Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka marrë vërejtje nga përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur dhe organizatave që merren me këtë kategori, ndaj mospranimit me çfarëdo kushti të Projektligjit për persona të zhdukur të hartuar nga Qeveria.
Në dëgjimin publik të mbajtur të martën, përfaqësuesit e organizatave për persona të zhdukur kanë kundërshtuar versionin e Projektligjit të hartuar nga Qeveria duke thënë se ky projektligj është “i thatë” dhe nuk mbron të drejtat mirëfillta të familjarëve e as personave që konsiderohen të zhdukur, njofton Koha Ditore.
Ndonëse në projektligj është cekur se “ky ligj ka për qëllim të mbrojë të drejtat dhe interesat e personave të zhdukur dhe familjarëve të tyre”, megjithatë, paqartësia e kësaj deklarate të vendosur në faqen e parë të projektligjit është shoshitur të martën. Sipas projektligjit, persona të zhdukur konsiderohen të gjithë ata për fatin e të cilëve nuk dihet që nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000.
Deputetët anëtarë të Komisionit për Persona të Pagjetur kanë hedhur kritika mbi Qeverinë se kjo e fundit ka vonuar tej mase sjelljen në Kuvend të një drafti të plotë për personat e zhdukur. E njëkohësisht, deputetët e opozitës kanë thënë se ai dokument ka shumë pak informacione në përgjithësi dhe se duhet të ripërpunohet në pjesën dërmuese të tij.
Gjatë debatit kishte propozime të cilat nuk janë të përfshira në 19 nenet e këtij projektligji, por që morën përkrahje nga krerët e komisionit me premtimin se ato propozime do të futen gjatë përmirësimit në formë të amendamenteve në atë projektligj.
Bajram Qerkini, përfaqësues i familjarëve të personave të pagjetur për rajonin e Mitrovicës, ka kërkuar nga deputetët që të japin sqarime se në cilin nen plotësohen të drejtat që gëzojnë familjet e të pagjeturve dhe personat që konsiderohen të zhdukur.
“Nëse keni aq shumë presione ndërkombëtare, atëherë na tregoni që ne mos të merremi fare me këto letra”, u është drejtuar deputetëve i moshuari Qerkini. /Telegrafi/