Njësitet e KFOR-it dhe EULEX më 30 qershor do të kryejnë
ushtrimin e rregullt dhe të përbashkët fushor “Skifteri i Ballkanit”.
Për herë të parë në traditën e “Skifterit të Ballkanit”, Njësitet e
Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrin pjesë në ushtrim me
kompetenca të definuara zyrtarisht.Në njoftimin e KFOR-it
thuhet se kjo organizatë do të kontribuojë në operacionet e mbrojtjes
civile, siç janë operacionet e zjarrfikës, operacionet e
kërkim-shpëtimit, operacionet e evakuimit mjekësor, operacionet për
mënjanimin e lëndëve plasëse si dhe në operacionet për menaxhimin me
materie të rrezikshme.
Njësitet e FSK-së do të marrin pjesë si forca për reagim në raste të
krizave, të cilat reagojnë në raste të fatkeqësive të mundshme natyrore,
në raste të fatkeqësive të tjera dhe raste të tjera emergjente.
“Përvoja e fituar pas përfundimit të detyrave të përcaktuara për
FSK-në gjatë këtij ushtrimi pritet të kontribuojë në rritjen e
kapaciteteve themelore të FSK-së, posaçërisht pas përfundimit të
trajnimit në një kontekst shumëkombësh. Qëllimi tjetër i këtij
operacioni trajnues është që t’i ndihmohet kësaj organizate t’i arrijë
kapacitetet e plota operacionale”, thuhet në njoftim.
Skenari themelor i ushtrimit të radhës “Skifteri i Ballkanit”
bazohet në supozimin se në pjesën qendrore të Kosovës ka ndodhur një
tërmet i fuqishëm, i cili ka pasur ndikim të konsiderueshëm jo vetëm në
infrastrukturën e këtij rajoni por edhe në një aeroport të rëndësishëm,
ku janë rrënuar ndërtesat dhe ku ka pasur shumë viktima, si pasojë e
kësaj fatkeqësie.
Së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in, FSK do të jetë në vendin e
ngjarjes dhe do të kryejë operacione të kërkim-shpëtimit si dhe të
evakuimit. Forca e Sigurisë së Kosovës do të merret edhe me kërcënimet e
shkaktuara nga materiet e rrezikshme si dhe është e përgatitur për
operacione të zjarrfikjes në po këtë rajon. Përveç operacioneve të
shpëtimit, EULEX-i dhe KFOR-i mbajnë përgjegjësinë për t’u angazhuar në
trazirat e shkaktuara nga plaçkitësit dhe ekstremistët. Ky “skenar i
aeroportit”, si pjesë e “Skifterit të Ballkanit” do të realizohet në
aeroportin e Gjakovës. /Telegrafi/