Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë lansuar kampanjën ku qytetarët e huaj përmes shpërndarjes së fletushkave do të njoftohen me procedurat e marrjes së shtetësisë në Kosovë.
Udhëzuesi për të huajt, të cilët hyjnë në territorin e Kosovës, është përpiluar në tri gjuhë, shqipe, angleze dhe serbe dhe përmban parimet themelore të cilat duhet plotësuar çdo qytetar, i cili nuk dëshiron që të ballafaqohet me dispozitat ligjore.
Islam Caka, drejtor i Departamentit për shtetësi dhe azil, të mërkurën në një konferencë për media ka bërë të ditur se në tremujorin e parë të këtij viti 111 qytetarë të huaj kanë kërkuar azil në Kosovë, ndërkohë që 51 kërkesa janë refuzuar.
“Sa i përket azilit numri i përgjithshëm i azil kërkuesve që është konstatuar që kanë kërkuar azil në tre mujorin e parë është 111 janar- mars, numri total i tyre aktualisht është në Kosovë është 53, ndërsa vendime Divizioni i azilit i ka marrë 51 të gjitha negative. Aktualisht në kuadër të departamentit asnjë vendim nuk është pozitiv për arsye se shumica prej tyre nuk i kanë plotësuar kushtet ose pretendojmë me përdorë Kosovën si transit. Moshat dhe shtetet janë të ndryshme, shtetet që më së shumti kanë kërkuar janë Afganistani, Maroku, Nigeria, Pakistani, Somali, Sudan, Tunizi, Bregu i Fildishtë dhe nga vendet e rajonit Bosnje Hercegovina”, ka thënë Caka.
Caka ka theksuar se Drejtoria për shtetësi dhe azil pretendon që të ketë një qendër të përkohshme të izolimit, në mënyrë që Kosova mos të merret si destinacion për t’ia mësyrë Evropës.
Departamenti për shtetësi në tre mujorin e parë ka nxjerrë 1.228 vendime. Totali për lirim shtetësie nga shtetësia e Kosovës është 1.019 qytetarë të Kosovës, prej tyre 54 të rritur dhe 165 të mitur, ndërsa për kërkim të shtetësisë për këtë tre mujor janë 129, nga të cilët 117 të rritur dhe 12 të mitur.
Refki Morina, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj ka thënë se deri në mars të këtij viti janë iniciuar 106 raste për kundërvajtje për qëndrim ilegal në Kosovë, për shkak se nuk kanë paraqitur kërkesën për letërnjoftim të përkohshëm, 10 persona janë depërtuar nga Kosova, ndërkaq 182 lokale janë inspektuar me ç’rast shumë qytetarë janë gjetur pa dokumente të nevojshme dhe disa të tjerë kanë rënë ndesh me Ligjin e Punës./kosovapress/