Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi gjatë vizitës në Greqi është takuar me sekretarin Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Ioannis-Alexios Zeppos. Kuçi përveç kërkesës që ka bërë për njohjen e Kosovës nga ana e shtetit helen, ka kërkuar edhe uljen e tarifave-taksave të sigurimeve të automjeteve, për qytetarët e Kosovës që hyjnë në Greqi, investime greke në Kosovë, bashkëpunimin në fushën akademike etj.
Kuçi gjatë vizitës që është duke e zhvilluar në Greqi, ku po merr pjesë në konferencën e Bankës Botërore dhe të Organizatës Evropiane të së Drejtës Publike, që po mbahet në Athinë, "Just-Pal", për sistemet e drejtësisë në vendet e Evropës dhe të Azisë Qendrore, ka prezantuar sistemin juridik të Kosovës.
Në njoftimin për media të MD-së thuhet se sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Zeppos, i ka mirëpritur kërkesat e ministrit Kuçi dhe ka thënë së do te bëjë përpjekje që t'i ndihmojë Kosovës në fushat e përmendura, ku me seriozitet janë duke e shqyrtuar mundësinë e investimeve dhe të uljes së tarifave të sigurimeve, për automjetet kosovarë që hynë në Greqi.
Ministri Kuçi po ashtu ka mbajtur fjalimin kryesor në Konferencën e Bankës Botërore dhe të Organizatës Evropiane të së Drejtës Publike, "Just-Pal", për sistemet e drejtësisë të vendeve të Evropës dhe të Azisë Qendrore.
“Në fjalimin e tij para të pranishmëve në këtë konferencë, ministri Kuçi ka prezantuar sistemin juridik të Kosovës, bashkëpunimin e ngushte që është në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it, në fushat që i lidhin këto dy institucione, si dhe ka paraqitur nevojën për përmirësimin e mëtejme të jetës juridike, garancinë për pavarësinë e plote të sistemit gjyqësorë dhe nevojën për reforma të vazhdueshme në këtë sistem”, thuhet në komunikatë.
Kuçi ka thënë se Kosova si shtet i ri kërkon përkrahje të vazhdueshme nga të gjitha institucionet relevante evropiane, meqenëse reformat institucionale dhe legjislative janë prioritet mbi prioritetet për Qeverinë e Kosovës
Në komunikatë thuhet se kjo konferencë do t’iu ndihmojë institucioneve të drejtësisë së Kosovës, që të fuqizojnë bashkëpunimin dhe dialogun rajonal në fushën e gjyqësorit. Përveç ministrit Kuçi, në këtë konferencë po marrin pjesë edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani dhe shefi i Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Vigan Qorrolli, të cilët do të paraqiten me prezantimet e tyre. /Telegrafi/