Kancelarja gjermane Angela Merkel arrin të hënën në Beograd me kërkesën që të normalizohet situata në veriun e Kosovës, sidomos kur është fjala te doganat dhe gjykatat dhe që marrëveshja të arrihet përmes dialogut të Prishtinës dhe Beogradit. Frika e Beogradit se “normalizimi” nënkupton vënien e doganave dhe të gjyqësorit nën kontrollin e Prishtinës dhe se me refuzim Beogradi do të ballafaqohet me bllokimin e integrimeve të në BE, kanë shkaktuar nervozizëm dhe deklarata të ashpra të zyrtarëve serbë se “Serbia nuk do t’i kalojë linjat e kuqe” dhe se për shkak të integrimit në BE “nuk do të heq dorë nga Kosova”.
“Nuk kanë nevojë të insistojnë në dialog, sepse ne jemi të përcaktuar për dialog dhe do të japim maksimumin që të arrihet kompromisi. Por, është iluzion që nga ne të kërkohet që të pranojmë diçka që është në kundërshtim me interesat shtetërore. Nuk mund të bisedojmë për këtë, ta zëmë, që të ardhurat e doganave të shkojnë në Prishtinë sepse kjo do të thotë se po e financojmë shtetin e vetëshpallur shqiptar. Por, mund t'i kemi parasysh të ardhurat që mbesin te komunat lokale për zhvillimin e tyre”, ka thënë për “Blic” i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën, Goran Bogdanovic.
Nervozizmi i zyrtarëve në Beograd para ardhjes së kancelares Merkel dhe pasiguria se sa ajo do të jetë këmbëngulëse që veriu i Kosovës të vihet nën kontrollin e Prishtinës, shihet edhe me deklaratat e zëvendëskryeministrit Ivica Dacic si dhe nënkryeministrit Bozidar Delic i cili për gazetarët ka thënë se “nuk sheh dëshirën e bashkësisë ndërkombëtare për ta ndaluar Serbinë që të futet në BE”, sepse me kërkesat që “të pranohet Kosova praktikisht do të thotë ngritja e laurës për integrime evropiane”.
Dacic të martën ka ftuar zyrtarët më të lartë shtetëror që bashkësisë ndërkombëtare t’i thonë se “Serbia nuk mund të tregtoj me interesat nacionale dhe shtetërore në dobi të integrimit në BE”.
Vladimir Todoric, nga Qendra për politikë të re, ka thënë për “Blic” se mundësia për marrëveshje për ndarje të Kosovës “de jure” ka rënë dhe se tash është momenti të bisedohet për planin “Ahtisaari plus”, i cili do të përfshinte edhe çështjen e statusit të enklavave serbe në jugun e Kosovës.
Siç ka shkruar më herët “Koha Ditore”, BE planifikon “autonominë substanciale” për veriun e Kosovës, ku komunat serbe do të fitonin një shkallë të pavarësisë financiare. Gazeta prishtinase ka shkruar se detajet tjera, si dokumentet, tabelat, gjyqësore etj., do të zgjidhen me dialogun nën ndërmjetësimin e BE-së.
Askush në Serbi e as në Kosovë nuk i kanë konfirmuar këto deklarata. /Telegrafi/