Në Bruksel të premten do të zhvillohet raundi i tretë i dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, përkundër faktit se në terren, Serbia vazhdon qasjen jokonstruktive ndaj Kosovës. Delegacionit kosovar do t’i prijë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ndërsa atij serb, Borko Stefanovic. Tema që pritet të diskutohen në këtë raund bisedimesh janë: energjia elektrike, telekomunikacioni dhe liria e lëvizjes.
Por pavarësisht qasjes konstruktive të Prishtinës zyrtare dhe planeve që përmes strategjive të ndryshme t’i integrojnë zonat në veri të Mitrovicës në jetën institucionale të vendit, serbët e kësaj ane, të dirigjuar nga Beogradi zyrtar, vazhdojnë të kundërshtojnë pjesëmarrjen në të gjitha proceset e iniciuara nga shteti i Kosovës. Rasti i fundit është ftesa e Beogradit drejtuar serbëve të veriut të Kosovës që të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë.
Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thekson nevojitet një bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare për rritjen e sundimit të ligjit. Nevojitet një fuqizim i projekteve që dalin nga ekipet përgatitore; implementimi i fondeve që të mund të identifikohen projekte të rëndësishme për qytetarët në mënyrë që qytetari të shohë se Prishtina ka një përkushtim për përmirësimin e kualitetit të jetës; një prani më e madhe e institucioneve në veri dhe një kontakt më i fuqishëm me qytetarin drejtpërdrejt, në mënyrë që të zvogëlohen pasojat e propagandës 20-vjeçare që janë bërë në atë pjesë të Kosovës”.
Por zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se pa një qasje konstruktive të shtetit serb ndaj veriut, nuk mund të kenë sukses as projektet e ndryshme shtetërore. “Qasja e Prishtinës është shumë konstruktive - edhe për vendosjen e rendit dhe të ligjit, edhe për të krijuar një ambient më të mirë për jetën dhe perspektivën e qytetarëve. Këto të dyja shkojnë paralelisht - vendosja e rendit dhe ligjit, si dhe investimet ekonomike. Pengesë është vetëm Beogradi. Beogradi është adresë, e jo konstruktiviteti”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai ka thënë se shtrirja e sundimit të ligjit duhet t’u paraprijë të gjitha veprimeve të ardhshme të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në veri, ndërsa shprehet pesimist për përkushtimin e misionit evropian EULEX për të arritur rezultate në këtë drejtim. /Telegrafi/