Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, për dallim nga dy krerët e tjerë institucionalë, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi, vazhdon të mos ketë qëndrim për konkluzionet e marrëveshjeve të para mes ekipit dialogues të Kosovës dhe atij të Serbisë, të cilat i ka nxjerrë ndërmjetësi i BE-së, Rober Cooper, më 2 korrik, shkruan Koha Ditore.
Këshilltari për media i presidentes, Arbër Vllahiu, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ketë çështje të shtunën. Presidentja Jahjaga, e cila është e thirrur për ta garantuar rendin kushtetues në vend, i ka marrë konkluzionet e Cooperit, të enjten, në të njëjtën ditë kur ato i janë dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Dhe, për sa kohë që asaj nuk i kanë mjaftuar tri ditë për ta artikular një qëndrim të vetin, Krasniqi brenda pak minutave ka dalë me një qëndrim. Ai ka thënë haptas se Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga disa elemente të shtetësisë, për faktin se nuk është dashur të pranonte që qytetarët e Kosovës të lëvizin nëpër Serbi vetëm me karta identiteti, e jo edhe me pasaporta që mbajnë mbishkrimet e Republikës së Kosovës, ashtu sikur që nuk është dashur të pranonte që kufiri mes dy shteteve, të cilësohet si “kufi administrativ”. Kreu i Kuvendit e ka cilësuar të papranueshme edhe marrjen e fotokopjeve të regjistrave civilë në vend të atyre origjinalë.
Për dallim nga bashkëpartiaku i tij që e drejton Qeverinë, Hashim Thaçi, i cili marrëveshjet e 2 korrikut i ka cilësuar të “modelit evropian”, Krasniqi ka ngjallur dyshime edhe rreth çështjes së nostrifikimit të diplomave universitare të shqiptarëve që jetojnë në Serbi e që studimet i kanë mbaruar në Kosovë, për vetë faktin se nostrifikimi i është lënë një vendi të tretë.
Të alarmuar nga “konkluzionet” e Cooperit, deputetët opozitarë, të premten, kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet me urgjencë për t’i shqyrtuar detajet e të tria marrëveshjeve. Për kryeministrin Thaçi, konkluzionet e ndërmjetësit të BE-së janë vetëm konkluzionet që kanë dalë nga takimet që janë zhvilluar në Bruksel në mes të delegacionit shtetëror të Kosovës dhe atij të Serbisë, dhe rrjedhimisht Kuvendi i Kosovë ka nevojë që t’i ratifikojë ato. /KD/Telegrafi/