Ish-presidenti i RSJ-së dhe shkrimtari i njohur serb, Dobrica Cosic thënë se “antagonizmat shekullorë” të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë mund të tejkalohen vetëm me ndarjen e përhershme.
Siç raportoi agjenci Beta, ai ka thënë se Slobodan Milosevici asnjëherë nuk e ka pranuar një propozim të këtillë, i cili ka ardhur nga SHBA.
“Për Kosovën kot flas dhe shkruaj katër decenie, duke propozuar zgjidhje demokratike të drejta të kompromisit dhe ndarje të përhershme. Kjo është mënyra e vetme që të tejkalohen antagonizmat shekullorë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë Cosic, transmetoi Koha.
Sipas tij, ndarja do të “parandalonte ekspansionin shqiptaro-madh dhe do të krijonte kushte për jetë normale të dy popujve”.
Cosic ka thënë se politika ndaj Kosovës duhet të ndryshohet, në mënyrë që problemi i Kosovës mos të mbetet afatgjatë dhe i rrezikshëm.
“Nëse të gjithë përgjegjësit e tragjedisë së Kosovës nuk ndryshojnë qëndrimet e politikës së vet ndaj këtij vendi të helmuar me radioaktivitet, ku ende nuk mbretëron toleranca e kuptueshme, çështja e Kosovës do të mbetet problem afatgjatë dhe i rrezikshëm i Ballkanit dhe Evropës”, ka theksuar Cosic.
Ai ka thënë se shumë herë ka biseduar me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, për Kosovën, por asnjëherë nuk janë pajtuar.
“Së pari më 1991 ia kam përcjell propozimin amerikan për ndarjen e Kosovës, sipas të cilit, Serbisë do t’i takonte një e treta e Kosovës, por Milosevici nuk hoqi dorë nga mjegullnajat serbe deri në kapitullimin e Kumanovës në luftën e vogël botërore kundër Serbisë. Ky politikan i vetëkënaqur është krijues i paradoksit më të pakuptimtë në historinë serbe - Ai humbjen e Kosovës e ka kremtuar si fitore, e cila shpejt u mohua në gjykatoren e Hagës”, ka thënë Cosic.
Ai tha se “e mendon të gabuar politikën shtetërore serbe ndaj Kosovës që nga Nikola Pasicit e deri te Boris Tadici”, dhe ka shtuar se në “këtë politikë të gabuar njëkahëshe dhe humbëse” kanë participuar shumë edhe Kisha Ortodokse Serbe dhe inteligjenca patriotike e Serbisë.
Cosic ka thënë se shtetet e Perëndimit karshi Serbisë nuk e kanë lëshuar politikën e presionit dhe shantazhimit të filluar në fund të shekullit të kaluar.
“Historia po na shkruhet në Tribunalin e Hagës. Sot na gëzojnë vetëm sukseset e sportistëve”, ka thënë ai. /Telegrafi/