Delegacioni kosovar ka zhvilluar një telekonferencë me
ndërmjetësin Robert Cooper. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë
se pala kosovare ka rënë dakord me propozimet e BE-së për marrëveshjet,
të cilat mund të arrihen gjatë qershorit apo korrikut. Por, mbetet ende i
paqartë qëndrimi i palës serbe.Ndërmjetësi i Bashkimit
Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Rober Cooper, ka biseduar edhe për
koordinimin e datave dhe agjendën e raundit të ardhshëm, që pritet të
mbahet në fund të qershorit.
Një ditë më herët, ai të njëjtën e ka realizuar edhe me palën serbe.
Udhëheqësja e ekipit kosovar në bisedime, Edita Tahiri ka konfirmuar
të enjten për Express se kanë rënë dakord me propozimet evropiane dhe,
sipas saj, në këtë linjë pala kosovare do të punojë për realizimin e
marrëveshjeve.
“Për sa u takon propozimeve, ato shkojnë në një linjë konstruktive
për të krijuar mundësinë që të realizohet lëvizja e lirë, tregtia e
lirë, gjithnjë duke u bazuar në parimet evropiane.
Po ashtu, sa u takon çështjeve të energjisë, propozimet janë të
bazuara në parimet e traktatit të Athinës për energjinë, të cilat janë
të pranueshme sepse ne si shtet po aspirojmë në BE, prandaj edhe parimet
e BE`së janë të pranueshme”, ka thënë Tahiri.
Për sa u takon çështjeve të telekomunikacionit, ajo ka thënë se kanë
biseduar që platforma të jetë mbi bazën e një mekanizmi evropian për
rregullimin e telekomunikacionit.
“Sa i takon kthimit të dokumentacionit kadastral dhe regjistrave
civilë, kemi diskutuar pra për mënyrën e verifikimit të dokumentacioneve
që kanë mundur të ndodhin ndryshim të të dhënash në periudhën
njëmbëdhjetë-dymbëdhjetë vjeçare që janë mbajtur në Beograd. Pas
verifikimit do të kemi marrëveshje për t`i kthyer dokumentet”, tha
Tahiri.
Por, ende nuk dihet nëse Kosova mund të marrë kopjet origjinale të këtyre dokumenteve.
“Këto janë opsione në tavolinë, varësisht nga procesi i verifikimit, atëherë do të vendosim”.
Tahiri ka folur po ashtu edhe për mundësinë që gjatë takimit të
qershorit apo më së largu atij të korrikut, të mund të arrihen
marrëveshjet.
Robert Cooper ka pasur një telekonferencë të mërkurën edhe me palën
serbe, të ngjashme me këtë telekonferencë me palën kosovare dhe tani,
pas marrjes së propozimeve nga të dyja palët për datën e bisedimeve, do
të caktojë atë dhe së shpejti pritet të konfirmohet zyrtarisht.
/Telegrafi/