Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian filluan të enjten një turne në disa vende të Ballkanit, në përpjekje për të shtyrë reformat e domosdoshme. Në këtë fazë thuhet se Brukseli nuk do ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, por të dyja palët duhet të dëshmojnë gatishmërinë për t’u pajtuar, nëse duan të afrohen më shumë drejt Bashkimit Evropian.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe komisionari për zgjerim, Stefan Fule, vizituan të enjten Serbinë, të premten do të qendrojnë në Kosovë, kurse vizita në Shqipëri është anuluar, për shkak të tensioneve politike që kanë përshkuar këtë vend në 48 orët e fundit.
Zëdhënësi i presidentit Barroso, Michael Karnichnig, i tha Radios Evropa e Lirë se dera e Evropës për të tria vendet mbetet e hapur, por ato duhet të bëjnë shumë punë në kuptimin e reformave politike dhe ekonomike. Brukseli është posaçërisht entuziast për t’i dhënë Serbisë edhe një shtytje, por shanset e këtij vendi tani janë në teh.
Njohësit e procesit të zgjerimit thonë se në tetor, Komisioni mund t’i japë Serbisë dritën e gjelbër, për t’ia mundësuar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, ka skepticizëm nëse edhe Këshilli Evropian, i cili përbëhet nga 27 vende anëtare, do të pajtohet me një status të këtillë.
Serbia përballet me kritika për mosangazhim të mjaftueshëm në kapjen e të akuzuarit për krime lufte, gjeneralin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic. “Ka shumë punë për t’u bërë në kuadër të kritereve politike kur flasim për reformimin gjyqësor, kur flasim për krimin e organizuar, korrupsionin dhe kur flasim për bashkëpunimin me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Këto janë çështje shumë të rëndësishme dhe thelbësore, sipas pikëpamjes sonë, të cilat duhen adresuar”, ka thënë Karnichnig.
Raportet me Kosovën gjithashtu do të kenë një ndikim të madh në synimet evropiane të Beogradit. Karnichnig tha se Bashkimi Evropian nuk do ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe se rezultati i bisedimeve aktuale midis dy vendeve nuk do të ketë ndikim direkt në statusin e mundshëm të vendit kandidat për Serbinë. Por, sipas tij, të dyja palët duhet të dëshmojnë gatishmërinë për t’u pajtuar, nëse duan të afrohen më shumë drejt BE-së. /Telegrafi/