Nuk janë përmbushur kushtet e domosdoshme për shkurtimin e mëtutjeshëm apo largimin e trupave të KFOR-it nga Kosova, konstaton Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ). Deri te ky konstatim, në një raport të KPJ-së thuhet se ka ardhur pas një debati dhe studimi të gjatë në lidhje me sigurinë në vend dhe paralajmërimet e vazhdueshme të NATO-s për shkurtime të trupave deri në largimin e tyre nga Kosova.
Sipas raportit të KPJ-së, janë katër sfida politike dhe fusha problematike, të cilat do të duhej ta kushtëzonin praninë e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, në një numër të konsiderueshëm në Kosovë.
“Këto katër parakushte janë: veriu (ku konsiderojmë se kemi ende një konflikt të ngrirë, kemi prani të forcave të sigurisë serbe, mungesë të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në atë pjesë të territorit dhe me një gjendje të tillë, nuk besoj se mund të vlerësohet se gjendja e sigurisë në Kosovë është në nivel); pastaj është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, është hapja e rrugës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe ngritja e kapaciteteve ushtarake të Kosovës”, thuhet në raport.
Prania e KFOR-i, përkatësisht NATO-s, sipas raportit të KPJ-së, do të ishte një garanci për evitimin e përshkallëzimeve në fushën e sigurisë.
Studimi i KPJ-së nxjerr si konstatim që KFOR-i i duhet Kosovës edhe për një periudhë kohore.
“NATO-ja do të duhej të jetë e pranishme përderisa Kosova nuk është në gjendje ta kontrollojë gjithë territorin e vet. Kosova nuk është një shtet demokratik, që ka kapacitet për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, përderisa ambiciet, aspiratat e Serbisë ndaj Kosovës janë gjallë. Këto janë parakushtet e domosdoshme në mënyrë që situata e sigurisë të vlerësohet e tillë që toleron tërheqjen e mëtutjeshme të forcave të KFOR-it”, vlerëson KPJ-ja.
NATO u vendos në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999 dhe fillimisht numëroi mbi 50 mijë trupa, por numri i tyre u zvogëlua vit pas viti. Aktualisht ka më pak se 10 mijë trupa, me paralajmërimet se në një të ardhme jo të largët, shkurtimet do ta çojnë këtë forcë në 5 500 ushtarë. /Telegrafi/