Policia e Kosovës nuk ka arritur ta finalizojë të mërkurën
kallëzimin penal kundër gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të
arrestuar të martën, por për shkak të politizimit tashmë të kësaj
çështjeje penale ajo pritet të kalojë në duart e EULEX-it.Policia
ka arrestuar të martën Ridvan Shahinin, drejtor i Infrastrukturës
Rrugore, Ekrem Rexhën, shef i Zyrës së Prokurimit, Qazim Bajramin,
kryesues i organit mbikëqyrës i projektit dhe zyrtar i Drejtorisë së
Infrastrukturës Lokale, Refik Sadikun, kryetar i organit mbikëqyrës, e
po ashtu zyrtar i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hazir Krasniqi
dhe Halil Fejziu, anëtarë të organit mbikëqyrës dhe zyrtar i Drejtorisë
së Infrastrukturës Lokale.
Të dyshuarit për vepër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe
autorizimeve janë marrë në pyetje edhe të mërkurën lidhur me paradhënien
e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë eurove për kompaninë “Çlirimi”, e cila
po merret me mbulimin e derdhjes së lumit Prishtevka përgjatë lagjes
“Kalabria” në Prishtinë.
Policia e as Prokuroria nuk ka folur të mërkurën për hetimet që janë
duke u bërë. Avokati Bajram Tmava, mbrojtës i drejtorit të
Infrastrukturës Rrugore të Komunës së Prishtinës, Ridvan Shahini, pas
daljes nga stacioni i Policisë, ku janë marrë në pyetje të dyshuarit, ka
thënë se ky rast është tipik politik.
“Ky është rast tipik penal, i cili ka konotacion politik. Më së miri
kjo bazohet në lajmet qendrore të RTK-së të mërkurën mbrëma. Kur është
dhënë komunikata e Policisë së Kosovës për arrestimin e gjashtë
zyrtarëve të lartë për këtë asnjë fjalë rreth dyshimit të bazuar, por
është marrë deklarata e kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Isa
Mustafa dhe janë marrë edhe prononcimet e zyrtarëve të lartë qoftë
gjyqësor, qoftë policorë lidhur me vlefshmërinë e asaj deklarate”, ka
thënë Tmava, duke ia shtuar edhe një fjali siç ka thënë ai komentit të
RTK-së: “Po rrehen atllarët e po e hanë mullarët”.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, këto hetime i ka quajtur politike.
“Nuk ka qenë paradhënie, por Komisioni mbikëqyrës i punimeve ka
konstatuar se kompania ka siguruar materialin dhe në përputhje me
ligjin, zyra e prokurimit ka bërë një aneks-kontratë. Kjo është për ta
mbrojtur projektin dhe për t'i vazhduar punimet”, ka thënë kryetari i
Komunës së Prishtinës në lidhje me rastin e dhënies së parave kompanisë
“Çlirimi”, për çka tashmë dyshohen 6 zyrtarët komunalë.
Policia dhe Prokuroria kanë afat ligjor që deri të enjten rreth orës
15:00, kur janë arrestuar të dyshuarit që t’i finalizojë hetimet me një
kallëzim penal dhe propozim për caktim të paraburgimit. Nëse nuk e bëjnë
këtë të dyshuarit duhet të lirohen pasi që kalon afati ligjor prej 48
orësh të mbajtjes në ndalim policorë. /Koha//Telegrafi/