Ballkani perëndimor ka perspektivë të integrimit në Bashkimin
Evropian dhe kjo vlen për të gjitha vendet e rajonit. Por ka dallime të
mëdha në mes të tyre, prandaj secili shtet do të vazhdojë të vlerësohet
në bazë të meritave individuale. Suksesi i madh i Kroacisë, e
cila përmbyll negociatat, zgjedhjet dhe përparimi i madh në Mal të Zi,
kanë bërë që këto shtete të veçohen si lajme pozitive.
Në anën tjetër Shqipëria është veçuar si vend për shqetësim të
veçantë, ndërkohë që Kosova dhe Bosnjë&Herecegovina kanë problemet
të natyrave tjera, shkruan Koha Ditore.
Këto janë përshtypjet kryesore nga forumi i Ballkanit Perëndimor,
zhvilluar në Luksemburg. Siç ndodh zakonisht në takime të tilla, sa herë
që thirret të marrë pjesë edhe Kosova hapet edhe tema e formës së
pjesëmarrjes. Për të mos diskriminuar askënd, për të kënaqur të gjitha
vendet anëtare të BE-së, si dhe vendet e rajonit, takimi pati karakter
krejtësisht joformal.
Por, sipas disa burimeve nga takimi, në të nuk ka ndodhur asnjë
“teatralizëm”. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj mori pjesë në
takim, fjalën ia dha sikur të gjithë të tjerëve, përfaqësuesja e lartë,
Catherine Ashton. Por, edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic u
shpreh i kënaqur, pasi, sipas tij është përfillur edhe kërkesa e Serbisë
që para ministrit të Kosovës të flasë edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto
Zannier.
Ashton në këtë takim ka thënë se duan të shohin progres, me rezultate
konkrete në dialogun Prishtinë-Beograd sa më herët që të jetë e mundur.
Mirëpo, se kur priten rezultatet, përfaqësuesja e lartë e BE-së është
përgjigjur se kjo varet nga palët, ndërsa BE-ja shërben vetëm si
lehtësuese.
“Besoj se së shpejti vetë palët do të dalin me rezultate konkrete dhe
siç e dini ato kanë të bëjnë me çështjet praktike të cilat janë me
rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve. Doganat janë një prej
atyre çështjeve dhe nëse këtu gjendet një zgjidhje, kjo do të ndihmojë
në zhvillimin e biznesit që është në të mirë të të gjithëve”, tha
Ashton. /Telegrafi/