ndonjëherë do të bëhej udhëheqëse e vendit, edhe pse tradita e udhëheqjes në këtë familje ka rrënjë që prej shumë vjetësh.
Për të udhëhequr një shtet një bijë e tyre i kishte rënë në befasi edhe Arif Ramës, një shok klase me babanë e presidentes së parë të Kosovës, por edhe fqinj i parë i familjes Jahjaga. Por ai ka theksuar se nuk mban mend të kishte pasur një gëzim më të madh sesa mbrëmjen e së enjtes.
“Gëzim më të madh nuk kam përjetuar prej disa vjetësh. E kam përjetuar si me pas qenë vajza ime”, ka theksuar Rama.
Ai ka theksuar se e ka zgjuar një telefonatë e Ibrahimit, babai i presidentes Jahjaga, kur e kishte uruar për zgjedhjen e saj.
“Përveç se kemi festu në fshat, më vonë kemi vazhduar në Gjakovë deri në mëngjes”, ka theksuar Rama, një baba i dëshmorit.
Por derisa familja Jahjaga, por edhe vetë Atifetja kanë qenë banorë të këtij fshati, banorët vazhdojnë të ruajnë kujtimet.
Sali Rexhepi, një mësues në fshatin Cermjan, ku kishte vijuar mësimet Atifete Jahjaga, e kujton atë si një vajzë të zgjuar dhe të dallueshme nga të tjerët.
“Unë i kam dhënë mësim vetëm një gjysmëvjetor, kur ajo ishte në klasën e pestë. Por në atë kohë e kam parë që ajo ka qenë inteligjente, e mprehtë, por edhe është dalluar nga nxënësit e tjerë”, ka theksuar Rexhepi të premten. Edhe ai thotë se ka festuar së bashku me qindra qytetarë të tjerë.
Por arsimtari Rexhepi mendon se dalja e një femre e zonja nga kjo trevë nuk është një rastësi, pasi në këtë fshat ka pasur traditë të shkollimit të femrës.
“Gjithmonë Atifetja ka qenë e angazhuar dhe e suksesshme. Por asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se do të bëhet presidente vendi”, ka theksuar Sadete Syla, një e afërme e presidentes së Kosovës, e befasuar. “Por unë besoj se ajo edhe këtë herë do të jetë e suksesshme siç ka qenë gjithmonë”.