Në përvjetorin e 133-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe
132 vjetorin e Betejës së Nokshiqit, në Shkrel të Rugovës të premten u
bë përurimi i Qendrës Përkujtimore të Rexhajve të Shkrelit. Kryeministri
Hashim Thaçi, nën patronazhin e të cilit u zhvillua kjo ngjarje në
Shkrel, tha se në kuadër të rezistencës së organizuar nga kreu ushtarak
dhe politik i Lidhjes së Prizrenit, Rugova pati fatin historik dhe
gjeografik që të jetë në ballë të mbrojtjes së territoreve shqiptare që
padrejtësisht i aspironte Mali i Zi.“Beteja e Nokshiqit e 4
dhjetorit 1879 ishte kundërvënia e parë ndaj vendimeve të Kongresit të
Berlinit për copëtimin e tokave shqiptare. Në këtë betejë u dalluan
shumë luftëtarë nga kjo krahinë historike, e cila vetëm para dhe gjatë
Rilindjes Kombëtare dha 47 personalitete të shquara të lëvizjes për
liri. Në këtë betejë u shquan Rexhajt e Shkrelit, që u bënë simbol i
fitores së betejës së Nokshiqit, sidomos luftëtarët Adem Isufi dhe Rexhë
Avdija. Nga Rugova ishte gjenerali Çelë Shabani, që bie heroikisht në
mbrojtje të Plavës dhe Gucisë, një muaj pas Betejës së Nokshiqit”. ka
thënë kryeministri Thaçi.
“Rugova gjithmonë ka qenë pjesë e historisë shqiptare. Ajo dha
kontribut të shquar gjatë Rilindjes Kombëtare, duke vazhduar me luftën
kaçake ndërmjet dy luftërave botërore. Pas luftës së Dytë Botërore,
Rugova nga gjiri saj nxori veprimtarë të shquar në lëvizjen për çlirim:
në Demonstratat e viti 1968, në ato të viti 1981 dhe në lëvizjen
studentore. Rugova me krenari dhe dinjitet ishte e pandashme me luftën e
lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo dha 17 dëshmorë të
lirisë”, ka thënë ndër të tjera kryeministri.
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, tha se
populli shqiptar dhe veçmas ai i Kosovës kurrë nuk i kanë ndalur
përpjekjet për çlirimin e vendit, prandaj kanë dhënë shume heronj, siç
është edhe rasti i Rexhajve të Shkrelit. Ky manifestim u përcoll edhe
nga ansambli i këngëve dhe i valleve “Rugova”, dhe recitali i aktorit
Çun Lajçi. /Telegrafi/