Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë vizitës shtetërore në Hungari, është takuar edhe me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Laslo Kover. Ky i fundit shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Kosovën në marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe u angazhua për ndihmë Kosovës në proceset integruese.
Kryetari i Parlamentit hungarez vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe në veçanti bashkëpunimin mes Parlamentit të Hungarisë dhe Kosovës, ndërkaq theksoi se vendi i tij është i gatshëm që ta ndihmojë Kosovën në fushën e legjislativit, posaçërisht në procesin e përgatitjes dhe miratimit të ligjeve në përputhje me standardet evropiane.
Kover tha se Hungaria gjatë rrugës së saj të integrimit në BE ka pasur një model tjetër, ndërkaq Kosova mund të marrë shembullin dhe përvojën e Hungarisë në rrugën e integrimit në BE.
Kryetari i Parlamentit të Hungarisë theksoi se marrëdhëniet fqinjësore janë të rëndësishme në rrugën e integrimeve dhe tha se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin çështjet e hapura mes tyre gjë që do të ndihmonte në përafrimin e të dyja vendeve me BE-në.
Ndërkaq, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke e falënderuar kryetarin e Parlamentit hungarez për mikpritjen, vlerësoi marrëdhëniet miqësore me Hungarinë dhe tha se bashkëpunimi ndërparlamentar është i rëndësishëm.
Jahjaga tha se Kosova në rrugën drejt integrimeve evropiane është e obliguar që të miratojë një varg ligjesh, të cilën gjë po e bën dhe e cila po monitorohet nga Komisioni Evropian, në raportin e progresit për Kosovën
Ajo tha se Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar dhe ka demokraci parlamentare.
Presidentja e vendit po ashtu duke folur rreth dialogut me Serbinë tha se dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet dy shteteve por tha se zgjidhjet duhet të jenë evropiane. Ajo theksoi se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në BE, si dy shtete të pavarura dhe në këtë rrugë duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën. /Telegrafi/