Veriu i Kosovës dhe pikat kufitare tash janë nën kontrollin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it dhe do të mbeten të tilla derisa të mos ketë një zgjidhje tjetër të qëndrueshme.
Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler në një intervistë për Kohën Ditore, ka shpjeguar gjendjen e tensionuar në veri, ku grupet kriminale janë përzier me elementë radikalë dhe përfaqësues politikë. Sipas gjeneralit, janë këto grupe që kundërshtojnë sundimin e ligjit, sepse përfitojnë nga mungesa e ligjshmërisë.
Ata, sipas Buhlerit, frikësojnë qytetarët e Kosovës në veri të vendit. Komandanti i KFOR-it shpjegon se marrëveshja e arritur dhe e ndërmjetësuar prej tij është e përkohshme, duke menduar se dialogu në Bruksel do të sjellë zgjidhje të qëndrueshme.
“Kemi një gjendje të tensionuar dhe duhet të kuptojmë se edhe incidentet më të thjeshta mund të eskalojnë. Kjo situatë megjithatë nuk mund të na zmbrapsë nga qëllimi elementar që edhe atje të zbatohet rendi dhe ligji. Kuptohet që grupet kriminale që janë të përziera me elementë radikalë nuk kanë dëshirë që atje të ketë rend dhe ligj, prandaj kuptohet rezistenca e tyre”, ka thënë Buhler.
Komandanti shpjegon se djegia e portës kufitare 1 nuk ka ndodhur nga protestat. “Djegia e portave u bë nga një sulm i planifikuar e tepër i dhunshëm që nuk ishte protestë. Ishte sulm i armatosur me armë zjarri dhe eksplozive”, tha ai.
Buhler tha se kontingjenti i KFOR-it ka reaguar, por ka qenë e pamundur të mbrohej porta. “Më duhet të cek edhe diçka. Në portat që janë nën përgjegjësinë e EULEX-it, siç ka qenë porta 1, në ato momente KFOR-i reagon pas një kërkese të EULEX-it”, ka thënë komandanti.
Por, EULEX-i dhe zyrtarët e misionit të BE-së që kanë qenë aty, sipas gjeneralit gjerman, kanë qenë krejtësisht të sfiduar, saqë as një kërkesë tek ushtarët e KFOR-it nuk kanë mundur ta bëjnë.
Sipas tij, Njësiti elitar i Policisë së Kosovës, ROSU, ishte bllokuar rrugës për një Jarinjë dhe pas marrëveshjes, njësiti elitar nuk ka qenë fare e nevojshme që të arrijë në portën një. Policia e rregullt e Kosovës ishte transportuar atje me helikopterë të KFOR-it.
“Një sulm i ngjashëm po përgatitej edhe për portën 31. Gjatë sulmit në portën 1 unë personalisht isha prezent në portën 31. Isha dëshmitar i të shtënave me armë zjarri në drejtim të pikës kufitare ku ne gjendeshim. Ka pasur kërcënim të drejtpërdrejtë edhe për pikën 31. Prezenca e madhe e KFOR-it ka pamundësuar sulmin”, ka rrëfyer komandanti.
Ai ka thënë se edhe komandanti i ri i KFOR-it që do ta zëvendësojë Buhlerin në shtator, Erhard Drews, është i përgatitur dhe se KFOR-i do ta kryejë punën e vet. /Telegrafi/